Pejiç rikthen Kukësin te fitorja në Durrës

redaktor

Ajo që pritej të ishte një përballje e luftuar mes Teutës në kërkim të reagimit për pikët e mbijetesës dhe Kukësit pretendent për titullin rezultoi diçka më tepër se një seancë stërvitore për skuadrën e Artim Shaqirit.

Një fitore e pastër 3-0 për kuksianët në “Niko Dovana”, në një takim që u mbyll praktikisht brenda 17 minutave të para dhe i shërbeu Pejiçit për të pasuruar koleksionin e tij me një dygolësh që e çon në 9 kuotën e finalizimeve të kroatit në kërkim të konfirmimit si “Këpucë e Artë”.

Ishte një ndeshje me një drejtim e pa histori me Teutën e prirur për të bërë viktimën e gatshme për t’u sakrifikuar me skuadrën durrsake që bëri më pak edhe se shtylla që i mohoi golin Zeqirit në minutën e 8-të, menjëherë më pas edhe Pejiç ndjeu erën e golit, por nëse në tentativën e parë çoi topin pak larg katërkëndëshit, vetëm një minutë më pas në të dytën gjeti golin e avantazhit, me Lushtakun që krosoi dhe kroatin që shtyu topin drejt rrjetës i pashqetësuar.

Çdo shpresë për të parë pak futboll me reagimin e mundshëm të Teutës u zvenit në minutën e 17 kur në një kundërzbritje të shpejtë të Kukësit një asist i Hair Zeqirtit prezantoi sërish Pejiçin para Osmanit dhe këtë herë kroati pati dhe ndihmën e fatit me topin që shkoi drejt portës në karambol pas devijimit fillestar të portierit, për golin e 2-0, të 9-in për Pero Pejiç në këtë kampionat.

Me Teutën të paaftë për të gërvishtur, me ndonjë goditje të ndrojtur nga distanca (minuta 28-të) që ishte shumë pak për të shqetësuar portierin Halilaj, sfida humbi çdo emocion. Në fundin e pjesës së parë verilindorët gjetën edhe golin e 3-0 dhe këtë herë gjithçka lindi nga një gabim i Ahmatajt, me Lushtakun që vodhi topin për të përparuar i vetëm drejt portës në të djathtë e ndëshkuar sërish Osmanin. 3-0 që në pjesën e parë dhe në të dytën Kukësit i mjaftonte një menaxhim i qetë duke ruajtur forcat për ndeshjen e radhës dhe me Teutën e dorëzuar rezultati ishte një fraksion i dytë ku fitoi mërzia dhe pa asgjë të veçantë për të treguar.

Në fund 3-0 me skuadrën e Artim Shaqirit që ngjitet përkohësisht në vendin e dytë në kuotën e 31 pikëve dy më pak se Partizani kryesues ndërsa Një Teutë që pritej të luftonte për të dalë nga tuneli çuditërisht e pësoi humbjen e saj të pestë radhazi në një ndeshje ku nuk u nxor asnjë karton i verdhë, statistikë që tregon shumë mbi rivalitetin që ofruan bregdetarët.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *