Pero Pejic po numëron ditët e fundit me fanellën kuksiane. Bomberi kroat që u shpall edhe golashënuesi më i mirë i sezonit të shkuar në Kategorinë Superiore po planifikon ta vazhdojë aventurën personale në një kampionat jashtë vendit tonë. Nisja e skuadrës drejt Podgoricës e planifikuar fillimisht në orën 10 të së mërkurës u shty me disa minuta për shkak të vonesës së Pejic. Nuk bëhej fjalë për moskorrektesë nga ana e 32-vjeçarit, por për një takim kokë më kokë që ai zhvilloi me presidentin e klubit, Safet Gjici.
Kroati dhe numri 1 i klubit diskutuan për të ardhmen e tij, por sipas informacioneve, Pero Pejic mori në dorëzim letrat e largimit nga klubi, edhe pse ai do të vazhdojë të jetë pjesë e Kukësit deri në fund të aventurës europiane.
“Nëse skuadra arrin të kualifikohet në raundin tjetër, Pejic do të vazhdojë të qëndrojë në grupin aktual sigurojnë”, zyrtarët e klubit kuksian, por nga ana tjetër iranianët e Esteghlalit nuk kanë shumë kohë në dispozicion. Merkatoja në vendin islamik mbyllet në fund të muajit dhe nëse dëshirojnë të afrojnë kroatin ata duhet ta mbyllin marrëveshjen brenda korrikut.
Një tjetër destinacion i mundshëm për 32-vjeçarin është edhe klubi izraelit Hapoel Ra’anana, ku pak ditë më parë u afrua edhe sulmuesi shqiptar, Elis Bakaj, ndërsa aventura e mundshme me një tjetër klub shqiptar mbetet më pak e mundshmja.