Kreu i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, akuzon qeverinë për ndarjen e buxhetit për njësitë vendore në bazë të ngjyrave politike. Sipas Peleshit, ndarja e buxhetit po bëhet në mënyrë selektive dhe ky është një problem për të cilin duhet të ngrenë zërin të gjithë drejtuesit vendorë.
“Deri më sot, financat vendore kanë përjetuar goditje të njëpasnjëshme. Ne mendojmë se sa më i madh presioni pozitiv nga poshtë nëpërmjet komuniteteve dhe këshilltarëve lokalë, aq më tepër do të nxisim qeverinë që të jetë më e përgjegjshme dhe më pak selektive në ndarjen e parave të të gjithë shqiptarëve”, tha Peleshi gjatë një takimi me të zgjedhurit vendorë të rajonit juglindor. Deklarata e Peleshit vjen në prag të miratimit të buxhetit të vitit 2013 për qeverinë dhe njësitë vendore.