Pëllumb Xhufi: Vitet e mbrapshtë të Shqipërisë pas Luftës I Botërore (1918-1920)

Ornela

Fundi i Luftës I Botërore, u prit me ankth, por edhe me shpresë nga rrethet patriotike, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Territoret e Shqipërisë së dalë nga Konferenca e Ambasadorëve (1913) mbetën të pushtuara, tashmë nga ushtritë e Antantës. Pas tërheqjes së forcave Austro-Hungareze, në Shkodër u vendos një kontingjent i trupave aleate nën komandën franceze. Në krahinën e Korçës vazhdonin të mbeteshin gjithashtu francezët, kurse i gjithë territori tjetër i Shqipërisë u vendos nën kontrollin e trupave italiane. Ndërkohë, Serbia e Greqia, të cilat u rreshtuan në krahun e Aleatëve, dhe pse nuk luajtën rol në veprimet ushtarake, prisnin nga Konferenca e Paqes së Parisit të plotësoheshin pretendimet e tyre mbi territoret shqiptare që kishin shpëtuar pa u aneksuar prej tyre pas Konferencës së Ambasadorëve të Londrës, më 1913. Ç’është më e keqja, pretendime të forta në Shqipëri ngrinte tani edhe Italia, që në mjediset patriotike shqiptare konsiderohej një vend dashamirës e me rol të rëndësishëm në krijimin dhe ruajtjen e shtetit shqiptar të njohur nga Konferenca e Ambasadorëve më 1913. Traktati i fshehtë i Londrës i vitit 1915, me të cilin Aleatët siguruan kalimin e Italisë në krahun e tyre, i jepte Italisë sovranitetin e plotë mbi Vlorën e hinterlandin e saj si dhe protektoratin mbi pjesën e Shqipërisë e Mesme që do mbeste pasi Veriu dhe Jugu i Shqipërisë do u kalonte Serbisë, Malit të Zi e Greqisë. Traktati u denoncua nga qeveria bolshevike e Rusisë dhe u bë objekt i stigmës dhe i kritikës së ashpër të Presidentit W. Wilson. Më 8 janar 1918, paraqiti përpara Kongresit projektin e tij prej 14 pikash mbi paqen në Evropë, që sillte një frymë të re liberale e demokratike në marrëdhëniet ndërkombëtare. Sipas tij, rendi botëror nuk duhet të bazohej më në ekuilibrin e forcave, por në të drejtën e popujve për të vendosur për fatin e tyre. Vendin e “diplomacisë së fshehtë” duhet ta zinte “diplomacia e popujve”.

Duke iu referuar posaçërisht nënvizimeve të Presidentit amerikan mbi mosnjohjen e marrëveshjeve të fshehta të Fuqive dhe mbi afirmimin e të drejtat e popujve të vegjël, në  letrën që i dërgonte Partisë Politike në SHBA, më 7 tetor 1918, Ismail Qemali shprehej plot shpresë: “Presidenti Wilson, i cili me të drejtë duhet të shpallet apostull i paqes dhe i lirisë së popujve, dërgoi një mesazh të ri, i cili përbën një garanci të re për shpëtimin tonë… Nuk ka pikë dyshimi, se duke filluar nga sot, merr jetë perandoria e së drejtës dhe fillon epoka e drejtësisë universale” . I bindur për rolin e ri që SHBA do luante në skenën botërore këtej e tutje, I. Qemali u sugjeronte rretheve patriotike të shqiptarëve Amerikës, që të takonin qarqet zyrtare amerikane për t’u treguar atyre, me argumente historike, politike e gjeografike, se cili është kombi shqiptar, cilat janë të drejtat dhe dëshirat e këtij kombi “dhe për t’i bindur ato “se pa iu shtuar Shqipërisë nga ana e veriut Kosova e nga ana e Jugut Çamëria, nuk mund të shtrohet qetësia në sinisinë e Ballkanit”. Por, megjithëse lufta kishte mbaruar e në Paris do flitej për paqen, mbi qiellin e Shqipërisë po grumbulloheshin re të zeza, ndaj duhej vepruar pa humbur kohë. “Sot”, i shkruante I. Qemali në 17 nëntor Sevasti Dakos, “është dita e fundit për Shqipërinë: do të ngjallemi a do të vdesim”.

Në këto rrethana të vrullshme e të rrezikshme, në rrethet patriotike shqiptare, brenda dhe jashtë vendit, ishte pjekur bindja se vendi duhet të kishte një qeveri, shprehje e vullnetit dhe e sovranitetit të popullit shqiptar, që të mund të përçonte zërin e tij në Konferencën e Paqes. Për praninë e një delegacioni shqiptar në Konferencën e Paqes, por që të mbështeste qëndrimet italiane atje, ishte e interesuar edhe Italia, që kontrollonte pjesën më të madhe të territorit të Shqipërisë. Për këtë qëllim, që në muajin tetor 1918 Ministri i Jashtëm italian, Sidney Sonnino, udhëzonte krijimin në Shqipëri të një “Këshilli Kombëtar Shqiptar” me qendër në Durrës, nga i cili do dilte përbërja e delegacionit në Konferencën e Paqes. Por edhe kjo nuk ishte punë e lehtë. Periudha pas shpalljes së Pavarësisë në 1912 ishte karakterizuar nga veprimi i një numri të madh faktorësh divergjentë në jetën politike të vendit, që kulmuan me krijimin e disa zonave pushtimi gjatë Luftës I Botërore. Për rrjedhojë, edhe elita politike e kulturore e vendit ishte copëzuar në qëndrimet e zgjedhjet e veta politike. Siç vërente, jo pa e tepruar, në 22 tetor 1918 F. Castoldi, shef i zyrës për Shqipërinë e Ballkanin në MPJ italiane, “plogështia dhe pavendosmëria e njerëzve që pretendojnë të udhëheqin kombin shqiptar, është shkaku që sot nuk ekziston asnjë qendër, asnjë grup që të marrë pamjen dhe autoritetin për të folur e për të vepruar në emër të popullit”.

Nga ana tjetër, italianët nuk ishin dhe aq të interesuar që shqiptarët të kishin një organ drejtues, që të fliste në emër të popullit shqiptar, siç shprehej Castoldi. “Këshilli Kombëtar Shqiptar”, precizonte ministri i tij, Sonnino, “duhej krijuar me personalitete shqiptare që të jenë besnikët tanë dhe të kenë autoritet në të gjithë Shqipërinë e pushtuar prej nesh, me përjashtim të Vlorës dhe të rrethit të saj”. Përjashtimi i Vlorës dhe i krahinës së saj nga përfaqësimi në delegacionin shqiptar nënvizonte kokëfortësinë e qeverisë italiane për të vendosur sovranitetin e plotë të saj mbi Vlorën, gjë që vetë Sonnino e kishte deklaruar hapur në fjalën e tij para parlamentit italian, më 23 shkurt 1918. Por ndarja e Vlorës nga trupi i shtetit shqiptar, siç këmbëngulte Italia, ishte një arsye mjaft e madhe për të krijuar një çarje të parë mes italianëve dhe personaliteteve shqiptare që në 25 dhjetor 1918 u mblodhën në Durrës. Në letrën që i dërguan qeverisë italiane të nesërmen, më 26 dhjetor, delegatët e Kuvendit njoftonin qeverinë italiane se kishin vendosur për krijimin, jo të një “Këshilli Kombëtar Shqiptar”, siç rekomandonte Sonnino, por të një qeverie kombëtare, shprehje e sovraniteti të popullit shqiptar, e cila do kishte autoritetin dhe investiturën e duhur për të mbrojtur interesat e vendit në Konferencën e Paqes. Edhe pse pranonin nevojën e ndihmës e të koordinimit me qeverinë italiane, pjesëmarrësit e Kuvendit të Durrësit deklaronin se Delegacioni shqiptar në Paris do humbte në seriozitet e besueshmëri, në rast se do fliste me të njëjtën gjuhë si delegacioni italian e “nuk do shkonte përtej qëndrimeve të Romës”. Ministri i Jashtëm Sonnino e parandjeu se qeveria shqiptare nuk do të ishte thjesht një krijesë italiane, prandaj kërkoi ta informonin përse vendimet e mara prej saj nuk puqeshin me direktivat e dërguara nga Roma. Kërkoi, gjithashtu, të njihej me fjalën dhe mënyrën e votimit të secilit delegat të Kuvendit.

 

***

Më 18 janar 1919 në Paris u hap Konferenca e Paqes, e cila do merrej me rregullimin e botës pas përfundimit të Luftës. Ashtu si në vitin 1878, në Kongresin e Berlinit, edhe kësaj radhe Shqipëria, e njohur si shtet i pavarur vetëm në vitin 1913, u ndodh edhe në këtë forum të lartë ndërkombëtar përballë pretendimeve territoriale të fqinjëve të saj. Shteti i ri i Jugosllavisë, i lindur nga bashkimi i Serbisë, Kroacisë e Sllovenisë e i pagëzuar pikërisht në Konferencën e Paqes, solli në atë konferencë pretendimet e Beogradit për një dalje serbe në  Adriatik nëpërmjet aneksimit të viseve të tjera veriore, veç Kosovës që ishte pushtuar në vitin 1913. Megjithatë, rreziku i vendosjes së protektoratit të Italisë mbi Shqipërinë, siç parashikonte Traktati i fshehtë i Londrës, fitonte një vend parësor në vlerësimet strategjike të Beogradit. Kundrejt një Shqipërie nën mandatin italian, në Paris jugosllavët zgjodhën të paraqesin si opsion të parë njohjen e pavarësisë e integritetit territorial të Shqipërisë së vitit 1913, në rast se edhe të tjerët do bënin të njëjtën gjë. Përndryshe, Jugosllavia do të kërkonte aneksimin e gjithë territorit në veri të rrjedhës së lumit Drin me Shkodrën, si dhe tokat në bregun e djathtë të Drinit të Zi. Në pritje të zgjidhjeve që do jepte Konferenca e Paqes, forcat jugosllave kishin depërtuar brenda territorit të Shqipërisë duke u pozicionuar kërcënueshëm në pika të veçanta, në Has, Lumë, Dibër, Malësi të Gjakovës e Malësi të Madhe.

Me një listë të gjatë rivendikimesh territoriale u paraqit në Paris kryeministri i Greqisë, E. Venizellos. Ato ishin bërë të njohura për kanceleritë e Fuqive që më herët, nëpërmjet memorandumit “Greqia në Konferencën e Paqes”, të hartuar nga vetë Venizellosi. Kryeministri kishte krijuar bindjen tek opinioni grek, se ishte ai njeriu që do realizonte projektin nacionalist të “Megali Idesë”, që parashikonte restaurimin e një perandorie të madhe euro-aziatike me kryeqytet Stambollin.  Entuziazmi rreth personit të tij ishte në qiell dhe në momentin kur po nisej për në Konferencën e Parisit,  Venizellos u përcoll me një ceremoni pompoze, ku antarët e parlamentit grek, të vënë në rresht, ndaheshin prej tij duke i puthur dorën, sikur të ishte një despot oriental. Në muajt tetor-nëndor 1918, kryeministri Venizellos vizitoi Parisin e Londrën ku anticipoi ambicjet territoriale të Athinës, që do paraqiteshin zyrtarisht në Konferencën e Paqes. Arriti të akreditojë aty pa shumë mund tezat greke. Në takimin me Lloyd George, Venizellos kërkoi aneksimin grek të “Vorio-Epirit”, të cilin, siç pretendoi ai,  ushtria greke e kishte pushtuar në tetor 1914 “me miratim” të Aleatëve”. Siç bënte shpesh, edhe kësaj radhe Venizellos luante me bllofin, me padijen dhe me memorien e shkurtër të bashkëbiseduesve të tij evropianë. Në fakt, kishte qenë vetë ai, që në 5 dhjetor 1914, kishte refuzuar ofertën anglo-franceze për të hyrë menjëherë në luftë në krahun e Antantës, kundrejt premtimit për të aneksuar pjesët e lakmuara të Shqipërisë së Jugut. Në atë rast, Venizellos ishte justifikuar duke thënë se “gjendja e përgjithshme kërkonte ruajtjen e neutralitetit grek”. Por edhe më tej, Greqia mbajti një “néutralité expectante” (neutralitet në pritje). Megjithatë, kjo nuk i pengoi trupat greke që në 1 dhjetor 1916 të qëllonin mbi marinarët francezë në portin e Pireut, duke vrarë shumë prej tyre. Venizellosi e futi Greqinë në luftë në krah të Antantës vetëm në muajt e fundit të saj.

Precedentët, pra, nuk premtonin mirë për Greqinë.  Pavarësisht nga kjo,  Venizellos parashtroi në Konferencën e Paqes një listë kilometrike rivendikimesh territoriale, edhe pse Greqia paraqitej aty me një bilanc të mjerë lufte, ndërkohë që fitimtarët deklaronin miliona e qindra mijëra viktima. Jo më kot, Venizellos paralajmëronte bashkëpunëtorët e tij të mos citonin shifra të vrarësh. Këta, bashkë me të plagosurit e të humburit mezi arrinin numrin 4917, dhe ky numër ishte në shpërpjesëtim ekstrem me rivendikimet e paraqitura prej tij. Megaloman e ambicioz i paskrupullt, Venizellos i atribuonte Greqisë një rol të madh në skakierën evropiane, si një vend civilizues, rol që Britania e Madhe dhe Franca kishin luajtur me afrikanët e aziatikët. Aftësia “civilizuese” e Greqisë ishte një nga “argumentet” ku Venizellos i mbështeti pretendimet greke mbi territore të huaja. Sa për shqiptarët e “Vorio-Epirit” që do përfshiheshin brenda kufijve të rinj të Greqisë, deklaroi ai, “ata duhet të ndjeheshin të lumtur që Greqia pranonte t’i përfshinte në gjirin e vet”.

Venizellos gëzoi një mbështetje tej çdo parashikimi në Konferencën e Parisit nga Franca dhe Britania e Madhe. Pozicionimi i tyre në favor të pretendimeve greke u pa që në mbledhjen e parë të “Komitetit për çështjet greke”, në 12 shkurt 1919, kur Kryetari, francezi Jules Cambon, i hapi punimet duke deklaruar se “Kjo konferencë ofronte mjetin më të mirë për të kënaqur rivendikimet e hershme të kombit grek, duke plotësuar më në fund veprën e pavarësisë të filluar një shekull më parë nga Kombet Liberale të Evropës”. Me një fjalë, rivendikimet e Greqisë ishin jo vetëm problem i saj, por edhe i Evropës Liberale!

Përfaqësuesit anglezë në Konferencën e Paqes, mbrojtën, gjithashtu, rivendikimet greke për Shqipërinë e Jugut, duke mbështetur tezën e Venizellosit se në këtë rast nuk duheshin marrë parasysh konsideratat etnike. Sipas tyre, në rend të parë për Aleatët vinin konsideratat ekonomike e strategjike. Sa i përket vërejtjes së delegatit amerikan lidhur me karakterin etnik shqiptar të asaj treve, anglezi Eyre Croëe me një dozë të fortë cinizmi deklaroi se duhej pasur besim në atë, që ai e quajti “aftësia e madhe asimiluese e popullit grek”. “Zemërgjerësia britanike” ndaj pretendimeve greke u shpreh qartë, kur në fund të majit 1919, britaniku Nicolson, paraqiti një propozim për ndarjen e Shqipërisë sipas linjave të Traktatit të Londrës 1915: Shqipëria e Veriut kalonte nën Jugosllavinë, ajo e Mesme do formonte një shtet mysliman autonom nën mandatin e Italisë, dhe Shqipëria e Jugut i jepej Greqisë. Për të siguruar edhe adezionin e SHBA me këtë plan, Nicolson parashikonte që krahina e Korçës “të kthehej në qendrën e një Universiteti Qëndror Shqiptar nën mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara, ku do të ruhej e nxitej idea e një bashkimi eventual shqiptar”. Por një zgjidhje e tillë i shtyu vetë antarët e tjerë të delegacionin britanik të vinin në dyshim shëndetin mendor të kolegut të tyre. Sa për amerikanët, ata nuk e morën fare në konsideratë atë.

Pikërisht, delegacioni i Britanisë së Madhe ishte ai që i dha mbështetjen më të madhe rivendikimeve të Venizellosit në Konferencën e Paqes. Pas kolapsit të Perandorisë Osmane, Britania e Madhe, deri atëhere fuqi mike e saj, i trëmbej krijimit të një boshllëku pushteti që do mund të rrezikonte interesat britanike në Mesdheun Lindor. Ndaj ishte e interesuar që zotërimi i ngushticave të binte në dorë të një fuqie aleate. Kryeministri laburist Lloyd George identifikoi si të tillë Greqinë, i tërhequr nga ofertat, si dhe nga sharmi që ushtronte mbi të politikani i regjur grek. Venizellosi i kishte premtuar atij se në rast të plotësimit të pretendimeve greke, ai do vinte në dispozicion të Britanisë çdo port apo bazë detare në territorin aktual grek dhe në territoret që Greqia priste t’i merrte nga Konferenca Por Venizellosi kishte bërë kujdes që ofertën greke për një kontroll nga flota britanike të bazave detare në Mesdheun lindor, ta paraqeste si një ofertë personale. E për rrjedhojë, ajo rrezikonte të mos realizohej, në rast se ai binte nga pushteti, dhe që të mos binte nga pushteti, Venizellosi duhej të mos kthehej duarbosh në Athinë! Prej këndej zelli i tepërt i britanikëve për t’i dhënë sa më shumë kredibilitet Venizellosit duke përkrahur çdo kërkesë të tij. Nuk ishte e rastit, që grupi negociator që përfaqsoi Britaninë e Madhe në Konferencën e Paqes të Parisit përbëhej nga filohelenë e njëherësh turkofobë të shpallur, si Sir Eyre Croëe, Harold Nicolson, Allen Leeper e diçka më pak Arnold Toynbee, studjues i njohur i qytetërimeve. Ky grup, brenda Ministrisë së Jashtme britanike, në vitet 1918-1920 punoi për krijimin e një aleance anglo-greke, në të cilën një “Greqi e Madhe” do të ishte partneri kryesor i Britanisë në Mesdheun Lindor.

(Vijon numrin e ardhshëm)

 

 

Share This Article
11 Comments
  • Banditet politike bejne pazare per privatizimin e pushtetit duke mos e perfillur hapur SOVRANIN popull,ndersa keta historianet,ne vend qe te heshtin,kur nuk kane cfare thone, na nanurisin me perralla me mbret per te terhequr vemendjen nga grabitja e lirive dhe te drejtave te njeriut qe po na behen!
    Dhe kur te vijne votimet,prap me listat e partive hajdute,ne do habitemi si “GOMARI,qe kur po e shqyente ujku,lutej ishalla jam ne enderr”!
    Pra keta intelektualet tane,qe qnkan ne gjendje te gjykojne politiken boterore,nuk qenkan ne gjendje te na zgjojne nga gjumi letargjik i sotem kur po na vidhet pushteti,sic kane bere keto 30 vjet!
    Per mua te gjithe keta jane KOLABORACIONISTE ne sherbim te banditeve politike!

  • Nje gje nuk e kuptoj. Thuhet shpesh dhe me te drejte se presidenti amerikan Willson, pati nje rol te madh ne shpetimin e Shqiperise nga coptimi.
    Por pse nuk permendet, ose pse nuk duan ta permendin apo ta njohin rolin e madh qe pati russia, ne shpetimin e trojeve shqiptare.
    Bajram Curri i shkroi hazretit Lenin, dhe qeveria Bolshevike e denoncoi traktatin e fuqive te medha per zhdukjen nga harta te Shqiperise.
    Pse nuk i pranojme faktet historike, dhe pse nuk falenderohet Lenini ashtu si Willsoni, ndoshta me shume,?

    • Epo kane frike ta permendin se mos e akuzojne per bolshevik.
      Po te jete se bolshevizmi ka mbrojtur Pavaresine territoriale te Shqiperise, une jam bolshevik deri ne vdekje. Dhe gjithashtu jam amerikan deri ne vdekje. Dhe qendrimi i Wilson duhet respektuar

  • Flm për studimin e thellë Z. Xhufi!
    Nuk di nëse ke ndonjë të dhënë për Haxhi Qamilin. Sipas EqereeBej Vlorës, del si pjellë e këtyre ndërkombëtarëve., me atë thirrjen antishqiptare “dum babën”, pra, TURKUN. AI jep një fakt sh interesant, për ta vërtetuar këtë.

  • Bolsheviket me Leninin ne krye denoncuan te paret 3 traktatet e fsheheta te fuqive te kohes biles me 4 shkurt 1924 partia popullore atehere ne parlament me Avni Rustemin,Fan Nolin etj propozoi 5 minuta heshtje ne nder te Leninit qe kishte nderruar jete ne janar te po’ atij viti ne mos gaboj.Pse nuk permenden? Sepse historine tek ne se kane bere historianet e vertete por politikanet sipas orekseve te tyre..dhe Nolin e Madh duan ta spostojne me cdo kusht sa per te nderuar ahmet zogollin e sa per mos tia prishur Janulles se asfalise greke.

  • Aaaaaa keto na qenkan te mirat qe kane bere Italianet si ne ate kohe, edhe me perpara apo me pas qe Edvin Rama kishte parasysh kur dergoj ne Itali infermjeret per te ndihmuar Italine qe na eshte gjendur ne dite te veshtira. Eeeeee o Pellumb Xhufi fol ti fol po cfare thote Rama se? Nga keto qe thua zotrote, Italia i ka shume borxhe Shqiperis dhe Shqiptarve, duke filluar qe nga Roma e lashte e deri ne ditet tona, por per Ramen, historia fillon me MiT’hat Frasherin.
    Ti ben mire qe I thua dhe I tregon keto te mira qe miqte tane kane bere per ne, dhe ne do tu jemi borxhellinj gjithe jeten, si thote dhe vet zogu I kurves Edvin Rama. Boll kemi vuajtur nga ndjenja ksenofobe dhe e armiqve imagjinare.
    Ja shiko, Shqiperia dhe Shqiptaret kane pasur gjithmone miq dhe partner te till, prandaj ka ecur perpara.
    Shqiperine e mori (Rama, Luli, Sala, Meta & co) I vu zjarr, Shqiptar mos rri po diku Shqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *