“1997-a nuk duhet harruar, por duhet rifreskuar në funksion të zgjedhjeve të 23 qershorit, përderisa shkaktarët janë sot në pushtet”. Kështu mendon një nga personalitetet më të shquara të Partisë Socialiste dhe të të Majtës shqiptare, ish-Kryetari i Kuvendit, Profesor Servet Pëllumbi. Një fotografi e bërë më 28 maj 1996, ditën e dhunës së pashembullt në sheshin “Skënderbej”, ku shihet Profesori i rrethuar nga gazetari i “El Mundo-s” dhe disa gazetarë të tjerë të huaj të gjakosur, (fotografi që u vu në kopertinën e revistës “Epoca” dhe që bëri xhiron e botës) u bë zanafilla e kësaj interviste. Duke analizuar me vëmendje skenën politike shqiptare, ai lëshon këtë paralajmërim serioz për atë që pritet të ndodhë në kuadrin e këtyre zgjedhjeve shumë të rëndësishme për Shqipërinë. Me këtë paralajmërim, Profesor Serveti na kujton shprehjen e famshme të Bertold Brehtit tek Arturo Ui, kur klithte se “barku që e polli (nazizmin) ende nuk është shterpëzuar”. Paralajmërimi i dhënë në këtë intervistë mund të përshtatet kështu: “Barku që polli ‘97-n nuk është shterpëzuar!”.
Në këtë intervistë ekskluzive për gazetën “DITA”, Profesor Pëllumbi i bën një skaner prej politikani të regjur zhvillimeve aktuale, pse dhe si ndodhi manipulimi i zgjedhjeve të 1996-s që pollën vitin e zi ‘97, çfarë duhet bërë për të shmangur tragjedinë e 16 viteve më parë, domosdoshmëria jetike e rotacionit politik dhe … pse Fatos Nano krahasohet shpesh me Berishën. Një bisedë me Ramiz Alinë në Rogner disa vite më parë dhe pse ish-Presidenti iu shmang përgjigjes për Katovicën… Të gjitha këto në intervistën me Profesor Servet Pëllumbin.
– Ka filluar një fushatë e ethshme elektorale për 23 qershorin. Si e parashikoni fushatën gjatë tre muajve në vijim?
– Fushata për zgjedhjet e 23 qershorit ka kohë që ka filluar. Dhe është për të ardhur keq që ajo po zhvillohet në një klimë mosbesimi reciprok, akuzash e sulmesh personale në vend të garës, të shpalosjes së alternativave, ideve, zgjidhjeve që ngjallin optimizëm për të ardhmen. Nga pala qeverisëse nuk vihet re asnjë lloj fryme llogaridhënieje për gjendjen e krijuar, për keq qeverisjen, për Gërdecin,për 21 janarin , për mos mbajtjen e premtimeve, apo për varfërinë, papunësinë në rritje, për korrupsionin dhe instalimin e “parimit të pandëshkueshmërisë” në nivelet më të larta të pushtetit. Një situatë e tillë duket se është me një drejtim: ajo shkon vetëm drejt ashpërsimit , si të gjuhës, ashtu dhe të veprimeve… Mos ndodhtë ajo që, zakonisht, shoqëron një logjikë të tillë!
– Profesor, ekziston një fotografi tashmë e famshme që ju paraqet Ju në Sheshin “Skënderbej” midis disa gazetarëve të huaj të gjakosur dy ditë pas zgjedhjeve të 26 majit 1996. Dihet se si ishin ato zgjedhje, me manipulim dhe një dhunë të pashembullt. A ekziston mundësia e përsëritjes së asaj historie më 23 qershor të këtij viti?
– Po, sa herë shoh atë fotografi, më del para syve dhuna e paprecedentë për raste zgjedhjesh, që u përdor në atë kohë nga regjimi i Berishës kundër opozitës, i cilësuar për këtë si “regjim gangster” nga shtypi i huaj. Po kështu më kujton dhe të ndjerin Pjetër Arbnori, që, kur e pyeti Martinez, në takimin informues të Strasburgut më 20 qershor 1996 : “A është e vërtetë që u rrah opozita dhe vetë z. Pëllumbi në sheshin kryesor të kryeqytetit?”, ai u përgjigj: “Po, këta deshën vetë të rriheshin z.Kryetar, që të akuzonin qeverinë…!
– Ju kini qenë një nga kritikët e rreptë të Kryeministrit Berisha gjatë 8-vjetëve të qeverisjes së tij. Çfarë do të veçonit nga mangësitë e tij në qeverisje gjatë këtyre viteve?
– Kam qenë vërtet kritik, por jo dhe aq i rreptë sa e meriton kryeministri Berisha. E theksoj, “kryeministri Berisha” si person i mposhtur nga etja për pushtet, madje për të gjitha pushtetet. Për qeverisjen Berisha do të thosha: pak qeverisje korrekte, profesionale, transparente dhe shumë fjalë, shumë eufori, shumë luftë politike për të “shitur për flori 24 karat a për diamant”, një qeverisje në shumë fusha të dështuar e të korruptuar.
– A janë të mjaftueshme këto mangësi në qeverisje që shqiptarët ta largojnë Berishën me votë nga pushteti më 23 qershor?
– Janë aq sa mjaftojnë dhe teprojnë! Janë tetë vjet qeverisje e konsumim. Dhe, konsumimi nga pushteti është shumë më i rëndë nga ai i moshës.
– Pra, ju mendoni se do të kemi një rotacion të pushtetit. A e mendoni këtë si një rotacion paqësor dhe a besoni në rotacionin paqësor me Berishën përballë?
– Nuk është çështja, e mendojmë a nuk e mendojmë, por për një proces jetik për vendin dhe të ardhmen e demokracisë në Shqipëri. Një mandat i tretë për Berishën do të ishte ekuivalent me instalimin e një “dinastie Berisha”, që rreket t’ia kalojë mbretërimit 11-vjeçar të Ahmet Zogut!
– Ndërkohë flitet për një fushatë të egër dhe se Berisha do përpiqet me të gjitha mënyrat të qëndrojë në pushtet edhe për katër vjet të tjerë. A nënkupton kjo rrezikun e vjedhjes apo të manipulimit të votave?
– Pikërisht ky është problemi. Nuk them se s’ka të drejtë të luftojë për alternativën e partisë që përfaqëson, por çështja është që, siç thoni ju në pyetjen tuaj: “Berisha po përpiqet me të gjitha mënyrat të qëndrojë në pushtet”. Dhe, skenarët e dëshiruar prej tij, tashmë dihen, i kemi parë të shpalosur disa herë në praktikë. Në këta skenarë ka vetëm deformim, vjedhje, dhunë, kërcënim me destabilizim, blerje komisionerësh, gjyqtarësh, votash të njerëzve që kanë halle për të zgjidhur…
– Profesor, a ekziston rreziku i përsëritjes së historisë së zgjedhjeve të 1996-s (që polli 1997-n) dhe si mund të shmanget një katastrofë e tillë?
– Po, pa asnjë dyshim. Ai i 1996-97 -s, është skenari që Berisha e ka përpunuar deri në hollësi dhe që e njeh më mirë. Pritet që t’i bëjë vetëm disa retushime. Bie fjala, ditën e votimit më 23 qershor, në se do të shohë që po humbet thellë, do të inskenojë rrëmujë në një numër qendrash votimi, do të ndërhyjë policia të nxjerrë jashtë komisionarë të opozitës, t’i zëvendësojë ose jo dhe t’i hapet rruga manipulimit. Nuk e quaj të rastit ndryshimin në rregullore nga KQZ ditët e fundit, ndryshim që u lejon forcave të rendit për të ndërhyrë në QV, kur këtë e kërkojnë disa nga anëtarët e komisionit të QV-së. Kujdes nga ata që nuk mendojnë dot në mënyrë demokratike!
– Kohët e fundit po shkruhet në mënyrë të veçantë për trazirat e 1997-s dhe për shkaktarët e saj. A duhen rikujtuar ato trazira pas kaq vitesh dhe sidomos para një fushate zgjedhore?
– Është një histori e dhimbshme që, gjithsesi, nuk duhet harruar, por duhet rifreskuar në funksion të zgjedhjeve të 23 qershorit, përderisa shkaktarët trazirave janë sot në pushtet. Kurrsesi, nuk duhet lejuar përsëritja e trazirave të 97-s, madje as pjesërisht, sepse shenjat nuk janë të mira. E shoh me dyshim të theksuar deklaratën e z. Berisha në Bruksel këto ditë, se “opozita nuk do të njohë rezultatin nëse nuk fiton më 23 qershor 2013 dhe se kjo ka për të krijuar probleme..”. Realisht, “paralajmërimi serioz” ka të bëjë me atë që planifikon të bëjë vetë Berisha, dhe, se për këtë po kërkon paraprakisht mbështetjen e Partive Popullore të Europës dhe përgjithësisht të faktorit ndërkombëtar.
– Një nga opsionet e diskutuara kohët e fundit është që, për të shmangur rrezikun e manipulimit të votave, në zgjedhjet e 23 qershorit të hyjmë me qeveri teknike. A është i mundshëm një opsion i tillë?
– Nga pikëpamja teorike po, por realisht e shoh këtë vetëm si një mundësi formale. Nuk shoh, tani për tani, ndonjë lëvizje politike që mund ta bënte të realizueshme një mundësi të tillë hipotetike. Gjithsesi, them se po të ndodhte, do të ishte një shans i mirë për të bërë zgjedhje të lira.
– Çfarë duhet të bëjë PS dhe opozita aktualisht për të shmangur historinë e dhimbshme të manipulimit të zgjedhjeve?
– Opozita të vazhdojë të bëjë punën e vet gjithnjë e më mirë, por mbi të gjitha përveç programit, që po shpalos rreth më rreth, të zbresë edhe më poshtë në kontakte “derë më derë”, për të sqaruar edhe situatat konkrete politike e zgjedhore me qëllim që njerëzit të ndërgjegjësohen për momentin historik para të cilit është sot Shqipëria. Kujdes maksimal për hallkat e administratës zgjedhore dhe për përballimin me durim të qejfmbetjeve në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë. Më tepër transparencë, dialog, vlerësim të forumeve dhe të mendimit ndryshe në procesin e krijimit të aleancave e koalicioneve.
– Edhe një pyetje të fundit: Nga opozita nuk janë të paktë ata që venë shenjën e barazimit midis Nanos dhe Berishës. A është e drejtë të arsyetohet kështu për ish-kryetarin e PS-se, që shpesh thirret lideri historik i saj?
– Më fute në histori me këtë pyetje.Për Nanon e Berishën, si për çdo protagonist ngjarjesh të rëndësishme historike, fjalën e fundit do ta thonë historianët mbi bazën e dokumenteve. Dhe kjo do kohën e vet. Megjithatë, nuk mendoj se bëjnë ndonjë mëkat “ata, nga radhët e opozitës,siç thoni ju, që venë shenjën e barazimit midis Nanos dhe Berishës”. Qenia për disa vjet e Nanos në krye të PS-së, apo thirrja nga disa socialistë “si lider historik”, nuk e bën të paprekshëm nga “kritika historike” dhe as u ndalon socialistëve e jo socialistëve të shohin pika takimi në binomin Nano-Berisha. Ka plot të dhëna që u japin të drejtë të dy palëve. Realisht, të zhveshur nga glorifikimet, duhet thënë, se midis Nanos e Berishës, ka ndryshime jo to vogla pozicioni politik, interesash, karakteri, niveli intelektual,etj, siç ka dhe gjera të përbashkëta të shfaqura në disa marrëveshje të fshehta, pse jo dhe pazare midis tyre. Lexuesi apo dhe telespektatori i vëmendshëm, nuk e kanë të vështirë të kujtojnë disa prej tyre. Të dy, në heshtje, kanë qenë të përzgjedhurit e Presidentit Ramiz Alia për të ndjekur zbatimin e klauzolave të Katovicës dhe për të drejtuar, majtas-djathtas, dy partitë e mëdha në vend.
Ka plot mistere politika shqiptare. Sa ishte gjallë R. Alia, në një pritje në Sheraton, e takova dhe i thashë, si me shaka, në prezencën e të nderuarit president Alfred Moisiu: “Mosha bën të vetën, ndriçoji disa enigma, tregona si i zgjodhe në krye të dy partive të mëdha Nanon e Berishën, trego për letrën e Gorbaçovit për Katovicën”? Ai në vend të përgjigjes, siç e kishte zakon, qeshi në formë mohuese dhe e hodhi bisedën në diçka tjetër… Gjithsesi, tani që R. Alia nuk është më midis nesh, mungesën e tij më tepër duhet ta ndiejnë dyshja Nano-Berisha. Por edhe këta të dy kanë të drejtën e kundërshtimit. Koha le të gjejë kush ka të drejtë. Kjo është demokracia…!
-Ju faleminderit, Profesor!

Nuk ka asnje dyshim se profesor Pellumbi ka shume te drejte si ne analizen e fakteve te shkuara, ashtu edhe ne porosite qe jep lidhur me ecurine e metejshme te fushates zgjedhore, vecanerisht per opoziten e sotme. Kjo e fundit ndodhet perpara nje sfide, jo me politiken qe do te ndjeke pas fitores, por ne radhe te pare, e ne krye te heres, se si do te veproje qe ta beje te pamundur vesin, qe tashme eshte kthyer ne zakon te Berishes, per t’i manipuluar zgjedhjet dhe pastaj t’ia hedhe fajin opozites per shtremberimin e tyre.
Fjale,imzot,veterm fjale!
Redaksia po pse e nderpret botimin on-line te zgjedhjeve te 26 majit 1996,qe jane pjese e ciklit te pathenat e zgjedhjeve paskomuniste?Kush jua terhoqi veshin?po e prisja me shume kuriozitet.pune leshi jeni dhe ju.
i nderuar profesor !
per respektin e mdh qe kam per ju,lutem,a mund te shpreheni per qendrimin qe duhet te mbaje PS ndaj pozicionit “nga te fryje era ” te LSI ?
po per nje qeveri teknike nuk duhet te punoje opozita ?!
ne votuesve “na priten krahet ” kur shohim qe opozita ,me perkushtim,po e shpalos gjithandej programin e saj nderkohe qe ai tjetri e ka deklaruar se “numurimin e bej une ” …?!
si te besojme se do te ket rrotacion nderkohe qe finalja del nga rezultati qe jep nga numerimi ..??
ju faleminderit per reagimin qe shpresoj te pres…