Pendimi i Oçalan, thirrje PKK-së të dorëzojë armët

redaktor

Konsiderohet si një thirrje historike dhe në fakt nuk mund të quhet ndryshe ajo që Abdullah Oçalan, udhëheqësi historik i partisë kurde, PKK, tha nga burgu në ishullin Imrali për shokët e tij. “Mjaft me luftën e armatosur, duhet të bëjmë një marrëveshje me qeverinë në Ankara”, tha ai.

Deklarata e tij u lexua në televizionin turk nga deputeti kurd Sirri Sureja Onder. “Ka filluar një proces për t’i dhënë fund 30 viteve të konfliktit, me një paqe të përhershme. Qëllimi ynë kryesor është që të gjejmë një zgjidhje demokratike”, thuhet në apelin e tij. “Unë i bëj thirrje PKK-së që të organizojë një kongres të jashtëzakonshëm në pranverë për të marrë vendimin historik dhe strategjik për t’i dhënë fund luftës së armatosur në bazë të parimeve të pranuara reciprokisht.

Ky apel është një deklaratë historike me qëllim që të zëvendësojë luftën e armatosur me politikën demokratike”. Në burg prej 15 vjetësh për tradhti të lartë, lideri i PKK-së vazhdon të ketë shumë influencë. Në 2013-ën ai urdhëroi një armëpushim që deri tani është respektuar pavarësisht mosbesimit të thellë mes dy palëve. Më shumë se 40 mijë njerëz, kryesisht kurdë, kanë vdekur në 30 vjet luftë të armatosur për një atdhe kurd në Turqinë juglindore.

Dhe në sajë të angazhimit të fortë të luftëtarëve kurdë kundër ISIS, në botë po flitet sërish për pretendimet e këtij populli, një komb dhe jo shtet të pavarur, i ndarë midis Turqisë, Sirisë, Iranit, Irakut dhe Armenisë.

Negociatat mes Oçalan dhe qeverisë turke, të udhëhequra në Ankara nga kreu i Shërbimit Sekret Hakan Fidan, kanë filluar tre vjet më parë dhe kanë pasur ulje dhe ngritje. Vitin e kaluar, PKK akuzoi presidentin Erdogan se nuk po përmbushte angazhimet dhe njoftoi një ndalim të tërheqjes së luftëtarëve të tij nga territori turk. Dialogu i rifilluar së fundmi u ndal gjithashtu për shkak të prezantimit nga qeveria turke të një ligji të ri të sigurisë që i jep kompetenca të gjera policisë dhe guvernatorëve, që sipas opozitës e bën Turqinë një shtet policor.

Evropa përshëndeti lëvizjen e Oçalan. Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme në BE, Federica Mogherini, shpreh kënaqësi për njoftimin. “Shpresojmë që të gjitha palët të bëjnë hapa vendimtarë drejt pajtimit dhe demokratizimit. BE-ja do ta mbështesë fortë, edhe nëpërmjet përdorimit të fondeve të para-pranimit”.

Share This Article
1 Comment
  • NORMALE, ERDOAN KA BERE SHUME PER KURDET DHE ATA JA DINE.

    MJAFTON TE PERMENDET SE NE ZGJEDHJET E FUNDIT PER PUSHTET LOKAL (PARA NJE VITI), KANDIDATET E ERDOAN FITUAN NE ZONAT KURDE ME 60% TE VOTAVE, HERA E PARE QE NDODHTE KJO NE HISTORINE E TURQISE, PASI ATJE GJITHMONE KISHIN FITUAR KANDIDATET E PARTIVE KURDE.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *