“Mbaja pistoletë lodër dhe nuk mora para”
Milano- Një nga tre shqiptarët e grupit të arrestuar për pengmarrjen e llogaritarit personal të ish-kryeministrit italian Silvio Berluskoni, rrëfehet para prokurorëve duke treguar të gjithë dinamikën e ngjarjes. Bëhet fjalë për Marjus Anuta, i cili ka pranuar se ishte pjesë e grupit të drejtuar nga tre italianët, por thjesht si shoqërues dhe garantues për ruajtjen fizike të ekonomistit Giuseppe Spinelli dhe jo për t’i bërë keq atij.
Mediat italiane shkruanin dje se Anuta ka mbajtur një pozicion lehtësues ndaj vetes, duke ia kaluar përgjegjësinë pesë të tjerëve. “Po, kam qenë pjesë e grupit. Madje mbaja një pistoletë lodër dhe jo të vërtetë. As nuk u kam bërë keq dy bashkëshortëve Spinelli dhe as i kam kërcënuar. Nuk përfitova as para nga kjo ngjarje, ndërsa kisha për detyrë të kujdesesha që ata të mos pësonin dëmtime”, është shprehur Marjus para prokurorëve të Milanos. Sipas agjencisë ANSA të lajmeve, qëllimi i marrjes peng të Spinellit dhe bashkëshortes së tij ka qenë shitja e disa dokumenteve mbi skandalin “Mondadori” të ish-kryeministrit Berluskoni, nga i cili kërkonin të përfitonin 35 milionë euro si shpërblim gjobe. “Na kanë mbajtur nga mbrëmja deri në mëngjes brenda apartamentit peng, por nuk na kanë bërë keq. Nuk na dhunuar, por vetëm presion psikologjik”, ka qenë dëshmia e bashkëshortëve Spinelli për policinë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 16 nëntorit dhe është mbyllur në orët e mëngjesit. Tre italianët dhe tre shqiptarët pretendonin se kishin dokumente me vlerë për procesin dhe i kërkuan Spinellit që ta bindte Berluskonin se ato ishin me vlerë dhe të përfitonin 35 milionë euro. Ngjarja u mbajt e fshehtë, por llogaritari komunikoi me Berluskonin dhe avokatët e tij teksa mbahej peng në zonën e Bresso. Më tej ngjarja u denoncua te policia e Milanos dhe prokuroria, që dyshonin se gjatë kohës së mbajtjes peng mund të jenë kryer të paktën 8 milionë euro transferua drejt Zvicrës. Pikërisht këto transferua vunë në lëvizje hetuesit, duke arrestuar të 6 të dyshuarit. Marjus Anuta i tha prokurorëve pas ndalimit se ai nuk ka përfituar asgjë nga kjo pengmarrje dhe se ishte vetëm një shoqërues. Gjatë aksionit u arrestuan edhe Francesco Leone, 51 vjeç, nga Bari, që konsiderohet kreu i bandës, Pierluigi Tranquilli, 34 vjeç, Alesso Maier, 46 vjeç dhe vëllezërit shqiptarë, Ilirjan dhe Laurenc Tanko, rezidentë në Asolo dhe Castelfranco.
Hetimet
Si u përgjuan pengmarrësit dhe transferua e dyshuar
Çifti Spinelli, që mbahet nën ruajtje me forca policie, ka dhënë detaje shumë të hollësishme, që kanë lejuar rënien në gjurmët e bandës. Të përgjuar, duke filluar pak orë nga denoncimi, të arrestuarit kanë lënë shpesh të kuptohej mbi lëvizjen e një shume prej 8 milionë eurosh, për të cilën po hetohet prejardhja dhe nëse e ka derdhur Berluskoni pas presionit. Arrestimi i gjashtë personave është vendosur me nxitim, kur hetuesit kuptuan se po kryhej transferua për në Zvicër. Grupi kishte për qëllim të arrinte te ish-kryeministri, të cilit donin t’i shisnin për 35 milionë euro, materiale që mund ta shpëtonin në çështjen gjyqësore me Carlo De Benedetti, mbi pronësinë e “Mondadorit”.