Çdo person që bëhet i paaftë për punë merr pension invaliditeti (veç aksidentit në punë ose sëmundjes profesionale), kur ka plotësuar periudhën minimale të sigurimit të përcaktuar nga ligji për sigurimet shoqërore. Aplikuesi e merr këtë pension kur bëhet i paaftë për çdo veprimtari ekonomike, si dhe kur ka gjymtime të forta dhe dëmtime fizike (duke përfshirë verbimin). Pagesat e invaliditetit mund të jenë të plota, të reduktuara, ose edhe të pjesëshme në varësi të shkallës së dëmtimit të konfirmuar nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP).
Sipas skemës së përcaktuar, tre janë kriteret mjekësore mbi të cilat bëhet vlerësimi dhe përcaktimi i pagesave të invaliditetit që mbulon skema e sigurimeve shoqërore. Kështu, në varësi të shkallës së humbjes të aftësisë për punë, invaliditeti klasifikohet nëinvaliditet të pjesshëm, që ndodh në rastet kur personi i siguruar humbet aftësinë për punë në profesionin apo punën e tij të fundit, por mund të kryejë punë të tjera sipas përcaktimit të vendimit të KMCAP-it. Në rastin tjetër mund të jetëinvaliditet i plotë, kur personi i siguruar bëhet i paaftë për çdo lloj pune, ndfërsa forma e tretëështë invaliditet i plotë në kushtet e nevojës së shërbimit për kujdestari.
Periudhat e sigurimit që duhen për pension invaliditeti
Sikundër edhe u theksua më lart, dhënia e pagesave të invaliditetit bëhet vetëm në kushtet kur aplikuesi ka siguruar edhe vjetërsinë e duhur tëpunës. Periudha minimale e sigurimit për pension invaliditeti është sa 3/4 e diferencës së moshës së personit të siguruar në kohën që bëhet i paaftë dhe moshës 20 vjeç dhe në 5 vitet e fundit para lindjes së të drejtës të ketë së paku 12 muaj sigurim shoqëror. Personi, që është në kushtet e invaliditetit të plotë, por që nuk plotëson periudhën minimale të sigurimit, ka të drejtë për pension invaliditeti të reduktuar, në masën që rezulton nga raporti i periudhës së tij të sigurimit me periudhën e duhur për pension të plotë invaliditeti. Personi që përfiton pension për invaliditet, kur plotëson moshën ka të drejtë të kërkojë pension pleqërie, nëse ky do të jetë më i favorshëm për të.
Si aplikohet online për pensionin e invaliditetit
Që prej datës 1 maj, të gjitha shërbimet e skemës së sigurimeve shoqërore tashmë ofrohen vetëm nëpërmjet platformës online. Çka do të thotë se aplikimi edhe për pensionin e invaliditetit duhet të bëhet detyrimisht online, dhe pasi të keni përfunduar këtë proces duhet të dorëzoni edhe dosjen e dokumenteve të duhura me anë të postës.
Autoritetet e sigurimeve shoqërore udhëzojnë se për të aplikuar online për lidhjen e pensionit të invaliditetit, fillimisht duhet që të hyni në faqen online të portalit qeveritar në adresën www.e-albania.al, ku duhet të identifikoheni si qytetar. Në vijim duhet qëtë zgjidhni shërbimin e listuar si: “Aplikim për pension invaliditeti (KMCAP)”. Pasi të keni bërë këtë duhet të klikoni butonin “Përdor” dhe të nisni me plotësimin e formularit përkatës me të dhënat e kërkuara. Duhet të bëni kujdes që plotësimi i formularit të bëhet me të dhënat e sakta, në mënyrë që të mos rrezikoni vonesat në përllogaritjen e përfitimit. Në përfundim të plotësimit të formularit duhet të bëni edhe dërgimin e tij, i cili do të merret në shqyrtim nga strukturat përgjegjëse të sigurimeve shoqërore.
Pas dërgimit të formularit nuk duhet të neglizhoni edhe dërgimin e dokumenteve plotësuese të përcaktuara, të ciat duhet që t’i dërgoni me anë të Postës Shqiptare. Në këtë rast duhet që të bëni shumë kujdes dhe të keni parasysh që: “Dokumentet origjinale që i keni bashkëlidhur gjatë aplikimit duhet të dërgohen me postë pranë DRSSH përkatëse ku ju keni bërë aplikimin për pension. Duhet të mbani në konsideratë që zarfi i përcjelljes së këtyre dokumenteve të shoqërohet detyrimisht me numrin e aplikimit tuaj”. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë dosja juaj e aplikimit do të kthehet mbrapsht, çka do të thotë se ju duhet të bëni sërish aplikimin, duke vonuar kështu kohën e lidhjes së pensionit që ju takon.
Nëpërmjet portalit online, ju do të mund të aplikoni edhe për rivlerësimin e masës së pensionit të invaliditetit. Për të kërkuar rivlerësimin e masës së pensionit të invaliditetit duhet gjithashtu të aplikoni në portalin “e-albania”, ku fillimisht ju kërkohet që të identifikoheni si “qytetar”dhe më pas të zgjidhni shërbimin “Aplikim për rivlerësimin e masës së pensionit të invaliditetit (KMCAP)”. Më tej klikoni butonin “Përdor”, ku duhet të nisni me plotësimin e formularit përkatës dhe tëdërgoni aplikimin. Dokumentet që duhet të ngarkohen nga aplikanti në këto raste janë: epikrizë përcjellëse, analizat dhe ekzaminimet e kryera gjatë kësaj periudhe, vërtetim për llojin e punës (për invaliditet të pjesshëm), si dhe fletë drejtimi e re. Ky dokumentacioni dorëzohet mjekut të ekspertizës, i cili pas verifikimit të nevojshëm njofton datën për të kaluar në KMCAP, ose i kthen mbrapsht dokumentat për pasaktësi. Komisioni mjekësor në mbledhjen e tij shqyrton paraprakisht dokumentat, njofton dhe egzaminon të sëmurin, merr vendimin përkatës jo në prani të tij, dhe kryetari i KMCAP-it ia komunikon zyrtarisht të sëmurit gojarisht dhe nëpërmjet vërtetimit tip. Kundër këtij vendimi i sëmuri ose invalidi mund të ankohet tek KMCAP-i epror.
Masa e pensionit dhe të ardhurat shtesë
Shuma e pensionit të invaliditetit të plotë llogaritet në të njëjtën mënyrë si pensioni i pleqërisë, ndërkohë që shuma e përgjithshme e pensionit të plotë nuk mund të jetë më e vogël se 75 për qind e pagës minimale neto në shkallë vendi.
E ardhura shtesë për kujdesje jepet kur përfituesi i një pensioni të plotë të invaliditetit bëhet i paaftë dhe ka nevojë për një kujdesje të vazhdueshme nga një person tjetër. Sipas përcaktimit të KMCAP-it, këtij aplikuesi i jepet një pagesë shtesë prej 15 për qind të bazës së vlerësueshme.Po sipas kushteve të përcaktuara, një person i siguruar i paaftë, që merr pension invaliditeti të plotë, sipas nenit 35, të Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe ka fëmijë në ngarkim deri në moshën 18 vjeç, ose deri në moshën 25 vjeç kur vazhdon studimet e larta me shkëputje nga puna, do të marrë një të ardhur shtesë familjare për çdo fëmijë në masën 5 për qind të pensionit bazë, por jo më shumë së 30 për qind e tij.
Procedura e aplikimit online për pension invaliditeti:
- Hapi i parë që duhet të bëni është hyni online në adresën e-albania.al.
- Identifikohuni si qytetar në portalin e-elbania.
- Në vijim duhet që të zgjidhni shërbimin “Aplikim për pension invaliditeti (KMCAP) dhe të klikoni në butonin “Përdor”.
- Vijoni të plotësoni formularin përkatës dhe dërgoni aplikimin pranë strukturave të sigurimeve shoqërore.
- Dokumentet origjinale që i keni bashkëlidhur gjatë aplikimit duhet të dërgohen më pas detyrimisht edhe me postë pranë DRSSH përkatëse ku ju keni aplikuar. Ju lutem mbani në konsideratë që zarfi i përcjelljes së këtyre dokumenteve të shoqërohet me numrin e aplikimit tuaj.
Dosja e dokumenteve plotësuese që duhen dorëzuar nga vetë aplikuesi:
- Librezë Pune.
- Vërtetim për llojin e punës (për invaliditetin e pjeshëm).
- Diploma e shkollës së lartë.
- Vërtetim nga qendra e fundit e punës.
- Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut që nga viti 1994 deri në momentin e lënies së punës.
- Fletë Drejtimi për KMCAP.
- Fletë Dalje Spitali.
- Ekzaminime të veçanta.
- Analiza mjekësore.
- Proces Verbal i Aksidentit në Punë.
Kushtet e invaliditetit të plotë:
- Periudha minimale e sigurimit për pension invaliditeti është sa 3/4 e diferencës së moshës së personit të siguruar në kohën që bëhet i paaftë dhe moshës 20 vjeç dhe në 5 vitet e fundit para lindjes së të drejtës të ketë së paku 12 muaj sigurim shoqëror.
Kushtet e përfitimit tëinvaliditetit të reduktuar:
- Kur personi ka humbur plotësisht aftësinë për punë, jo për shkak të një aksidenti në punë apo sëmundjes profesionale.
- Kur personi nuk ka plotësuar periudhën minimale të sigurimit, e cila është në varësi të raportit të periudhës të sigurimit faktike me periudhën e sigurimit që i duhet për pensionin reduktuar të invaliditetit.
- E drejta për të përfituar pension të reduktuar invaliditeti fillon pas mbarimit të periudhës 6-mujore të trajtimit me raport mjekësor për paaftësi të përkohëshme në punë. Vlerësimi nga KMCAP duhet të bëhet në muajn e pestë ose të gjashtë, para përfundimit të kësaj periudhe.
- Masa e pensionit të invaliditetit të reduktuar llogaritet duke shumëzuar masën e llogaritur të invaliditetit të plotë me koeficientin që rezulton nga raporti i periudhës së tij të sigurimit me periudhën e duhur për pension të plotë invaliditeti. Edhe për këtë pagesë jepen të ardhurat shtesë.
Kushtet e përfitimit të invaliditetit të pjesshëm
- I siguruari merr pension për invaliditet të pjesshëm, kur ka plotësuar periudhën minimale të sigurimit, sipas nenit 35, dhe kur për çdo arësye, përveç aksidentit në punë dhe sëmundjes profesionale, bëhet i paaftë të kryejë punën e fundit, por mund të punojë në kushte të veçanta pune. Shkalla e invaliditetit dhe puna që do të kryejë i siguruari, përcaktohet nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP).
- Pensioni i invaliditetit të pjesshëm është sa 50 përqind e pensionit të plotë të invaliditetit. Ai llogaritet në të njëjtën mënyrë si pensioni i plotë i invaliditetit.