Siç ndodh me përfitimet e tjera të skemës, edhe për pensionet familjare aplikimi duke nisur nga ky vit mund të bëhet online në portalin e-albania. Të pesë kategoritë që kanë të drejtë të sigurojnë këtë lloj përfitimi, fillimisht duhet të plotësojnë online kërkesën dhe formularin përkatës të aplikimit, të cilit duhet t’i bashkëngjisin edhe dokumentet e duhura.
Në ndryshim nga viti i kaluar, me kalimin e këtij shërbimi online, qytetarëve tashmë u kërkohen më pak dokumente, pasi pjesa dërrmuese e tyre, do të sigurohen nga vetë nëpunësit e administratës. Sipas ndarjes së re që ka hyrë në fuqi nga janari i këtij viti, bashkë me formularin e plotësuar online, për pensionet familjare, qytetarët duhet të ngarkojnë vetëm pesë dokumente që janë: Libreza e punës, diploma e studimeve universitare, vërtetimi nga qendra e punës, vërtetimi për kontributet e derdhura sipas viteve përkatëse, si dhe vërtetimi nga shkolla për fëmijët nga mosha 18 deri në 25 vjeç.
Ndërkohë që rreth 16 dokumente të tjera, siç janë certifikata të ndryshme, vërtetim për kryerjen e ushtrisë, apo vendime gjykatash, etj, nuk do të jenë më përgjegjësi i qytetarit, por e strukturave shtetërore. Në vijim të shkrimit do të gjeni të plotë listën e dokumenteve që do të sigurohen nga nëpunësit e administratës, si dhe ato të vetë aplikuesit. “Mbledhja e dokumentacionit shoqërues të mësipërm që më parë ishte detyrim të dorëzohej në zyrat e shtetit nga vetë aplikanti, tani është detyrë e nëpunësit të administratës për t’u siguruar ndaj qytetarit.
Me dhënien e aprovimit, ju bini dakord që këto dokumente të sigurohen për ju nga nëpunësi i administratës”, sqarojnë ekspertët e ISSH-së. Për të bërë aplikimin online, duhet të hyni në faqen www.e-albania.al. Më pas duhet të zgjidhni shërbimin “Aplikim për pension familjar”, të klikoni butonin “Përdor”, si dhe të plotësoni formularin përkatës dhe dërgoni aplikimin. Ofrimi i këtij shërbimi është në çdo rast pa pagesë.
Gjithashtu bëhet e ditur se kërkesën për vazhdimin e pensionit familjar, kur mbaron afati i pagesës, përfituesi e paraqet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore ALSSH-në e vendbanimit, sipas gjendjes civile, duke i bashkangjitur dokumentacionin e kërkuar. Pensioni familjar është pjesë e pensionit që kishte ose i takonte të ndjerit, apo të ndjerës . Personi i ve, merr 50 për qind të pensionit që gëzonte ose do të gëzonte personi që është ndarë nga kur është i vetëm dhe për çdo pjesëtar tjetër merr 25 për qind, me kusht që shuma e pensionit të mos kalojë 100 për qind masën e tij.
Kur e veja nuk është pjesëtare e pensionit familjar, dhe përfitues është vetëm një jetim, masa e pensionit për jetimin është 50 për qind e pensionit që gëzonte, ose do të gëzonte i ndjeri. Kur e veja nuk është pjesëtare e pensionit familjar dhe përfitues janë dy ose më shumë persona, masa e pensionit familjar për secilin prej tyre është 25 për qind, por jo më shumë se 50 për qind e pensionit që gëzonte ose do të gëzonte i ndjeri.
Shuma e një pensioni familjar nuk duhet të kalojë masën e pensionit që merrte ose do të merrte personi që vdes. Jetimi merr pension familjar edhe në qoftë se prindi që jeton është i punësuar, është ekonomikisht aktiv ose merr një pension si të drejtë të tij. Në këtë rast masa e pensionit për çdo jetim ose person tjetër që përfiton është 25 për qind e pensionit që i takonte të ndjerit, por jo më tepër se 50 për qind e tij. Jetimi që humbet të dy prindërit merr një pension jetimi për secilin prej tyre. Personat e humbasin të drejtën për pension familjar kur martohen.
Kushtet për përfitimin e një pensioni familjar:
E veja, kur është:
· Mbajtëse e një fëmije që ishte në ngarkim të të vdekurit, deri në moshën 8 vjeç.
· E paaftë për punë.
· Ka mbushur moshën 55 vjeç.
Burri i ve, kur është:
· Mbajtës i një fëmije që ishte në ngarkim të të vdekurit, deri në moshën 8 vjeç.
· I paaftë për punë.
· Ka mbushur moshën 60 vjeç.
Jetimët:
· Jetimi që ishte në ngarkim të personit që vdiq dhe është nën 18 vjeç, ose deri në 25 vjeç, nëse studion ose është i paaftë për punë.
Prindërit
· Prindërit, kur kanë arritur moshën 65 vjeç ose janë të paaftë për punë, prindërit e prindërve, njerku e njerka, kur nuk kanë persona që detyrohen t’i mbajnë, nëse provohet se ata jetonin në të njëjtën familje me atë që vdiq, jo më pak se një vit para momentit të vdekjes dhe kanë arritur moshën 65 vjeç, ose janë të paaftë për punë.
Familjaret e tjerë
· Nipërit e mbesat, kur janë në ngarkim të atij që vdiq dhe bënin pjesë në të njëjtën familje me të. Në këtë rast ata trajtohen si jetimë.
Dokumente që sigurohen nga nëpunësit e administratës:
1. Certifikatë vdekjeje (të jetë shënuar shkaku i vdekjes).
2. Certifikatë familjare.
3. Certifikatë lindjeje personale të fëmijëve përfitues.
4. Vërtetim për periudhën e Shërbimit të Detyrueshëm Ushtarak.
5. Certifikatë martese (e detyrueshme vetëm për femrat).
6. Vërtetim i pagesës së papunësisë (asistencë).
7. Vendim gjykate për njohje vjetërsie në punë.
8. Vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe kohën e vuajtjes së ti.j
9. Vërtetim për Pagesën kalimtare (si ushtarak).
10. Vërtetim për ushtrim të aktivitetit privat (për i/e ve).
11. Vërtetim për pagesën e energjisë elektrike.
12. Dëshmi penaliteti – vërtetim i gjendjes gjyqësore.
13. Vërtetim nga gjendja civile, në rastet e ndryshimit të gjeneraliteteve.
14. Vërtetim nga dega e tatim-taksave për pjesëtarët që janë në ngarkim.
15. Vërtetim nga zyra e punës si punëkërkues.
16. Vërtetim nga Bashkia/Komuna që i ndjeri ka bashkëjetuar me përfituesin.
Dokumentet që duhet të ngarkojë vetë aplikanti.
1. Librezë Pune.
2. Diploma e shkollës së lartë.
3. Vërtetim nga qendra e fundit e punës.
4. Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut që nga viti 1994 deri në momentin e lënies së punës.
5. Vërtetim nga shkolla kur fëmija është mbi 18 – 25 vjet.
O.J/DITA
