Nis sot ndarja e shtesave që përfitojnë pensionistët në të gjithë vendin. Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka përfunduar të gjitha përllogaritjet lidhur me masat e reja të pensioneve për të gjitha llojet e përfitimeve në qytet e fshat. Duke iu referuar llogaritjeve të kryera, tashmë pensionistët duke filluar nga dita e sotme krahas përfitimit mujor, do të mund të tërheqin edhe shtesën që u takon sipas kategorive në të cilat bëjnë pjesë. Rritjen në masën 4 për qind do ta përfitojnë të gjitha pensionet e pleqërisë, pensionet familjare dhe të invaliditetit të qytetit, ndërsa rritjen në masën 5 për qind do ta përfitojnë të gjithë pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe familjar në fshat. Po kështu rritjen në masën 4 për qind do ta përfitojnë edhe të gjitha pensionet e ish-ushtarakëve të caktuara dhe rillogaritura sipas ligjit 10142, datë 15.05.2009, trajtimet e veçanta të pilotëve fluturues, të detarëve, të ish-punonjësve të ndërmarrjeve ushtarake, të ish-punonjësve të nëntokës, si dhe pensionet suplementare të profesorëve. Ndërkaq, krahas të ardhurave nga pensioni, përfituesit do të vazhdojnë të marrin të ardhura të tjera që jepen me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave, si 150 lekë në muaj kompensim për diferencën e çmimit të bukës, 350 lekë në muaj si kompensim për energjinë elektrike dhe 414 lekë në muaj për çdo pjesëtar të familjes, që është në varësi ekonomike të pensionistit etj. Gjithashtu, pensionisti do të vazhdojë të përfitojë nga politikat e kompensimit të pensioneve sipas VKM nr. 401, datë 21.06.2006 – kompensim prej 500 lekësh dhe sipas VKM nr. 763, datë 27.12.2006 në masën prej deri 760 lekë në muaj dhe në masën 190 lekë në muaj sipas VKM nr. 415, datë 27.04.2009 “Për rritjen e pensioneve”, si dhe masën 200 lekë në muaj sipas VKM nr. 474, të vitit 2010. Pra, në total, nga rritja më e fundit, përfitojnë 303.100 pensione pleqërie urbane, 57.068 pensione invaliditeti urbane dhe 48.053 pensione familjare urbane. Në fshat përfitojnë 136.828 pensionistë pleqërie, si dhe 30.205 persona nga programe speciale si ushtarakë, minatorë, punonjës të ish-industrisë ushtarake/pilotë/detarë dhe profesorë. Sipas bilancit të bërë nga ekspertët e sigurimeve shoqërore në total nga rritja e pensioneve do të përfitojnë 591.600 persona. Pas aplikimit të rritjes pensioni minimal në qytet do të jetë 12.024 lekë në muaj, ndërsa pensioni maksimal shkon në vlerën e 24.048 lekë në muaj. Ndërkohë sa i takon përfitimeve rurarle, bëhet me dije se pensioni i plotë minimal në fshat do të jetë 8.233 lekë në muaj dhe pensioni maksimal shkon deri në 12.140 lekë në muaj. Si pasojë e kësaj rritjeje do të transferohet drejt buxheteve familjare të pensionistëve një shumë prej 1574 milionë lekësh, fond ky i vënë në dispozicion të ISSH-së nga buxheti i shtetit për të përballuar efektet e rritjes së përfitimeve.
Rritjen në masën 4 % e përfitojnë:
Pensionet e pleqërisë në qytet
Pensionet familjare në qytet
Pensionet e invaliditetit të qytetit
Rritjen në masën 5 % e përfitojnë
Pensionet e pleqërisë në fshat
Pensionet e invaliditetit në fshat
Pensionet familjare në fshat
Rritja 4 % edhe për ushtarakët dhe përfitimet e tjera suplementare
Gjithashtu, rritjen me 4% do ta përfitojnë pensionet apo përfitimet tjera që jepen nga sigurimet shoqërore, si pensionet e parakohshme e suplementare të ushtarakëve, të punonjësve të policisë së shtetit, të pilotëve fluturues, të detarëve, të punonjësve të ndërmarrjeve ushtarake dhe të ish-punonjësve të nëntokës etj.
Në mënyrë të përmbledhur pas kësaj rritje mund të themi:
− Të ardhurat minimale për pensionin e plotë në qytet nuk mund të jenë më të vogla se 14.174 lekë në muaj.
− Të ardhurat minimale për pensionin e plotë në fshat nuk mund të jenë më të vogla se 9.123 lekë në muaj.
− Të ardhurat për pensionin maksimal në qytet bëhen 24.548 lekë.
Pensionet e pleqërisë, llogaritja e shtesës:
Të ardhurat totale mujore për pensionin e plotë minimal të pleqërisë llogariten jo më pak se 14.174 lekë në muaj.
Pensioni minimal i pleqërisë i caktuar para datës 01.08.2013 përfshirë edhe këtë datë, që është në masën 11.562 lekë në muaj, me datën 01.08.2013 arrin në masën 12.024 lekë në muaj, pra pëson një rritje prej 462 lekësh në muaj, çka bën që të ardhurat minimale të pensionistit të arrijnë në 14.174 lekë.
Kjo e ardhur përbëhet nga:
− 12.024 lekë, masa e pensionit minimal.
− 350 lekë kompensim nga VKM nr. 138, datë 31.03.1994 “Për kompensimin e shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike dhe lëndeve djegëse”.
− 150 lekë kompensim nga VKM nr. 471, datë 15.07.1996 “ Për kompensimin nga ndryshimi i çmimit të bukës, vajgurit dhe gazit të lëngshëm
− 500 lekë kompensim nga VKM nr. 401, datë 21.06.2006 “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”.
− 760 lekë kompensim nga VKM nr. 763, datë 27.12.2006 “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve.
− 190 lekë kompensim nga VKM nr. 415, datë 30.04.2009 “Për rritjen e pensioneve”.
− 200 lekë kompensim nga VKM nr. 474, datë 30.06.2010 “Për rritjen e pensioneve”.
Pensioni i plotë i pleqërisë = 12.024 + 350 + 150 + 500 + 760 + 190 + 200 = 14.174 lekë.
– Në të ardhurat e pensionistit, sipas kësaj llogaritjeje, nuk përfshihen ata pensionistë, të cilët përfitojnë kompensimin e energjisë elektrike në masën 640 lekë në muaj si çift pensionistësh apo si pensionist i vetëm.
Rriten dhe pensionet e pjesshme, ja si ndryshon masa e pensionit sipas kategorive
Pensioni i pjesshëm i pleqërisë, që është caktuar para datës 31.07.2013, duke përfshirë edhe këtë datë, që në datën e sipërshënuar është 10.608 lekë në muaj, do të arrijë një total të ardhurash në masën 13.129 lekë në muaj.
Kjo e ardhur përbëhet nga:
− 10.608 lekë, masa e pensionit të caktuar;
− 350 lekë kompensim nga VKM nr. 138, datë 31.03.1994 “Për kompensimin e shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse”.
− 150 lekë kompensim nga VKM nr. 471, datë 15.07.1996 “Për kompensimin nga ndryshimi i çmimit të bukës, vajgurit dhe gazit të lëngshëm.
− 500 lekë kompensim nga VKM nr. 401, datë 21.06.2006 “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”.
− 725 lekë kompensim nga VKM nr. 763, date 27.12.2006 “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve”.
− 181 lekë kompensim nga VKM nr. 415, datë 30.04.2009 “Për rritjen e pensioneve”.
− 191 lekë kompensim nga VKM nr. 474, datë 30.06.2010 “Për rritjen e pensioneve”.
Pensioni i pjesshëm = 11.032+350+150+500+725+181+191=13.129 lekë.
Tabela e plotë
Të ardhurat maksimale për pensionin e plotë të qytetit:
Ishte
23.123 lekë + 350 + 150 = 23.623 lekë
Bëhet
24.048 lekë + 350 + 150 = 24.548 lekë
Të ardhurat e pensionit të plotë të fshatit:
Ishte
7.841 + 200 + 690 = 8.731 lekë
Bëhet
8.233 + 200 + 690 = 9.123 lekë
Të ardhurat e pensionit maksimal të fshatit:
12.024 + 200 = 14.024 lekë
Për aplikuesit e rinj që i shtohen skemës së pensioneve:
KUSHTET E PËRFITIMIT PËR PENSIONET E PLEQËRISË:
Personat që kanë periudha sigurimi, kanë të drejtën e përfitimit të pensionit të plotë të pleqërisë kur plotësojnë tre kushtet e detajuara në vijim. Konkretisht për të përfituar pension të plotë pleqërie aplikuesi duhet të ketë mbushur moshën 65 vjeç për burrat dhe 60 vjeç për gratë, si dhe të kenë plotësuar 35 vjet periudhë sigurimi, të jenë tërhequr nga veprimtaria ekonomike. Gjithashtu të drejtën për të marrë këtë pension e kanë edhe nënat që kanë lindur 6 apo më shumë fëmijë, të cilët janë mbi 8 vjeç. Këto të fundit kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 50 vjeç dhe kanë 30 vjet periudhë sigurimi. Për periudhën e tranzicionit, për moshën e daljes në pension, zbatohet neni 92, i Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë“, i ndryshuar.
Masa e pensionit të plotë të pleqërisë:
Masa mujore e pensionit të plotë të pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë e pensionit iu jepet të gjithë personave të siguruar. Shtesa që iu jepet personave të punësuar është 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme, që i siguruari ka arritur nëpërmjet kontributeve, gjatë gjithë historisë së tij kontributive. Shuma e përgjithshme e pensionit do të jetë jo më shume se dyfishi i shumës bazë, ose 75 për qind e pagës neto mesatare të 3 viteve rresht, në 10 vitet e fundit të punës të personit të siguruar, cila të jetë më e vogël.
KUSHTET PËR PENSIONET E INVALIDITETIT
Merr pension invaliditeti të plotë çdo person i siguruar që ka plotësuar periudhën minimale të sigurimit, e cila është e barabartë me gjysmën e diferencës së moshës së personit të siguruar, në kohën që bëhet i paaftë dhe moshës 20 vjeç. (Psh: nëse personi që është bërë invalid është 38 vjeç, për të përfituar pension të plotë invaliditeti i duhen 38-20/2=9 vite sigurim). Përfituesi i këtij pensioni duhet të plotësojë edhe disa kushte të tjera siç janë humbja e plotë e aftësisë për punë, jo për shkak të aksidentit në punë apo sëmundjes profesionale. E drejta për të përfituar pension invaliditeti të plotë fillon pas mbarimit të periudhës 6 mujore të trajtimit me raport mjekësor për paaftësi të përkohshme në punë. Vlerësimi nga komisioni duhet të bëhet në muajin e pestë ose të gjashtë, para përfundimit të kësaj periudhe.
Masa e përfitimit:
Masa mujore e pensionit të plotë të invaliditetit përbëhet nga pensioni bazë dhe nga një shtesë pensioni që llogaritet si pensioni i pleqërisë. Shuma bazë e pensionit iu jepet gjithë personave të siguruar. Shtesa që iu jepet personave të punësuar, është 1 % për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme, që i siguruari ka arritur nëpërmjet kontributeve gjatë gjithë historisë së tij kontributive.
Shuma e përgjithshme e këtij pensioni do të jetë jo më e madhe se dy herë pensioni bazë, ose 80 % e pagës mesatare neto të vitit të fundit, cila të jetë më e vogël.
KUSHTET E PËRFITIMIT TË PENSIONEVE FAMILJARE
Ky lloj përfitimi i takon gruas së ve, e cila është mbajtëse një fëmije që ishte në ngarkim të vdekurit, deri në moshën 8 vjeç, kur është e paaftë për punë, si dhe të ketë mbushur moshën 50 vjeç. Ndërkohë që kur përfitues është burri ndryshon vetëm mosha e cila shkon në 60 vjeç. Përfiton edhe jetimi që ishte në ngarkim të personit që vdiq dhe është nën 18 vjeç, ose deri në 25 vjeç, nëse studion ose është i paaftë për punë. Prindërit, kur kanë arritur moshën 65 vjeç ose janë të paaftë për punë, prindërit e prindërve, njerku e njerka, kur nuk kanë persona që detyrohen t’i mbajnë, nëse provohet se ata jetonin në të njëjtën familje me atë që vdiq, jo më pak se një vit para momentit të vdekjes dhe kanë arritur moshën 65 vjeç, ose janë të paaftë për punë. Këto kategori nëse martohen e humbasin të drejtën e përfitimit.
Masa e përfitimit:
Pensioni familjar është pjesë e pensionit që kishte ose i takonte të ndjerit. Përfituesi merr 50 për qind të pensionit që gëzonte ose do të gëzonte i ndjeri, kur është i vetëm dhe për çdo pjesëtar tjetër merr 25 për qind, me kusht që shuma e pensionit të mos kalojë 100 për qind masën e tij. Kur e veja nuk është pjesëtare e pensionit familjar, dhe përfitues është vetëm një jetim, masa e pensionit për jetimin është 50 për qind e pensionit që gëzonte ose do të gëzonte i ndjeri. Ndërsa në rastet kur e veja nuk është pjesëtare e pensionit familjar, dhe përfitues janë dy ose më shumë persona, masa e pensionit familjar për secilin prej tyre është 25 për qind, por jo më shumë se 50 për qind e pensionit që gëzonte ose do të gëzonte i ndjeri. Shuma e një pensioni familjar nuk e kalon masën e pensionit që merrte ose do të merrte personi që vdes. Jetimi merr pension familjar edhe nëse prindi që jeton është i punësuar, është ekonomikisht aktiv ose merr një pension si të drejtë të tij. Në këtë rast masa e pensionit për çdo jetim ose person tjetër që përfiton është 25 për qind e pensionit që i takonte të ndjerit, por jo më tepër se 50 për qind. Ndërsa jetimi që humbet të dy prindërit merr një pension jetimi për secilin prej tyre.

Edhe per ket fajin e ka Saliu.