Peqini dhe fisi Shqarri si pjesë e historisë në faqet e një libri

J L

Mirënjohje për ata që dritësojnë historinë…

Timo Luto

 

Pas njohjes me veprën e një autori, në letërsi, muzikë, art apo shkencë, të lind dëshira të dish diçka edhe për jetën e tij private. Kjo realizohet nëpërmjet monografive që janë shkruar e shkruhen për personalitete të shquar që lexohen me kënaqësi, veçanërisht për një brez të pasionuar pas kulturës në përgjithësi.

Muharrem Shqarri, i pasionuar pas historisë, mësues i shkollës së mesme në Kavajë, këtë kohë të lirë në pension, ia ka kushtuar pasionit të tij. Ai ka botuar dy libra me vlerë për historinë e kombit tonë, kushtuar dy miqve të shquar anglezë, të cilët kanë dhënë një ndihmesë3 me vlerë për Shqipërinë, në një nga momentet më të vështira, kur diskutohej në kancelaritë evropiane qenia ose mosqenia e shtetit shqiptar. Njëri është  deputeti i parlamentit anglez Aubrey Herbert.

Në mesin e viteve ’20 të shekullit të kaluar, shumë familje kosovare të përndjekura nga regjimi serb, erdhën dhe u vendosën në Shqipëri.

Një pjesë e tyre u vendos në fshatin Qerret të Kavajës, që atëherë quhej fshati Herbert në nder të deputetit anglez.

Libri tjetër i kushtohet nënës së tij, ledi Karnavon.  Me të njëjtin kontribut në shërbim të shqiptarëve.

Zoti Muharrem Shqarri sapo ka botuar një libër kushtuar fisit të tij Shqarri, banues prej disa brezash në qytetin e Peqinit.

Por klibri merr më shumë vlera sepse autori e ka vendosur historinë e fisit të tij në një kuadër të përbashkët me historinë e këtij qyteti.

Mund të mendohet se histori të tilla, nuk përbëjnë interes të gjerë, se janë thjesht për njohjen e një komuniteti të caktuar, ca më tepër kur kjo reduktohet në një grup farefisnor.

Jo. Nuk është kështu, sepse historia e një kombi është tërësia e historisë e çdo pjese të tij, sado e vogël qoftë.

Kjo më kujton një cikël dokumentarësh që u realizuan dhe u transmetuan nga Radiotelevizioni Shqiptar, kushtuar familjeve të shquara shqiptare nën titullin “Familjet e Mëdha” dhe u realizuan 15 të tillë. Pa pritur, realizimi i tyre u ndërpre, me qëllim uljen e shpenzimeve të institucionit. Pikërisht këtu, në këtë punë me mjaft vlerë për historinë e Shqipërisë, u vendos të kursehej. Kujtoj këtu se për këtë institucion çdo familje shqiptare paguan çdo muaj 100 lekë taksë. Nuk janë pak po të llogaritet se janë rreth një milion familje që paguajnë këtë taksë.

Libri i Muharrem Shqarrit, për të cilin nisa të flas është i tëri kontribut i autorit, i cili ka harxhuar kohë duke gërmuar nëpër arkiva dhe shpenzime financiare për botimin e librit.

Ky mund i tij ka pasuruar bibliotekën jo vetëm të Peqinit, por edhe atë kombëtare. Libnri ka interes edhe për atë që thash në fillim të këtij shkrimi se në historikun e fisit Shqarri, është një monografi e shkurtër e kolegut dhe mikut tim Ahmet Shqarri, gazetarit të shquar sportiv që për 40 vjet i përcolli publikut shqiptar të gjitha ngjarjet sportive, kombëtare e ndërkombëtare.

Ahmeti ka qenë iniciator dhe realizuesi i vetëm i emisionit më të ndjekur sportiv “Nga njëra ndeshje në tjetrën”.

Sot Radiotelevizioni shqiptar ka katër departamente sportive me rreth 40 gazetarë dhe për publikun në këtë ekran ka pak aktivitete sportive.

Vlen të përgëzohet autori i këtij libri për kontributin e dyfishtë që jep për historinë e qytetit të tij dhe për njohjen në aspektin privat të gazetarit të shquar “Mjeshtër i Madh”, Ahmet Shqarri.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *