Për 72 vjetorin e Moikomit

J L

Bedri Islami

 

Kam pasur një jetë të trazuar. Do të thoja se shpesh herë kam qenë i lumtur dhe e kam përjetuar lumturinë si një ndijim fizik që përshkon tërë trupin.

Në rrugëtimin e çuditshëm të jetës sime kam hasur njerëz, disa nga të cilët ishin miqtë e mi më të afërt, që përcaktuan fizionominë dhe ndryshimet e mëdha të fundshekullit të shkuar, por edhe të këtyre dekadave.

Në fakt jam një njeri i mposhtur nga miqësia njerëzore.

Ndër rastet më fatlume që kam përjetuar më e magjishme është ajo ditë e largët vjeshte, kur u njoha me Moikomin.

Ishte njëlloj si të njihesh me një pafundësi njerëzore, ku shpirti i butë i dijetarit të shquar ishte bërë bashkë me poetin rebel dhe të veçantë, të papërsëritshëm; ku eruditi i shquar ishte edhe luftëtari i madh, në të cilin mund të gjeje veten, po aq natyrshëm sa frymëmarrja.

Në 70 vjetorin e lindjes së tij kam shkruar:

As ai vetë nuk e di pse është i prirur të jetojë midis gjërave, të cilat janë skajore, të ndërlidhë të pangjashmet, të arsyetojë paradokset, të ndërlikojë të thjeshtat, të gjurmojë enigmën, të jetë asket ndaj joshjes pasurore, të jetë i lënduar dhe të mos lëndojë askënd; nuk e di e, ndoshta, nuk ka për ta ditur kurrë përse përpiqet të zbulojë atë që, ndoshta, nuk mund të zbulohet kurrë, të ndërtojë me një ngulm të pashoq koleksione të tilla të përafërta, të cilat, më pas krijojnë fragmente të imazheve jetësore që lëvizin në këtë peizazh jo vetëm shqiptar, ato copëza të mëdha hapësire dhe dendësi kohërash të pabesueshme; nuk e di përse është i prirur të thyejë veten si rrallë kush e të mendojë gjëra të pamendueshme dhe të ndërtojë një piramidë të pazëvendësueshme, të cilën nuk e prish dot as rrëkeja e viteve, as ashpërsimi i moteve, as mëria dhe harresa.

Ky poet filozof dhe filozof poet nuk më ka lënë asnjëherë të sodis, të qëndroj i huaj, apo i jashtëm, ftohtësirë akullnajore; në të kundërtën, si është pritur, ai të sjell momentet shpërthyese, drithëruese, më shpesh kryengritëse dhe djallëzore, ngre krye përmes përplasjeve, dialog i pafund me kohën e shkuar dhe parathënës i kohës së ardhshme, i pakufizuar, pasi kufizimi është marrëzi; i pathyeshëm sepse thyerja është nënshtrim; kërkues pasi kërkimi është etja e tij e pashuar; kryengritës sepse e urren përuljen, skeptik pasi dashuron marrëzisht të pazakontën, njeriu që nuk hesht sepse është në të drejtën e tij për të mos heshtur; përmbysës i normave dhe strikteve galaktike, në fund të fundit, arsyeja për të besuar në mitin sizifian të poezisë, prozës, meditimit, esesë, shkencës, politikës, filozofisë, artit, miqësisë.

I veçantë në llojin e tij, ai është i paimitueshëm, megjithëse idetë e tij, pasi marrin fillesën-bulojnë tek të tjerët. I dëshpëruar dhe i gëzuar njëkohësisht, i dashuruar marrëzisht dhe krijues i një perandorie të pashoqe, që nuk gardhohet dot dhe as nuk mund të ishte e sajuar, përtëritës migjenian i një bote tjetërlloj dhe risjellës i kumtit të Gjon Buzukut, De Radës, Mjedës, Poradecit, njëjtë si sjell ankthet e pa-uruara të Apolinerit, të Hajnes, Erazmit të Roterdamit, i lidhur me magjitë e poezisë së tij – nga hutimi i së bukurës – zërat që i dëgjon nëpër shkulmimin e detrave – baladat që kumbojnë nëpër tisin e natës – brengën e varrit të Buzukut – si një kumtesë e përshpirtshme jashtë kambanareve – surealizimin e çuditshëm si mjellmë e përgjakur- gëzimin e jetës të Horacit – gjurmët si ecja e ngadaltë në rërën e Currilave – poezinë hebraike dhe vrapimet e gazelës në brigjet e Nilit – një stil deri në çmenduri lakonik dhe kumbimi i ecjes së Hygoit nëpër natën e kishës së Zonjës Tonë parisiane – imazhet që vezullojnë dhe, në fund, vdekja, si substancë e filozofisë me përsiatjet për qenien apo mosqenien.

Sot ai do të ishte 72 vjeç.

Një botë e tërë iku sëbashku me të!

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *