Dërguar me email
në adresën e kryeredaktorit
E nderuar Gazeta Dita! Para disa ditësh shkrova në vendlindjen time, në Kolonjë. Qëndrova një ditë në qytetin e vogël, të bukur dhe të pastër të Ersekës. U kënaqa në këtë ditë vjeshte, në këtë qytet alpin në këmbët e Gramozit. Kolonjarët janë njerëz me kulturë, mikpritësa dhe të ngrohtë në marrëdhënie me njëri-tjetrin. Nga Kolonja është edhe drejtori i Aluiznit, Artan Lame. Djalë i mirë, punëtor dhe me temperament e karakter kolonjari.
Por, me sa pashë unë e sa dëgjova, ai ka kohë që nuk e ka shkelur Kolonjën. E them këtë sepse, për aq sa qëndrova unë atje më ranë në sy disa ndërtime pa leje, që Kolonjarët i quajnë “çibanë”. E theksoj edhe një herë fjalën çiban dhe po e sqaroj me dy – tre raste. 1) Në mes të disa pallateve, në një shesh të bukur, në vend që të bëhet një kënd lojërash për fëmijët, janë ndërtuar disa kasolle me dërrasa, ku familjarët sistemojnë drutë e dimrit.
2) Në një rrugë të bukur, të drejtë që ke dëshirë të bësh një xhiro, njëri ka dalë në trotuar e ka ndërtuar një klinikë dentare.
3) Disa të tjerë kanë prishur bukurinë dhe arkitekturën e pallateve, kanë zmadhuar ballkonet në katet e sipërme, duke përdorur shufra hekuri, që rrezikojnë edhe jetë.
4) Një qytetari tjetër, dikush i ka zaptuar një pjesë nga trualli dhe ka ndërtuar një garazh. Është ankuar ka vite, i shkreti, por fjala ka rënë në vesh të shurdhër.
Nuk do të bënte gabim zoti Artan Lame, të japë një urdhër që të prishen dhe këto kasolle, e garazhe pa lejë e që shëmtojnë qytetin tonë të Ersekës.
