Për ata që janë trima para deleve e dele para trimave…

Ornela

Nga Sevo Tarifa

Na mbeti në mendje e në sy ajo që ndodhi në Pesë Maj 2018 në varrezat e dëshmorëve të kryeqytetit. Dhe ku? Në një vend të shenjtë, të paprekshëm, ku “prehen shpirtra të pavdekshëm të njerëzve të vdekshëm”. Dergjen ata që u vranë nga fashistët në lule të rinisë, që luftonin  në emër të Atdheut e të Lirisë. Vend, ku ka vetëm lule, kurora, respekt, nderim, përkulje. Ku natyrshëm ecet ngadalë, pa fjalë, pa zhurmë, pa buzëqeshje. Ku ka dhimbje, lëndim, lot dhe zemra që pikojnë gjak. Çuditërisht te varrezat e dëshmorëve shkojnë edhe neofashistë!

Po ç’duan në këto varreza këta të fundit? Dëshmorët janë vrarë nga dora e fashistëve dhe nga kolaboracionistë, ballistë e zogistë. Neofashistët e sotëm janë pjella e fashistëve të djeshëm. E këta neofashistë qëlluan në 5 maj pleq, ku të mundin: në kokë, në fytyrë, në duar, në trupin me plagë, të cilat u duken akoma dhe mbajnë erë barut edhe sot.

Është brez luftëtarësh, që kanë në zemër shokët e tyre dëshmorë, me të cilët ishin në një llogore lufte, hidheshin në sulm, luftonin dhe plagoseshin, hiqnin këmishën nga trupi i vet dhe u lidhnin plagën shokëve për t’u ndalur gjakun, për t’u shpëtuar jetën, por në fund shihnin  si mbyllnin  përgjithmonë sytë dhe shuheshin! Sot, kush jeton u shkon te varri. Këta e dinë si qëndrojnë e si durojnë për ta! Janë me lule e kurora në duar në kujtim të tyre. U duket sikur takohen e bisedojnë bashkë. I përfytyrojnë, kujtojnë, pezmatohen, por gjejnë forca, frymëzohen nga heroizmi dhe lavdia e shokëve të rënë dëshmorë! Ngrenë lart parulla e pankarta dhe një portet të komandantit të përgjithshëm, Enver Hoxha.

Ç’na panë sytë atë Pesë Maji! Pleq të urtë, fisnikë, njerëzorë, të thjeshtë, paqësorë,  por aty dhe neofashistë, fytyregër, rrugaçë, që qëllojnë mbi ta pa mëshirë, me urrejtje! Dora e zezë e tyre rreh ish partizanë, çlirimtarë të Atdheut, veteranë, pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve  dhe invalidë të luftës, që konsiderohen dëshmorë të gjallë! Ndeshje e pabarabartë. E befasishme.  Janë dhunues, egërsira, jo larg botës shtazore! Por këta neofashistë, nuk e kanë aq inatin me këta veteranë, sa e kanë me  LANÇ-in (?!), që e quajnë “Luftë civile”!

 

***

Neofashistët nuk kanë ndonjë të shkruar në ballë ose në gjoks e të njihen se janë të tillë. Por “Fshati që duket, s’do kallauz”. Ata kuptohen nga idetë, mendimet, gjuha, hipokrizia, qëndrimet, veprimet, destruktiviteti. Mënyrat janë të ndryshme: “hedhin gurin e fshehin dorën”, “të vrasin natën e të qajnë ditën”, por veprojnë edhe haptazi, duke u  dredhur nga frika si purteka. Pavarësisht se neofashisti është si “miza” që matet me “buallin”, ai duhet vlerësuar drejt, pa u nënvlerësuar dhe pa u mbivlerësuar.

Përvoja në luftë kundër fashizmit nuk na mungon. Mësojmë prej saj edhe për të vepruar në luftë kundër neofashizmit. Dëshmorët që kanë rënë në sytë e krahët tanë duke luftuar me heroizëm, na kanë lënë drejtpërdrejti shembullin e lartë antifashist, revolucionar, atdhetar, trimëror, dinjitoz, me fjalë të guximshme dhe me jetën e tyre, me virtytet e tyre, me gjakun  e tyre, me madhështinë e veprës së tyre. Dëshmori Ngjeli Goga shprehej: “Fashisti është ujk. Nuk ka zemër në gjoks. Ai e shuan etjen me gjak. Prandaj qëllo si mbi ndonjë derr, se s’ka drejtësi më të madhe se plumbi që bie mbi të”.

    Sot neofashisti nuk rri pa kryer punë të zeza, se të zezë ka zemrën dhe vepron me djallëzi kundër shtetit ligjor dhe shoqërisë, ndaj kundërshtarëve politikë. Zemrës së tij të zezë  i mungon kryendjenja, virtyti i parë kryesor,  atdhedashuria,topi që shemb kështjellat e forta” (S. Frashëri). Fashistë e neofashistë kanë zemër, por kjo nuk është e s’mund të jetë e bardhë. Kur fashisti e neofashisti përpiqen ta heqin veten “zemërbardhë”, kjo s’është aspak e tillë. Nuk është as e kuqe. Se ngjyra e kuqe është simbol i miqësisë dhe i dashurisë njerëzore, ndërsa zemra e fashistit është simbol i urrejtjes njerëzore, etnike, rraciale, krahinore; është urrejtje e lirisë dhe e pavarësisë së popujve, kundër progresit ekonomik e kulturor, kundër traditave e zakoneve përparimtare.

Fashizmi është i zi jo aq për këmishën e zezë apo të murrme që mban veshur, por për shpirtin e zi të tij, për veprimtarinë armiqësore të tij. Aq bukur e shpreh këtë dëshmori Tase Çela kur thotë: “Siç është i zi fashizmi, ashtu ka edhe zemrën të zezë”. Memo Metoja thumbonte: “Këmishëziun ujk,/Spiunin çakall,/ Milicin hajdut,/ Beun dallkauk!”

***

Neofashisti është simbol i së keqes. Ai që vlerëson drejtë LANÇ, siç e meriton lavdia e saj, neofashisti reagon, revoltohet, kundërshton, e quan këtë “Vëllavrasje”! Ai sheh një lapidar dëshmori dhe gjen rastin ta rrëzojë ose ta dëmtojë, ta gërvishë. Në portën e shtëpisë bazë lufte sytë i shkojnë tek ajo pllaka përkujtimore, të cilën ai e thyen, e bën copa-copa. Hapet një muzeum atdhetar dhe atij i vriten sytë, bën çmos dhe  e prish, reliket i vjedh, i shet ose i hedh! Dëgjon këngë partizane dhe i përçmon. Ti shkon me lule në varrezat e dëshmorëve, ai mohon gjakun e tyre, baltos emrin dhe figurën  e tyre, shtrembëron buzët, heq kurora e lule. Në Gjirokastër hiqet emri “Enver Hoxha” nga rrugica me kalldrëm që çon në shtëpinë e tij, kurse në Tiranë ngrihet monumenti i tradhtarit Ahmet Zogu!

Ka jo pak dëshmorë e Heronj të Popullit për të cilët nuk janë ngritur monumente apo buste, kurse të tillë ngrihen për krerë reaksionarë e kryeballistë! Shkolla ka emrin e një dëshmori, neofashistët e heqin dhe vënë emrin e një reaksionari!

Neofashisti bën dëshmor kriminelin e luftës që ka lyer duart me gjak, dhe quan “kriminel” dëshmorin, që luftoi dhe ra në emër të Atdheut! Dekorohet ballisti gjakatar e diversanti dhe propozohet të hiqen dekoratat nga gjoksi i luftëtarit të lirisë, të fituara me gjak e sakrifica! Hiqen nga rrugët emra heronjsh e dëshmorësh dhe vendosen emra të bashkëpunëtorëve me armiku pushtues. E te tjera.

***

Bijtë e shqipes u përballën me fashizmin dhe e mundën, fituan. Duke u arratisur trimërisht nga burgu, dëshmori Karafil Bello la në qeli për fashistët këtë pusullë: “Me ju, o fashistë të ndyrë, tash do të flasim vetëm nëpërmjet grykës së pushkës”. Dëshmori Stliano Bandilli ka thënë: “Le të derdhen si breshër mbi kokat tona predhat e armikut, ne do të luftojmë:. “Mos i lëshoni pozicionet, shokë! Luftoni! Lamtumirë!”,- tha Fahri Ramadani. Dhe pushkën nga dora s’e lëshoi e ra dëshmor. “Mua më jepni mitrolozin, ai di të flasë më mirë me fashistët dhe tradhtarët”, u shpreh Kleanthi Manasirliu. Dëshmori Kostandin Leka thoshte: “Sinjor tenente, po të doni ju preim në mal”!

Dhe mali u bë “foleja” e shqiponjave partizane. Por ndeshja s’u zhvillua vetëm në mal. U zhvillua edhe në qytete, në fusha, në kodra e në rrugë, në të gjitha stinët, edhe në ata katër dimra të egër me dëborën e bardhë, që bëhej e kuqe nga gjaku i derdhur. Duel i fortë. Përleshje e pabarabartë. Por pushka partizane i bënte copë, drejtohej në zemrën ose ballin e tyre! Brigada e VI Sulmuese në Cepo të Gjirokastrës luftoi një partizan me 16 fashistë italianë; në Operacionin e Qershorit një partizan me 20 gjermanë. Në Mal të Zi shifrat u rritën edhe më tepër: një partizan me më shumë më tepër gjermanë.

Në duelin me gjak, i vogli mundi të mëdhenj dhe fitoi! Betimin popullor e shohim edhe në fjalët e dëshmorit Myslym Shyri: “Fashizmi asht shtrirë këmbëkryq në vatrat tona, por rrënjë s’do ta lëmë me lëshue”. Vendosmëri. Betim. Optimizëm. Fitore!

     Po sot? Janë aktuale fjalët e dëshmorit Hajro Çakërri: “Ne do të luftojmë, ashtu siç kanë luftuar të parët tanë”. Se edhe sot duken shënja të rigjallërimit të fashizmit. “Ujku qimen ndrron, por zakonin nuk e harron”. Armiku me gjuhë të shan ose të lëvdon, me bisht të verbon. E shohim këtë në jetë. Ai ka veshur robën e “demokratit” dhe merr jetë njerëzish, vjedh, shkatërron, djeg, e bën të bardhën të zezë, kriminelin e quan martir të demokracisë; vë gurë në rrotat e ecjes përpara, quan tradhtar atë që është atdhetar dhe atdhetar atë që është tradhtar!

Këto janë dukuri fashiste, neofashiste e terroriste. Janë kohë të ngjashme me ato të djeshme, kur fashizmi ishte pushtues i Shqipërisë dhe kishte sahanlëpirës, prandaj dëshmori Ali Fetani u përgjigjej armiqve: “I shitur je ti, sahanlëpirës i fashizmit. Ti çirresh “Kapeni kusarin”, po kusar je vetë”. Dhe Xheladin Beqiri shprehej: “Me sulm e nisëm, me sulm do ta vazhdojmë”.

Toka dhe bora janë bërë të kuqe nga gjaku i dëshmorëve, por edhe nga gjaku i derdhur prej njerëzve të pafajshëm, që janë vrarë, djegur e plaçkitur, janë pushkatuar e varrosur masivisht. Ujqër me dy këmbë kanë marrë jetë të grave, të pleqve e të fëmijëve. Janë shuar fshatra të tëra. Armiqtë e jashtëm e të brendshëm kanë qenë të pamëshirshëm. Vrasje nuk ka pak edhe sot në “demokraci”…

***

Neofashistët janë antihumanë, jo njerëzorë. Maten me veteranë pleq, në zemrtën e të cilëve është Atdheu. E provuar kjo në luftë çlirimtare dhe në jetën e tyre gjithë mirësi, në të cilat ndritin lufta antifashiste, gatishmëria për të dhënë edhe jetën për çlirimin e vendit, rindërtimin dhe ndërtimin e tij. Dëshmorëve të luftës iu shtuan edhe dëshmorë të punës.  Neofashisti e ka në majë të hundës pse këta kanë vrarë fashistë. Por në fakt, fashistët na kanë vrarë, pa i kemi vrarë ne. Dhe tani përpiqen të “marrin hak” me shkop, me grusht! Shkopi i neofashistit  bie mbi kurrizin e atyre që nga vuajtjet në tym e llakë, në zjarrin e luftës, të zhveshur e të uritur e sot janë të sëmurë, të pafuqishëm, që mezi ecën me bastun, por që asgjë s’e tund. Neofashisti është “trim para deles e dele para trimit”.

Ti, neofashist, kështu e zbaton parullën e hedhur nga babai yt politik “Opozitarë, por vëllezër”?!     Ti nuk e ke inatin dhe nuk vepron vetëm kundër një grusht veteranësh, që kanë në duar pankarta atdhetare,  ti e ke armiqësinë me LANÇ-in, me komandantët e komisarët e saj, me partizanët veteranë, me humbjen e pushtetit përmes zgjedhjeve. Turp për ty dhe për familjen që të ka në gjirin e vet!

Share This Article
5 Comments
  • puppupupu, o Thano, e ka blere gazeten familia Tarifa ??
    u be tamam ajo shprehja
    ‘mut i jati mut i biri ,me m……ai qe beri t’ane!!

    shoku Sevo, dil aty ne shesh, dil njeher ta heqesh merakun e ‘deleve’ … se jane ca letra ‘anonime’ qe i mbajne mend mire ata qe kane ber burgun nga skutha si ty,… dil njeher aty spiun qelbesire !

    • Black swaun, …. e pranon vetë që ty je i zi, e shkruan vete emrin, jam i zi, por ty duhet te shkruash: Une jam fashisti. Turp qe shan dhe ofendon.
      Mjer ty qe shkruan dhe neperkemb për atë që denoncon te keqen, ti shkruan më kotë këto rrjeshta. Të gjithe lexuesit Shqiptare, vleresojne se kush ka te drejtë. Shteti heshti per ate ngjarje te turpshme qe ndodhi. Tërë bota, Amerika, Europa i nderon dhe i respekton luftetaret e rene ne luftra, bile ne pervjetore edhe me te shtena topash…

  • Eh mor i shkreti prefesor, e ke menderosur fare – me shume se ata qe ti akuzon, ti po dhunon me fjalet e egersuara te nje revanshisti kanibalesk diktatorial. Je mesuar gjak per gjak, sy per sy, si ne lashtesi. Ne vend qe te shtrish doren e dashurise e te respektit per njeri-tjetrin, ti evokon eren e gjakut. Je me shkolle, por instinktet e egersise te sistemit te kaluar nuk qenkan shuar, por vetem shtuar tek ti.

  • E turpeshme eshte dhuna ne varreza por ne tani kemi bere shtet dhe shteti heshti.Hesht dhe ti Sevo se ky eshte morali i kohes.Falangave u perulet dhe shteti.

  • Black swaun, …. e pranon vetë që ty je i zi, e shkruan vete emrin, jam i zi, por ty duhet te shkruash: Une jam fashisti. Turp qe shan dhe ofendon.
    Mjer ty qe shkruan dhe neperkemb për atë që denoncon te keqen, ti shkruan më kotë këto rrjeshta. Të gjithe lexuesit Shqiptare, vleresojne se kush ka te drejtë. Shteti heshti per ate ngjarje te turpshme qe ndodhi. Tërë bota, Amerika, Europa i nderon dhe i respekton luftetaret e rene ne luftra, bile ne pervjetore edhe me te shtena topash…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *