I nderuar z. Thano!
Unë nuk mundem, për shumë arsye, të bëj një film. Nëse do të mundja, do të bëja një nga filmat më “horror” ndër horrorët. Titulli i thjeshtë fare: BLLOKU.
Në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe”, botim i vitit 1980, fjala bllok ka nja 11 shpjegime: copë e madhe dhe e rëndë e një lënde të fortë; tullë e madhe; rreth i madh i gjerë e i shkurtër prej betoni; grup ndërtesash; pjesë e një lagjeje; ngastër e madhe toke; fletore e trashë për shënime nga e cila mund të këputen fletët; bashkim shtetesh, partish etj etj.
Në atë BLLOKUN tonë (përfshi të gjitha ato që përmendëm më lart) jetonte KAPO-BLLOKU dhe BLLOK-MENËT. Jetonin me të gjitha: miqësitë, dashuritë, nderimet, shoqëritë, lindjet, vdekjet, gostitë, dekorimet, mëritë, intrigat, armiqësitë, ekzekutimet, por mbi të gjitha me kancerin e “Unit” të Partisë dhe metastazat e kongreseve, plenumeve, direktivave, udhëzimeve, që shtriheshin, pashmangshmërisht, në të gjithë vendin. Jetonim dhe ne. Të gjithë. Me të gjitha: mbledhjet, diskutimet, angazhimet, stimulimet, shpifjet e spiunimet, por mbi të gjitha me bindjen se “kanceri dhe metastazat” ishin jetëdhënëse. (Kjo është e vërteta. Jashtë kësaj të vërtete qëndronin vetëm ata që mbushën burgjet, kampet e përqendrimit, togat e pushkatimit) Aq shumë jetuam sa edhe sot e kësaj dite, parathëniet, thëniet e pasthëniet atje e kanë rrënjën.
Në kampet hitleriane, në BLLOQET e shfarosjes, në hyrje shkruhej: Këtu hyn nga dera dhe del nga oxhaku (kreatoriumi). Në BLLOK e dinin të gjithë: – Vinin nga “mali i luftës ose fusha e ndërtimit” dhe kalbeshin tek gropa e bllokut… Aty nuk kishte “Purgator” (Purgatori ishte shpallur e stërshpallur revizionizëm). Aty, nga “Parajsa” shporreshe në “Ferr”. E çfarë ferri? E çfarë shporrjeje? Edhe vetë Dante Aligeri do të dridhej nga tmerri.
Dihet: Revolucioni ha bijtë e vet, por “pasrevolucioni” ishte e ç’ishte. Jo të ngrënë, por bluar e stërbluar. Kryerevolucionari nuk kishte të ngopur me revolucionarët. Pleh i bëri të gjithë. Jashtë të gjithave atyre që thuhen e stërthuhen për E. Hoxhën, unë shpesh rri dhe mendoj: a kishte shokë, miq, të afërt, fis e stërfis ky farë E. Hoxhe? A kishte hyrje, dalje, urime, ngushëllime? Lot edhe gaz? Ore… kishte fëmijëri, rini, miqësi, dashuri, shoqëri… lodra dhe lojëra? Të gjithë i linçoi. PAta që mbetën ishin “të mbeturit e të mbeturve”, ndërsa “ai që mbeti” na “mbeti të gjithëve”. Edhe “Demokracinë” e mbeti në “ardhësit” dhe “pas-ardhësit” e të mbeturve.
Sapo fillonte viti i dytë në Institut të Arteve, studentët e dramës dorëzonin fragmentet e veprave skenike që do të punoheshin simestrin e parë dhe të dytë për provimin përfundimtar. Unë dorëzova dhe fragmentin e pasvrasjes së mbretit Dunkan nga Makbethi. Profesor Kujtimi (Spahivogli) mbas një jave komunikoi fragmentet e zgjedhur duke i bërë dhe njëfarë analize. Fragmentin tim nuk e përmendi. Natyrisht u shqetësova. Doja ta pyesja, por e ndjeja, vështrimi i tij më ndalonte. Mbas dy ditësh, tek ecnim bulevardit unë dhe shoku im Pëllumb Decolli, befas gishti i madh dhe ai tregues i një dore më shtrëngoi pas qafe. Pas saj buçiti ajo e qeshur që vetëm ai e qeshte, Kujtimi:
– Deshe Makbethin ti,- më tha në qeshje e sipër, – Na Makbethin. Më mbajti paksa dhe pasi më lëshoi, ndërsa unë përdridhja qafën, mërmëriti:- Përdridhe, përdridhe. Më mirë ta përdredhësh vetë se sa ta përdredhin të tjerët. Oj, çuni i Elbasanit. Dashka Makbethin. E do ti, por a e duan të tjerët? Ke pyetur? Pyet, pyet se të bën mirë… Sa për Makbethin, harroje, siç e kanë harruar edhe të tjerët, burra më me “bole” se ti…
Në atë moshë nuk kuptova asgjë, por më vonë e mësova shumë mirë: Makbethi ishte i ndaluar nga Makbethi. Asnjë skenë deri në vitin 1990 nuk guxoi, së paku, ta përmendë. Makbethi dhe zonja Makbeth e BLLOKUT, derdhën dhe pinë aq gjak sa Makbethi dhe zonja e tij e Shekspirit ishte lodër çiliminjsh.
Letër e nënshkruar,
Astrit Çerma
