Me rastin e 79-vjetorit të krijimit
Bexhet Fezolli
Figura e Teki Kolanecit si komandant vendimmarrës dhe si ushtarak i lindur, spikati dhe shkëlqeu në Gurin e Kamjes 10-14 dhjetor 1943 kundër gjermanëve e ballistëve në Gorë. Aty Tekiu, ndonëse i plagosur u bë shembull i heroizmit partizan
Krijimi i Çetës së Parë Partizane të Gorës në Qarkun e Korçës më 27 prill1942, në pyllin e Kolanecit, është një ngjarje e shënuar në historinë e LANÇ. Në këtë datë, çdo zemër gorare ndjen të pulsojë fort, për bijtë e bijat e kësaj krahine që luftuan trimërisht pa kursyer as jetën, për lirinë e vendit. Kjo datë ka lënë në kujtesën e tyre gjurmë që nuk shuhen kurrë.
Është kjo arësyeja që populli i kësaj zone i ka kënduar këngë trimërie kësaj çete dhe komandantit të saj sypatrembur: “Teki Kolaneci, ku je shqipe malit?/ Të shkëlqeu mbi supe ylli i gjeneralit/ Teki Kolaneci, rrit nën fletën e ftoit/ -Ç’e gëzove Gorën me yllin e Heroit…”. Populli i ka parë gjithnjë të lidhur ngushtë, çetën e Gorës dhe komandantin e saj Teki Kolaneci. Se “Çeta e Gorës dhe komandanti i saj Teki Kolaneci nuk mund të ndahen. Ndaj i kemi në krye të fjalës e të këngës, të gëzimit e të brengës”, shkruan në monografinë e tij për këtë figurë të luftës, Bexhet Fezolli, ish ushtarak. Ndërkohë, referuar historikut të saj, Çeta e Gorës, ishte mishërimi më i mirë i krahinës në luftën për liri.
Te komandant Tekiu ishin skalitur në mënyrë harmonike mençuria, forca e burrit dhe çiltërsia. Ai ishte burri patriot që i foli kohës me zërin e luftëtarit e komandantit të vërtetë, ishte prind e vëlla, luftëtari i orëve të para. Ai ishte i lidhur ngushtë me vendlindjen e njerëzit e saj. Gora dhe komandant Tekiu; janë dy emra të pandarë. Tekiu nuk lindi gjeneral, as Heroi i Popullit. Luftëtar e komandant çete, batalioni, brigade e divizioni, drejtor Kufiri, zv/ministër, deputet në Kuvendin e Shqipërisë atë e bëri lufta e tij ndaj pushtuesve italianë e gjermanë e tradhëtarëve të vendit; e bëri dashuria dhe përkushtimi ndaj popullit dhe Atdheut.
Preludi i rrugës patriotike e revolucionare për Teki Kolaneci, qenë shija e hidhur e djaloshit emigrant 16 vjeçar, në Australi, dhimbja e madhe për copëtimin e Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha, mjerimi dhe vështirësitë e panumërta që kalonte Shqipëria nga regjimi zogolljan dhe në fund pushtimi fashist i 7 prillit 1939. E ai do të shpërthente burgun ku ishte dënuar me 15 vjet, si pjesëmarrës i Lëvzjes Antizogiste të Delvinës. Dalja e Tekiut në mal, nuk ishte rastësi.
Ai vinte nga një familje e madhe patriote, që lirinë dhe pavarsinë e vendit i kishin të shenjta. Teki Sabri Kolaneci në dhjetor 1941, bashkëpunon me komunistët e Korçës e Tiranës si; Kiço Shamblli, Gjeli Argjili, Llambi Dishnica, Rita Marko, Dhori Karagjozi, Maqi Mita, Nexhat Hyseni, Dhosi Pecani, Irakli Terova, Raqi Zavalani, Petro Treska, Ilo Rrumbullaku, e së bashku me Tekiun u bënë bërthama e Çetës në qarkun e Korçës. Shtëpia e Teki Kolanecit, u bë baza e pritjes të ilegalëve dhe ku thureshin plane për organizimin e Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare…
Mbas tre muajve, u shtuan radhët e ilegalëve dhe më 27 Prill1942, në pyllin e Kolanecit, u krijua Çeta e Parë Partizane e Gorës në Qarkun e Korçës, ku, siç thamë më lart, komandat u zgjodh Teki Kolaneci. Kurse, u zgjodh komisar Llambi Dishnica. Çetës ju shtuan radhët me shokë të tjerë si; Sotir Nasho, Tafil Rexhepi, Petro Mitika, Ibrahim Hyka, Gole Muço, Xha Qemali e plot të tjerë.
* * *
Çeta Partizane e Gorës, ishte bartëse e traditave më të mira të çetave patriotike që i drejtonin kapedanë me emër në atë zonë siç ishin; Kajo Babieni, Ismail Dërdusha, Malkë Zvarishti, Hysen Pirgu, Xhelo Selca, e të tjerë atdhetarë që i rriti Gora, ky djep i luftëtarëve të lirisë në breza. Çeta e Gorës, pas formimit, me një herë u hodh në aksione konkrete.
Së pari filluan me punën agjitative për ngritjen e popullit në këmbë në luftë për liri. Aksionet e kryera nga partizanët, bënë që populli t’i presë me krah hapur bijtë e tij, duke shtuar dhe radhët e luftëtarëve. Çeta kreu 14 aksione të guximshme si; ai i 24 korrikut 1942 në prerjen e linjave telefonike, aksioni idytë, në mëngjesin e 23 gushtit 1942 në Gryka e Grabovicës, për të mos lejuar internimin e partizanëve të burgosur. Në këtë përpjekje u vranë shumë xhandarë, por ra heroikisht dëshmori i parë i Çetës, Tafil Rexhepi, djali i Nënë Pashakos.
Vepra e Tekiut qe shembull i shkëlqyer që ndikoi në krijimin e 5 çetave të tjera partizane në Gorë të komanduara nga Xhezar Senishti, Zalo Zvarishti, Neki Dushku, Shaban Zereci e të tjerë. Aksionet e përbashkëta të Çetave Partizane, përbëjnë enciklopedinë e luftës të Krahinës së Gorës e që vazhdoi me krijimin e tre batalioneve partizane “Ali Kelmendi”, “Gorë-Opari”, “Çlirimi” dhe “Themistokli Gërmenji”, si dhe të dy brigada partizane e 4-ta dhe e 9-ta . Gjithashtu Teki Kolneci orgnizoi edhe Takimin e Lenies më 5-6 shtator 1942, me grupet e armatosura, me njësitet e fshatrave, ku u hodh hapi i krijimit të Çetave të tjera dhe ngritja e Këshillave NÇ.
Aksionet luftarake si ajo e Bollovodës më 2 tetor 1942, ndaj dhelprës plakë, bashkëpunëtorit të fashizmit Filip Toma, çarmatosja e Postës të Moçanit, më 12 dhjetor 1942 etj, treguan rritjen e forcës luftarake të çetës partizane dhe aftësive drejtuese të komandant Tekiut. Këto do të spikasnin me gjithë madhështinë në Aksonin për Çlirimin e Voskopojës më 16 janar1943, katër ditë luftë në Kuqar të Përmetit 1- 4-korrik 1943, si dhe 5 ditë luftime të ashpra të Maliqit 10-15 shtator1943, ku fashistët lanë në fushën e betejës 200 e ca të vrarë.
Lot dhimbje derdhi komandant Tekiu kur pa të vrarë komisarin Skënder Çaçi në luftimet e Gurit të Bletës mbi fshatin Grybec te Gorës, më 16 tetor 1943. Talenti i komandantit vendimarrës si ushtarak spikati në Gurin e Kamjes 10-14 dhjetor 1943 kundër gjermanëve e ballistëve në Gorë. Tekiu ndonëse i plagosur u bë shembull heroizmi partizan. Teki Kolaneci, dha një kontribut të shquar si Komandant i Shtabit të Qarkut Korçë. Populli bujar, besnik e trim i Gorës dhe i gjithë Korçës ja shtoi forcat dhe guximin. Ai ndërtoi planin luftarak për çlirimin e qyteteve të Korçës, Përmetit, Pogradecit, Elbasanit e Tiranës, me provojën e një lideri ushtarak, me autoritet drejtimi e komandimi si kuadër madhor të UNÇSh.
Çeta e partizane e Gorës dhe komandanti i saj Teki Kolaneci, për Gorën, Korçën dhe gjithë Shqipërinë, do të mbetet gjatë në mendjet e zemrat e brezave të ardhshëm.

Botojeni ne Beograd e Moskë kete shkrim, atje e ka vendin.