Kjo karta e anti-komunizmit që vazhdon përdor Saliu edhe pas 22 vitesh është një supë e pshtirë shtrigash që nuk tretet më, as me vaj, as me uthull. Jo anti-komunizmi por pjergullat mafioze janë të vetmet kultura që kanë arritur të harlisen me sukses në djerrinat e Shqipërisë post-komuniste.
Nuk duhet harruar edhe se i ashtuquajturi “revolucion demokratik” i fillimit të viteve 90 në Shqipëri shpesh nuk ishte veçse një përpjekje in extremis e elementëve më aktivë të regjimit Alia për të mbijetuar në kushtet kur totalitarizmi në Shqipëri nuk mund të mbahej më gjallë kurrsesi. Dhe këtu me mbijetesë unë kam parasysh edhe ruajtjen e privilegjeve, nëpërmjet transformimit të tyre, kamuflimit, ose rimodelimit të rrethanave. Sali Berisha vetë është një prej këtyre. Ai qeveris bashkë me trashëgimtarë të tjerë të ish-nomenklaturës, roli i të cilëve në ekonomi dhe në tregti nuk më rezulton të jetë vënë ndonjëherë në diskutim, të paktën nga pikëpamja ligjore.
Shqipëria e sotme ekonomike me në krye ish-sekretarin e partisë Sali mund të përkufizohet edhe si një limer ku biznesmenët dhe politikanët merren vesh – herë me të mirë e herë me të keq – si t’i rishpërndajnë pasuritë ricikluar dhe gjeneruar rishtaz, duke përfshirë këtu edhe ato me burim nga korrupsioni, kontrabanda, ndihmat ndërkombëtare të devijuara dhe skemat bankare për të shtënë në dorë paratë e emigracionit. Ish-nomenklatura ka interesat e veta për të mbrojtur edhe këtu, sepse nuk mund të mohohet protagonizmi i saj në vitet e kaosit total, kur u shqye në copa e në llokma kufoma e pronës shtetërore. Funksionarë të ministrisë së tregtisë së jashtme, të Albimportit e të Albeksportit; funksionarë të Ministrisë së Jashtme e të ambasadave; agjentë të zbulimit dhe të kundërzbulimit, pak a shumë të stërvitur në kontakte më perëndimin, dhe të tjerë si këta, shumë shpejt morën në kontroll pozicione kyçe të biznesit privat në Shqipëri. Ky është rezultati më domethënës i “revolucionit” në jetën politike shqiptare të viteve 90?
Email nga adresa: [email protected]