Një shtyllë tensioni është hedhur në erë gjatë natës së ndërrimit të viteve, në Milot. Akti në dukje banal dyshohet se ka mbrapa motive politike, për shkak të dy mesazheve të gjetura në vendin e ngjarjes. Në njërin lexohej TAKSAT dhe në tjetrin lexohej NAFTA.
Shtylla e tensionit të lartë i përket linjës Tiranë- Podgoricë.
“Në datë 31.12.2013, rreth orës 18:00 në vendin e quajtur Nderlalaj, në Milot, rrethi Kurbin, është dëmtuar me eksploziv shtylla e linjes së interkonjeksionit Tiranë-Podgoricë. Nga shpërthimi me lëndë eksplozive është këputur njëra këmbë e shtyllës në lartesinë 10 metra nga toka. Ndërkohë në këmbën tjetër të kësaje shtylle, në lartësi 10 metra nga toka është gjetur një sasi prej 16 kallëpe tritoli me peshë prej 6.4 kilogramë, në të cilën ishte vendosur një kapsollë detonatore me fitil zjarrpërcjellës.
Policia me të marrë njoftim ka mbërritur në vendngjarje dhe ekspertëtë xhenierë kanë bërë ç’aktivizimin e eksplozivit të pashpërthyer. Policia ka administruar të gjitha provat që janë gjetur në vendngjarje, të cilat janë dërguar për epskertim në Drejtorinë e Policisë Shkencore.
Në njërën nga këmbët e shtyllës policia ka gjetur dy kartona, njëri me mbishkrimin NAFTA dhe tjetri me mbishkrimin TAKSAT, të cilat ishin të ngjitura me ngjjitëse natriban në shtyllë. Shtylla objekt sulmi ndodhet në një faqe mali në afërsi të rrugës së vjetër Milot-Burrel pranë urës me harqe.
Policia po punon për zbardhjen e dinamikës së këtij akti terrorist si dhe identifikimin e kapjen e autorëve të saj. Materialet e çështjes i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Kurbin për veprën penale “Shkatrrim prone me eksploziv”, parashikuar nga neni 152 i Kodit Penal.
Ky është akti i parë terrorist në Republikën e Shqipërisë që shoqërohet me mesazhe të qarta të lëna në vendngjarje nga autorët e vetë aktit”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme.
