Junker në Maqedoni: Për disa muaj mund të merrni datën për bisedimet

Leda Hysa

Presidenti i Kosmisionit Europian, Jean-Claude Juncker, i shoqëruar nga eurokomisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Johannes Hahn, filluan turin ballkanik për të shpjeguar strategjinë e re për rajonin me një vizitë në Maqedoni.

Gjatë një konference për shtyp me kryeministrin e vendit, Zoran Zaev, shefi i KE-së dha mesazhe shumë të qarta. Ai bëri thirrje bëri thirrje që Shkupi të zgjidhë çështjen e emrit me Athinën. Ndërsa, kryeministri Zaev theksoi se do të pranojë një zgjidhje gjeografike për emrin.

Jean-Claude Juncker, Presidenti i Komisionit Europian: “Ju ndërmorët reformat që ndonjëherë e habitën edhe botën, me Bullgarinë arritët të bëni marrëveshje miqësore, që e rriti reputacionin e shtetit tuaj në Europë. Sa i përket çështjes së emrit, nuk do doja të them asgjë pasi ju mbetet juve që ta zgjidhni këtë problem, me miqtë tuaj grekë. Duke arritur në aeroportin tuaj e pashë se diçka tashmë ka filluar të ndryshojë në vendin tuaj nga hera e fundit që kisha ardhur”.

Juncker shtoi se nuk ka ardhur për të dhënë datë për nisjen e negociatave. Megjithatë nënvizoi se Maqedonia është në rrugën e duhur dhe nëse vazhdohet kështu, për disa muaj Komisionin Europian do t’i propozojë Këshillit nisjen e negociatave për anëtarësim në BE. Ndërsa nga ana tjetër kryeministri Zaev foli për çështjen e emrit me Greqinë.

Zoran Zaev, Kryeministër i Maqedonisë: “Sa i përket çështjes së emrit, për Maqedoninë është e pranueshme një zgjidhje gjeografike që do të bëjë dallimin mes Greqisë veriore dhe Republikës së Maqedonisë. Insistojmë në zgjidhje afatgjate duke marrë parasysh që të mos cenohet identiteti dhe dinjiteti i dy shteteve. Ne duhet të mbajmë përgjegjësi historike për të zgjidhur këtë çështje të hapur”.

Ndërkohë, shefi i qeverisë së Shkupit nënvizoi se vendi i tij mund t’i japë shumë Europës. Gjithashtu u shpreh i bindur që Komisioni Europian do të rekomandojë hapjen e negociatave në verë.

l.h/ dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *