Nga Bedri Islami
Rrallë herë kam dashur një njeri, ashtu si kam dashur hallën time.
Çdo njeri ka historitë e tij të papërsëritshme, ku mblidhen mijra rrethana, kujtime, mbresa; përmes tyre përcaktohen kohëra dhe ngjarje, të cilat gdhendin memorien tonë.
Shumë nga kujtimet e mia të fëmijërisë, gjëra të ndodhura dhe mbresa të pazakonta lidhen me fshatin ku kishte lindur babai ynë, e, mbi të gjitha me motrën e tij, hallën time.
Kishin pasur një lidhje të mrekullueshme me njëri tjetrin q nga ditët kur ishin bashkënxënës të Migjenit dhe, në atë rrëpirë malore që bënin sëbashku nga fshati deri në qytezën e Pukës, kishin krijuar atë marrëdhënie të mrekullueshme me ndjesinë që të jep pafundësia.
Kishin pasur vetëm njëri tjetrin; Ai – një motër; ajo – një vëlla.
Jeta e tyre ngjante me atë përroin që ishte dikur buzë shtëpisë, pikërisht aty ku merrte rruga nisjen e saj drejt qytetit dhe ujrat e të cilit fshiheshin nën degët e mëdha të lisave, në të cilat vareshin pjergullat e arta.
Pra, kishte qenë e vrullshme, marramendëse, e afërt si gjithçka që lidhet me shtëpinë e lindjes, por edhe enigmë e mëpasme, si loja e dritëfshehjes së pjergullës nëpër gjethet e kuqerremtë të lisave.
Halla ime ishte e vogël në trup, megjithëse në fillim më dukej e gjatë; fisnike deri në qelizat e saj dhe e mençur si pak kush. Ishte e çuditshme: në jetën e saj ëndërronte të shihte detin, megjithëse ishte rritur mes maleve dhe fruti që pëlqente më shumë ishte pjepri. Mes bjeshkëve – i shijonte peshku; në oborrin e saj, aty para shtëpisë kishte mbjellë lule shumëngjyrëshe dhe trëndafilat shumëngjyrësh ishte besimi i saj.
Në degët e mollës që varej mbi çati kishte përherë zogj të zhurmshëm, që nuk trembeshin kurrë nga ecja e saj, fluturonin mbi të sikur donin t’i uleshin mbi supe dhe ndillnin duart e saj që hidhte ushqim edhe për to. Në fundin e oborrit, aty ku kishte më shumë dritë, disi larg pemëve të tjera, që të kishte më shumë hapësirë dielli, kishte mbjellur dy fiq, vetëm për mua.
E doja me përdëllim dhe bisedat me të ishin të zgjatura, mbushamendëse, ishin si pikëza urash që do të ngrinim për të kuptuar më mirë atë që kishte ndodhur në vite.
Tregonte rrjedhshëm, me atë të folurën e veçantë të malësoreve që nuk nguten të thonë shumë, por që duhet t’i përtypësh gjatë. Nganjëherë më dukej më shumë e lodhur nga qiejt e fatit të saj, se sa nga mosha. Kishte në vete shpirtin e pyjeve dhe dimrin e dhimbjes së vdekjes së të vëllait, kur sapo i kishte bërë të 36 vitet.
Më thonte shpesh se “Zeneli ishte i shijshëm si buka dhe i freskët si ujët në burimin e arës së poshtme”.
Të gjitha krahasimet e saj ishin konkrete. Për një njeri që kishte humbur vetitë e tij thonte se “tepër vonë u bë burrë, si ahishtet që nuk rriten tek ara e Remit”, për një tjetër që alarmohej shpejt më thonte se ” bën zhurmë si alarmi i gjetheve në fund vjeshte”; për një miqësi të prishur gjente fjalën tjetër se ” nuk idhen në një vozë edhe tamli edhe shllina”….
Në verën e vitit 1992 ajo erdhi për herë të fundit në Shkodër. Zakonisht vinte pas fillimit të tetorit, atëherë kur piqeshin gështenjat dhe arrat pikonin gjithë natën në zabelin e vogël, kur ftonjtë ishin verdhuar si një hënë e ndritshme dhe lëshonin erën e tyre të veçantë, kur mollët nëpër degë ishin skuqur plotësisht dhe rridhte prej tyre aroma e butë dhe joshëse, lajthitë ishin futur në trasta dhe dardhët ishin varur në trarët e katit të poshtëm të shtëpisë.
Atij viti erdhi në fundin e muajit gusht. Dikush i kishte thënë se mund të ikja jashtë Shqipërisë dhe meraku i saj kishte qenë më i madh se shqetësimi im. Nuk më tha asgjë, nuk më pyeti asnjëherë, nëse do të ikja apo jo, veçse rrinte në dhomën me dritare nga kopshti dhe herë pas here donte të thonte diçka dhe nuk e thonte dot.
Në njërën nga këto ditë vajtëm sëbashku në Velipojë. E dija se ajo e donte detin po aq sa edhe bjeshkët që ishin rrëzuar drejt shtëpisë së saj. Ecëm gjatë në bregun e zgjatur drejt ujrave të Bunës dhe ajo fliste kaq pak, më shumë mërmëriste dhe nuk e dija nëse e kishte me detin apo me mua. I hoqi këpucët e vogla, që dukeshin si të një hirusheje, e dashuruar me detin dhe nisi të ecte përmes dallgëve të vogla. Nuk ulej, megjithëse mosha i rëndonte mbi supe, por edhe nuk ia hiqte sytë pafundësisë së ujrave të detit.
Qëndruam për drekë në një nga restorantet e rinj, të sapo ngritur dhe porositëm peshk. Me vete kisha një shishe verë të kuqe, “Kallmet”, i vjetër, nga ai që nxirrte Ndoc Vuji në fermën e dikurshme të Shtojit, rubin nga ngjyra dhe e shijshme si manat e pjekur të pllajave të Vermoshit. I hodha pak verë dhe ajo filloi ta pinte ngadalë. Sikur të pinte një kafe. Faqet po i skuqeshin lehtë dhe sytë i morën më shumë jetë. Pastaj, sikur të fliste me vete, tha krejt qetë, si një dallgë që të vjen te këmbët dhe ikën pa u ndjerë. “Ndoshta do të kthehesh një ditë. Njeriu ikën e gjithnjë kthehet. Si kthehet vjeshta. Njeriu kthehet se ka mall, ka dhimbje, ka varret…ka edhe dashurinë për të vetët. Këto e mbajnë njeriun. Atje ku do të shkosh do të kesh dhimbje, do të kesh mall, por nuk do të kesh të parët tuaj e as dashurinë e tyre. Do të mungojnë gjithmonë, o Dushi jem“.
Kur veja në fshatin e lindjes së babait, pra kur të tjerët ishin në punë dhe koha për ne ishte më e gjatë, e pyesja për shumë gjëra që nuk i dija apo që më pëlqente t’i ridëgjoja. Një herë, se si më erdhi dhe e pyeta për martesën e saj. Çfarë kishte ndodhur që ishte dhënë nuse në një fshat disi të largët, Micoj? Si kishte qenë jeta e saj atje, po malli për nënën e saj dhe vëllain?
Më thonte se nuk e kishte njohur më parë të shoqin, Avdi quhej, se e kishin dhënë burrat e fisit në atë fshat dhe kishte thënë se ky paska qenë kismeti im. Nuk e dija, i ngadalësonte fjalët, se kush ishte, çfarë moshe kishte…vetëm kur erdhi një kushërirë e jona, martuar edhe ajo në atë fis, më tregoi se njeriu që më kishin zgjedhur ishte shumë vite më i vjetër e pra, nuk po martohesha me një djalë, por me një burrë.
E kishin hipur në kalë, mbuluar me duvakun e kuq dhe rreth e rreth saj, disa në kuajt e harbuar e të tjerë në këmbë, dasmorë të çmendur, gjithë rrugën kishin qëlluar me armë dhe ajo dëgjonte krismat bashkë me urimet që vinin nga shpatet, „ o, për hajr, more , për hajr“. Dhe , duke dëgjuar aq shumë pushkë kishte menduar, këto njerëz po më dërgojnë nuse apo po më vrasin.
„Isha e mbuluar me duvak, veç palët lëviznin nganjëherë dhe kur hapej dera e madhe shikoja burrat që lëviznin, por nuk njihja askënd në atë botë. Natën vonë, në dhomën ku isha, u hap dera, një burrë me bishtuk në dorë u fut brenda, u tremba, dhe më është dukur se u fut një dash i zi. „..
Dhe qeshi si një çupëlinë, me atë kuqen e faqeve që ia njihja dhe si kishte ndodhur edhe me babain tonë.
Në natën që vrau veten Mehmet Shehu ajo ishte tek unë. Binte një shi i çmendur dhe ishte ftohtë. Nëpër xhamat e dhomës së madhe era vërshëllente si e çmendur. Dukej sikur po përmbysej gjithçka, por ajo ishte e qetë. Befas u dha lajmi dhe ajo nuk e mori vesh se për çfarë flitej. I tregova se Mehmet Shehu ka vrarë veten. Kush thotë?, më pyeti. I tregova se sapo ishte dhënë një komunikatë zyrtare. Ajo heshti pak dhe shtoi, sa për t’u dëgjuar nga ato që ishin afër, „ Edhe kur ndodhi me Zenelin, ashtu thanë, ka vrarë veten“.
Pastaj, pak më vonë, sesi i ndriti diçka në sy dhe shtoi : „Tash do na i kthejnë bagëtitë!“. Ishte bërë tufëzimi dhe ajo kishte mall për berret në shtëpinë e saj, për qumështin e lopës,djathin e mbështjellë me napën e bardhë, gjalpin, i mungonte e folura me delet dhe dhitë, emrat e tyre i takonin së shkuarës dhe tashmë, kur kishte ndodhur diçka e tillë, ajo rikthehej tek ëndrra e saj: të mbusheshin oborret me zërat e bagëtive. „ Do ia lënë Mehmetit këtë faj“, tha ajo dhe pastaj sikur iu bjerr shpresa.
Bisedat me të ishin të pafundme.
Një herë tjetër, disa pak ditë pas përfundimit të luftës në Kosovë vajta ta takoja me Lulzimin, djalin e Adem Jasharit. U ulëm jashtë, në sofatin e gurtë, ajo në njërën dorë kishte dorën time dhe në tjetrën dorën e Lulzimit, kishte mall se takoheshim pas 7 viteve, kishte dëgjuar shumë dhe kishte mbajtur mend po aq shumë, kishte pasur merak për shumë gjëra dhe tani po i nxirrte si gjërat që mund të lehtësohemi prej tyre.
Pastaj befas tha, sikur të kishte kërkuar gjatë të gjente fjalët e duhura:
“E di se je lidhë me Kosovën. Mirë është. Thonin të vjetrit se dikur kemi ardhë prej andej. Nga një fshat, Shkrel, i thonin të vjetrit. Edhe emrin ia kemi mbajtë, ne jemi Shkrelas. U vranë djemtë në Kosovë. Këtij djali, dhe ia përkdheli dorën Lulzimit, iu vra tanë familja. Mos i harroni të vramët. Gjaku i tyre të shiton,po u harruan. Pushteti të çart, gjaku të ruan“.
Shkoja me dëshirë të pamatë tek ajo. I shikoja duart e plasaritura nga puna, e më dukeshin si vijat e saj të jetës. Kurrëherë të pamundimshme. Ecja bri saj dhe kur takoheshim me njerëz në rrugë , ngrinte pak zërin dhe i thonte me atë ndjenjën e veçantë të motrës „ Është djali i vëllaut, Zenelit“.
Ishte si hyjnia ime…tani pushon lart në një kodër ku fryjnë erërat dhe çetinat e mbjellura pranë saj duken si kurorat e bjeshkës, ku e çoi gjithë jetën e saj.
Ajo më mbronte nga çdo e keqe dhe jam i bindur se për mua do të kishte djegur çdo gjë.
Isha djali i vëllait të saj, më i madhi, e ndoshta më i përkëdheluri prej saj.
Një herë, kur ishte fund gushti dhe po fillonin stuhitë e para të vjeshtës që paralajmëronin largimin e verës, më doli gjumi dhe dola në ballkonin e dërrastë që kishte shtëpia e vjetër asaj kohe. Ulur në një cep ishte edhe halla ime. Ishte zgjuar dhe po ndiqte me sy largimin e vetëtimave.
E pyeta se çfarë kishte, përse ishte zgjuar dhe u befasova nga përgjigjja e saj që e kam ende në tingëllimën e saj:
-Më zgjuan vetëtimat e ëndrrave! Ëndrrat kështu vijnë , si vetëtimat. Hidhen dhe përhidhen. Nuk të lajnë shteg me marrë frymë. Herë të ndriçojnë dhe herë të futin ë terr. Të bëjnë të lumtur dhe të trishtojnë. Nga të gjitha, më të rëndat janë ato të fund gushtit. Nuk e di çka sjellin, veçse vetëtijnë…
Aso kohe unë kisha vetëm ëndrra të bukura. Më vonë ata filluan të më vetëtinin.
Halla ime e mirë , që mbante në shami të bardhë- borë mbi kokë, e hajthëm, që gjithë ditën lëvizte në atë tokë ku kishte lindur dhe ku ishte rikthyer pas vdekjes së të shoqit, edhe pse nuk është më, mbetet për mua një mrekulli njerëzore, ndodhitë dhe fjalët e të cilës i kujtoj shpesh dhe ndjehem i lumtur dhe i them vetes se kam qenë i bekuar me dashurinë e mrekullueshme dhe të pafjalë të saj.

Bukur kur kthehesh tek rrenjet.
Prindi i mirë duhet gjithmon të lërë shembull të mirë. Dashurinë e madhe të Hallës së mirë nuk e tret as dheu.Mendja e brezave të ardhëshëm tuaj ,ndriçohet me të mësuar për këtë gjyshe e nënë të shkëlqyer . Bravo Z.Bedri që nuk e harron këtë gjyshe të dashur fisnike .Njeriu nuk vdes kur mbulohet me dhe ,por kurr harrohet.Dhe ti nuk e ke harruar dashurin 100% pa inters të hallës tënde nënës fisnike e të mrekullueshme.
Kur i vdekuri kujtohet ai jeton,është i gjallë.Kur harrohet mozo ma keq ,atëherë ka vdekur.Halla jote jeton.Familja është e fortë kur është e bashkuar ,edhe fëmijt tuaj atë respekt do kenë për ty.
Bukur. Kujton vendlidjen, hallen, babain, shoket e Kosoves, fashatrat e bukura te Pukes, prodhimet qe bejne, detin, etj etj.
Pak nga te gjitha, por i ke shtjelluar bukur.
Dukesh qe fakultetin Gjuhe-Letersi e ke mbaruar me baza.
Ishte shkolle atehere.
Tani RRUMPALLE.
Bedri.
Kur do te shkruash dicka per Shkodren, Duganjt e Reja, Lulishten e Madhe, para Institutit, fushen para ish Kinemase, Pjacen e xhiron qe behej, ish shkollen “Ndre Mjeda” etj etj , te femirise ?
Ben libra Tef Capaliku, per ish lagjen e tij, e i shtjellon bukur ngjarje te rendomta.. I lumte.,
Te lumte mendja e pena Bedri Islami,bukur shkrimi e ma bukur pershkrimi i halls tande te dashtun por ke pat Nane shume te mire qe ke dash Hallen kaq shume”,halla ke shkalla tezja ke mezja”tipike per shkodranet!Pergezime per shkrimin