Letër e nënshkruar
Pjetër Bubaj
Dita e shtrenjtë! Diçka për A. Dukën. Andrea Stefanin po e njohim përmes jush për detyrat në sistemin e kaluar që unë nuk e quaj diktaturë. Po! Është e vërtetë se ka qenë e tillë për pakicën, por demokraci për shumicën. Kush ka shkelur ligjet e shtetit dhe të shoqërisë janë dënuar siç ndodh në gjithë botën. Për sa thotë Stefani duket se nuk ka shkelur ligjet e kohës dhe i ka shërbyer deri sa është graduar profesor i marksizmit, pra i ka shërbyer me devotshmëri asaj “diktature”. Stefani ka të “drejtë” të jetë mosmirënjohës duke humbur pjesën më të mirë të jetës së tij. Nëse anon djathtas, këtë e kanë bërë dhe të tjerë që në vitin 1990. Stefani dhe kushdo tjetër vetëm humbin reputacion, sepse sot themi se jemi në demokraci dhe nuk ndalohet asnjë lloj shprehje. Balta e hedhur mbi udhëheqësin e asaj kohe nga mosmirënjohësit dhe kolaboracionistët ka rënë dhe mbi ata që kanë luftuar e punuar devotshëm rreth 50 vjet, ku futen dhe ata që u përmendën. Ndaj i them Stefanit, përmbaju asaj që ke mbështetur deri sot. Me këtë rast përshëndes të madhin A. Duka për thirrjen që na bëri ne lexuesve ditor të shoqes tonë jetike DITA. Përshëndetje!
