Për Hashim Thaçin që nuk njihni dhe çmimin Nobel

anazapta

Ditët e fundit, një grup i rëndësishëm i senatorëve amerikanë , kanë vendosur të nominojnë për çmimin Nobel për paqe, kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, Baroneshën Ashton, si përfaqësuesve e lartë e Këshillit të Evropës,dhe kryeministrin serb, Daçiç. Dy prej tyre i njoh shumë mirë do të thosha, me të parin njihemi prej më se 20 viteve, ndërsa të tretin nuk e kam takuar ndonjëherë dhe, personalisht, as që kam dëshirë ta takoj. Pas shumë viteve rishtas një figurë politike shqiptare propozohet për çmimin Nobel për paqe, pas figurës karizmatike të Nënë Terezës, e cila edhe u bë bartëse e çmimit, përpjekjes për të kandiduar zotin Rugova, e po ashtu nominimeve në fushën e letërsisë së Gjergj Fishtës e Ismail Kadaresë. Shqipëria paska pasur një fat të çuditshëm me këto nominime: megjithëse janë bërë të gjitha përpjekjet për t’i paraqitur shqiptarët si luftëdashës, agresorë, vrasës gjakftohtë e mizorë, përsëri nominimet më të rëndësishme ajo i ka për çmimin e paqes apo të letërsisë. Do të ishte ky një fakt i mjaftueshëm për të gjithë ata që kanë veshë e nuk dëgjojnë, që kanë sy e nuk shohin.

Nominimi i Hashim Thaçit për Çmimin Nobel për paqe ka pasur, ashtu si është pritur, reagimet e veta. Thaçi tashmë është një ndër figurat më të njohura politike në trevat shqipfolëse, ai ka ngritur përmes gjithë këtyre viteve, në opozitë, gjysmë pushtet e në pushtet, staturën e tij politike, e cila, sipas këndit që e kanë parë, ka pasur e vazhdon të ketë dritëhijet e saj. I njohur dhe i vlerësuar në staturën e një burri shteti në Bruksel, i adhuruar nga përkrahësit e tij dhe i linçuar politikisht nga kundërshtarët, ai vazhdon të mbetet një ndër figurat kryesore, rreth së cilës është diskutuar gjatë, herë me pasion e herë urtësisht, por që gjithnjë, në secilin pozicion që ka pasur, ka qenë i pranishëm dhe jo rrallë edhe në qendër të adhurimit apo të ciklonit. Ka qenë e natyrshme dhe e pritshme që reagimet do të ishin të ndryshme, edhe nga fakti se, jo rrallë, në qëndrimin tonë ndaj ngjarjeve dhe politikave që ngrihen, mes ngritjes dhe rënies së një figure politike, ajo që përcakton qëndrimin tonë është pasioni i ditës, përditshmëria në politikë,duke zbehur atë që mund e duhet të arrijmë të gjithë bashkërisht. Në Kosovë, por edhe jashtë saj, sipas përcaktimeve politike, nonimimi i Thaçit është parë nga disa si një mundësi për të qenë në pushtet edhe një periudhë tjetër kohore; nga të tjerë si një shkak për të filluar një betejë të re politike kundër tij; e jo të paktë kanë qenë edhe ata që kanë nxitur edhe një herë, mjerisht, një fushatë denigruese, jo vetëm ndaj tij, por edhe ndaj vlerave që janë krijuar.

Besoj se jam njëri ndër njerëzit që e njoh më mirë se shumë të tjerë profilin politik të Hashim Thaçit, staturën e tij si lider dhe si njeri, mjedisin dhe konceptet, vizionin që ka pasur e që ka sot, dhe dua të besoj se e njoh edhe më qetësisht se shumë nga bashkëpunëtorët e tij të afërt. Ndodh kështu për disa arsye: unë e shoh atë sot si një njeri që, me gjithë bashkëpunimin e vyer, tashmë është i qetë ndaj ngjarjeve, pasi nuk është pjesë e tyre; ndodh kështu pasi në të gjitha këto vite, edhe kur ishte piku i luftës, më parë e më pas, fati e solli që unë të mos isha asnjëherë vartës i tij, dhe pozicionet që kishim asaj kohe në lëvizjen çlirimtare e bënin të domosdoshëm bashkëpunimin tonë, dhe duhet të them, se kemi pasur bashkëpunim të vyer; ndodh kështu sepse, edhe kur ai ndërtoi Qeverinë e Përkohshme dhe më ftoi të isha pjesë e saj, unë kisha vendosur, sipas parimit të njohur drenicak, “dija hallin vedit”, se “halli” im kishte përfunduar me mbarimin e luftës dhe ishte koha të kthehesha në punët e përditshme, ndodh kështu, sepse unë edhe sot nuk pres asgjë nga ai, pra jam i pavarur nga rastësia e pritjes, dhe së fundi, sepse vetë struktura studimore ku bëj pjesë sot e hulumton gjendjen në Kosovë, por nuk hulumtohet nga ajo. Mendoj se Hashim Thaçi e meriton të nominohet dhe të jetë bartës i çmimit Nobel për paqe.

Dhe përse mendoj kështu:
Fillimisht do të tregoj një detaj të jetuar. Pak ditë pasi kishte përfunduar lufta, fare pak ditë, unë isha së bashku me Thaçin në qytetin e Prizrenit dhe isha propozuar nga Ai, që të drejtoja grupin për shndërrimin e lëvizjes çlirimtare në një parti politike, që më pas do të jetë Partia Demokratike e Kosovës. Pak kush sot mund të marrë me mend se çfarë ditësh ishin: gjatë gjithë rrugës shikoje fshatra e lagje qytetesh të djegura; ende kufomat ishin mbi tokë, varret masive ende nuk diheshin ku ishin, qindra mijëra ishin rrugëve, askush nuk e dinte ende numrin e të vrarëve dhe të zhdukurve. Pasi ecëm për pak kohë nëpër rrugët e Prizrenit, të cilat u shndërruan në vende ku nisnin mitingjet, ne shkuam në një lokal buzë lumit. Ishim fillikat, duhej nisur gjithçka nga e para. Kur befas Thaçi më tha se të nesërmen ai, si kryeministër, do i bënte një thirrje gjithë serbëve të Kosovës, që të mos braktisnin vatrat dhe shtëpitë e tyre dhe se ai, si shefi i qeverisë dhe lideri i luftës, u ofronte përkrahjen dhe mbrojtjen e tij. E pashë më habi, sepse mendoja se si do të mund të pritej një deklaratë e tillë nga njeriu i luftës, kur ende lufta ishte e pranishme. Të nesërmen ai e bëri deklaratën e tij: ishte një deklaratë solide, e thjeshtë dhe e qartë, përmes së cilës ai vihej në mbrojtje të një pakice që kishte qenë pjesë e vrasjeve dhe e masakrave. Thënë të drejtën, edhe nga shokët tanë, ajo nuk u prit mirë, por askush nuk e kundërshtoi. Solla këtë shembull, pasi ai kishte që në fillim, pra që në momentet e para të pasluftës, konceptin e vendosjes së paqes në një vend që sapo kishte dalë nga lufta. Atëherë ishte shumë e vështirë të kishe një koncept të tillë, e për shumë ta bëje publik atë. Kjo ishte një herezi e rrezikshme, e cila mund të të kushtonte shumë më tepër se sa një karrierë politike.
Në ditët e zhvillimit të punimeve të Konferencës së Rambujesë, si drejtues i Lëvizjes Popullore të Kosovës, që ishte ngritëse e strukturave të luftës, unë mora një letër nga Timan Zulch, president i Shoqatës për Popujt e Rrezikuar, me qendër të Gettingen. Ai më shkruante se organizata e tij ishte e shqetësuar pasi tetë serbë ishin arrestuar nga UÇK-ja dhe donin të dinin për fatin e tyre. Sjellësi i letrës më tha se këtë informacion e kishin nga organizata serbe “Fondi për të drejtat humanitare”. Ishte tmerrësisht cinike që deri asaj dite zoti Zulch nuk ishte trazuar për mijëra të zhdukur apo të vrarë shqiptarë. Megjithëse ishte kohë tjetër, në njërën nga bisedat telefonike të atyre ditëve me Thaçin, i tregova për letrën, dhe pas pak, mora edhe përgjigjen e tij se kjo nuk kishte ndodhur dhe nuk do të lejohej të ndodhte. Ai kishte telefonuar në Kosovë, ku ishin disa nga anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, pasi e dinte se një e vërtetë e tillë, nëse do të kishte ndodhur, ishte e rëndë për bisedimet që po zhvilloheshin dhe për luftën.

Bisedimet që po zhvillohen tani mes qeverisë së Kosovës dhe të Serbisë, mendoj unë, për të, si lider politik e shtetëror, janë edhe më të vështira se ato që u zhvilluan në Rambuje, e po ashtu, njëkohësisht, edhe më të vështira për t’u pranuar nga njerëzit. Në ditët e Rambujesë, Thaçi , mes të tjerave, ndodhej mes dy vështirësive, disa nga drejtuesit zonalë të luftës, bashkë me Demaçin, ishin kundër marrëveshjes; ndërsa nga ana tjetër, bashkësia ndërkombëtare, por edhe njerëzit e thjeshtë, ishin pro saj. Tani është një kohë tjetër, kur shumë vetë nuk e perceptojnë dot domosdoshmërinë e bisedimeve, të përfitimit prej tyre dhe të lëshimeve të domosdoshme; të krijimit të një vakuumi të domosdoshëm kur është fjala për të krijuar një gjendje të re, por edhe mbushjes së tij kur premisat janë të dobi të Kosovës. Është e vërtetë se tani ai nuk e ka më presionin e përditshëm dhe të përnatshëm që ndodhte në Rambuje, kur për herë të parë, si lider i takonte të përballej me korifej të politikës botërore; por tani ai ka një presion të vrullshëm, të çdo çasti, pikërisht nga njerëzit e tij. Pra, ata njerëz, për të cilët ai ndau disa nga vitet e vrullshme të jetës së tij.
Nominimi i Thaçit për çmimin Nobel për paqe mund të ishte bërë edhe me herët. Mund të ishte fill pas Rambujesë, nëse ai do të kishte nënshkruar draftet e para të Marrëveshjes. Ashtu si i premtonte zonja Ollbrajt, në takimet e pafund, do të ishte një Geri Adams më i suksesshëm, do të kishte një film hollivudian për të, ai do të ishte miku i përjetshëm i një zonje të hekurt si Ollbrajt, dhe nuk do të kishte pritur që historia të përsëritej, por tashmë më e dhimbshme dhe në dukje më e rëndë.

Thaçi është ndër guerilasit që ka bërë gjithçka për të vendosur paqen në Kosovë dhe raportin e drejtë mes popullsisë shumicë dhe asaj pakicë, edhe kur kjo pakicë ka qenë serbe, kundërshtare e, në jo pak raste, armike e tij. Në marsin e vitit 2003, kur pabindshëm dhe pa një inspiririm të organizuar, si kundërshti e mizorisë së disa banorëve serbe në Veriun e Kosovës, shpërthyen demonstratat masive dhe EULEX dhe KFOR u ç’thurën, ishte krejt e mundshme, që nëse këto demonstrata të zgjatnin edhe pak ditë, pakica serbe në Kosovë të mos ishte as pakicë. Ishte një gjendje kur pritej vetëm lëvizja masive e zonës së Drenicës dhe të rikthehej në kahun tjetër dëbimi i njerëzve. Disa nga ata që janë në paraburgim sot, drejtuesit e luftës në Drenicë dhe familja e Adem Jasharit, nuk lejuan të ndodhte kjo dhe pas tyre qëndronte edhe mbështetja e qëndrimi i liderit të opozitës së asaj kohe, Thaçi.

Kam besuar gjithnjë se luftën Thaçi e ka parë si një përkohshmëri e domosdoshme, por kjo nuk e ka bërë atë të harrojë paqen. Në të gjitha vitet në pushtet ai ka bërë gjeste afrimi e qetësie për pakicën serbe në Kosovë, dhe herë pas here, ai e ka mbrojtur atë, ndoshta më shumë nga sa e ka merituar. Këtë, jam i bindur, nuk e ka bërë se kishte nevojë për votat e tyre, në thellësinë e tyre, si një vazhdimësi, serbët në Kosovë janë më shumë të prirur të kenë një bashkërendim me njerëzit e LDK-së, disa prej të cilëve i njohin mirë dhe kanë qenë pjesë e përbashkët e sistemit që shkoi; por e ka bërë sepse e di krejt mirë se nuk mund të jetë mirë e tëra, kur pjesa është e trazuar.  Ajo që Thaçi ka përpara vetes është shumë më e rëndë se sa ajo që kaloi: ai hodhi themelin e një bashkëbisedimi, duke e ditur njëkohësisht se në çdo moment mund të “pritet në besë” nga pala tjetër, e cila nuk e njeh konceptin e besës. E di, po ashtu, se pala tjetër, herë pas here, gjithçka ndodh, e merr si dobësi dhe mbi këtë koncept mendon për revanshin në bisedimet e ardhshme. Është e çuditshme, por vitet që kanë shkuar që nga lufta në Kosovë, në shumë liderë serbë ka ngjallur konceptin e viktimës, dhe mbi bazën e këtij koncepti ata mundohen të ngrenë një katrahurë të re.

Pra, njëkohësisht, në këto bisedime, Thaçi është i padashur nga pala serbe, dhe nga ana tjetër, është i pakuptueshëm për disa nga njerëzit e tij. Për opozitën në Kosovë ai do të jetë gjithnjë i pakuptueshëm.

Pala serbe, serbët që jetojnë në Kosovë e politikanët jashtë saj, nuk mund ta duan Thaçin, jo vetëm sepse ai ishte lideri i asaj lëvizje që dëboi ushtrinë, policinë, gjykatat e bankat serbe; por sepse nuk mund të perceptojnë veten që të marrin të drejta ose privilegje nga një lider shqiptar. Ata, edhe paqen, nuk e duan përmes një lideri shqiptar, por nuk kanë nga e marrin tjetër, dhe duan apo nuk duan, me kalimin e kohës, do të futen në hullinë e përditshme. Me shqiptarët Thaçi mund ta ketë më të lehtë, duke ndjekur dy rrugë: duke mbajtur fjalën e dhënë, të cilën, ai e nënvlerëson apo e harron herë pas here; pra të flasë për gjithçka ndodh në bisedimet, si e percepton ai të ardhmen e përbashkët, çfarë është në dobi të shtetit të Kosovës, çfarë është e domosdoshme dhe çfarë është e dhimbshme, por që duhet bërë. Dhe faktori kohë, të cilën ai duhet ta bëjë të veten. Si e thashë ka pasur e do të ketë edhe reagime kundër nominimit të tij, edhe nga shqiptarët, edhe nga jashtë tyre. Edhe gazeta prestigjioze Nju Jork Taims, në njërin nga artikujt e saj, mohonte mundësinë e këtij çmimi duke u nisur nga të dhënat e saj për krimet e luftës në Kosovë, duke tentuar të krijojë një lidhje mes tyre dhe emrit të Thaçit. Nuk është hera e parë që ndodh kjo. Ndërsa Thaçi po kthehej në Kosovë, pas krijimit të qeverisë së përkohshme, ende pa qenë në Prishtinë, kur shumë pak dihej për të nga media ndërkombëtare, e njëjta gazetë botoi një artikull të tillë. Kjo e tashmja është fragment i përsëritjes. Burimi i gazetës kishte qenë një funksionar i rëndësishëm i qeverisë Bukoshi, i cili duke shfrytëzuar disa lidhje të tij informative, më parë se të përfundonte lufta kishte dërguar “informacionet” e tij. E njëjta gjë ndodh edhe tani.
Hashim Thaçi duhet të jetë një lider “i lumtur”. Në kaq pak vite ai është etiketuar me gjithçka që është mundur, “spiun” i dhjetëra shërbimeve, kapobandë, mafioz,bos, etj etj, mirëpo të gjithë e kanë ditur se këto janë sajesa politike dhe se gjërat nuk mund të zgjidhen jashtë vëmendjes së tij, e sidomos nuk mund të zgjidhen pa praninë e tij. Edhe paqja e përhershme në Kosovë, ajo paqe e domosdoshme pas luftës, kur vetëm ai që ka fituar, ka të drejtën të falë, dhe që megjithëse e dhimbshme, është jetike.
Është e lehtë të gjykosh një lider politik, i cili, ndoshta edhe pa dashjen e tij, duhet të zgjidhë çështje që i takojnë së ardhmes. Ndoshta ka mjaft gjëra që janë të zbehta sot, por që në përfytyrimin e mëvonshëm, janë të domosdoshme. Kosova ka bërë në këto vite qetësimin e saj, dhe qetësimin mund ta bëjë vetëm ai shtet e ai popull që ka pësuar goditje e plagë të rënda. Pjesë e këtij procesi ka qenë edhe Thaçi, me staturën e tij si njeri i politikës, por edhe bagazhin që i dha lufta dhe që është i domosdoshëm për të vendosur paqen.
Në Kosovë vëmendja ime si publicist dhe si pjesë e luftës ka qenë gjithnjë mes Thaçit e Haredinajt. Me të dytin, marrëdhëniet e mija kanë qenë gjithnjë të prirura nga ajo që na ka lidhur dhe jam i vetëdijshëm për respektin që ai ka shfaqur ndaj meje. Unë i kam besuar gjithnjë atij. Por përsëri, në këtë fazë, por edhe më tej, jam i bindur se karizma e Thaçit është e domosdoshme, po aq sa janë të domosdoshme dhe idetë e vizioni që ka.
Në trevat shqiptare unë njoh dy njerëz që do e meritonin të nominoheshin dhe të fitonin çmimin Nobel për Paqe, të cilët nga guerilas, drejtues të strukturave të luftës dhe të lëvizjeve çlirimtare, u bënë përçues të paqes: Ali Ahmeti dhe Hashim Thaçi.

Sidoqoftë, bëhet mbajtës i çmimit Nobel të Paqes ose jo, serbët në Kosovë, por edhe strukturat ndërkombëtare, e dinë fare mirë se paqja mund të vijë vetëm përmes Hashim Thaçit. E jo thjeshtë se ai është kryeministri i Kosovës.

Është më shumë se kaq.

 

 

 

Share This Article
8 Comments
  • Fisi Thac eshte nje fis me kontribute qe i kane dhene kuptimin historise se Drenices dhe per rrjedhoje edhe Kosoves. Une ndihem krenar qe endra e gjithe familjeve luftetare si Berishe, Voksh e Thac u realizua. Dhe akoma me krenar per Hashimin. Me falni per kete anesim, por kemi derdhur shume gjak dhe dashuri per kete vend.

  • Dede Shkurti Nje analize shterruese per portretin politik te nje Figure , ne dukje kontraversale, e Hashim Thacit.
    Kam mbi njezet vite qe i lexoj shkrimet e zotit Islami dhe nuk me ndodhi nje rast, t’me zhgenjeje e t’mos ne vertetohej, qofte edhe nje fjali e shkruar prej tij.
    Prej kendej, nuk kam asnje arsye t’mos ta besoj edhe per Hashim Thacin,pavaresisht se ndonjehere, veprimet ose msveprimet e tij si Kryeminister nuk i kam pelqyer.
    Bedri Islami, eshte nje Personalitet i gazetarise dhe ia vlen t’i referohesh dhe te mesosh prej tij.
    Urimet me te mira!

  • Nuk duhet te glorifikohet nje njeri sepse qe luftetar gjate luftes apo se familja e tij ka kontribuar ne clirimin e KOSOVES. Por duhet pare cfare ben ai personalisht sot, dhe te gjitha gjasat jane se eshte i korruptuar koke e kembe dhe i lulezon korrupsioni ne qeverine e tij. Pak ben per popullin kur vete dhe gjithe ministrat e tij jetojne ne nje lluks te tepruar qe nuk mund ta kene bere nepermjet te ardhurave zyrtare( Deri atje arrin mosperfillja per bashkekombesite e tij sa na i porosit kemishat e qendisura ne SHBA). Prandaj Bedri, jepi hakun per ate qe i takon, por thuaji qe ka ardhur koha qe te mos mbaje me postin KM vetem se prej me lavdeve qe i ka prej UCK-se.

  • Kur nominohet kryeministri serb pse jo dhe ai kosovar, ne fund te fundit lufte kane bere, skane bere ndonje gje te keqe. Lufte ka bere dhe Arafati dhe ben akoma Obama qe e kane marre kete cmim. Ata qe kane vdekur ne kete lufte ata, jane rebela qe ndoshta skane as varr, keshtu qe duam sduam ne ky cmim qe e ka emrin “Nobel” ka mbetur per te gjallet qe vendosin paqen me lufte. A nuk eshte Thaci qe shtroi ne dru Albin Kurtin? Po meqenese duhet ta marrin ca kete cmim, me mire ky i joni se te botes qofshin serbe, amerikane etj…
    Me vjen keq vetem per “Nene Terezen” qe ndodhet mes tyre.

  • Ky taci po te kishte vertet burra kosova , ky duhet te ishte ne burg me koh por duke shitur ate qe te tjeret e lane me gjak dhe pa varre ku nenat e tyre nuk kan akoma trupat e te afermeve te tyre me te dashur per ti qare per se vdekuri , ate qe ua beri milloshevici me kliken e tyre , dhe sot ky horre qe eshte sot kryeminister i kosoves qe ju ka trashur qafa si ati demit te rracse qe terheq qene me pasurit e kosove dhe shitjen e nderit dhe te gjakut te gjith atyre te vdekur dhe te gjadhe te kosove , dhe e propozojne dhe per cmimin nobel . ata qe e propozojne nuk kan ndonje humje vetem perfitime kan se sic deshi serbia dhe bashkesia nderkombetare e arriten me kete horre qe kur ishte ne bisedimet e rambujese e kishte qafen si lejlek , tani na eshte mbushur e fryre si ata gjelat e detit , mjer ai popull qe i ka ne krye te vendit tradhetaret dhe te pa diturit e vendit me dashje apo pa dashje

  • Kreation i fjaleve te bukura nga nje personalitete si Bedriu,por i gjith ky titull do u shkoj per bukuri koherave te me hershme sesa kesaj qe jem sot.Per inati te armikut ( serbit,rusit,grekut,bugarit,e shum armiqeve tjerë.) un ja kisha uru nga zemra.Por nese di i kopje ndoj qmim per hir te shqiptaris un mendoj se nuk e meriton,ka qen afer keti titulli por ka devijuar shum nga rruga qe ishte nisur.mua me pengon vet autori qe shum shum flet per vehte “un” sesa per tjeret qe kan shum me shum merita ne LPK,LPK esht ndare ne trup (qe ka qen ne Kosove) dhe deget e veta ne mergata.Por shkrime te Autorit len te kuptosh se ky ishte ai dhe vetem ai kryesori,.Flet vetem per ca persona qe i ka njoft ne mergat dhe i ben kryesor te qeshtjes Kombetare,kurse per tjert qe jan shum me te lart si nga meritat ashtu dhe hirarkia qe kan kontribuar dhe dhen jeten ne Kosov flet rrall ose nga fjalet e tjerve qe shum her nuk ja qellon.me rrespekt gjith komentuesve dhe Autorit.@rsimi

  • NJE GINES APO NOBEL PER THACIN?

    Sepse po te shiqojme SARAJET qe po nderton ne kerrthize te Prishtines si nje sulltan Arabie meritone me shume nje GINES per korrupsionin makaber qe ka ndertuar me duart e veta prej pushtetari qe drejton Kosoven prej vitesh me radhe.

    Por po te kujtosh Kliniken Frankenshtajn “MEDICUS” per trafikimin e organeve njerezore fare afer zyres se tij kryeministrore Hashim Thaci e ka vendin tek klasifikimi GINES i pushtetareve me te korruptuar dhe lakmitare ne Bote.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *