Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë “Deti i Bardhë II” që organizohet në Tiranë (TILF 2015) në datat 29-31 Tetor, sjell pranë lexuesve shqiptarë, shkrimtarë nga Austria, Gjermania, Italia, Kosova, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, Shqipëria dhe Zvicra.
Në konferencën për shtyp, mbajtur ditën e djeshme në ambientet e Ministrisë së Kulturës, Ministrja Kumbaro u shpreh se aktivitetet me përmasa ndërkombëtare në fushën e librit, “Nxisin librin si kulturë dhe integrojnë letrat shqipe në arenën ndërkombëtare.
Ky festival është në vijim të politikave të Ministrisë së Kulturës, duke e vlerësuar librin jo thjesht si mall, por duke i dhënë një rëndësi të veçantë kulturës së leximit. Si institucion politikbërës interesi dhe prioriteti ynë është lexuesi. Libri që konsumohet mes përkthyesit, autorit, shtëpisë botuese është i destinuar të vdesë”.
Jonila Godole, drejtoreshë e festivalit, tha mes të tjerash se “21 autorë tregojnë përmes motos së sivjetshme të festivalit “Letërsi në Tranzit” rrugëtimin e tyre letrar dhe reflektojnë me njëri- tjetrin mbi letërsinë dhe artin bashkëkohor në tranzicion, si atë politik e shoqëror, ashtu edhe në procesin e tyre letrar përmes gjuhës.
Një pjesë e shkrimtarëve të ftuar shkruajnë në gjuhën e vendeve pritëse. Shembujt e autorëve shqiptarë që shkruajnë në gjuhët e vendeve ku jetojnë do ti ndjekim në diskutimet nga afër me: Ilir Ferra, Arben Dedja, Ornela Vorpsi”.
Në mbështetje të politikave të librit Ministrja Kumbaro u shpreh se “Nga viti 2014 kemi hapur fondin për mbështetjen e përkthimit dhe fondin për mbështetjen e krijimtarisë letrare, i cili do të nxisë dhe mbështesë financiarisht procesin krijues të autorëve të letërsisë së sotme shqipe. Jemi në pritje të 10 veprave të autorëve shqiptare, që do të realizohen nga fituesit e këtij fondi në vitin 2016.
Vitin e ardhshëm do të hapim edhe fondin për bibliotekat. Do të vazhdojmë të mbështesim festivale të letërsisë dhe projektet e skenës së pavarur. Ministria e Kulturës do të zgjerojë në vitin e ardhshëm edhe përfaqësimet në panaire të rëndësishme të librit, ku përveç Laipzigut, hartës së pjesëmarrjes do t’i shtohet edhe Frankfurti dhe Torino. Sivjet “Tirana Lexon”, por nëse bashkojmë forcat të gjithë vitin tjetër do të mund të themi, “Shqipëria lexon”.
“Tirana Lexon” është risi për këtë edicion. Belfjore Qose, koordinatore e programit sqaroi se deri në këtë ditë kemi “Prurje qytetarësh, që duan të jenë pjesëmarrës në maratonën e leximit në datën 29 tetor, e cila do të nisë në orën 8 të mëngjesit deri në orën 17:00.
Qëllimi mbetet bërja masive e leximit. Të lexojmë të gjithë me një libër në dorë. Leximet do të mbahen në kafe- libraritë e Tiranës, 7 pika të rëndësishme të frymëmarrjes së kryeqytetit sa i përket leximit. Leximet do të kryhen në pikat: Hemingway Bar, Tirana Friend’s Book House, E7E, Ejona, Zenit, Tirana Times, Woodstok.
Festivali do të mbahet në datat 29-31 tetor 2015, në sallat e Teatrit Kombëtar dhe Teatrit të Metropolit, Tiranë.
