Për historianët e historiçkave

redaktor

Letër e nënshkruar

Astrit Çerma

Natyrisht, natyrisht, duhet ripërtëritja e historisë, por çuditërisht sa herë që fillon në një fushë e në një fushë tjetër “fushata e ripërtëritjes”, befas seç na dalin disa “biçim dëshmitarësh historianë” që na rrëfejnë e na shkruajnë “ca historiçka” për “ngjarjet historike” që na “paskan” jetuar këta dhe të tjerë të stanit ku mërzejnë… I lexoj se ç’shkruajnë, i dëgjoj dhe ç’thonë dhe më kujtohet…

Daj Lushi, shoku i tim eti. Kur ishte esëll, sa herë që e pyesnim për pjesëmarrjen në luftën e Vlorës, na rrëfente:

-Eee…Çere të them! Mbasi u dha kushtrimi për të gjithë në të gjithë vendin që t’i biem italianëve që kishin zaptuar Vlonën edhe ne në Elbasan i bam za njeni tjetrit, ene u mblodhëm ke sheshi i Bezistanit. Aty vlonte muzika e bandës së Bashkisë… Mbasi u thanë e ç’u thanë llafet që thuhen me kësi sebepesh u nisëm për Vlonë. Rrugës, turma robsh si puna e jonë, me dyfeqet m’krah ene me kangë në gojë… Kur mrritëm atje, çere të them? Eh biro, o bir… Plasi dyfeku më katër anët… Kjo shenja që kam këtu, ashtë e plumave që binin si breshën e që desh me sakatun krahun, por ne nuk e ndalëm sulmin. O burra… Yxhym! Ene… M’ti hardhum puplaxhit italjan në det… Ene e çlirum Vlonën…

Kur rrëkellente nja tre a katër dopio e vinte me qef rrëfente:

– Eee… Çere të them? Kur u dha kushtrimi për të gjithë në të gjithë vendin që t’i bim italjanëve që kishin zaptu Vlonën, kadana e Shefqet beut, Behije hanmi kishte ardhë prej Italie e kishte mbet në Vlonën e rrethume… Beut vetë, më atë zallamahi, nuk ia mbante të shkonte e ta nxirrte për këtej. Më thirriti mu si allçak e trim që më kishte dalë zani ne Elbasan për sherret që baja… Bamë pazar për 15 copë napilona flori kapar e për 30 mas kthimit, më dha nga pas ene dy sejmenët e tij dhe u nisa… Bam si bam ene hymë në Vlonë, mirpo, Behije hanmi na ishte natarru me një oficer italjan. Desh më fluturun napilonat e florinit prej dore. Mbas një sherri me të në një mejhane u kacafytëm aq keq sa desh më sakatoi krahun me thikë. Ja shenja. Mirpo, ca ushtar italian, na zaptun e na futën në burg. Aty na gjeten ata që çlirunë Vlonen… Na çlirun ene ne…

…Duhet ripërtëri historia… Po. Kush duhet ta bëj këtë ripërtëritje? Nuk pyes kot, sepse “ka rrënjë” të thella “Historia”. P.sh. duhet ta dini se, daj Lushit, pas vdekjes, megjithse sa ishte gjallë “ç’kishte brenda barku ia nxirrte bardhaku”, më 1994 me rastin e 70 vjetorit të “luftës së Vlorës”, dhëndëri deputet i qëndisi “dëshminë e veteranit luftëtar”. I nipi, që u bë drejtor i muzeut e vuri në kornizë dhe e ka varur në murin ballor të dhomës së pritjes.

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *