Një nga batutat më pikante të botës së futbollit është ajo e Gary Lineker kur u pyet se çfarë është futbolli. Përgjigja e yllit britanik ishte “një lojë me top ku njëmbëdhjetë persona luajnë kundër njëmbëdhjetë të tjerëve dhe, në fund, fiton Gjermania”. Nën këtë këndvështrim, përvoja e 22 viteve tranzicion në vendin tonë ka treguar se “zgjedhjet janë një lojë ku partitë, të ndara në 2 kampe luajnë kundër njëra-tjetrës, ndonjëherë edhe me topa të vërtetë, dhe në fund fitojnë të njëjtët persona”. Kjo batutë vërtetohet më së miri edhe në sistemin tonë shëndetësor i cili, sa herë që ndryshon “rrota e historisë elektorale”, mbetet po ai, me hallet dhe mungesat e veta, me qytetarët e pakënaqur, ndërkohë që një pakicë fërkon duart sepse ka gjetur “gjuhën” me ekipin drejtues të radhës.
Biznesmenët
Biznesmenët janë kategoria gjithmonë fituese. Pavarësisht se kush është në krye të sistemit shëndetësor, kompanitë që tregtojnë medikamente, pajisje mjeksore, materiale konsumi, që rinovojnë spitale dhe ndërtojnë qendra shëndetësore mbeten gjithmonë të njëjtat. Çmimet e shërbimeve të ofruara po ashtu. Sipas parimit të njohur “unë fërkoj shpinën tënde, ndërkohë që ti fërkon timen”, kompanitë ekzistuese e kanë ndarë prej vitesh tortën e sistemit shëndetësor dhe çmimet që ato ofrojnë, janë ndër më të lartat. Medikamentet e ofruara janë shpesh “brand name”, çka nënkupton çmime shumë më të kripura krahasuar me ato xhenerike, kurse pajisjet dhe materialet e konsumit edhe kur vijnë nga vende të njohura për çmimet ekonomike, shiten për “mall perëndimi”. Në bazë të disa marrëdhënieve në kufijtë e legales, por në thyerje të hapur të etikës mjekësore, kompanitë kanë krijuar prej vitesh aleanca me një pjesë jo të vogël të mjekëve. Përkundrejt përshkrimit të medikamenteve të tregëtuara nga kompani të caktuara, këto të fundit sponsorizojnë pjesëmarrjen e mjekëve në veprimtari jo vetëm shkencore, por edhe turistike. Gjithsesi, përfituesit kryesorë të “bamirësisë” së kompanive nuk janë mjekët, por persona të caktuar me pushtet vendim-marrës dhe politikë-bërës të cilët zor se kënaqen me sponsorizime “në natyrë”.
Reformimi radikal i shëndetësisë kërkon, në radhë të parë, ridimensionim të marrëdhënieve me sektorin e biznesit. Ekzistojnë me dhjetëra lidhje, disa të njohura botërisht, disa të zbulueshme me shumë pak përpjekje, të cilat duhen prerë, me qëllim që te gjenerohen kursime që mund të kapin përqindje tepër të larta krahasuar me vlerat e prokurimeve në sistemin shëndetësor publik.
Profesioni “drejtor” ose “drejtor në hije”
Nëse ka një sektor ku funksionon në mënyrë gati perfekt organizimi britanik me funksionarë ushtrues të detyrës dhe funksionarë në hije, këto janë spitalet dhe drejtoritë e shëndetësisë në rrethe. Çdo institucion shëndetësor ka një ose më shumë persona që presin me durim momentin kur partisë përkatëse do t’i buzëqeshë fati dhe ata do të zënë vendin e shumëpritur. Fatkeqësisht koha e pritjes konsumohet duke forcuar lidhjet me kryetarin e degës lokale të partisë, kryetarin e partisë në qendër ose me mëtuesin e pozicionit të ministrit, ndërkohë që e njëjta kohë mund të konsumohej fare mirë duke ndjekur një shkollim në menaxhim. Por, derisa përvoja ka treguar se njohuritë dhe aftësitë menaxheriale janë të fundit që merren parasysh kur bëhen emërimet, pse duhet harxhuar kot koha e vyer? Pyetja që do të çudiste çdokënd sikur të mos diheshin botërisht përfitimet që vijnë nga pushteti është: “Pse një mjek i njohur i cili fiton mjaftueshëm me punën e vet, braktis profesionin për disa vite me radhë për t’ju përkushtuar një karriere ku nuk është aspak kompetent, ku humbet në aftësitë profesionale dhe ku dëmton lidhjet aq vitale me pacientët dhe qytetarët?”
Hapi vendimtar që duhet të dallojë qeverisjen e tanishme nga ato paraardhëse është përzgjedhja e ekipeve menaxhuese. Nëse një mjek i njohur, p.sh. një mjek kirurg, kardiolog, pediatër, etj. pa përvojë të mëparshme menaxhuese, pa kryer as edhe një kurs afat-shkurtër ku të marrë njohuritë bazë të menaxhimit, emërohet drejtor i një spitali, pse duhet të habitemi kur punët shkojnë siç kanë shkuar deri tani? Nuk ka dyshim se rezultatet e operacioneve do të ishin të njëjta sikur një specialist i menaxhimit shëndetësor të emërohej kirurg. Edhe ana tjetër e medaljes, kur një ekonomist ose jurist i zoti emërohet në krye të një institucioni shëndetësor, shoqërohet me problemet e mosnjohjes së problematikave shëndetësore. Kjo është arsyeja se përse bota ku synojmë të integrohemi, në drejtim të institucioneve shëndetësore përzgjedh ata individë që kanë formim të dyanshëm menaxherial dhe shëndetësor.
Rrethi i “të besuarve”
Në institucionet shëndetësore çdo drejtues “i fortë” ka rrethin e vet të “të besuarve”. Të besuarit caktohen zëvendësa, shefa, antarë të komisioneve të tenderimit ose, thjesht, shoferë e furnitorë, të gjithë fije që po t’i kapësh, të çojnë tek “i madhi”. Të besuarit janë kanale për emërimet, fitimin e kontratës së shërbimit dhe fitimin e tenderit të radhës; ata të sqarojnë se “i madhi e ka dorën të rëndë”, sepse po të ishte për ata vetë, kjo “punë” mund të bëhej edhe falas. Të besuarit shpesh trashëgohen nga një drejtues tek tjetri, ku ata që janë më të shkathët, kanë edhe aftësinë e kapërcimit të ylberit, pra arrijnë t’i shpëtojnë ndërrimit të pushteteve.
Kundër të besuarve ka vetëm një armë: hartimi dhe zbatimi i ligjeve të qarta si dhe rregullimi strikt i kompetencave hierarkike brenda çdo institucioni. Në se kompetencat për rekrutim, tenderim, kontraktim, etj. u njihen me ligj dhe rregullore specialistëve ose komisioneve të caktuar dhe mënyra e zbatimit të këtyre ligjeve monitorohet me rigorozitet, fusha e veprimit të të besuarve do të vijë duke u ngushtuar. Ndoshta nuk do të zhduket menjëherë, por pas disa vjetësh gjithsesi.
Përfundim
Ka më shumë se njëzet vjet që sistemi shëndetësor përdoret si lopë për tu mjelë nga një grusht personash që nuk janë më shumë se disa dhjetëra syresh. Kjo bëhet në kurriz të miliona shqiptarëve të cilët vazhdojnë të marrin një kujdes shëndetësor mizerabël dhe të reputacionit të qeverive që kanë drejtuar gjatë kësaj periudhe. Krijimi i klasës së menaxherëve profesionistë të shëndetit, hartimi i ligjeve që do të rregullojnë marrëdhëniet intra dhe inter institucionale dhe ridimensionimi i marrëdhënieve me biznesin janë vetëm disa nga masat që duhen marrë, me qëllim që reforma e radhës në sistemin shëndetësor ta meritojë emrin rilindje.

O popull mos u habisni se ku do gjenden leket per shendetsine?
Mu dha rasti te bisedo me nje doktor ne nje spital ku me tha:
nje ilac qe ti e mer ne farmaci kushton 200 leke ,kurse mua ne pavjon me vjen me 860 lek po i njejti ilac.
tani kush i mer 660lek qe dalin nga buxheti shteti me shume , kjo eshte kondrabanda e ilaceve.
Tjetra disa here bizesmenet e ilaceve investojne per doktorat dhe infermheret dhe farmacistet per per ujkende 4 ditore jasht vendit.
prandaj duhet kontroll i rept ndaj korupsionit.
Hi doc. Bravo Erion, shume i sakte ne analizen tende. Eshte krijuar dhe nje rreth viciozvicioz midis krediteve qe kerkon Isuf Kalo dhe pamundesise per ti siguruar ato ne aktivitete brenda vendit. Keshtu qe mjeket detyrohen te pershkruajne medikamentet e firmave qe sponsorizojne pjesemarjen ne evente mjekesore jashte vendit.
Bravo Erion…
Komplimenta per artikullshkruesin. Ju lutem merrni si shembull nje ish drejtor te spitalit te pergjithshem ne Elbasan, aktualisht kryetar partie….shikoni grushtin e njerzve te besuar qe ka perreth…dhe nuk ka nevoje per koment. mund te marrim si shembull rekrutimin ne baze ” te meritave” te percaktuara nga ky person pa integritet….lidhjet mafiozemidis ketyre te besuarve qe pervec spitaleve i kane shtrire tentakulat dhe tek fakulteti i infermjerise Elbasan….nje rrjet i mireorganizuar mafioz, immoral…te besuarit jane bashke ne te gjitha aferat dhe orgjite
Faktet e permendura jane te verteta.Spitalet e rretheve deri me tani kane funksionuar sipas ketij modeli.Por problemet me te medha te keqadministrimit jane ne spitalet universitare te Tiranes.Pesha e tyre per sistemin shendetesor eshte shume e madhe se e te gjitha spitaleve te rretheve te marra bashke sepse QSUT eshte qendra e vetme per trajtim terciar special te cilin nuk mund ta japin spitalet e rretheve dhe eshte gjithashtu qendra e vetme universitare ku formohen mjeket specialiste ne Shqiperi.
Neper qytete dhe rrethe te vegjel eshte e veshtire tu shpetosh provincializmave ne emerime drejtoresh dhe stafesh edhe per shkak te varferise apo mungeses se alternativave.Ama eshte e turpshme qe ne mes te Tiranes drejtoret e spitaleve universitare ose nderrohen nga cdo minister si nje lidhje e shkurter personale dhe miqesore e tij apo e kryeministrit me qellimin e vetem per te zhvatur buxhetin e spitalit sic eshte rasti i QSUT,ose kalcifikohen perjetesisht ne post madje me shume se dy-tre mandate kohore parlamentesh apo qeverish sic eshte rasti i materniteteve thjesht e vetem per te bere qoka me postin publik si shperblim per favore personale.Te dyja keto praktika te skajshme i kane bere nje dem te madh funksionimit dhe te ardhmes se spitaleve kryesore dhe sistemit shendetesor ne vend.Ato kane perfunduar ne pushtete abuzive qe kane krijuar nga njera ane amulli dhe mungese strategjish dhe nga ana tjeter instalim klanesh personale qe i ka qelbur spitalet si uji i ndenjur.
Eshte e nevojshme qe per drejtimin dhe strategjine e spitaleve te jete vazhdimisht efektiv bordi i QSUT i cili eshte i percaktuar me ligj.Drejtori i spitalit(sipas ligjit ne fuqi te pazbatuar asnjehere deri me tani duhet te jete vetem nje drejtor per te gjithe sherbimet dhe klinikat universitare)te zgjidhet me procedure konkurrimi,ti analizohet puna e dhe te shkarkohet nga ky bord.
Per te rilindur shendetesia nevojitet:
Hemodializa gropa me e zeze e shendetesise te tenderohet si mallra dhe jo si sherbim me konkurence ku te fitoj me i zoti dhe oferta me e mire/lire.
Gjate 8 viteve te fundit ka qene nje farse e madhe loja e Biometric ( financues te fondacioni i femijeve) dhe Montal (Skender Lufi Vellai i Agron Lufit). –
Per te rilindur shendetesia nevojitet: Te vezhgohen me kamera magazinat e spitaleve ku mallrat te dorezohen korrekt dhe te mos kete rrjedhje apo abuzime me specifikimet e furnizuara.Te penalizohen rende hajdutet dhe rishitesit e produkteve spitalore.
Per te rilindur shendetesia nevojitet: Te evitohen pajisjet qe punojne vetem me te konsumueshme te nje firme ne bote. Te zgjidhet sherbimi i Laboratorit me pajisje te hapura ku te gjithe mund te ofrojne dhe jo me pajisjet e Janit(Abbot) apo Vasilit (roche) apo ndonje tjetri. – Te perjashtohen nga tenderat firmat qe nuk kane realizuar kontratat pasi ne kete menyre eshte vrare konkurenca pasi artikujve te padorezuar qe realisht(kane vlere blerje te larte)dhe per me teper mosdorezimi ka demtuar ecurine e punes ne institucionet shendetesore u vihet vlere e vogel ne faturim dhe ne kete menyre realizohet nje vjedhje e madhe. –
Per te rilindur shendetesia nevojitet: Te vleresohet cilesia pasi shendeti nuk ka re-play. Te ngrihet nje zyre per rregjistrimin e pajisjeve mjekesore ku te kontrollohet/filtrohet cilesia e produkteve mjekesore dhe kryesisht asaj kategorie qe vendoset/implantohet ne trup. –
Te likujdohen faturat per detyrimet ndaj te treteve me rradhe duke respektuar daten e leshimit me operatoret qofte farmaceutik ashtu edhe mjekesor ne menyre qe presioni per marrjen e % per likujdimin e fatures te mos pengoje levrimin e mallrave dhe mohoje sherbimin shendetesor.
Te kete BARAZI, te mos kete perparesi per firma te caktuara, nderhyrje per X, Y se u merzitem na ka ardhur shpirti ne maje te hundes por te respektohet kontrata dhe ligji… por realisht dhe jo me fjale .
Hajde se ja kane mesuar te shpia komunistet e familjes Edi Rames se si behet shendetesia falas, si e kishim ne kohen e Dulles, apo e harruat ? Ashtu do tjua beje edhe jeten, si ne socializem….
Shendetesia duhet te rilinde per te gjithe.Per pacientet dhe hallexhinjte qe trokasin ne dere te poliklinikes apo te spitalit.Per mjeket dhe infermjeret qe nuk trajtohen sipas vlerave profesionale,por sipas perkatesise ose jo ne klanin dhe interesat e drejtorit.
Qe te filloje te rilinde shendetesia mjafton vetem nje kusht,qe te kemi nje Minister Shendetesie te zgjuar,parimor dhe te paperlyer ne interesat e biznesit abuziv qe ndertohet mbi shendetesine.
Do te duhet qe ministri te emeroje si drejtore spitalesh njerez te ngjashem me te,te cilet i zgjedh vete bazuar ne vlerat e tyre njerezore e profesionale e jo per ti bere ndere partise dhe shoqerise personale.Nuk ka rendesi nese jane mjeke apo ekonomiste,juriste apo matematikane,mjafton qe te kene vizion dhe te miremenaxhojne buxhetin e spitaleve.Jo sic jane sot,qe merren me emerime mjekesh e infermjeresh,me organizim klinikash e sherbimesh e gjithfare punesh jashte kompetencave te tyre profesionale thjesht e vetem per te mbushur xhepat me miliona.
Duhen rregullore e ndoshta edhe ligje te reja qe ti rregullojne dhe ndajne mire keto kompetenca.Drejtoret e spitaleve dhe poliklinikave duhet te jene vetem administratore te fondeve,infrastruktures dhe furnizimit te tyre.Funksionet mjekesore teknike dhe profesionale si dhe personeli qe i ushtron ato duhet te varen nga hierarkia profesionale,shefat e sherbimeve dhe klinikave.Puna e te gjitheve le te mbikeqyret dhe vleresohet nga bordi i spitaleve te cilin e drejton Ministri.