Nga Elidor Mehilli
Maksi ishte artist. Në projektim shfaqi talent si pak të tjerë, sidomos në një vend ku projektimi bëhej me direktiva dhe ku ndodhte që damka për “liberalizëm” të zbukurohej edhe me burg. Talenti ishte dhe një nga pikat e tij të dobëta, pasi nën diktaturë cmira mes kolegëve të kushtonte shtrenjtë.
Në një vend ku mediokriteti vishej e vishet me pushtet dhe lavdi, dhuntia bruto dhe moskokëçarja e Maksit e bënte shpesh të dukej si një njeri jashtë loje. Guximi për të jetuar më lirshëm nën diktaturë, siç del në rrëfimet për të, të tjerëve ju dukej si lajthitje. Për çudi, e ushtroi moskokëçarjen e tij ndaj pushtetit jo vetëm gjatë diktaturës, por edhe për dekada më pas, kur shefat e dikurshëm u bënë pronarë dhe ministra.
Përveç arkitekturës dhe pikturës, Maksi shkruante, skiconte, imagjinonte. Burimi i këtyre ishte një kuriozitet që mua më dukej gati i pashtershëm. Rezultati ishte një angazhim publik që vazhdoi deri në vitet e fundit të jetës.
Po ta shohim jetën dhe krijimtarinë e tij si një lloj pasqyre përkundrejt të shkuarës, aty përftohet e shëmtuara kolektive por edhe bukuria shqiptare. Llogaritë me diktaturën i bënte pa përtesë, po as babëzinë urbane të tranzicionit s’e honepsi dot. Ishte i dhëne pas të bukurës—sidomos të bukurës atje ku të tjerët ose s’e shihnin, ose e injoronin. Fjalën “primitiv” e përdorte si çekiç në publik. Ama në vizatime e studime “primitiven” e vlerësonte, e kremtonte, donte ta ruante për shqiptarët që do të vijnë më pas.
Të shihje Maksin tek ekspozonte jashtë Shqipërisë në vitet ’90-‘00 ishte, të paktën për mua, edhe një lloj karme kozmike e rivendosur në vend, një fill shprese në një kohë mizore, kur fjala kyç e kulturës ishte fjala “kallash.” Ishte nga arsyet kryesore pse u lidha me arkitekturën. Nuk kisha model tjetër lokal si ai—njëlloj i interesuar për fjalën, për figurën, si dhe për hapësirën. “Është i veçantë”, thoshte ime më, kur dilte në televizor ato vite—flokët në kaos total, duart që lëviznin pa pushim sikur skiconin në ajër.
Shkruajti artikuj, ese, tregime të shkurtra, romane, poezi. Spaçin nuk e harroi, por as nuk e la ta përkufizonte si njeri. Prodhoi me qindra vizatime me bojë të zezë dhe me furçë, edhe pse nuk mund të zëvendësonin qindra vepra që ia dogjën pas arrestimit. I dhimbseshin.
Shprehte ide—për fenë; për primitiven dhe modernen në një botë jo bardh-e-zi si skicat me bojë dhe me furçë; për çështjet ndërshqiptare—me të cilat shumë prej atyre që e admironin nuk ishin dakord. Jepte e merrte sikur në një betejë pa mbarim.
Dëshmitë e veta i quajti “Kohë antishenjë” (botuar në vitin 2000) dhe janë reflektime me vlerë historike edhe sot. Libri “Paralel me arkitekturën”(botuar në 1998) mbetet një tekst themelor për projektimin si marrëdhënie e individit me pushtetin, ku jo domosdoshmërisht pushteti ka fjalën e fundit. Mua më pëlqen edhe “Historia e një cope guri” botuar pa shumë bujë në vitin 2006. Maksi kishte aftësinë të shikonte njerëzoren tek fragmenti. “Betonizimi i demokracisë” quhet koleksioni i dhjetra artikujve, intervistave, studimeve botuar në vitin 2013.
Për shtypin dhe median ishte personazh interesant, sidomos në koklavitje publike që bënin zhurmë, si ajo e pashallarëve të kuq të Kadaresë, në kërcyell të viteve 2000, apo kur lëshonte ndonjë të fortë gjatë intervistave. Më pak vëmendje tërhiqnin albumet e vizatimeve, skicat, reflektimet mbi artin dhe kulturën materiale popullore që përgatiste me pasion, me ndihmën e një grushti bashkëpunëtorësh të përkushtuar.
Kur shikon këto kupton sa e vështirë është ta futësh Maksin në kuti—qoftë si pjesë të burgologjisë së viteve ’90-‘00, qoftë si arkitekt, qoftë si kritik të urbanizmit kur na e shisnin zhvatjen si zhvillim. Botimi i dosjes së Sigurimit së fundmi pati jehonë. Por dosja e Maksit duket kaq e mjerë në krahasim me 30 vjet radiografi të shoqërisë shqiptare mes diktaturës dhe klientelizmit, mes planit kolektivist dhe betonit privat.
Na ka lënë pas diçka të rrallë jo vetëm për Shqipërinë por edhe për studimin e kulturës në gjithë ish-botën komuniste: një rast të vyer për të kuptuar fijet mes individit (përmes biografisë dhe autobiografisë) veprës (si në tekst dhe në hapësirë) dhe sistemit politik. Sistemin e vuajti, por pati fatin të thotë të tijën pas vuajtjes dhe foli edhe për ca që s’e patën atë fat.
e.k. / dita

Elidor perpara se te shkruash per Velon perpiqu te kuptosh se kush ishte diktatura dulliste.
Kush e krijoj dhe si funksiononte ajo…te tjerat sqarohne vete pastaj !!!
Nga emri Elidor,une mendoj nje person qe ka lindur te pakten nja 40 vite pas Maxit,Mire e ka shkruar kete qe ka shkruar,,por ne duam te degjojme bashkekohesit,moshataret,Ata qe e kane njohur dhe shoqeruar ne dite te qametit.Ja psh.Alexander Mexi.
Maks Velo njeri fisnik,shume I talentuar ,ne qe e njofem e kujtojme me shume respekt I qofte dheu I lehte njeri me emer te madh Filadelfia .U.S A .