Për Mitrush Kutelin

Ornela

Nga Bedri Islami

“Atdheu është atdhe, bile edhe atëhere kur të vret”.

Kjo thënie është e njërit ndër korifejtë e letrave shqipe, që, si një paradoks i habitshëm, ishte edhe njëri ndër bankierët më të shquar të kohës.

I shpërndarë në dy emra, njëri nga bota e biznesit, Dhimitër Pasko, dhe tjetri nga madhështia e artit, Mitrush Kuteli, si mbetet ndër më të veçantët që ka pasur kjo tokë , fillimisht në kapërcyellin e viteve ’30, pastaj në mesin e shekullit të shkuar, për të mbetur njëri ndër meteorët e tij.

Ishte i jashtëkohshëm, nga ata njerëz që të duket se kanë mbirë në këtë vend së bashku me lumejtë, ujrat, bjeshkët, rrafshinat dhe rrafshlartat, liqenët, majat, dheun e butë; i pranishëm edhe me mungesën e tij, i dyzuar, me njërën këmbë jashtë të dashurës së botës sonë dhe, me tjetrën, në vitet që do të vijnë; kurrë i dukshëm, por gjithmonë pamor; misterioz në heshtjen e tij dhe fërgëllues në shfaqjen; stilist si pak kush, për të mos thënë ati i stilistikës letrare dhe rrëfimtar i pazakontë; i vrullshëm si erërat e vendlindjes së tij dhe mentar si pleqtë e dikurshëm të një kohe të shkuar; fjalëpak, por i ngrohtë dhe kjo të ngjante me bukën e sapodalë nga magjja; i kursyer në mjedise të mëdha dhe bisedues i shkëlqyer me miqtë e tij.

Ai ishte i njëjtë si Migjeni, pra i vrullshëm; i njëjtë si Lazgushi, pra gurgullues; i njëjtë si Çabej, pra i ditur; i njëjtë si Branko Merxhani, pra liberal i lindur; i njëjtë si Petro Marko, pra rrëmbyes; e megithatë ai ishte vetja, më shumë se asgjë tjetër, ishte vetja. I papërsëritshëm dhe në të njëjtën kohë i kudogjendur.

Koha kur ai u shfaq ishte ajo e ëndërrimtarëve dhe e përshfaqjes së një elite, fati i së cilës u ndërpre, sepse duhej ndërprerë ëndrra. Burra të shquar, studjues të ndritur, me emrat e lënë në universitetet më të njohur, dendy, kur ishin të rinj dhe patricë në vitet e mëvonshme; në një vend ku katër e pesta ishin analfabetë ata ishin drita; në një truall ku legjendat përziheshin me mjerimin, ata ishin dritëzim; në fakt ata ishin perëndimi i ardhur në një vend që kishte mbetur lindje dhe ku vlerat e Lindjes ishin shkrirë duke u bërë apati, mërzi dhe trishtim.

Këto burra, që sot njihen nga të gjithë edhe vetëm me mbiemrat e tyre, ose vetëm me emrat, janë bota e ndërprerë, por sidoqoftë mbetin një botë, që më pas do të magjepsnin Kadarenë, Moikomin, Arapin, Agollin, Xhevahirin, e, bashkë me to, tërë kombin.

Plejada e Çabejt, Budës, Demirajt, Poradecit, Fishtës, Tefta Tashkos,Migjenit, Mjedjes, Branko Merxhanit – i munguari i madh, do të ketë në mesin e saj Mitrush Kutelin, që, pasi ngriti Bankën Kombëtare nën emrin e Dimitër Paskos, shkoi të ngrinte godinën e artit të tij, që, përmes aq shumë librave, vjen edhe sot aq modern, kohas, sa që të duket se kemi të bëjmë me një vëlla të Kafkës. Një stil aq brilant, përmes një shqipe aq kumbuese dhe transmetuese nuk kishin parë letrat shqipe dhe vështirë të ndeshet edhe sot e kësaj dite.

Ata që i kanë njohur tregimet e Kutelit, apo poemën e tij të famshme, më të bukurën dhe më kumbuese me këtë temë, “Poemi kosovar”, nuk kanë mundur kurrë t’i harrojnë.

Ai është magjepsi më i madh i prozës shqiptare. Ka sjellur një prozë që nuk shterr; të duket sikur është një pus i thellë nën këmbët e tua, kur në të vërtetë është një det i tërë; rrjedha e tregimeve të tij është magjepse deri në atë pikë sa të merr me vete në fantazmagorinë e tij; të duket sikur një hyjni e fshehtë vepron ndërkohë dhe prej tyre mund të ëndërrosh gjithë botën shqiptare.

Nëse Shopenhauer-i, filozofi i madh gjerman, thoshtte se “arti kërkon gjithmonë irealitete të dukshme”, rrëfimtari i madh Mitrush Kuteli e ka bërë këtë. Që nga shkrimi i parë dhe deri tek libri i tij i fundit gjendet ky irealitet i dukshëm, një bashkëfajësi fjalësh që të sjell postimën, se, me njohë do të thotë me rinjohë, e kjo ndodh tek Kuteli.

E rëndë ishte mesi i jetës së Dhimitër Paskos dhe, po aq e vështirë vazhdimi i jetës së Mitrush Kutelit.

Pasko, ky atdhetar i shkëlqyer, si ishin të gjithë emrat e mëdhenj të kohës së tij, do të jetë i burgosur pas përfundimit të luftës, megjithëse e kishte dashur lirinë si pak kush tjetër dhe e kishte dashur atdheun si askush.

Kjo rëndoi edhe tek Mitrush Kuteli, i gjithëdituri, njeriu rezistent përmes heshtjes dhe krijimit, i mistershëm, pasi për të, si për Lasgushin, nuk dihej nëse ishte ende në jetë; i dukshëm, pasi, megjithë perden që kishte rënë mbi jetën e tij, ai ishte; i gjithëpranishëm, në tërë hapësirat shqipfolëse, i venduar në kohë, pasi koha dhe vetëm koha bën diferencimet e mëdha.

Njeriu që arriti të shpëtojë përmes rrezikut të vdekjes një pjesë të thesarit të shtetit shqiptar, pikërisht atëherë kur forcat gjermane po largoheshin; bankieri që ishte themeluesi i vërtetë i bankës dhe lëvruesi i qartë dhe i saktë i saj, gjeti strehimin e tij tek Mitrush Kuteli, duke ndërtuar me artitekturën e veprave të tij një madhështi të pazakontë.

Disa fate njerëzore, si duket, janë të përcaktuara nga Hyjnitë për të qenë të tillë. Gjithçka që zhvillohet rreth tyre, që ndërfutet në jetën e mundimshme, mjedisi, arti, miqtë, ujrat që ndahen dhe pluhuri i tokës që ngrihet, rruga e lodhshme dhe mendja e tyre rrënqethëse për nga hijeshia, janë krijuar si në një teatër ngrihen skenat për të përgatitur ngjarjet e mëpasme.

Nuk ka ndodhur kështu vetëm me Kutelin. Ai është njëri nga autorët e brezit të tij, të cilët natyrshëm mund t’i quajmë edhe sot e kësaj dite si prijës të letërsisë sonë. E jo vetëm kaq: edhe të mendimit shoqëror.

Gjithçka që u ngrit rreth e rreth botës së Dhimitër Paskos përgatiti Mitrush Kutelin. Një jetë e pazakontë, që zë fill në Rumani, shkrihet në viset e tjera shqiptare, shkon në stepat ruse, ushtar i detyruar, skenën e luftës e të cilës e braktis gëzueshëm, sepse lufta nuk është e tij, ai do të ketë një moto të habitshme që të ngjan me një thënie të Gjonit ( 10:18), “Askush s’më heq jetën, unë e jap jetën”.

I dyzuar në emrin e tij, ishte e lehtë të burgosësh Dhimitër Paskon, autorin e Poemit kosovar, pikërisht në vitet e para të pas luftës, ku një Mugosh do të ishte më shumë se sa një sundimtar dhe ku verbëria ishte shndrruar në bindje e, bindja në verbëri, në një kohë kur vendi po përgatiste ekzekutimin e vetvetes, do të duhej më parë të dënonte dishepujt e lirisë, trumbetarët, të bënte harrimin e tyre dhe harresa është guri më i madh që mund të vihet në qafën e artit.

Ky brez poetësh e mendimtarësh të dukeshin natyrshëm si fisnikë vjenezë; të kujtosh sot emrat e tyre është njëjtë si të thërrasësh në kujtesë imazhet e xhentelmenëve të shquar, që, më shumë se sa me kostumet e tyre parisianë, do e habisnin botën me metaforat, studimet ilire, guhën e lashtë, gdhendjen e kujtesës së kombit, si të ishin shkruesit e lashtë egjiptianë, duke ngritur piramidën e një populli që kishte filluar të harrohej.

Kuteli është simbolisti i kësaj epoke. Pak kush është aq i kapshëm, stili i tij është i vetvetishëm dhe modern, pa u dukur si i tillë, por i ndjeshëm deri në palcën e tij; vepra e tij nuk përmban asnjë lajthitje dhe ai vetë, në librat e tij nuk dremit asnjëherë.

“Në një cep të Ilirisë së Poshtme” është njëri ndër librat e fundit të tij dhe ende sot nuk e kam shqitur nga vetja mahnitjen.

Ishte një kënaqësi e papërballueshme dhe e mahnitshme nga e gjithë ajo që shfaqej para meje.Një pafajsi e pathyeshme.

Ky njeri, i patundshëm në bindjen e tij se “Atdheu është atdhe, bile edhe atëhere kur të vret”, që solli në letërsinë shqipe veprën ndër më harmoniket, që erdhi tek ne i dyzuar në emrin e tij, ku koha dhe fati kanë bërë të dijmë për njërin e tjetrin, si për një njeri të vetëm, edhe kur po vdiste, pasi kishte bërë të pamundshmen dhe kishte përkthyer kolosë të letërsisë së botës, mbylli sytë, pa lënë pas vetes asnjë pasuri, veç mundimeve dhe vuajtjeve dhe moton e jetës së tij që mishërohej tek atdheu.

Sa herë që përkulem para tij, e ndjej veten më të mirë!

NJË NGJASHMËRI E HABITSHME E MENDIMIT MES FAN NOLIT DHE BORGES

Që peshkopi ynë i nderuar, Fan S. Noli ishte njëra ndër mendjet më të shquara dhe ndër befasitë më të mrekulluara, kjo është një gjë e ditur dhe nuk ka të bëjë vetëm me njeriun e ditur, përkthyesin e pa kërkundshoq, por edhe me mendjen e kultivuar nge befasia dhe poetika e të menduarit.

Jam i bindur se Fan Noli nuk e ka njohur Borges-in. Edhe Borges, po ashtu jam i bindur, nuk e ka njohur Fan Nolin.

Njëri poeti rebel i Shqipërisë, krijuesi i Kishës Autoqeale Ortodokse shqiptare – qoftë edhe vetëm për këtë ai duhej të kishte Monumentin e tij të lartë, shumë më të denjë se përmendoret e mbira si këpurtha për të pavlerë – ishte në të njëjtën kohë përkthyesi më i shquar i Shekspirit, Servantesit, por edhe i poezive brilante të figurave të mëdha të poetikës botërore.

Në anën tjetër, në Argjentinë jetonte Borges, poeti i verbër, i pasionuari i përhershëm i bibliotekave, stilisti i një mjeshtërie të rrallë, që solli në letërsi një pamje tjetër të botës, që, pa të, do të kishte qenë jo e plotë.

Noli është poeti i parë i madh i dëbuar nga shteti, ingranazhet e të cilit e dënuan me vdekje në mungesë dhe që, për të dëshmuar se e kishin seriozisht, vranë mikun e tij më të afërt, shkodranin Luigj Gurakuqi.

Ikja e Nolit nga Shqipëria ishte njëri ndër aktet e dhimbshme të historisë, zemërimi i shtetit kishte rënë mbi ish kryeministrin jetëshkurtër të Shqipërisë dhe, sëbashku me të, nis edhe dëbimi dhe dënimi i shkrimtarëve.

Edhe Borges do të jetojë shumë vite jashtë atdheut të tij, kujtimet me të cilin do të jenë të përmallshme, poetike dhe brengëse.

Luis Borges është njëri ndër krijeusit më të fuqishëm të shekullit XX, ndër më mitikët dhe ëndërrorët, i njëjtë me sivllezërit e tij, po ashtu mitikë, Kafka, Prust e Xhojs, poet i ndjenjave si kiliani Neruda, i dashurisë si francezi Aragon, i mallit si pararendësit e tij Bodler, me të vërtetën e tij që ishte e ndryshme nga e të tjerëve.

Intelektual i shkallës sipërore, mëkatar i madh se kishte qenë i lumtur në verbërinë e tij, njeriu që nuk e njihte urrejtjen dhe sarkastik i shkëlqyer, që shkruante se jeta dhe vdekja i kishin munguar jetës së tij, erdhi vonë në letrat shqipe, për shkaqe që nuk vareshin prej tij, por erdhi madhërishëm.

Por le të vijmë tek përngjasimi poetik i dy mjeshtërve të mëdhenj të fjalës.

Fan Noli njihet edhe si përkthyesi i mrekullueshëm i poezisë – poemë “Waterlo” të Hygoit.
Në fund të përkthimit të tij poeti shqiptar shënoi në fund se, pas gjithë asaj tragjedie, kishte së paku një ngushëllim: kjo poemë e mrekullueshme e Hygoit nuk do të kishte lindur, nuk do të ishte shkruar, nëse nuk do të kishte ndodhur beteja e famshme e Ëaterlosë.

Fan Noli vdiq në 13 mars 1965.

Të kthehemi tani te Borges. Në vitin 1972.

Në librin e tij poetik ” El oro de los tigres”,1972, në ciklin “Pesëmbëdhjetë monedha””, Borges, duke vënë në gojën e Makbethit argjet e mëposhtme, shënjon të njëjtën ide si të Fan Nolit.

ja dhe vargjet :

Bëmat tona vijojnë udhën e tyre
të paanë,
e shkova në thikë mbretin tim që Shekspiri
të shkruante tragjedinë e tij…

Të dyja këto ngjasojnë me një pjesë të librit të tetë të Odisesë ku lexohet se perënditë endin fatkeqësi në mënyrë që breznive të ardhshme të mos u mungonë për çfarë të këndojnë.

Fan Noli mbetet gjithnjë, ashtu si ka shkruar miku dhe kundërshtari i tij, Arshi Pipa :
E mërtisun por jo e harrueme, fytyra e Fan Nolit po merr në kohën tonë, mbas sa vjet heshtje‘ së pameritueme, shkëlqimin e saj të denjë. Ngjet me të, afërsisht, si me ndonji shtatore, kryevepër arti të lashtë, qi mbet e ndryeme më nji skaj t’errët për vjet a shekuj, e mshehun, gati e panjohun nën pluhnin e kohnavet qi grumbullohet mbi trajtat e saja, tue ja veshë, tue ja mashtrue. Por arti i madh asht i pavdekshëm. E vjen nji ditë qi nji dorë e dashun dlirë shtatoren nga pluhni e dheu; e nga errsina ku kish humbun e qet në dritë të diellit. Ç’pamje e mallëngjyeshme atëherë! Shkëlqen mermeri ma i bukur, ma krenar. Koha nuk e ka prishë: përkundrazi, e ka hijeshue ma tepër, i ka shtue fisniki e hir. Pse vetëm gjanat qi i qindrojnë kohës janë fisnike, të denja për adhurim. E lavdija ma e sigurtë asht ajo ma e vonshmja.

Ndër Borges, nëse do ta kishte njohur poezinë, përkthimet dhe artin e Nolit, heshtjen që ra disa kohë në emrin e tij dhe shkëlqimin, ndoshta do të kishte shkruar:

“Për trëndafilin e bardhë nuk ka përse, ai lulëzon, sepse lulëzon“.

PËR MITROVICËN…DHE FEHMI LLADROVCIN

25 vite më parë, kur ende nuk dihej e ardhmja e Kosovës, një njeri i mençur dhe që, më pas, dëshmoi se njeriu mund të vdesë ashtu si kishte folur, Fehmi Lladrovci, do të bënte parashikimin e tij të saktë, thellësisht të qartë se, ” E ardhmja e Kosovës do të përcaktohet në Mitrovicë”.

Ishte i bindur në mendimin e tij dhe kishte dhimbje të madhe në atë që thonte, pasi, si pak kush tjetër, në të gjithë atë enigmë të së ardhmes , ai e kishte të qartë se një popull që nuk është kujdesur kurrë për çatinë e vendit të tij, ai nuk do i kishte kurrë as themelet e qëndrueshme.

Në pamjen e tij të jashtme ai kishte të përbashkëta me Isë Boletinin; i gjatë, i hijshëm, me qëndrimin e tij tipik malësor, sytë që i shkëndijonin, ecjen e avashtë, buzëgazin për miqtë dhe fjalën e avashtë, por ngulmuese.

E donte Mitrovicën mbi gjithçka tjetër, jo thjeshtë për pasuritë e saj të nëntokës, edhe ato i donte, por më shumë për gjithë atë çka ajo përfaqësonte, dhe, e dinte krejt mirë se pushteti serb do të përpiqej të ngulte në veriun e shtetit të ri shqiptar, sepse ai ishte idhtar i madh i bashkimit të kombit, njerën nga thikat e tij. Ose vetë, ose përmes miqsësive të herëshme.

Kur lufta mbaroi, Fehmiu dhe Xheva nuk ishin më. Pushonin në njërën pjesë të luginën së Shkabajve, buzë së cilës rridhnin ujrat dhe hijeshojnë lisat.

Por çdo gjë që ai parashikoi për Mitrovicën, çdo gjë doli se kishte qenë e saktë.

Thika është ngulur në veriun e saj. Një fillesë ndarje është e pranishme , e cila mund të jetë edhe më e thellë, nga që miopia politike ka bërë që të rrjedhë shteti nëpër xhepat e pushtetarëve dhe mendimi politik të jetë diskurs i atyre që nuk e dinë as se si të ndërtohet gardhi i shtëpisë së tyre.

Mes të vërtetës dhe mashtrimit qëndron gjithnjë hija e së djeshmes!

Mes të vërtetëve dhe ikanakëve qëndron përherë çasti i provës.

Mendja e një njeriu të veçantë, dhe, të veçantë nga të gjitha pikpamjet, ka saktësuar dy dekada e gjysmë përpara se ku do të qëndrojë dhembja e madhe e Kosovës!

Shumë nga shokët e tij janë vrarë në luftë. Disa kanë mbetur veç për të koritur të djeshmen e tyre! Të tjerë nuk kanë të ardhme!

Asnjëri, i vetëm, nuk mund të krijojë të tërën!

Në boshllëk tingujt ecin më shpejt, duket se kumbojnë më fort, por humbin rrugës dhe shkërmoqen nga e zbrasta rreth tyre!

Ai lider në Kosovë apo kudo qoftë , që do të zgjidhë çështjen e Mitrovicës, a me hatër a pa hatër, ai do të jetë burrështeti i shqiptarëve.

Ai do të jetë Prijësi!

Të tjerë janë liderë që shkojnë e vijnë në një skenë të madhe, ku perdja ka rënë, ende pa u mbyllur akti i së ardhmes!

Fehmiu ishte Prijës!

Dhe ishte ndër ato burra që i kishte hije të jetë Prijës!

Dhe si i tillë parashikoi 25 vite më parë se ku do të ishte e ardhmja!

Fantazia dhe malli njerëzor

-Për secilin nga ne jashtë Shqipërisë-

Fantazia e njeriut nganjëherë mund të jetë e paarritshme.

Tek pjesa e dytë e “Faustit” Gëte shpik diçka që normalisht do të ishte e papërfytyrueshme: Fausti martohet me fantazmën e Helenës në Had dhe prej tyre lindi Euforbi, i cili, si mendojnë studjuesit e kritikët e shquar, nuk është asgjë tjetër veçse një alegori për Bajronin.

Helena quhej edhe nëna e dashur e perandorit të njohur ilir të Bizantit, Konstandinit të Madh. E krishterë e devotshme, e cila një natë , në ëndrrën e saj, kishte një vizion. Shkoi në Jeruzelem dhe gjeti në Golgota kryqin , ku u kryqëzua Jezu Krishti.

Druri i këtij kryqi, do të shkruanin asaj kohe, nuk ishte asgjë tjetër, veçse pjesë nga druri i Kalit të Trojës, si një metamorfozë mitike.

Askush nuk do të kishte menduar një rrjedhë të tillë fantazie.

Sipas Heroditit, babait të historisë, pas rrëmbimit, Helena dhe Paridi shkuan në Egjipt, ku jetuan deri në plakjen e tyre dhe asnjëherë nuk kishin qenë në Trojë. Lufta ishte bërë për një hije, por varianti i Heroditit nuk e shpërbëri variantin e Homerit.

Pse jetoi më shumë varianti i bardit të verbër, përse ishte ai më i spikatshëm?

Arti poetik, i ndërthurur me një fantazi të skajshme, edhe pse duket ireal, është më i besuar.

Historia ishte e pushtuar nga e bukura fantaziste.

Euripidi, tragjediani i famshëm me një vdekje tragjike, në tragjedinë e tij “Helena”, mes të tjera, ka edhe vargjet e këtij dialogu:

Helena: Unë kurrë nuk kam qenë në Trojë, ajo që duket si unë qe vetëm një fantazmë.

Lajmëtari: Çfarë thua? Mundimet tona, për një hije paskan qenë?

Përsëri bardi i vjetër e mundi tragjedianin klasik. Nuk do të kishte Iliadë me një çift ikanikësh që fshihen në brigjet e Egjiptit, shumë shpejt të lodhur nga dashuria e beftë, më shumë se hakmarrje nga e shkuara, se sa pasioni i së ardhmes.

Imazhet kanë aftësinë të të qetësojnë apo ndjesinë të të agërsojnë, ata, ose të mrekullojnë, ose të tërbojnë, janë në të njëjtën kohë dy ngjyrësh, bardh e zi, të heshtura ose folëse.

Imazhi i Niçes është i tillë. Kozmopoliti më i madh i kohrave u bë sinonim i një regjimi të egër ultranacionalist.

Kur Niçe po varrosej dhe priftërinjtë e folësit e shumtë po mbanin ligjërimet, njëri nga të pranishmit shkroi se, nëse Niçe do të zgjohej befas, ai, si Jezu Krishti, me kamzhik, do i zbonte të gjithë nga kisha, të cilës nuk i ishte falur asnjëherë.

Kush mund ta mendojë Niçen, femohuesin e madh në rolin e Jezzu Krishtit: vetëm fantazia e mrekullueshme njerëzore, që kësaj here nuk e largon njeriun, por e afron.

Niçe ishte i mendimit se herojtë pa asnjë akt heroik janë të rreme , të mërzitshëm, të neveritshëm dhe të kotë.

Ai ngriti vetë një hero të tillë, e bëri të flasë, i dha emër, e ngjizi si përsonazh dhe, kur nuk iu desh më, e përbuzi po vetë.

“Shpirti kur ëndërron, shkruante një kritik pak i njohur Addison – është teatër, aktor dhe auditor”.

Mirëpo këtë e sjell vetëm fantazia e mrekullueshme, e pa skaj dhe e ngjeshur me ëndrrën, si fillesë e një caku të paarritshëm.

Prej shumë kohe njerëzit e letrave kanë ëndërruar të kishte një libër të librave që t’i prfshinte të gjitha, si një arketip platonik si një gjësend, virtytin ose vesin e të cilit të mos e rritin ose ulin të tjerët.

Ata kanë ëndërruar të ketë një Libër të Librave ku të jenë të gjitha dhe gjithçka, por , edhe pse e dëshiruar, është thellësisht e pamundur.

Sepse fantazitë njerëzore ndryshojnë.

Unë do të doja të isha tani tjetër kund, ku Libri i Librave nuk më dërgon dot, të strukesha në këndin tim të vjetër, ku më njoh gjithçka, edhe erërat që përplasen në muret e vjetër, te trëndafilët e bardhë, tek zërat që shuhen nga nata dhe në pritje të mëngjesit ndryshe.

Pse i shkrova të gjitha këto?

Nuk e di, mos më pyesni më tej!
Ndoshta nga malli!

Kur je larg, malli ka një ngjyrim tjetër, që nuk mund ta dish asesi ndryshe, veç nga distancat e krijuara!

Share This Article
3 Comments
  • Mire, por shume gjate. Shkrimi ka vend per redaktime. Nuk mund te thuhen te gjitha gjerat per Mitrushin ne nje shkrim te vetem. Me c! rast eshte publikuar ky shkrim.?

  • Me dy emra, dy fytyra,
    shum nuanca edhe ngjyra!
    Ty tu ngrit dhe monument
    nga ata qe kane pushtet!
    por si ty e Zogut pare ,
    monumente s’ishin pare ,
    per armiq e tradhetare
    qe kane “rjepur ‘popullin mbare!
    Do te ishte me e mira,
    mendoi une e t’tjere me mijra
    qe tu nisin prap ne shtepija
    dhe t’mos delni prej andej
    se kete do tere Shqiperia!
    qe luftoi me dy fuqi
    Itali e Germani
    Kur ju benit pasuri
    dhe rrembenit neper banka
    napolona me flori!
    Monumentet qe jane ngritur
    jane pasuri e popullit
    prej atija jane grabitur!

  • Ketij Dhimiter Paskos fashistet i vrane te atin dhe i dogjen shtepine.
    Pasuri ne kohe te fashizmit vuri enver hoxha.
    Hajdutet e Bankave gjini ku i keni Fullanat?Ilir florirat?
    Ky burre e dorzoi llogarine e bankes me qindarka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *