TIRANË, DURRËS, SUKTH, LAPARDHA etj – Një tjetër super-operacion i suksesshëm policor u zhvillua dje kundër krimit të organizuar, njofton policia e shtetit, me pjesëmarrjen e 50 trupave komando të OFL, 5 furgonave të blinduar, dy diagaçeve, një katërsiluruesi dhe një helikopteri të markës “Sqifteri i Zi”.
Siç mësohet nga burime në vendngjarje, operacioni kishte në shënjestër vilën superluksoze të kriminelit të organizuar X.Y., e cila mbahej nën vëzhgim që prej një jave.
Sipas reporterit të njohur të kronikës Karvan Jonxha, policët specialë të armatosur deri në dhëmbë – në kuptimin e plotë të fjalës, sepse përveç armëve të prodhimit të fundit mbanin edhe biçakë të vegjël në dhëmbë – iu afruan me kujdes vilës në fjalë, duke hequr këpucët për të mos bërë zhurmë.
Ndërkohë katërsiluruesi kishte zënë pozicion strategjik nga ana e detit, ndërsa helikopteri kontrollonte situatën nga qielli.
Siç pohon Karvan Jonxha, diagaçët rrethuan ndërtesën pa zhurmë, pasi punojnë me energjinë diellore që e marrin nga syzet e errëta të policëve, mjete këto që funksionojnë edhe si panele solare.
Pasi gjithçka ishte siguruar, ministri i Brendshëm Sandro Di Lana dha urdhrin përkatës dhe në këto momente oficeri me grushtin më të fortë bëri përpara dhe trokiti me vendosmëri në derën e jashtme të vilës së organizuar të kriminelit.
Paralelisht, njëra nga policet femra të forcës speciale, u afrua me një çantë të zezë prej lëkure të blinduar të cilën e kishte hapur përgjysmë.
Rrëfen reporteri i mirëinformuar i kronikës, Karvan Jonxha:
“Atë çast dera u hap dhe u shfaq krimineli X.Y., tinëzisht i maskuar me pizhama, shapka, kanotiere të bërë pis nga keçapi dhe një gjysmë sanduiçi në dorë. Oficerja, me një shkathtësi që përfitohet vetëm nga vite të tëra stërvitjeje, nxorri rrufeshëm një copë letër nga çanta anti-plumb dhe ja la në dorë kriminelit: ‘Ke vetëm 48 orë kohë ta plotësosh dhe ta dorëzosh në postën numër 3, sa kalon kthesën në të majtë të bashkisë. Ose, e di ç’ke? Mund ta skanosh dhe ta dërgosh edhe me email në adresën që ke aty. Mos të kemi llafe, hë vlla se na heqin nga puna’. Dhe menjëherë forcat komando u zhdukën sikur t’i kishte përpirë dheri, duke e lënë kriminelin gojë hapur”.
Operacione të ngjashme, thotë Ministria e Brendshme, janë zhvilluar në mënyrë të njëkohshme në gjithë vendin.
Por jo gjithmonë gjërat kanë shkuar vaj. Në disa raste kriminelët kanë bërë rezistencë.
Ministri Di Lana veçoi episodin e banditit A.B., i cili sapo mori letrën në dorë, i drejtoi policit special një seri pyetjesh kriminale: Dale mor plak, çfarë thotë këtu; ç’domethënë ‘im…e…dia…te’; po pikën 3 a mund ta lë bosh; e deri tek provokimi skandaloz: Më lër dhe një formular tjetër, se mos e mbush gabim të parin!
Por ngjarja më e rëndë ndodhi në Lapardha të Beratit, ku mafiozi B.Ç. bëri një rezistencë të papritur.
-Merre letrën, – i tha polici OFL-ist.
-Nuk e marr! – iu përgjigj eksponenti i krimit.
-Po merre ore, se kam urdhër, – ja ktheu polici.
-Edhe unë kam urdhër që mos ta marr, – tha mafiozi me ironi të organizuar kriminale.
-Dëgjo… Merre letrën. A je ti B.Ç? A është kjo adresa Rruga Ruzvelt nr.4, Lagja Sharl Dë Gol, Lapardha? Është letra jote pra!
Atë çast u dëgjua një zë i prerë luftarak nga megafoni i helikopterit që futuronte sipër:
-Po merre o babuç ere, se një copë letër eshte ere, nuk të ha ere!
*****
SHËNIM / Gojët e Liga është rubrikë satirike dhe si e tillë nuk merr letra. Dmth, mos i sillni se do t’ua kthejmë shoqëruar me album me foto, video dhe shpjegimet përkatëse

Sandro di Lana, jom dhi tu qesh.
E ka pas fjalën për leshin, apo për përroin e fekaleve të Tironës?
Po kronisti i mirnjohur Karvan jonxha kush te jet valle
Ere, keshtu sic ka shkuar puna, kam frike se vetem letrat do ua marrin shpirtin hajdutave! Do ti plakin para kohe dhe do ti bejne te shtrohen ne psiqiatri! Do i thone vetes: o koke c’me bere! (Eshte metode e dhuruar Edit nga miqte e tij jashte.)
Rruga Ruzvelt nr.4, Lagja Sharl Dë Gol, Lapardha??????? Ja ka fut dhe zhelalit te kamzes , hahahahahaha
Humor pordhi-kali.