Moikom Zeqo
Duke lexuar librin e veçantë dhe kaq të vërtetë, të mikut tim Naun Kules, për Naun Doko Priftin, kam ndjerë thellë një efektëshmëri serioze për historinë dhe për figurat kombëtare, emblematike të saj.
Ky libër monografik, referencial, i shkruar me mjeshtri të padyshimtë dhe me objektivitet shkencor të mirëfilltë, më ka bërë përshtypje sui generis…
Libri skalit momentet jetësore të një personaliteti shqiptar, që kapërxen deri në rrafsh nderkombëtar.
Naun Doko Prifti-një djalosh i trevës proverbiale të Myzeesë i cili, përqafoi idetë komuniste me bindje dhe sinqeritet,- të marra nga kultura përparimtare europiane e shekullit njëzetë.
Të tillë ishin intelektualët e shquar europianë të pjesës së parë të këtij shekulli, të cilët, më sjellin ndër mendje dy permendore poetike, për antifashistin francez të martirizuar Gabriel Perrinë,- të shkruar nga poetët e mëdhenj francez Pol Eluar- dhe Lui Aragon.
Naun Doko Prifti qe një inteelektual i diturive të mëdha.
Si shqiptar atdhetar ishte pjesëmarrës në Luftën e Vlorës, 1920 dhe në revolucionin Demokratik të Fan Nolit.
Dhe pas këtyre, ngrihet në postin e drejtuesit-(rektorit) të Universitetit të Tbilisit të Gjeorgjisë, ku studjon, drejton dhe vdes në moshën 38 vjeçare.
Ja, një rast pashëmbullt i karrierës diturake të një shqiptari.
Kur e njeh këtë figurë, duket si një subjekt fazmagorik.
Por nuk është i tillë.
Është një gjë reale dhe shkencërisht e vërtetë.
Drejtuesi i Universitetit kryesor të Gjeorgjisë- djaloshi shqiptar Naun Doko Prifti, është varrosur pikërisht në Gjeorgji.
E kush vallë shkoi atje dhe vuri një tufë me lule në varrin e tij?
Ndaj, më shumë se tërë kurorat “post mortum” të luleve mbi këtë varr, është libri i mikut tonë,personalitetit te nderuar, atdhetar, Naun Kule, -kushtuar atij.
Një libër autentik dhe arritje e admirueshme e këtij shkrimtari dhe studjuesi.
Ndër faqet e librit, Naun Doko Prifti, ndrit brenda vetes. Është dritë e pashuar.
Dritë shqiptarie dhe qytetërimi plot dije dhe kombëtarizëm.
E përshëndes botimin e këtij libri, të domosdoshëm. Një libër nderimi për të gjithë ne…!
Vite më parë, shkrimtari i madh Jakov Xoxa ia kushton kryeveprën e tij, romanin “Lumi I vdekur” pikërisht këtij, Naun Doko Priftit.
Padyshim, ishte një kushtim dhe vlerësim me domethënie të madhe.
Në kohën e sotme të një demonizimi arkaik të politikës, me ide skualifikuese apriori, jo shkencore dhe as kombëtare të figurave të shquara shqiptare si Naun Doko Prifti, Qemal Stafa, Dino Kalenja, Margarita e Kristaq Tutulani , etj. anashkalohen apo mbulohen nën pluhurin e harresës.
Mendoj (dhe shpresoj) se një ditë, një shqiptar apo vet biografi i tij, Naun Kule do të shkojë tek varri i këtij shqiptari të madh në Gjeorgji, do të shfletojë arkiva dhe do gjejë të dhëna të reja, befasuese për të plotësuar e ndriçuar gjithë profilet, vlerat dhe veprat atdhetare e diturore të këtij shqiptari të madh, të pavdekshëm, Naun Doko Priftit…
-Lexuar në Biblioteken e Fierit, në promovimin e librit “Dita nuk është larg” botimi i dytë, më 26 maj, 2017.