Për një mësuese si Dafina…

J L

Mihal Kalia

 

Të gjithë ata që e kanë njohur, që kanë punuar e që kanë dëgjuar për të, që e kanë ndjekur në mediat vizive e të shkruara, me dhimbje të thellë përjetuan lajmin për ndarjen nga jeta të Dafina Brokajt, njeriut që për asnjë çast nuk ndali së kërkuari kuptimin e jetës, duke vënë në funksion të këij misioni të gjitha mundësitë dhe aftësitë e veta kulturore – profesionale të një niveli të lakmueshëm prej kujtdo, për një orientim të drejtë, korrekt, të vetëdijshëm e të përgjegjshëm  në çdo rrethanë, sado e vështirë dhe e ndërlikuar që të jetë.

E ngjizur prej mirësisë e buzëqeshjes, ajo i jepte atmosfere e ngjyrë gjithkujt që takonte, mjedisit ku kalonte, dhimbjes që ndiente dhe optimizmit që e karakterizonte. Ajo freskonte përvëlimin e zjarrit me thëllimin e malit dhe ngrohte akullinë e maleve me dhelet e valëve të detit. E tillë ishte fryma që atë e jetësonte, e tillë ishte jeta  që ajo e thurte dhe që aq shumë e donte, me pagabueshmërinë në rrugën që nisi 70 vite më parë në të gjitha etapat e saj, sepse karakterizohej nga një nuhatje dhe intuitë për t’u orientuar drejt kur i duhej të përballej, jo rrallë, me kapriçiot e jetës, të cilat me urtësi, mençuri e pjekuri i kapërcente denjësisht dhe me vendosmëri.

Pandemia e egër Covid 19 po derdh gjithë tërbimin e vet mbi njerëzinë me verbërinë e përhershme dhe oreksin e madh për të nënshtruar e gëlltitur gjithçka ku shkel, si për të treguar se bota dhe njerëzia, edhe pse në zhvillime të paimagjinueshme, mbeten të papërfillshme prej forcave të verbra dhe lakmisë së tyre ndezulluese, për të dëshmuar se jeta ka fytyrën e vdekjes, të hiçgjësë e të kotësisë dhe jo atë që vdekja është prani e jetës.

Gjithë jetën e saj Dafina punoi e luftoi në frymën me të cilën u rrit dhe u edukua në familjen prindërore, frymë të cilën e gjeti dhe e fuqizoi në familjen Brokaj, me të cilën lidhi të ardhmen, frymë të cilën e realizoi me fëmijët e vet si një nënë e dashur, me nxënësit si një edukatore e përkushtuar, me studentët si një pedagoge e vlerave të spikatura, me shoqërinë si misionare e diturisë dhe përparimit.

Dafina ishte dinjitoze, bindëse deri në detaje, debatuese e zjarrtë, hapin e hidhte të rëndë, shikimi i rrihte larg, kishte mendim të thellë, qortim të mprehtë e të mbështjellë me këshilla të arta, intelektuale e shkallës së parë, inkonformiste, mbështetëse e zhvillimit, neveriste hipokrizinë, këngë i thurte jetës dhe ëmbëlsi i derdhte njerëzisë.

Thjeshtësia e saj ishte e jashtëzakonshme. Ajo e dinte që thjeshtësia ngre Monumente, të tilla që i kemi fare pranë, por nuk ua shohim madhështinë, sepse ajo  e shpërndante te të tjerët dhe pikërisht aty ndiente kënaqësinë. Me shumë përmallim do ta kujtonte këtë tipar të karakterit të Dafinës një nga koleget e saj të hershme: “Ajo m’u shfaq si një pjesë imja e fshehur në subkoshiencë, që shpërtheu, “u arratis” nga gjendja e fjetur, sepse ajo ishte lëvizje, ishte jetë, ndërsa unë, e drojtur, s’po dija ku të hidhja këmbët në botën e saj, më dukej sikur do ta ngushtoja, sikur do t’i shprishja harmoninë e pulsimit të saj jetësor. Ajo ishte një botë e madhe deri trullosëse, ku unë kisha hapësirë të bollshme për të kundruar e mësuar, ndërsa mua më habiste fakti se si ajo futej në botën time të vogël fare lirshëm, pa asnjë deformim e dëmtim të kontureve të veta. Ajo merrte nga vetja e më jepte mua, derisa hapi portat e koshiencës sime, për të vazhduar rrugën e gjatë e të bukur të mësuesisë. Ajo më dha ajër, oksigjen, më dha jetë. Edhe unë bëra përpjekje për të, por nuk ishte e mundur…. Pse ? Sikur fluturoi, sikur diku, dikush ka nevojë. Po pse? A vdes vdekja, që ajo të mos e lejojë?!”. Kjo ishte Dafina!

Dafina ishte burim mirësie dhe frymëzimi. Ajo e donte, e vlerësonte, e respektonte jetën dhe, çka është më rëndësishme, kërkonte vazhdimisht t’i jepte asaj kuptim, kërkesë kjo që e shoqëroi atë në jetën dhe punën e vet. Jeta e Dafinës ishte Puna dhe puna e saj ishte kërkim i vazhdueshëm dhe për gjithçka.

Dafina ishte e çiltër, e drejtpërdrejtë dhe e sinqertë Kishte parimin që çdo problem, për t’u zgjidhur, duhej shpurë në gjendjen fillestare, në momentin kur është shfaqur, sepse është e vetmja metodë që të garanton suksesin dhe, sipas llojit të problemit, çmpleks nyjë gordiane, siç kishte qejf të thoshte ajo, pa përdorur shpatën e Aleksandrit të Madh. Kjo kërkonte durim, dashuri për njerëzit dhe dëshirë për paqti. “Konfliktit i shkohet deri në fillesë për të kapur fillin e thurjes, sepse është më e thjeshtë për ta “çthurur”, ngaqë kështu shmang, hipokrizinë, mashtrimin e mbledhur gjatë kohës për ta mbuluar atë dhe që jo rrallë kanë çuar në ekstremitete, duke vështirësuar apo orientuar gabim  gjetjen e  mjetit efikas të zgjidhjes së problemit”. Kjo lloj marrëdhënieje me kolegët si drejtuese, me nxënësit si mësuese dhe edukatore, me njerëzit si aktiviste shoqërore e palodhur, me studentët si udhëheqëse e mendimit shkencor, bëri që ndarja e saj të ndjehej thellë, të krijojë një boshllëk në qytetarët e të gjitha moshave të qytetit të Vlorës, me të cilin ajo u lidh aq shumë ngushtësisht, saqë, edhe pse në këtë situatë të çmendur të pandemisë botërore, gjetën mënyrën për ta përcjellë me nderim e respekt në rrugën parajsore mbushur gjithë lule shumëngjyrëshe që, gjithmonë të freskëta, të shpërndajnë aromën , ashtu të qëndisura në kurorën plot gjethe dafine, si të shpirtëzojnë emrin e saj, të gjallojnë portretin e t’i kujtojnë amanetin . Përgjithmonë.

Përvojën e saj si mësimdhënëse e talentuar ajo e shpërfaqi në tekstet shkollore të lëndës së matematikës, si autore dhe bashkautore në këto tekste, ku ka aplikuar me mjaft sukses të menduarit logjik e në mënyrë të pavarur të nxënësve, problem ky i gjithmbarshëm, nëpërmjet formave të larmishme në hartimin e materialit mësimor, shtjellimin problemor me prirje konkretizuese edhe të çështjeve më abstrakte të njohurive shkencore, zotërimi perfekt i të cilave e bënte që t’i përdorte me mjaft efikasitet gjatë parashtrimit të tyre, duke krijuar situata tërheqëse e zbavitëse, krejt natyrshëm, pa iu shmangur thelbit të lëndës, sepse ajo dinte kur duhej t’i hapte e t’i mbyllte portat e matematikës, dinte të orientohej e të zgjidhte në thesaret e saj të pafund, dinte si t’ua transmetonte nxënësve për një përvetësim logjik dhe aktiv nga ana e tyre.

Dafina të befasonte me konceptet e saj për jetën, njerëzit, shkencën, artin dhe kulturën. Kishte profesion matematikën, por kishte pasion dhe letërsinë, adhuronte pikturën dhe shijonte muzikën. Në trekëndëshin gjeometrik të jetës, ajo i emëronte këndet: shkencë, filozofi dhe art. Kjo ishte arsyeja që, kur fliste për numrat në matematikë, do të ishte i pranishëm Bethoveni e kur fliste për Bethovenin ndjehej revolucioni. Fliste për botën e matematikës dhe pyetjes se pse duhet studiuar kjo botë, i  përgjigjej nëpërmjet Sokratit dhe Hipokratit në dialogët e A. Rënjesë, fliste për pasqyrat e Arkimedit dhe të përqaste trokun e Kalit të Trojës dhe këngën e Sirenave të Odisesë së Homerit.

Dafina ishte e kompletuar kulturarisht dhe nuk lodhej së propaganduari domosdoshmërinë e plotmërisë kulturore me nxënësit në shkollë, në fshat (Sevaster dhe Risili) dhe në qytet ( shkollat e mesme “Tregtare”, “Indusriale”, “Q. Ataturku”, në Universiteti “I. Qemali”, në mjedise shoqërore, ku binte në sy për erudicionin e saj, ndryshe , thoshte ajo do t’i ngjajmë një portreti me fytyrë të grimuar deri në imtësitë, veshur me një këmishë a bluzë dalëboje, pra me një pamje qesharake. Kërkonte unitetin duke ruajtur origjinalitetin .

Një profili të tillë si ai i Dafina Brokajt, qytetarët e Vlorës nuk mund t’ia kursenin mirënjohjen e tyre, konkretizuar kjo me dhënien e titullit “Mirënjohje e Qytetit të Vlorës” nga Këshilli Bashkiak  në vitin 2010,. Për vlerat profesionale  dhe intelektuale nderohet nga Këshilli i Qarkut me titullin “Personalitet i shquar i Qarkut”, si dhe për kontributin e saj të vazhdueshëm në veprimtaritë shoqërore për zhvillim e përparim  federata “Universal Peace Federation” e ka shpallur atë “ Ambasador i Paqes”.

Dafina ishte e përkushtuar për punën dhe, pikërisht atëhere kur mosha kërkon pak prehje e qetësi, ajo shpalosi vrullshëm aftësitë e veta intelektuale, drejtuese e krijuese, me një vizion në përshtatje me kushtet e reja shoqërore, ideoi e themeloi në qytetin e Vlorës dy shkolla të arsimit jopublik me parametra bashkëkohorë, të matshme me ato të vendeve të rajonit e më gjerë. Në këtë valë pune ajo u godit nga një sëmundje e rëndë, të cilën e përballoi me mjaft optimizëm, por Kovidi 19, shkatërrimtar e ziliqar, nuk e la të gëzojë rikthimin te nxënësit, gjë që e priste me mjaft kënaqësi dhe emocion, edhe pse në moshën 70 – vjeçare.

Dafina u nda prej nesh duke pikëlluar familjarët, duke brengosur miqtë e dashamirësit, duke lënë pas kujtimin e njeriut të mirë e të devotshëm, të njeriut që edhe vdekjes i jep jetë, të njeriut që meriton privilegjin e përshëndetjes prej së nesërmes. Kush nuk do ta dëshironte këtë?!

Share This Article
6 Comments
  • Pershndetje Z. Kalia!

    Pergezimet e mia te thjeshta per pershkrimin me vertetesi dhe nivel te larte te figures se Dafines tone te dashur. Cdo pune eshte e bukur kur njerezit punojne me perkushtim.
    Sinqerisht
    Ilirjana Haruni

  • Një artikull që e përshkruan Dafinen tonë të dashur me realizëm e dashamirës. Kjo humbje e papritur na ka hidhëruar pa masë po mirësia e saj do na shoqërojë për gjithë jetën hap pas hapi.. Prehu në paqe e dashur Dafina ❤️❤️

  • Ikja e disa e njerezve dhemb me shume se te tjerat! Kjo ndodh sepse me te tille dinjitet e ritem e kane jetuar ata jeten, duke na lene pas nje boshllek te madh. Ende, pas kaq ditesh, e ndiejme ne gjoks trishtimin kur emri dhe fotot e kesaj gruaje te bukur ne mendje dhe shpirt na shfaqet! I paharruar kujtimi i nje mesueseje te rralle si Dafina Brokaj!

  • Nuk lindin me gra si Dafina Brokaj. Te qoft dheu i leht profesoresh e dashur! Do ngelesh perjet ne mendjen e zemren tone.

  • Te ndieres Dafina, nje jete MESUESE ju prefshin eshterat -MBI DAFINA -ne truallin e atdheut ajo perkushtuar-nje jete! I perjetshem kujtimi SAJ, Ngushelime familes sa dashaniresve te saj te shumte kudo ndodhen..
    Mesuesi 85 vjecar,nje jete krenar me Dafinen s Kolege me dy MBESAT e mia ,DAFINA,dy here Dafime,emrin e nenes tyre te nderuar, mbajtur.Nje jete ne Vloren e PV. ajo kthyer me 5 femije nga Franca,sa cliruar VENDi*1947) Njeres morer ;POLETA i shkoi prane e nderuara Dafine mes VORREZAVE te Vlores
    .I perjetshe kujtimi i sas.,
    Nga Toronto ish MESUESI 84-5 vjecar
    Biri *Dangellise NAIMJANE*:

    Toronto 24 -12-2020
    Guri Naimit D (Dh. M..Xhoga).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *