Për një nga veprat më antishqiptare të botuar nga historiografia ruse

Ornela

Shaqir Vukaj

Ballkani, për vetë pozicionin gjeografik, që në kohët e vjetra ka tërhequr lakmitë e Fuqive të Mëdha, dukë u bërë objekt mosmarrëveshjesh e deri përplasjesh ushtarake. Por edhe vetë vendet e popujt ballkanikë, me problemet e ngatërresat pa fund (që fatkeqësisht vazhdojnë edhe sot) në shumë raste i kanë krijuar vetë, u kanë dhënë shkas e pretekst Fuqive të Mëdha të ndërhyjnë, herë në favor të njërit e herë të tjetrit, e në shumicën e rasteve për interesat e veta.

Në kuadrin e ngatërresave ballkanike, problemi maqedonas, i konsideruar si “molla e sherrit” e Ballkanit, ka qenë ndër më të mprehtët, madje i pa zgjidhur përfundimisht deri më sot… Si problem ai ka lindur herët, por është ashpërsuar gjatë Krizës Lindore në fund të shekullit XIX. Në projektet për të ardhmen e Ballkanit, në “projektin grek”, formuluar nga Ekaterina e Dytë e Rusisë, në “projektin serb” shprehur qartë në Naçertanie apo në “projektin bullgar’ të Shën Stefanit, secili prej tyre përpiqej të përfshinte brenda kufijve të vet sa më shumë territore të kësaj hapësire gjeografike pa kufij të caktuar, të quajtur Maqedoni. Në planet e tyre, secili i vendoste kufijtë e Maqedonisë sipas interesave dhe dëshirës së vet, gjë që sillte ngatërresa e mosmarrëveshje midis tyre. Pikërisht këto mosmarrëveshje e grindje që disa herë kanë çuar në përplasje ushtarake midis tyre, janë bërë shkas për krijimin e termit “Problemi maqedonas”, përndryshe “molla e sherrit” e Ballkanit…

Historikisht, që nga shekulli X, Ballkani ka qenë një ndër drejtimet kryesore të politikës së Rusisë. Gjatë shekujve të fundit, asnjë ngjarje e rëndësishme në Ballkan nuk është zhvilluar pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë apo të tërthortë të Rusisë. “Historia e Ballkanit është vazhdim organik i historisë së Rusisë, pjesë e ndërgjegjes së saj kombëtare” është tezë e përsëritur shpesh në Rusi nga politikanë, ushtarakë, historianë etj.

Shaqir Vukaj

E angazhuar “për zgjidhjen” e Krizës Lindore dhe të problemeve ballkanike, përfshi “problemin maqedonas”, mbas luftës Ruso-Turke, në v.1878 ajo i imponoi Turqisë nënshkrimin e Traktatit të Shën Stefanit, sipas të cilit krijohej Bullgaria e Madhe që shtrihej nga Danubi deri në detin Egje, dhe nga deti i Zi deri në Liqenin e Ohrit ose më saktë nga brigjet e detit të Zi dhe të rrjedhjes së poshtme të Danubit, në drejtim të Perëndimit dhe Jug-Perëndimit, pikërisht deri në lumin Drin dhe në qytetin e Selanikut. Në këtë mënyrë, Bullgaria do të shtrihej në një territor prej 183 mijë kilometra katrorë, ku përfshiheshin krejt hapësira e quajtur Maqedoni, një pjesë e mirë e tokave shqiptare të Kosovës dhe Maqedonisë, përndryshe të Shqipërisë Lindore etj. dhe konkretisht brenda saj do të përfshiheshin Korça, Bilishti, Pogradeci, Dibra, Kërçova, Gostivari, Tetova, Kaçaniku etj.

Si mbështetëse e sllavëve, ajo do t’i jepte Serbisë një pjesë të madhe të Kosovës, ndërsa Malit të Zi do i jepte Ulqinin, Tivarin, krejt lumin Buna, Hotin, Plavën, Gucinë etj. Sigurisht që ky Traktat nuk kënaqte grekët (që nuk morën asgjë), serbët (megjithëse nga 37.7 mijë kilometra katrorë zmadhoheshin në 52.7 mijë kilometra katrorë) që mbetën të pakënaqur nga Rusia sepse kishte anuar nga bullgarët, duke krijuar “Bullgarinë e Madhe” (që konsiderohej e përkëdhelura e Rusisë), malazezët (që nga 4.7 mijë kilometra katrorë shkonin në 15.7 mijë kilometra katrorë) e që kërkonin shumë më tepër.

Duke mos njohur Traktatin e Shën Stefanit, mbas pak muajsh, Fuqitë e Mëdha organizuan Kongresin e Berlinit, për të “rregulluar” problemet Ballkanit. Sipas vendimeve të marra në Berlin, Bullgaria do të shtrihej midis lumit Danub dhe maleve Ballkan duke u zvogëluar në rreth trefish. Kështu nga 183 mijë kilometra (sipas Shën Stefanit) zvogëlohej në 63.7 mijë kilometra (Sipas Kongresit të Berlinit). Krahinat në jug të maleve Ballkan do të krijonin një provincë autonome të Perandorisë Osmane, e quajtur Rumelia Lindore. Serbia nga 52.7 mijë kilometra katrorë zvogëlohej në 48.7 mijë kilometra katrorë, ndërsa Mali i zi nga 15.7 mijë kilometra katrorë bëhej 9.1 mijë kilometra katrorë.

Nga vendimet e Berlinit dolën të pakënaqur të gjitha vendet e popujt ballkanikë, në mënyrë të veçantë Bullgaria, për të cilën kufijtë e Shën Stefanit (në mënyrë të veçantë Maqedonia) u bënë objekti kryesor i politikës së jashtme bullgare për shumë e shumë dekada. Por nuk mbeteshin mbrapa Serbia e Greqia. Secila prej tyre ëndërronin krijimin e “Bullgarisë së Madhe”, “Serbisë së madhe” dhe “Greqisë së Madhe”, ku Maqedonia mbetej “Thembra e Akilit” dhe ëndrra e të gjithëve, që herë i ndante, herë i afronte.

 

***

Dobësimi i Perandorisë Osmane, krijoi kushte për krijimin e një Aleance Ballkanike (Rusia do të luante rolin kryesor për krijimin e saj) ku ndarja e tokave të Perandorisë Osmane, e në radhë të parë e Maqedonisë, mbetej ndër qëllimet kryesore. Secila palë përpiqej të merrte sa më shumë për vete. Më në fund u arrit të merreshin vesh, por problem mbetej ndarja e tokave të Shqipërisë Lindore, që Konferenca e Londrës padrejtësisht i kishte lënë jashtë kufijve të Shqipërisë…

Për këtë pjesë të Shqipërisë që u quajt “zonë e diskutueshme”, u vendos që mosmarrëveshjet që mund të lindnin për ndarjen e saj, do zgjidheshin mbas lufte nga Cari i Rusisë.

Me përfundimin e Luftërave Ballkanike, Maqedonia u nda afërsisht sipas zonave të pushtimit. Serbia mori pjesën veriore të Maqedonisë, deri në liqenin e Ohrit (afërsisht 25 mijë km. katrorë), Greqia pjesën jugore, së bashku me portet e Selanikut dhe Kavallës (rreth 34 mijë km. katrorë) ndërsa Bullgaria mori atë që quhej Maqedonia e Pirinit (rreth 6500 km katrorë).

Qëndrimi i Rusisë në Shën Stefan për krijimin e Bullgarisë së Madhe, kishte lënë gjurmë të thella në shoqërinë ruse, brenda së cilës, megjithëse shpreheshin mendime të ndryshme për të ardhmen e Maqedonisë, mbizotëronte mendimi se Maqedonia është pjesë e Bullgarisë dhe që duhet të shtrihet thellë deri në brendësi të territoreve shqiptare, të Shqipërisë londineze tashmë të pavarur, të Kosovës dhe të Shqipërisë Lindore që i kishin përfshirë brenda Serbisë…

Dhe si ka ndodhur shumë herë, në mbështetje të politikës pansllave të ndjekur historikisht nga Rusia, u angazhuan studiues të fushave të ndryshme, historianë, arkeologë, gjuhëtarë etj. E në këtë kuadër, ndërmjet studiuesve sllavë (dhe jo vetëm sllavë) më aktivë në mbrojtje të asaj që kishte gatuar Rusia në Shën Stefan dhe njëkohësisht ndër më antishqiptarë dallohej shkencëtari ruso-sovjetik, Akademiku A. M. Selishçev.

 

***

Pa marrë përsipër një analizë të plotë të veprës së tij antishqiptare, do të përpiqem të përshkruaj disa nga vlerësimet e qëndrimet e tij ndaj nesh në dy veprat kryesore të tij “Popullsia sllave në Shqipëri” dhe “Popullsia bullgare e Pollogut”.

Selishçevi ka mbaruar Universitetin e Kazanit në vitin 1910 në degën e gjuhësisë. Mbas përfundimit të studimeve, për rezultate të mira është emëruar asistent në atë universitet. Që në fillim të punës ai i është kushtuar dialekteve të gjuhës bullgare, dhe në këtë kuadër, në vitin 1914 e kanë dërguar për rreth dy muaj në Maqedoni.

Gjithë jetën e tij ka punuar në universitete të ndryshme të Rusisë e të Bashkimit Sovjetik. Në vitin 1929 është pranuar anëtar i Akademisë Shkencave të Bashkimit Sovjetik, ndërsa në 1931 është pranuar anëtar i Akademisë së Shkencave të Bullgarisë.

Selishçevi është autor i shumë veprave, ndërmjet të cilave i historisë së gjuhës ruse, i gramatikës krahasuese të gjuhëve sllave etj. dhe vlerësohet si një ndër sllavistët më të shquar të shekullit 20-të. Në veprat e tij ai ka mbrojtur tezën bullgare se “Maqedonia është Bullgari dhe se gjuha maqedonase është dialekt i gjuhës bullgare”, madje edhe në “Përmbledhja e veprave” të Selishçevit, botuar në Moskë në vitin 1968, dialektet e maqedonishtes paraqiten si pjesë e “territorit gjuhësor bullgar”…

Në vlerësimin e veprës së tij, disa studiues e personalitete të shkencës ruso-sovjetike janë shprehur se ai, me veprën e tij, ka mbështetur pretendimet bullgaro-mëdha. Kështu, drejtori i Universitetit të Gjuhësisë të Moskës, Pr. Boçaçer, në vitin 1932 shkruante:

“Profesor Selishçevi në këtë luftë për Maqedoninë u bë mbështetës i imperializmit bullgar… Duhet të dish të dallosh “shkencëtarët” nga zbuluesit e regjimit caristo-borgjez….”.

Ndërsa Pr.Bershtejn ka shkruar: “Selishçevi është ndër mbrojtësit më autoritarë të të drejtave bullgare mbi Maqedoninë”.

Tërheq vëmendjen fakti se dy veprat e tij të përmendura më sipër, janë botuar për herë të parë në Bullgari në gjuhën ruse, dhe janë ribotuar përsëri në Bullgari në vitin 1981, në kuadrin e 1300 vjetorit të krijimit të Shtetit të parë Bullgar, po në rusisht, botim fototip.

“Popullsia sllave në Shqipëri”, është ribotim i botimit të parë të vitit 1931, botuar atëherë në Sofje nga shtëpia botuese e Institutit të Studimeve Maqedonase. Libri ka 352 faqe dhe ndahet në shtatë kapituj.

Ai hapet me një parathënie të shkurtër, shkruar nga Jordan Zaimov, (ku dalin qartë qëllimet e botimit të këtij libri). Aty jepen disa të dhëna biografike të Selishçevit. Ai ka lindur në vitin 1886 në një fshat afër Moskës. Ka mbaruar Universitetin e Kazanit dhe që nga ajo kohë i është kushtuar gjuhës bullgare dhe gjuhëve sllavoperëndimore. Mbas Revolucionit të Tetorit ai ka punuar në Universitetin e Moskës, si shef i Katedrës së Gjuhëve Sllave. Në vitin 1929 është zgjedhur Anëtar Korrespondent i Akademisë së Shkencave të Bashkimit Sovjetik, ndërsa në vitin 1931 i Akademisë së Shkencave të Bullgarisë. Ka vdekur në vitin 1942. Në vitet 1951-1952 është botuar përmbledhja e veprës së tij.

Në hyrje të librit botohet përmbledhja e veprave të Selishçevit kushtuar bullgaristikës si libra, artikuj, recensione etj.

Vëmë në dukje se me përjashtim të parathënies dhe të dhënave biografike për Selishçevin, që janë shkruar në bullgarisht, e gjithë pjesa tjetër është në gjuhën ruse.

Duke gjykuar nga përmbajtja, mund të thuhet se ajo është ndër veprat më antishqiptare dhe keqdashëse të botuar nga historiografia ruse dhe sovjetike. Sigurisht që ribotimi në atë periudhë në Sofje, në kuadrin e 1300 vjetorit të krijimit të shtetit të parë bullgar, lidhej me problemet e ngatërruara ballkanike, veçanërisht marrëdhëniet e tensionuara bullgaro-jugosllave për problemin maqedonas, rritjen artificiale të nacionalizmit bullgar, pretendimet ndaj fqinjëve etj.

Siç thamë më sipër, libri hapet me një parathënie, shkruar nga studiuesi bullgar J.Zaimov. Megjithëse jo më shumë se një faqe e gjysmë, shihet qartë qëllimi i botimit të këtij libri. Kështu që në fillim, për ta bërë sa më bindëse përmbajtjen e këtij libri thuhet se:

“Libri i Selishçevit “Popullsia sllave në Shqipëri” është bërë klasik në sllavistikë në saj të cilësive të veta shkencore, objektivitetit, depërtimit në shkaqet e zhvillimeve, materialit të gjerë të grumbulluar… Duhet theksuar se edhe sot ky është përshkrimi më i saktë dhe më i hollësishëm i kufirit të dialektit bullgar midis detit Adriatik dhe Maqedonisë”

Pretendimet bullgare të asaj periudhe, Zaimovi i jep shkurtimisht me pak fjalë, por mjaft qartë kur shkruan:

“Ky studimi i Selishçevit jep të dhëna të jashtëzakonshme si për vendbanimet fillestare të sllavëve bullgarë në këtë pjesë të Ballkanit, ashtu dhe për kufirin historik të gjuhës dhe fjalorit bullgar”

Pretendimet e përsëritura shumë herë, se në Shqipëri jetojnë shumë bullgarë në tokat e tyre, autori e çon edhe më tutje, kur shkruan se përveç atyre që jetojnë sot aty dhe që janë në periudhën e asimilimit, në Shqipëri ka pas shumë bullgarë, por që me kohë janë asimiluar. Kështu ndërmjet të tjerash ai shkruan:

“Pjesa më e madhe e popullsisë bullgare në Shqipërinë e Jugut dhe të Mesme është shqiptarizuar shumë vonë”

Libri i Selishçevit, që nga fillimi e deri në fund përshkohet nga një frymë e theksuar antishqiptare, e mbushur me epitete nga më banalet, por edhe nga një frymë e theksuar pansllaviste.

Kështu që në parathënien e shkruar nga Selishçevi në botimin e parë thuhet:

“Popullsia sllave në Shqipëri ka qenë shumë e madhe”

“Ky studim sqaron kufijtë e shtrirjes së sllavëve të grupit bullgar në Jug Perëndim dhe të sllavëve të grupit serb të Jug Lindjes: sllavët e shtrirë në basenin e Bistricës së Jugut, Vjosës, Devoll-Semanit, Shkumbinit dhe në perëndim të Drinit të Zi i përkasin grupit bullgar, sllavët në rajonin e Shkodrës dhe në disa vende në Veri të Drinit i përkasin grupit serb”.

Në vazhdën e pretendimeve sllave ndaj nesh (pavarësisht bullgare, serbe, malazeze, apo maqedonase) ose edhe si paraprijës i tyre, ky “autoritet i madh” shkencor del me pretendime se ne shqiptarët kemi asimiluar popullsinë sllave, kur shkruan se:

“Në kushtet e jetesës shoqërore, ekonomike dhe etnike të sllavëve në Shqipëri, dalin qartë kushtet e procesit të shqiptarizimit…

“Analiza linguistike e fjalëve sllave të huazuara në gjuhën shqipe dhe të toponimeve vërtetojnë se procesi i shqiptarizimit të popullsisë sllave ka qenë mjaft i gjatë….”

Libri ndahet në shtatë kapituj dhe konkretisht:

  • Kufiri Jugperëndimor i hapësirës së gjuhës bullgare në kohën e sotme (fq.1-47).
  • Marrëdhëniet politike kulturore-shoqërore dhe marrëdhëniet etnike në Shqipëri (fq.48-94)
  • Fjalët sllave të huazuara në gjuhën shqipe (fq.141-200)
  • Emërtimet topografike sllave në Shqipëri (fq.201-276).
  • Veçoritë e dialekteve sllave në Shqipëri (fq.277-326)
  • Lista e fjalëve sllave të huazuara në gjuhën shqipe (fq.327-335)
  • Lista e emërtimeve topografike sllave në Shqipëri (fq.336-351)

Libri shoqërohet me një hartë të nomenklaturës topografike sllave të Shqipërisë, hartuar nga vetë autori. Në libër, në formë “shtojce” janë sjellë raporte të konsujve rusë në Prizren, Shkodër, Janinë etj. si dhe materiale të tjera, kryesisht nga autorë sllavë, që zënë rreth 50 faqe.

 

***

Megjithëse autori pretendon se niset nga qëllime të mirëfillta shkencore, duke u bazuar kryesisht në studime gjuhësore, ai merret dhe trajton probleme historike, gjeografike etj. të cilat, siç do e themi më poshtë, nxjerrin në pah qëllimet e tij antishqiptare. Megjithëse gjithë libri përshkohet nga kjo frymë, kjo bie më në sy më shumë në dy kapitujt e parë.

Kështu në kapitullin e parë, duke dashur të argumentojë “shkencërisht” shtrirjen e sllavëve bullgarë në tokat shqiptare, autori kapërcen kufijtë gjuhësorë dhe kalon në ato gjeografikë duke e paraqitur veten si njohës i madh i kësaj fushe. Ai merr përsipër të përcaktojë edhe kufijtë midis bullgarëve dhe shqiptarëve, që sipas tij, i kalojnë shumë kufijtë tanë të sotëm. Nuk është e rastit që përcaktimet e tij “shkencore” për kufijtë tanë përkojnë me ato të Bullgarisë së Shën Stefanit të përcaktuar nga Rusia në vitin 1878. Madje, në këtë ndërmarrje ai shkon edhe më thellë në tokat tona, kur thotë se “në vet qytetin e Korçës deri pak kohësh ka pas dy mëhalla me popullsi bullgare. Në disa fshatra të tanishme shqiptare pleqtë kujtojnë gjuhën e tyre të mëparshme-bullgarishten”. (Vëmë në dukje se nuk bëhet fjalë për pakicat sllave të Prespës apo të verilindjes së Shqipërisë).

Po ashtu në përcaktimin e kufijve të tokave bullgare dhe të popullsisë bullgare, autori futet edhe në thellësi të tokave shqiptare të Kosovës, duke e quajtur popullsinë e Prizrenit e tokave për rreth, të Mitrovicës, të Pejës etj. si popullsi autoktone bullgare që jeton në toka bullgare.

Një problem tepër i rëndësishëm që autori merr përsipër të “zgjidhë” është ai i popullsisë shqiptare në Maqedoni (sipas autorit, për toka shqiptare aty as mund të bëhet fjalë). Kështu mbasi përshkruan kufirin bullgar të Shën Stefanit, ai pranon “vendbanime shqiptare në Lindje të vijës kufitare, në Maqedoninë Perëndimore, ka në shumë vende” por se, sipas tij:

“Shqiptarët nuk përfaqësojnë rajone të populluara kompakte: fshatrat e tyre ndodhen në territore bullgare”, ose “shqiptarët zënë një pjesë të këtij apo atij fshati bullgar”.

Vlen të vihet në dukje se, kur flet për popullsinë shqiptare në Maqedoni (në vitin 1912-1913, ai përmend shifrën rreth 200 mijë vetë), pa dashje u bie ndesh shifrave të dhëna nga Shkupi, që sado të thjeshtuara t’i bëjnë llogaritë, sot, pas më shumë se 100 vjetësh, shifrat do të nxirrnin në pah falsifikimet për popullsinë e vërtetë shqiptare që jeton sot në këto toka…

Në vazhdën e falsifikimeve, autori, megjithëse pranon se në këto toka jetojnë shumë shqiptarë, ashtu si dhe shumë historianë serbë, bullgarë, maqedonas etj. para tij e mbas tij, del me tezën se kjo popullsi është e ardhur. Kështu ndërmjet të tjerave ai shkruan:

“Popullsia shqiptare në Maqedoni është e prejardhjes së para pak kohshme. Shqiptarët janë vendosur këtu kryesisht gjatë shekujve XIII-XIX.

Sipas dokumenteve, në Maqedoninë Perëndimore, shqiptarët janë dukur në fund të shekujve XIII e XIV”.

Por ai nuk ndalet me kaq. Edhe Selishçevi, si disa historianë sllavë (rusë, serbë, bullgarë, maqedonas etj.) shkruan se Kosova dhe Maqedonia Perëndimore (Shqipëria Lindore) nuk janë shqiptare, dhe se shqiptarët janë vendosur vonë në këto toka. Mjafton pasazhi i mëposhtëm për të kuptuar pretendimet e tij, por edhe urrejtjen e mllefin e tij për shqiptarët:

“Shekujt XIV-XV janë koha e shpërndarjes së fuqishme, nganjëherë të stuhishme e shqiptarëve që zbrisnin nga malet dhe drejtoheshin në krahinat fqinje, siç do të thuhet për këtë me hollësi në kapitullin tjetër. Në lëvizjen e tyre, ata, që në atë kohë ngushtonin popullsinë sllave. Ekspansionin më të fuqishëm, nganjëherë të furishëm, shkatërrues, grabitqar për në Lindje e në Veri, lëvizja shqiptare e pati në fund të shekullit XVII dhe në shekujt XVIII-XIX. Dobësia e pushtetit turk në Shqipëri dhe në Maqedoni, pushteti i pashallarëve shqiptarë, varfëria e shumë vendeve malore shqiptare, vjedhja e grabitjet, ikjet nga gjakmarrja, të gjitha këto krijuan kushte për shpërnguljen dhe shkuarjen e shqiptarëve në vende sllave në Jug Lindje të Shqipërisë, në Maqedoni dhe në Serbinë e Vjetër (Kosovë-shënimi im). Terrori i përgjakshëm shoqëroi vendosjen e shqiptarëve në këto krahina”.

Të gjitha këto, sipas autorit kanë vazhduar deri vonë:

“Inkursionet dhe popullimi me forcë i shqiptarëve në Maqedoni ka vazhduar deri kohët e fundit, deri në Luftën Ballkanike 1912-1913. Të dhënat e dokumenteve vërtetojnë se disa rajone në Maqedoninë Perëndimore janë bërë shqiptare gjatë shekullit XIX ose vetëm gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit…”.

Autori për të “argumentuar pushtimin e tokave sllave” nga shqiptarët, nisur nga pozita raciste e diskriminuese, ashtu si disa autorë të tjerë antishqiptarë, ku shquhen disa sllavë, merr përsipër të trajtojë karakterin e shqiptarit, të cilin e trajton më shumë si njeri të egër, të aftë vetëm për grabitje, vrasje e përdhunime. Këtij problemi ai i kushton një vend të dukshëm në librin e tij, dhe duke u përpjekur ti bëjë sa më bindëse pretendimet e tij, ai sjell si “fakte”, “përveç atyre që ka parë më sytë e tij” edhe “të dhëna e fakte” të udhëtarëve apo “shkencëtarëve” që janë marrë me këtë problem, ku një vend i rëndësishëm i kushton raporteve të diplomatëve rusë që kanë punuar në Prizren, Shkodër, Manastir etj.

Shqiptarin ai e përshkruan si kriminel e vrasës, që sipas tij, duket që në pamje të jashtme. Kështu, duke bërë krahasimin e pamjes së jashtme midis shqiptarëve e sllavëve (bullgarëve në rastin konkret) shkruan:

“Por bullgarët janë më të shëndoshë, me peshë më të madhe, fytyrat e tyre janë shpesh të rrumbullakëta dhe shumë të dashur, përkundrazi, shqiptari është i dobët, muskulor, fytyra e tij e zgjatur dhe me hundë shqiponje, sytë i ka më të qartë dhe më të zinj se të bullgarëve . Në veçanti këta shqiptarë i karakterizon vështrimi jashtëzakonisht i egër, gjë që duket se ata janë popull bandit…”

“Këtu na tha shoqëruesi është Shqipëria, populli-gegë, njerëz jo të mirë, se të tillë banditë si gegët bota nuk ka nxjerrë…” (Fq.16)

“Ata (shqiptarët) kanë sy depërtues, natën shohin më mirë se ditën. Prandaj ata janë hajdutë të mëdhenj dhe rrezikojnë natën njëlloj si ditën …”

“Shqiptarët edhe para shekullit të XIV dhe në shekujt e më vonshëm e shohin grabitjen si mjet të ekzistencës… Aftësia e tyre për sulme dhe vjedhje, në fillim të shekullit XIV dhe në shekujt e mëvonshëm ka bërë që të mendohet se ata kanë aftësi të veçantë të syve, për të parë natën njëlloj si ditën…”

“Prirja tradicionale e shqiptarëve për grabitje si mjet jetese është forcuar në vartësi nga natyra malore e krahinës së tyre. Që prej shumë kohësh ata kryejnë sulme në vende të pasura, grabisin popullsinë, kthehen mbrapsht ose vendosen në këto vende. Të dhëna për të tilla sulme ka që nga shekulli XIII-të e deri na fillim të shekullit XIX…” (Fq.85-86-87)

(Vijon)

Share This Article
7 Comments
  • O Shaqo, duhet te kuptosh qe kur ka qene Perandori Bullgaria ka pas pushtuar kryesisht kete zona qe kane dashur t’ia japin ruset ne 1878. Kta qe kane bere libra ne rusisht si pasoje e mbeshtetjeve edhe ne gojedhenat e konsujve qe kane qene aty thjesht kane qene zarat klasik qe i kane sherbyer dyshes se diplomacise se asaj kohe. Ndersa tani ruset kane ne preference serbet. A do te lejojme ne te behet i njejti gabim “nese” historia perseritet? Te bejme ne fillim e te shohim pastaj.

  • Shkrim i sakte, qe tregon qe jo vetem ruset cariste perkrahnin sllavet e Ballkanit, por edhe sovjetiket. Duhet theksuar se rusia u be mbreteri cariste në vitin 1547, me carin Ivani i IV (Ivani i tmershem). Pra para kesaj date nuk ka patur mbeshtetje në Ballkan. Te gjitha analizat e Salishevit para kesaj date jane spekullime. Perpara se te krijohej shteti rus, ka ekzistuar shteti ukrahinas, me ate qe quhej “Kievian Rus”, qe ndihmoi Bizantin e Bazilit te II te shkateronte Perandorine e Pare Bullgare në vitin 1018.

  • Mbase jam I dobet ne histori por une di qe me 1878 trojet tona ishin nen perandorine turke dhe emertoheshin “vilajet”.Shkurt traktati I shen stefanit I mpononte turqise kushte,sic cdo fitimtar ne lufte.Te gjitha ato shtete qe permend profesori ishin shtete qe kishin peshe ne Europe.Te gjitha mareveshjet per ndarje teritoresh bazoheshin ne emertime shtetesh dhe kombesish :sllave,greke,turq.Fjala anti shqiptar nuk ka vend ne kete histori.Interasat e Austro-Hungarise per te mos lene Italine te kapercenteAdriatikun dhe perpjekjet e inteligjences shqiptare ndonese e dobet cuan ne pavaresine e shqiperise duke shfrytezuar perandorine e rene te stambollit.

    • “Fjala anti shqiptar nuk ka vend në kete histori” shkruan “mali”! Malishevi librin e tij e ka botuar në vitin 1931, në kohen sovjetike, dhe 30 perqind e tokave qe banoheshin nga shqiptaret kishte fituar pavaresine në vitin 1912, ndersa 70 perqind ishin gllaberuar nga Jugosllavia, Mali I Zi dhe Greqia. Dy lufterat Ballkanike dhe lufta e Pare Boterore ja hoqen Bullgarise, ate qe Rusia perpiqej t’ja jepte në vitin 1878. Pra te gjithe ishin anti shqiptar, madje në madhesine infinit.

  • NË KOSOVË JETOJNË 3.100.000 SHQIPTARË, NDËRSA NË MAQEDONI 1.400.000 DHE SHQIPTARËT JANË KOMBI MË I MADH NË BALLKAN says:

    Numri i shqiptarëve në Kosovë u deklarua në regjistrimin e popullsisë në 2011 qëllimisht vetëm rreth 1.620.000 dhe duket qartë që është një mashtrim i qëllimshëm sepse ky numër është gati i njëjtë me numrin prej afërsisht 1.596.000 shqiptarë që u deklarua në regjistrimin e 1991 në Kosovë por ai regjistrim u bojkotua nga shqiptarët. Në fakt në 1991 në Kosovë banonin afërsisht 2.200.000 shqiptarë dhe afërsisht 350.000 shqiptarë ishin emigrantë që domethënë që shqiptarët e Kosovës në 1991 ishin gjithsej afërsisht 2.550.000 individë. Regjistrimi i 2011 është aq qesharak sepse numri i shqiptarëve në Kosovë u deklarua gati aq sa u deklarua në regjistrimin e 1991. Në fakt ishin rreth 2.750.000 shqiptarë banorë rezidentë në Kosovë. Ky mashtrim u bë që numri i shqiptarëve në Kosovë të duket sa më i ulët dhe Kosova të duket sa më multietnike.

    Numri i lindjeve të shqiptarëve në Kosovë është afërsisht 60.000 në vit, lindshmëria është 2% e popullsisë dhe shtimi natyral i popullsisë është 1,6%.. Në 2002 në Kosovë banonin afërsisht 2.400.000 shqiptarë.

    Dihet që në të gjitha regjistrimet në kohën e pushtimit në 1921, 1931, 1948, 1953, 1961, 1971, 1981 dhe 1991 numri i shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Luginë të Preshevës, Sanxhak dhe Mal të Zi është deklaruar shumë më i ulët se sa ka qënë në të vërtetë. Aktualisht në Kosovë banojnë rreth 3.100.000 shqiptarë.

    Në Kosovë qeveritë gjithmonë kanë gënjyer për numrin e lindjeve dhe numrin e nxënësve. Numri i emigrantëve shqiptarë nga Kosova është rreth 1.500.000 në vendet e Europës, SHBA, Kanda dhe Australi. Këtu nuk përfshihen shqiptarët në Turqi sepse ata janë asimiluar në masë të konsiderueshme dhe nuk e kanë nënshtetësinë e Kosovës. Kosova ka me emigrantët shqiptarë gjithsej afërsisht 4.600.000 shqiptarë.

    ***

    Në regjistrimin e popullsisë në 2002 numri i shqiptarëve në Maqedoni u deklarua afërsisht 509.000. Por në të vërtetë ishin afërsisht 1.050.000 shqiptarë në Maqedoni. Shqiptarët janë aktualisht afërsisht 1.400.000 banorë në Maqedoni. Numri i sllavo-maqedonasve është afëtsisht 1.100.000 por nga këta janë afërsisht 200.000 shqiptarë që nuk deklarojnë etninë e tyre të vërtetë dhe janë shumë të asimiluar. Shqiptarët janë shumica absolute e popullsisë në Shkup, Dibër, Strugë, Tetovë, Gostivar, Kumanovë, Kërçovë, Krushevë, Çashkë dhe Dollnen. Shqiptarët janë me afërsisht 55% shumica absolute e popullsisë në Shkup. Më herët kanë qënë edhe shumicë absolute e popullsisë në Manastir, Ohër, Resnje, Përlep dhe Veles. Në 1912 në territorin e Maqedonisë së sotme banonin 650.000 shqiptarë dhe 400.000 sllavo-maqedonas. Shqiptarët ishin para 1912 me mbi 61% shumica absolute e popullsisë në territorin e Maqedonisë së sotme.
    Numri i lindjeve të shqiptarëve në Maqedoni është afërsisht 28.000 në vit, lindshmëria është 2% e popullsisë dhe shtimi natyral i popullsisë është 1,6%.

    Minoritetet e tjera janë afërsisht 200.000. Nga minoritetet e tjera janë afërsisht 75.000 që deklarohen turq por nga këta janë afërsisht 60.000 shqiptarë dhe ata dinë edhe shqip. Numri i popullsisë në Maqedoni është gjithsej afërsisht 2.700.000 dhe nga kjo popullsi rreth 1.400.000 janë shqiptarë dhe deklarohen hapur shqiptarë. Shqiptarët janë me rreth 52% shumica absolute e popullsisë në Maqedoni dhe Maqedonia është shteti i tretë me popullsi shumicë shqiptare. Shqiptarët kanë afërsisht 15 vjet që janë bërë përsëri populli më i madh në Maqedoni. Nga Maqedonia janë gjithsej rreth 250.000 emigrantë shqiptarë edhe kjo domethënë që shqiptarët e Maqedonisë janë gjithsej rreth 1.650.000 me emigrantët e tyre. Nga të gjithë nxënësit në Maqedoni afërsisht 70% janë nxënës shqiptarë. Në Maqedoni numrat zyrtarë të deklaruar të nxënësve shqiptarë gjithmonë kanë qënë edhe janë të fallsifikuar qellimisht ashtu si kanë qënë edhe janë të fallsifikuar qellimisht edhe numrat e banorëve shqiptarë dhe numrat e lindjeve të shqiptarëve.

    ***

    Në Luginën e Preshevës banojnë afërsisht 180.000 shqiptarë dhe jo rreth 100.000 si deklarohet. Me emigrantët e tyre shqiptarët e Luginës së Preshevës janë rreth 250.000. Shqiptarët në Mal të Zi janë rreth 80.000 dhe jo rreth 30.000 si deklarohet qëllimisht gabim nga Mali i Zi. Me emigrantët e tyre shqiptarët e Malit të Zi janë rreth 120.000. Këta janë vetëm ata që deklarohen shqiptarë.

    Shqiptarët janë, duke mos e llogaritur Rumaninë, kombi më i madh në Ballkan. Gjithsej shqiptarët janë afërsisht 9,2 milionë individë në Ballkan. Me emigrantët shqiptarët janë afërsisht 11,8 milionë individë.

    Në këto shifra përfshihen vetëm ata që deklarohen shqiptarë. Me arvanitët dhe shqiptarët e tjerë në Greqi këto shifra do ishin shumë më të larta. As shqiptarët e Turqisë nuk përfshihen në këto shifra. Në krahasim me shqiptarët kombet e tjera të Ballkanit janë shumë të vegjël. Në Ballkan vetëm shqiptarët kanë shtim të popullsisë kurse kombet e tjera kanë humbje të popullsisë. Shqiptarët ishin deri në krijimin e shtetit grek nga arvanitët në fillim të shekullit të 19 kombi me popullsinë dhe territorin më të madh në Ballkan sepse edhe arvanitët deklaroheshin hapur shqiptarë.

    Shumica e shqiptarëve që banojnë në Çamëri, Artë, Janinë, Konicë, Follorinë, Kostur, Grebene dhe Meçovë e flasin gjuhën shqipe. Me ata janë afërsisht 10 milionë shqiptarë në Ballkan. Edhe shumë arvanitë e flasin gjuhën shqipe. Numri i arvanitëve është gjithsej afërsisht 5 milionë individë.

  • Shqipëria dhe shqiptarët jashtë Republikës së Shqipërisë kanë shtimin natyral të popullsisë më të lart në Europë. Gati të gjitha vendet e tjera të Europës kanë humbje të popullsisë dhe vetëm pak vende si Franca, Anglia dhe Irlanda kanë shtim të pakët natyral të popullsisë. Të gjithë artikujt e OKB, BE dhe organizatave të tjera që deklarojnë sikur Shqipëria ka pakësim të popullsisë dhe do ngelin vetëm afërsisht 1 milion ose edhe më pak banorë në vend janë thjeshtë gënjeshtra. Me këto gënjeshtra kërkohet të arrihet ulja e shtimit natyral të popullsisë së Shqipërisë dhe shtimi i emigrimit jashtë vendit. Shqipëria ka aktualisht gati 4 milionë banorë rezidentë. Shtim të njëjtë natyral të popullsisë si Shqipëria e ka Turqia por ky vend është gati plotësisht në Azi dhe jo në Europë.

    Në përgjithësi bëhet një propagandë shumë e keqe në mediat shqiptare kundër Shqipërisë duke e deklaruar gabimisht si “vendin më të varfër në Europë“. Duhet ta dinë të gjithë se “vendi më i varfër në Europë“ është Moldavia dhe pastaj vinë Ukraina, të gjitha vendet e tjera të Ballkanit dhe Bjellorusia. Shqipëria e ka prodhimin e brendshëm bruto (GDP) për banor aq sa e ka edhe Rumania. Shqiptarët janë mesatarisht më të pasur se sa janë mesatarisht banorët e këtyre vendeve të përmendura. Nëse prodhimi i brendshëm bruto i Shqipërisë nuk do kishte rënë gjithsej me rreth 41% në 1990, 1991, dhe 1992 për shkak të shkatërrimit të konsiderueshëm të industrisë, fabrikave dhe gjithë ekonomisë. Shqipëria do e kishte sot prodhimin e brendshëm bruto real për banor aq sa e kanë Italia, Spanja dhe Çekia sepse Spanja dhe Çekia e kanë arritur prodhimin e brendshëm bruto real për banor të Italisë.
    Instati dhe qeveritë i kanë fallsifikuar pas 1990 të gjitha të dhënat për ekonominë e Shqipërisë ashtu siç i kanë fallsifikuar edhe të gjitha të dhënat për demografinë e Shqipërisë. Në 1975 Shqipëria e kishte arritur prodhimin e brendshëm bruto për banor sa e kishin Spanja dhe Çekosllovakia dhe të njëjtë me këto vende e kishte deri në 1990. Shipëria nuk e arriti prodhimin e brendshëm bruto për banor të Italisë, Francës dhe Anglisë por barazimi i prodhimit të brendshëm bruto për banor i Shqipërisë me prodhimin e brendshëm bruto për banor të Spanjës dhe Çekosllovakisë ishte një arritje e madhe. Shqipëria ua kishte kaluar Portugalisë, Greqisë, vendeve ballkanike dhe gati të gjitha vendeve socialiste në Europë. Vendet më të varfra të Europës ishin Jugosllavia, Bullgaria dhe Rumania. Prodhimi i brendshëm bruto për banor i Shqipërisë ishte gati sa dyfishi i prodhimit të brendshëm bruto për banor të secilit të këtyre vendeve. Shqipëria ishte vendi i tretë prodhues më i madh i kromit në botë në sasi absolute pas Bashkimit Sovjetik dhe Afrikës së Jugut dhe vendi i parë prodhues më i madh i kromit në botë për banor. Shqipëria ishte dhe është edhe sot vendi me

    prodhimin më të madh të naftës për banor në Europë. Por në atë kohë prodhimi i naftës ishte më i madh se sa është sot.

    Nga 1950 deri në 1980 Shqipëria e kishte rritjen ekonomike mesatarisht 8,7% në vit. Nuk kishte asnjë vend tjetër në kontinentin europian rritje ekonomike aq të madhe. Spanja e kishte 5,7%. Vendet e tjera të Europës Perëndimore e kishin 4-5%. Greqia e kishte 5,8% kurse vendet e tjera ballkanike më pak se 5%. Vendet e tjera socialiste të Europës Lindore e kishin afërsisht 5%. Rritjen ekonomike të Shqipërisë nuk e arriti dot asnjë vend tjetër në Europë. Dihet që Shqipëria kishte edhe ushtrinë më të fortë në Ballkan.

    Për nga arsimimi, përqindja e popullsisë me shkollë të lartë dhe përqindja e popullsisë me shkollë të mesme Shqipëria ua kalonte Italisë. Spanjës, Portugalisë, Anglisë. Francës, Gjermanisë, Greqisë, të gjitha vendeve të tjera të Ballkanit, gati të gjitha vendeve socialiste dhe ishte e barabartë me vendet me popullsinë më të arsimuar në Europë.

    Në të gjitha vendet socialiste të Europës u shkaktuan kriza artificiale në vitet 1985-1990 për të gënjyer opinionin publik për ndërrimin e sistemit që u bë në të gjitha këto vende në 1989 dhe 1990. Në Rumani, vende të tjera socialiste në Europë dhe vendet e tjera ballkanike kriza ishte më e madhe se sa në Shqipëri. Por në 1945 dhe gjithashtu në 1950 Shqipëria e kishte ekonominë dhe prodhimin e brendshëm bruto për banor të barabartë me Rumaninë dhe vendet e tjera ballkanike dhe këto ishin vendet më të varfra në Europë. Shqipëria kishte prodhim dhe përpunim shumë të madh industrial nafte, kromi, nikeli, hekuri, bakri, bitumi etj. dhe prandaj e arriti një zhvillim kaq të madh ekonomik. Sot në Shqipëri të ardhurat mesatare janë njëjtë si në Rumani. Shqipëria dhe Rumania i lënë pas Bullgarinë, Moldavinë, Ukrainën, Bjellorusinë dhe të gjitha vendet e tjera të Ballkanit që nuk janë në BE. Në Shqipëri duhet ta dinë që vendet e tjera ballkanike kanë gjithashtu shumë emigrantë. Bullgaria ka afërsisht po aq emigrantë sa Shqipëria. Kurse Rumania ka afërsisht 3,5 milionë emigrantë që është një numër shumë i madh emigrantësh.

    Arsyeja pse Shqipëria ka afërsisht 1,35 milionë emigantë është afërsia gjeografike me Italinë dhe Greqinë. Aktualisht Shqipëria e ka prodhimin e brendshëm bruto më të lart se sa Greqia por të ardhurat dhe niveli i çmimeve në Shqipëri janë mesatarisht më të ulëta se sa në Greqi. Nësë qeveria e Shqipërisë do i rriste të ardhurat në nivelin e të ardhurave në Greqi ose edhe më shumë nuk do Shqipëria nuk do kishte emigrantë në Greqi. Bullgaria dhe Maqedonia janë gjithashtu vende fqinje me Greqinë por kanë shumë më pak emigrantë në Greqi. Arsyeja për këtë është që Greqia ka qendrime armiqësore ndaj këtyre vendeve dhe kundër Bullgarisë ka bërë edhe luftra. Edhe kundër Shqipërisë ka bërë luftra Greqia. Por shqiptarët në përgjithësi nuk janë aq shovinistë sa popujt e tjerë të Ballkanit. Si gati të gjitha vendet e Europës dhe të Ballkanit edhe Greqia ka humbje natyrale të popullsisë.

  • Fjalia e pare ne paragrafin e trete ka nje gabim (shtypi?). Ne shek. e X Rusia nuk ekzistonte! Ajo shfaqet pas 1400-es. Ndaj ndoshta ne tekst eshte dashur te shkruhet, shek. XVIII, (pas 1700-es), cfare i pergjigjet realitetit te kohes per fillimet e ndikimit te Rusise ne Ballkan.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *