Për një thes me para

anazapta

Kur flitet për një thes me para, njerëzit ngrijnë në vend dhe e vetmja gjë që u rri jashtë iluzionit mbetet e kaluara. Irrealja kalon me shpejtësi skëterre kufijtë e imagjinatës dhe ekziston sublime brenda atij thesi; padron i të cilit ti po ëndërron që të bëhesh. Për një thes me para bëhesh tjetër e kurrë pas kësaj ti nuk do të jesh më ai që ke qenë; xhentil me njerëzit apo mosbesues; ti që e pije kafenë pa evituar lëpirjen e lugës, me të cilën trazoje sheqerin. Për një thes me para, një çift i ri shet i lumtur shtëpinë e vjetër që prind pas prindi e ka trashëguar; tek e cila dikush pas dikushi u shfaq nga hiçi e mësoi këmbadoras të zvarritet e më pas të hedhë hapat në këtë lëndë solide e josolide që quhet botë.

Çdo gjë bëhet për një thes me para. Qëndrat tregtare, ndërtuesit, fabrikat dhe bankat kanë emërues të përbashkët një thes me para kur duan të hyjnë ortake tek njëra – tjetra, me bindjen e paevitueshme se asnjë thes nuk ndahet në mes, veç do gjenerojë magjisht dy thasë të tjerë në progresion gjeomterik, siç ndodh ekzaktësisht në reaksionin zinxhir të shpërbërjes atomike. Ndodh ndonjëherë që kur paguan në supermarket, sikur të dhimbset t’i japësh arkëtueses monedhat e vogla duke i zgjatur kartmonedhën me prerje të madhe. Instiktivisht bëhesh pjesë e mendimit unik se paraja e madhe u takon gjigandëve, ty të mbetet të trajtosh me kursim qindarkat. Duke ecur me majën e gishtave në banjot e superhigjenizuara të Qendrave tregtare, të ndriçuara me mijëra drita të nevojshme ose jo, nuk të shkon në mendje se e gjithë kjo bëhet e mundur prej teje, që je konsumatori. Dkur, babai im pa në hyrje të një Qëndre të tillë një kalë bronzi me përmasa më të mëdha se e kalit origjinal.

” – Do ketë kushtuar një thes me para ” – më tha. Unë e aprovova, duke i rrëmbyer në ajër keqardhjen. Ai kalë kushtonte më tepër se një fushë e mbjellë me kumbulla apo pjeshkë, më tepër sesa një digë e thjeshtë për të mbledhur ujin dhe vaditur tokat e plasura për ujë. Ndoshta, ai kalë – një thes me para – kushtonte më shumë se i gjithë fshati i babait tim, që tashmë është braktisur nga të gjithë, duke mbyllur ciklin e disa qindra viteve ekzistencë.

E megjithatë, kur flitet për një thes me para të gjithë bëhen ëndërrimtarë. Të gjithë lozin ndonjë biletë llotarie, shpresojnë të gjejnë në rrugë ndonjë thesar apo mashtrohen nga shpikja më e vjetër e botës, që është emigrimi. Ëndërrojnë dhe shpresojnë në të voglën e tyre, duke ankuar se veç maskarenjtë mund të gëzojnë thasë me para. Qëlloi njëherë në bankë që po tërhiqja një shumë dhe arkëtari më tha me shaka se sado miliona të përmbajë një çek, nuk e ka të njëjtën shije të tufës me para në dorë. Për t’i kthyer shakanë i them se duhet të ishte fatkeqësi e madhe të punoje në bankë si arkëtar, meqë më kish thënë herëve të tjera se nuk kishin ndonjë rrogë kushedi.

Më pyet i çuditur se përse kisha këtë mendim dhe ia kthej se kalonin nëpër duar një thes me para përditë, ndërsa pas pune duhej të zbrisnin në tokë duke bërë hesapin e vogël të xhepit të tyre. Qeshëm bashkarisht, por duke dalë mendova se ka njerëz që idilin e tyre me paratë e kanë veç kur i numërojnë. Për ata mund të shkonte perfekt puna e arkëtarit.

***

” Shikojini këta kotësira! Blejnë pasurira e kështu bëhen më të varfër. Fuqi ata duan, e para së gjithash duan levën e fuqisë, shumë para – këta të pazotë! ” – Friedrich Nietzsche.

E megjithatë, ne e dimë se paraja është bërë e gjithëpushtetshme. E dimë se thesi me para sundon mbi shtetin, sundon mbi ndërgjegjen, sundon mbi të gjitha arsyet morale; sundon mbi humanizmin. U tha se në spitale do afishohen çmimet e shërbimeve. Natyrisht, në emër të transparencës. Edhe pse e çuditshme që kjo transparencë në emër të transparencës do rëndojë tashmë legalisht mbi të varfrit, qëkur fjala “transparencë” ka zëvendëuar fjalën” e arsyeshme”? Sepse dihet që të varfrit kanë mesatarisht më shumë probleme shëndetësore; kjo është një e dhënë e faktuar. Por sistemi është ky dhe zgjidhja e vetme është një thes plot me para.

Është e udhës që çdo njeri të fillojë e shkruajë në ballë çmimin e vet, sa më dinak e cinik – aq më i shtrenjtë, sa më i pushtetshëm – aq më i pashlyer dhe i palumtur nga Zoti i parave. Nëse ju mungojnë lajmet entuziaste, mos u kurseni të dini sesa i kushtojne lugët dhe pjatat filan pushtetari, kravatat dhe çorapet e një tjetri, sesa i kushton darka apo ditëlindja një tjetër pushtetari, apo se çfarë shkollash në Perëndim ndjekin fëmijët e filanit tjetër; krenarë të gjithë së bashku për të vetmen zotësi që i shpërbleu; bërjen sa më shpejt të një thesi me para! Në rradhën e dytë të kësaj lozhe meskine qëndrojnë pasanikët, që kanë ndarë me pushtetin thasët me para, sipas parimit të ortakëve.

Thasët me para që mbledhin brenda tregtira dhe trafiqe, drogëra dhe dinamit, mbetje radioaktive dhe patatina; të gjitha brenda pa dallim, justifikuar nga maksima e vjetër latine që paraja e pistë nuk kutërbon jashtëqitje. Sa më i madh biznesi – aq më i tmerrshëm shfrytëzimi, sa më e madhe banka – aq më i madh spekulacioni, sa më i lartë pushteti – aq  më  gjigand shpërdorimi. E sakaq, më e madhe arroganca.

****

Në edicionin e lajmeve u intervistua një deputet i majtë i komisionit të ekonomisë. Sqaroi se shtrenjtësimi i tarifave për shërbimet bazë, si energjia, uji i pijshëm, etj do bëheshin në mënyrë transparente, pas dialogimit me grupet e interesit. Imagjinata nuk më shkoi përtej ca zotërinjve me kostum mbrëmjeje dhe makina të shtrenjta, të cilët massmedia i cilëson “grupe interesi” e s’ka sesi të imagjinoj ndryshe. Jo shumë kohë më parë në një “takim” me një grup interesi të quajtur Fasonë u kërkua që të uleshin rrogat e punëtorëve. Grupi i interesit” të këtyre të fundit imagjinoj që nuk ekziston gjëkundi…

 

 

 

Share This Article
2 Comments
  • Shkrimtari kolumbian Nicolas G.Davila nenvizon :

    ” Njeriu i sotem nuk dashuron,por gjen strehim ne dashuri.Nuk shpreson,por gjen strehim tek shpresa.Nuk beson,por gjen strehim tek dogma.Njeriu i sotem eshte nje i burgosur qe kujton se eshte i lire ngaqe i shmanget te prek muret e qelise se tij ”

    Dhe perse ?!…Per ate ‘thesin me para’ !…Madje jane gati dhe lepireset e kalamajve t’u marrin nga duart !

    • Une di nje batute tjeter me muret,ku dikush thote se ne nje dhome te erret te diturit kerkojne me duar neper mure,kurse budallenjte rrine zoter ne mes te dhomes.E vertete eshte qe masat jane tulatur nga hegjemonia e propagandave,qe duan te bindin se thesi me para do ti takoje te gjitheve,mjaft qe te behen te ndergjegjshme se epoka e revolucioneve ka mbaruar.Nje bankier i shquar ka thene kete batute: kur isha i ri me quanin keqberes,ne moshe te pjekur me quanin spekulator,tani qe jam plakur me konsiderojne bankier te madh; une tere jeten kam bere te njejten gje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *