Për Olldashin nga një durrsake bashkëgjimnaziste

redaktor

I nderuar z.Thano. E nderuar DITA. Vitet e gjimnazit në Durrës i kalova tek shkolla “Naim Frashëri”. Diktatura e atëhershme nuk më pengon aspak t’i quaj ato vite të rinisë sime, vite të arta! Gjatë gjimnazit njoha edhe Kolin, (Olldashin), e bashkë me të miq të tjerë Maksin, Andin, Dorinën, Enin, Gretën. Ishim një brez i mirë, ndjej nostalgji ndërkohë që shkruaj. Muajt e verës ishin muajt e plazhit, muajt e xhirove, muajt e mbrëmjeve të ngrohta, ku dielli perëndonte mbi det dhe ne vazhdonim të luanim akoma volejboll në breg. U mbush viti që Koli është ndarë nga jeta dhe Durrësi e nderoi me një titull nderi.

Dikush mund të thotë: “E çfarë bëri Sokol Olldashi që të quhet qytetar nderi?!”. Përgjigjem me atë që njoh dhe që kam ndarë me të. Gjatë viteve të gjimnazit, Koli ishte një djalë i urtë, i sjellshëm, i edukuar dhe nxënës i mirë, gjatë verës shkëmbenim librat e ndaluar – kështu i quanim – Madam Bovari apo Ana Karenina, Niçe apo Frojd, Kant apo Hegel. Vitet e gjimnazit na formuan dhe miqësia që përmenda më lartë ishte e pastër dhe e sinqertë. Sot është e vështirë të gjesh të atillë miqësi. Durrsakët e njihnin njëri-tjetrin mirë asokohe, atëherë familjet u frekuentonin.

Hera e fundit që takova Kolin ishte Marsi i vitit 2007. Me të ndjerin profesor Enver Fajën, dekan në atë kohë tek Universiteti UFO, ku edhe unë isha Pedagoge e Historisë së Arkitekturës, menduam t’i bëjmë një vizitë. I telefonojmë dhe na priti tek selia e PD-së (kujtoj që akoma vuante humbjen si kryetar bashkie për Tiranën). Nuk isha aspak mbështetëse e PD-së, siç ishte profesori dhe Koli, por kjo nuk kishte aspak rëndësi as për mua, as për Fajën, as për Kolin. Gjatë drekës folëm gjatë për arkitekturën, folëm për Durrësin, për sheshin e qytetit dhe për mostrën, pallatin madhështor/gati gradaçelë, që ishte ndërtuar tek sheshi i Bashkisë, folëm për skandalin e ndërtimeve në plazh, sesi ishin zhdukur njëherë dhe përgjithmonë kujtimet tona, ishte/është zhdukur Agipi, Teuta, Apollonia, Hekurudha.

Kujtuam kohët e arta të rinisë, kujtuam miqtë, librat, muzikën. Më pyeti dhe e pyeta ku ndodheshin të tjerët: Në Belgjikë, në Gjermani, në Shqipëri. Vdekja e tij më goditi shumë, e kujtoj si tani. Hapa derën e shtëpisë këtu në Itali ku banoj dhe përpara me lot në sy më priti mamaja ime: Kesiana, – më tha, – ka vdekur Sokol Olldashi. Mamaja ime njihte prej vitesh mamanë e Sokolit. Ajo qante, unë qëndroja e ngrirë.

Provova atëherë të shkruaja diçka për Kolin, nuk mundesha. Ndërkohë sot (dje) lexova lajmin për titullin e nderit. Lexova dhe shumë komentues online që ishin kundër. U them: Ky titull nuk jepet vetëm për “burrëri politike”. Sado kundërshtarë të ketë pasur në jetën e tij politike Sokol Olldashi, ne, brezi i tij, pra ne durrsakët që u rritëm me të, njohim Sokolin me zemër të dëlirë.

 

Letër e nënshkruar

Dr.Kesiana Lekbello, Itali

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *