Zoti Kryeredaktor! Partia Demokratike është një pasuri kombëtare, por atë e ka kapur në kokë një gjarpër nga më helmuesit në rruzullin tokësor dhe e ka futur në një qorrsokak dhe këtë mund ta ndreqin vetëm djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë në atë parti. Kush i ka bërë keq popullit tonë, kush ka kryer krime kundër tij, të japë llogari dhe të marrë dënimin e merituar, përfshi këtu edhe kryekriminelin Sali Berisha për këto që shkrova dhe të tjera që populli i ka hequr e i heq në kurrizin e tij. Do të ishte mirë që të kishim një kryeprokuror si të Kroacisë dhe gjykatë si të Rumanisë. Kjo është një dëshirë pa humbur besimin tek prokurorët dhe gjykatësit tanë. Pavarësisht nga të korruptuarit dhe hileqarët, midis tyre ka edhe të ndershëm e me zemër të pastër prej shqiptari që e duan atdheun dhe mund të vënë gjithë dijenitë dhe aftësitë e tyre profesionale në shërbim të Atdheut për ta kthyer drejtësinë shqiptare atje ku duhet dhe i takon të jetë, për të kthyer besimin në popull.
Ndërsa për pozitën e sotme po them se deri më sot ajo ka thënë dhe ka rrahur gjoksin se do të bëjmë atë e këtë në shtator. Deri tani jemi në shtatorin e tretë. Pyes: kur do ta bëni, se dy vjet ju mbetën? Apo do ta dorëzoni si e morët dhe të bëni edhe ju si të parët?
Zoti Kryeredaktor! Ndoshta ka edhe shumë gjëra të tjera që analistët tuaj profesionalistë i analizojnë shkencërisht problemet dhe nxjerrin konkluzione me vlerë. Por unë jam një plak që i kam kaluar të tetëdhjetat dhe më gërryen nga brenda marazi për gjendjen në Shqipërinë tonë të dashur. Unë për vete kam një pension 23000 lekë dhe kam pak kohë për të jetuar. Por si i bëhet me këtë rini e këtë popull për të ardhmen?
Faleminderit! S. Kendrevica
