Nga Moikom Zeqo
1.
Analizat politike të botuara në gazetën “Dita”, për mendimin tim janë analizat më serioze në krejt shtypin shqiptar.
Konceptualisht esetë e shkrimet e Januz Bugajskit janë të nivelit më të lartë, të denja për çdo organ në rrafsh evropian, por edhe botëror.
E përmend këtë për të treguar se midis shumë shkrimeve alternative apo opinioniste që janë më tepër “lloqe” dhe “muhabete kafenesh”, referencat e Bugajskit tek “Dita” janë nga më seriozet për të qenë në optikën e reflektimit edhe të qeverisë së Shqipërisë.
Do të përmend edhe shkrimet analitike të kolegut të nderuar Bedri Zenel Islami, i cili është i vetmi që ka informacion të hollësishëm, përvojën e njohjes jo vetëm për klasën politike në Shqipëri, por sidomos edhe në Kosovë, edhe në Shkup.
Megjithatë është bërë shumë e vështirë të flasësh për politikën e “Ditës” në sensin profesional të hulumtimit dhe të sintezës.
Është shumë e vështirë për arsye të banalitetit të vetë politikës por dhe të mjedisit shqiptar, të opinionit publik të kontaminuar shpesh në mënyrë kapilare po nga ky banalitet i pashmangshëm.
Kam shumë vite që me qëndrimin kriticist jo vetëm për qeverisjen por dhe sidomos për opozitën, e kam konsideruar establishmentin e vjetër, si në përfundim të kronologjisë së tij për shqiptarët, pavarësisht një vonese kronologjike të pashpjegueshme lehtë.
Megjithatë sapo ka ndodhur diçka e rëndësishme në politikë, vetëkuptohet brenda mendësisë tipologjike shqiptare përsëri me vonesa dhe retrograde.
Sapo u krijua qeveria “Kurti” në Republikën e Kosovës.
Pavarësisht se zgjedhjet e para 3 muajve qenë korrekte, marrëveshja e stërmundimshme midis Vetëvendosjes dhe LDK-së për të konstituuar një koalicion dhe qeverinë, pas këtyre zgjedhjeve, siç e vuri në dukje dhe me një shkrim të shkëlqyer Rexhep Qosja u shpalos një realitet që të kujton klasën politike të establishmentit të vjetër ende rezistuese më Republikën e Kosovës.
Po pse e përshëndes qeverinë “Kurti” si një risi të politikës.
Albin Kurti dhe Vetëvendosja janë një rast unicum në 20 vitet e fundit në Kosovë.
Albin Kurti dhe Vetëvendosja kanë ndenjur plot 20 vjet në opozitë, dhe e kanë bazuar aksionin politik universal tw tyre kundër korrupsionit, duke besuar tek idealet e mëdha dhe morali vetjak dhe kombëtar, ndërkohë që partitë e tjera u dëmtuan rëndë nga korrupsioni, subjektivizmi dhe i ashtuquajtur “liderizëm bajraktar” të kryetarëve të partive.
Po të marrim rastin e Shqipërisë një situatë e tillë është akoma më e gjatë, vazhdon prej 30 vitesh dhe e ka çuar vendin në një ngërç politik shpesh shumë absurd.
Kundër të gjithë atyre që artikulojnë pandehmat dhe mëtojnë disfatën e qeverisë “Kurti”, kundër të gjithë orakujve skeptikë por edhe agresiv ndaj një risi politike të tillë unë mendoj se Albin Kurti dhe ekipi i tij, duke përfshirë këtu dhe një figurë politikaneje të përparuar në bashkohësi dhe në koncepte siç është Vjosa Osmani, tashmë kryeparlamentare e Kosovës, unë kam besim jo vetëm në qëndrimet më të drejta politike, jo vetëm në një konceptim më dinjitoz të politikës, jo vetëm në një konceptim të ri të raporteve edhe me Serbinë, por shëmbëlltyra e parimësisë, e guximit, e kulturës së lartë politike, e profesionalizmit, besoj se do të ndikojë pozitivisht edhe në raportet me Shqipërinë, me klasën politike të establishmentit të vjetër, që deri më sot nuk kanë mundur të realizojnë një risi të tillë politike si ajo që lidhet me emrin e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes.
Natyrisht që situatat janë shumë herë më të komplikuara dhe parashikimet janë plot ekuacione që duhen zgjidhur.
Por gjithsesi diçka tregon që lëvizjet e ndryshimeve në politikën shqiptare jo vetëm në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup apo dhe në Malin e Zi e kanë tendencën drejt emancipimit dhe të kapërcimit të situatave të vjetra, kaq shumë të rënduara, që kanë shpenzuar kohë dhe sfilitje.
2.
Në 4 shkurt isha i ftuar në shkollën e mesme “Ismail Qemali” së bashku me personalitete të tillë të shquar si Pëllumb Xhufi, Nasho Jorgaqi, Zhani Ciko etj për të marrë pjesë në një ceremoni reflektuese dhe përkujtimore për masakrën e 4 shkurtit të vitit 1944 të organizuar nga kolaboracionistët shqiptar të Rexhep Mitrovicës dhe të Xhaferr Devës, si dhe të Kadri Cakranit etj, ku u vranë 84 shqiptarë si dhe u arrestuan mbi 500 vetë, që u rrahën barbarisht dhe u internuan në kampet e përqendrimit dhe të vdekjes në Gjermani, ku kanë humbur jetën dhe shumica prej tyre nuk iu gjendën trupat dhe as identitetet e tyre, as për familjarët dhe as për popullin.
Projekti i një masakre të tillë që kolaboracionistët nazistë shqiptarë vranë bashkëkombasit e tyre me një gjakftohtësi barbare, nuk ishte vetëm një projekt i një hakmarrjeje kundër Antifashizmit Shqiptar, që e kundërshtonte pushtimin nazist, por dhe një servilizëm i ndyrë dhe antinjerëzor i kolaboracionistëve shqiptarë ndaj nazistëve gjermanë.
Përkujtimi i masakrës së 4 shkurtit, që në një farë mënyre është si Nata e Shën Bartolemeut shqiptar, ka një kuptim të madh jo vetëm që ka ngjarë në të kaluarën, ka një kuptim të madh dhe substancial për aktualitetin e sotëm, ku janë ringjallur idetë e pinjollëve të kolaboracionistëve si dhe të neofashistëve, që po bëhen një problem shqetësues edhe në Europë, por edhe për të ardhmen, jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të ardhmen që po ndodh në kontinentin tonë, në Europë.
Padyshim që projekti i një masakre të tillë, e kërkon nga forcat e errëta një “edicion të dytë”, ndoshta jo me gjak dhe shfarosje fizike, por një masakër konceptuale, të zhdukjes së kujtesës, të humbjes së çdo reference që ka ndodhur në histori.
Por ceremonia në shkollën “Ismail Qemali”, me veprimtari të ndryshme nga vajzat dhe djemtë e gjeneratës së re, qe kaq e tillë në vërtetësinë e saj në të vërtetën historike, saqë mund të bindesh që Kujtesa e ka atributin e rilindjes së saj dhe të mbijetesës.
Megjithatë duhej përkujtuar në mbarë Shqipërinë ky 4 shkurt, të qe subjekti i mediave elektronike dhe të shkruara, por dhe atyre audiovizuale, sidomos për gjeneratën e re.
3.
Viti 2020 është dhe viti i 100 vjetori të Kongresit të Lushnjës. Në 25 janar të këtij viti që është dhe data e hapjes së Kongresit të Lushnjës, në sallën e Akademisë së Shkencave u bë 100 vjetori i kësaj ngjarje historike të pashembullt.
E përsëris është 100 vjetor, pra një përvjetor i plotë dhe Qeveria e Shqipërisë duhet ta shpallte vitin 2020 si vitin e Kongresit të Lushnjës.
Pse është kaq i rëndësishëm Kongresi i Lushnjës në historinë moderne të Shqipërisë?
Sepse është një nga referencat më të mëdha të vetëdijes kombëtare të shqiptarëve.
Pavarësia e Shqipërisë e shpallur nga Ismail Qemali më 28 nëntor 1912, pati një vijimësi paradoksesh siç qe dhe Qeveria monarkike e Princ Vidit, pastaj anarkia e Shqipërisë dhe zhvillimi i luftërave ballkanike dhe Luftës së I Botërore në vitet 1914-1918.
Gjithë, Shqipëria e ashtuquajtur londineze është e pushtuar egërsisht nga shumë ushtri të huaja, reagimi kombëtar i shqiptarëve kundër këtyre pushtimeve, për shumë arsye qe shumë i plogët, i padenjë, dhe qe një periudhë jo shumë e vogël në vite që në të vërtetë Shqipëria qe inekzistente, në të vërtet dukej se Shqipëria kish pushuar së ekzistuari.
Kjo është një nga periudhat më të errëta të historisë moderne të shqiptarëve, në këto rrethana apokaliptike klasa politike e ahershme shqiptare, ndoshta jo me shumë emra të mëdhenj tregoi me organizimin e Kongresit të Lushnjës një vetëdije shumë të lartë kombëtare.
Këta politikanë në dukje modest, për famën e tyre vetjake bën një gjë të jashtëzakonshme, ata jo vetëm e ngritën zërin dhe morën vendime adekuate për mosprekjen e territorit të Shqipërisë së pavarur, jo vetëm e kundërshtuan pushtimin nga shumë ushtri të huaja, por shtruan si një reagim të madh dhe të jashtëzakonshme pikërisht të ardhmen politike të Shqipërisë, duke krijuar të gjitha mundësitë për zgjedhjet parlamentare të vitit 1923, për të krijuar kështu për herë të parë në Shqipëri jetën parlamentare, partitë politike.
Më 1925 Shqipëria u shpallë Republikë, një formë shtetërore kjo moderne e kohës ndonëse Ahmet Zogu si President i kësaj Republike, tre vite më vonë në 1928 e shkatërroi Republikën , e mohoi dhe e shndërroi Shqipërinë në Monarki dhe veten e shpalli Mbret të shqiptarëve. Por Kongresi i Lushnjës ka dhe një element tjetër historik: frymëzimin dhe fillesën e Luftës së Vlorës kundër pushtuesve italianë të Jugut, ngjarje kjo jo shumë e zakontë, përkundrazi shumë e veçantë po të kemi parasysh këtu se çfarë ndodhi në Shqipërinë e Luftës së Parë Botërore.
Në qoftë se para 100 vjetësh klasa politike shqiptare, me Sulejman Delvinën dhe Ferit Vokopolën etj e kuptuan se kishin përpara humnerën, reflektuan dhe morën vendime në një periudhë kur dimensioni ndërkombëtar qe shumë i ngatërruar, dhe dimensioni kombëtar shumë i errët.
Dhe perspektiva politike nuk i ngjante aspak nje matematike të thjeshtë por një algjebre gati të pakuptueshme, a nuk mund të nxjerrim ne shqiptarët e sotëm mbas 100 vjetësh një reflektim dhe një mësim të ri?
A nuk ka pas 100 vjetësh klasa politike shqiptare ende jo vendosmërinë që pati dhe shpalosi Kongresi i Lushnjës në kondita shumë apokaliptike.
Po si ka mundësi që klasa politike shqiptare mbas 100 vjetësh jo vetëm nuk reflekton, por e komplikon më shumë çdo gjë, duke krijuar një ngërç politik të pashembullt, duke e mbyllur perspektivën në vend që ta hap atë.
Kemi për politikologjinë dhe të ardhmen një çështje të madhe dhe kryesore: Të ardhmen e vetë politikës, domosdoshmërinë e ndryshimeve radikale të vetë klasës politike të establishmentit të vjetër.
Viti 2019 qe viti edhe i një fatkeqësie të madhe natyrore: tërmeti i 26 nëntorit, por emergjenca e tmerrshme tregoi se shtetit shqiptar qe në të vërtetë prej kartoni, i pafuqishëm, u zu në një pozicion zero për sa i përket konceptit dhe institucionit të emergjencës kombëtare.
Kemi 4 muaj që po e përjetojmë atë çka ka ndodhur nga pasojat e tërmetit. Ka shumë propagandë e cila e mbulon të vërtetën që po ndodh, në vend të një mobilizimi mbarëkombëtar çështjet jetike në këtë rast janë koncentruar në duar e komisioneve qeveritare.
Opozita është jashtë loje, asnjëherë nuk ka më qenë më kot dhe më pakuptueshëm se sa në këto rrethana rrëqethëse.
Ngërçi politik jo vetëm që vazhdon, por ka prirje të sofistikohet- alkiminë e sofistikimit e bënë propaganda, madje edhe kufizimi i të gjitha çështjeve që kërkojnë një përgjegjësi kolosale në organizime në pak duar.
Ndërkohë ende 12 mijë njerëz që kanë humbur shtëpitë, nuk kanë një shpresë të një përmirësimi të menjëhershëm ose akoma më të dukshëm ndaj gjendjes së tyre ekzistenciale. Ndërkohë që në rrafshin ndërkombëtar Shqipëria ka marrë kryesinë e OSBE-së sipas një tradite ciklike.
Natyrisht që problemet e OSBE-së janë gjithashtu universale, por nuk duhen harruar problemet e brendshme të Shqipërisë të cilat jo vetëm që nuk kanë prirje për tu zgjidhur por kanë tendencën e një galvanizimi të vetvetes.
Për këtë përditshmëri politike dhe ekonomike ka mendime dhe analiza të ndryshme.
Por mungon një prognozë e vërtetë kombëtare
Një prognozë e tillë është shprehje e një vetëdije, mungesa e saj është dhe mungesë e vetëdijes.
4.
A do të ketë dhe kur do të ketë zgjedhje të ardhshme politike, të përgjithshme dhe vendore?
Kjo është enigma e Sfinksit.
Komisioni për sistemin zgjedhor, në ndikimin e ndërhyrjen e ndërkombëtarëve ka disa kohë që duket sikur po funksionon.
Por enigma e enigmave për të ardhmen politike të Shqipërisë është ligji për ndryshimet e kobshme Kushtetuese të vitit 2008 qe konvecionalizohet si “listat e mbyllura”, me të drejtën prej monarkut të kryetarëve të partive.
Opozita e cila do të mbetet në histori, për një harikiri politik të hedhjes tutje të titujve juridikë të deputetëve, të shkëputur nga qarkullimi juridik kushtetues që ekziston midis qeverisjes së shumicës dhe opozitës, e cila kushtetueshmërisht është edhe subjekt i qeverisjes së ardhshme,- pas katrahurës së saj pa asnjë shembull në Europë është ulur më në fund e detyruar në Komision për diskutimin e ligjit zgjedhor.
Shpreh mendimin tim se nëse nuk ndryshon, nuk eliminohet, nuk hiqet, ligji i ndryshimeve të kobshme të vitit 2008, gjë që klasa e establishmentit të vjetër të politikës me sa duket nuk e dëshiron, atëherë do të ketë gjithmonë vonesa, do të pengohen ndryshimet progresive për të patur një politikë për popullin dhe jo një popull të klonuar për politikën.
Reforma në drejtësi është vërtetë shumë e rëndësishme, por ndërkohë Qeveria vazhdon të nxjerrë ligje nga më të çuditshmet, ligje që nuk kanë as tituj juridikë, siç është rasti i ligjit kundër KÇK-së, një shprehje që duket si e thënë thjesht në një bisedë, për të krijuar një mundësi të re për të shtuar atributet e drejtorëve të policisë, ndërkohë që legjislacioni shqiptar, i ka të gjitha pikat dhe dispozitat për t’i kryer veprimet kundërshtuese ndaj abuzimeve, sidomos ndaj të korruptuarve të cilët janë jo vetëm tek ata që janë jashtë mureve të Kuvendit, por në fakt edhe të atyre që janë kinse ligjvënës brenda mureve të Kuvendit, të cilëve, formula e çuditshme KÇK jo vetëm që u përshtatet por i binjakëzon më shumë.
Politika në Shqipëri kërkon një reformë të madhe që është “Reforma e Reformave” d.m.th rikonsturktimi i një Kushtetute,- e një Kushtetute të pashkalafitur, të padeformuar nga afro 27 ndërhyrje që janë bërë gjatë këtyre viteve,- e një Kushtetute që universalisht do të jetë më e madhe se sa Reforma në drejtësi, konceptualisht shumë e fuqishme për çdo nismë ligjore, për balancimin e pushteteve dhe të autonomisë institucioneve, në bazë të ideve substanciale që janë jo vetëm për politikanët por për tërë popullin.
Kushtetuta është e vetmja strukturë referenciale e papërsëritshme dhe e patjetërsueshme dot, për tërë politikanët por dhe për gjithë popullin (nuk ka Kushtetutë vetëm për politikanët dhe Kushtetutë tjetër për popullin), sipas principeve demokratike të zgjedhjeve të lira të pa deformueshme, në bazë të Kushtetutës do të behet edhe qeverisja,dhe opozita, dhe zhvillimi ekonomik dhe ai shoqëror sepse titullarët, Presidenti, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri janë thjeshtë mandatorë dhe nuk janë asnjëherë liderë, sepse thelbin e udhëheqjes dhe të liderizmit e koncentron dhe e frymëzon vetëm Kushtetuta.
A nuk është ky shembulli në Shqipëri i Kushtetutës Amerikane?
Teoria se ka liderë pa pasur nevojë për Kushtetutë është teoria e autoritarizmit, e mungesës së demokracisë dhe të lirisë, teoria e provincionalizmit bajraktar, teoria e prapambetjes dhe mungesës së plotë të emancipimit.
****
Botuar në Dita. Ndalohet ribotimi i plotë ose i [jesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë
Nuk di sa i mire eshte sistemi yne zgjedhor, por di te them qe ne vendin ku une banoj ne perendim nese nje deputet e le mandatin e tij, per arsye nga me te ndryshmet, deri ne ato ekstreme vdekja, vendi i tij nuk mbushet nga lista. Ne ate zone elektorale zhvillohen zgjedhje dhe kush fiton nga gara zgjedhore merr mandatin. Pra, eshte nje mini zgjedhje. E dyta qe me shqeteson eshte numerimi manual i fleteve te votimit nje nga nje. Ne perendim behet numerimi elektronik. Persa i perket votimit elektronik ai eshte nje utopi ta mendosh. Ne zonen e BE-se, per zgjedhet lokale apo parlamentare hapen qendrat e votimit, ku njerezit hedhin voten e tyre.
Moikom. Kujdes me termat dhe personalitetet historike se e demton figuren tende te nderuar. Lexo jeten e Aqif Pashe Elbasanit, krahun e djathte te Ismail Qemalit, pastaj fol per Kongresin e Lushnjes, i cili nuk u mblodh me 25 janar, por me 21 janar 1921. Ne ate kohe, zyrtari i urte i Perandorise Osmane, Sulejman Delvina ishte ne Paris si i delegur i komunitetit shqiptar te Stambollit dhe u zgjodh Kryeminister nga Aqif Pasha, Abdi Bej Toptani, Eshref Frasheri, Sheh Karbunara e Sheh Gjinishi etj. si njeri i qete dhe i ekuilibruar qe ishte. Por Delvina ra shume shpejt ne gracken e agjentit te Serbise Ahmet Bej Zogollit dhe deshtoi ne clirimin e territoreve te pushtuara nga ushtria jugosllave. Deri ne vitin 1923 1/6 e Shqiperise Londineze mbeti nen roberine e Jugosllavise…
“profesor”; shqipetaret votojne per partine qe simpatizojne . askujt te mos i shkoi mendja, se votohet individi, per ata qe jane idealiste dhe mbeshteten ne ide e moral . kjo pasi vetem partite kane aftesine dhe forcen te prodhojne ide dhe t’i manexhojne ato . individi sa do i zoti te jete, nuk mund te realizoje asnje ide vetem, pa formuar udhehequr e drejtuar nje parti . ne te kundert ai do jete pre e pazarlleqeve (ose zelleve personale) me te njohur dhe te aferm dhe thjeshte do prodhoj korrupsion, si psh; vete …murrizi . asgje s’ ben ai, perveç se..manexhon biznesin e tij sipas tradites “katunareske” shqipetare, “o mete per vete”) fituar e lehtesuar, me ligjin..kriminal “kthimi i prones ish pronarit” me tapi dhe mbeshtetje “vellazerore” te turqise osmane . qe partite nuk formojne dot nje skuader te ndershme dhe progresive per te drejtuar popullin, por vetem banda per t’i vjedh popullit voten dhe pas votes ..breket, kjo eshte …tjeter gje .
Zequa me keto brockulla,qe shkruan,ka ikur seriozisht per lesh:
Vuan nga nje demens i dyfishte:
Ka harruar kush ka qene vet dhe kush jane ata katundare mesjetare dhe lakej te hoxhes,qe tani i bejne fresk,´´padishahut´´ zeqo dhe vetes se vet,si dhe vazhdon te harroje i gjori,qe ka perpara nje milet me mendjen qiqer,qe din historine e zeqoos,te vjeter dhe te re.
Zeqo te sigurojme dhe te duam sinqerisht te miren,qe semundjen e vertete dhe serioze qe ke,eshte qe te ka lene e gjithe kujtesa.
O @Vasili , nuk eshte hera e pare qe , perpiqesh sikur do te thuash dicka dhe, nuk thua asgje ! Kjo qe ben ti , nuk eshte burrerore , Eshte thjesht balte hedhje ndaj kujtdo qe nuk te pelqen . Eshte drejta e kutdo prej nesh qe ti pelqeje apo jo mendimi i nje tjetri , por e kemi detyrim moral qe te tregojme respekt edhe per kundershtarin . Keshtu kane vepruar te paret tane neper kuvendet e burrave . Atje shpaloste sikush mendimet e tij , duke e shoqeruar me arguentet e gjetura , per ta bere te besuesheme ate qe thoshte . Cfar mund te mesoje secili prej nesh , kur vetem i hedhim balte fytyres njeri tjetrit , perdorim sllagane bajate stereotipe te dala boje ?! Eshte krejt normale qe cdo individ te kete defektet e mangesite e veta , sepse nuk ka e nuk ka per te pasur njeri te persosur , por kjo nuk do te thote se , duhet ti hidhemi ne gryke per gjithecka qe nxjerr nga goja , duke i bere lemsh te gjitha , grure e egjer . Ne se je vertet njeri qe mund te japesh mend , gjeja me komode qe na eshte krijuar tashme ne demokraci eshte nje koment i hapur dhe i argumentuar, lidhur me problemet qe shtron shtypi , duke debatuar per problemin dhe jo te anashkalohen problemet dhe te merremi me autorin , pavaresisht se dikujt mos i vije mire .