Më lajmëruan që ka vdekur prof. Shaban Demiraj, pas një sëmundjeje të gjatë.
Gjuhëtari më i mirë i brezit të tij, vazhduesi logjikë-hekurt i shkollës së Çabejt, por edhe pionier i sistematizimit përfundimtar të gramatikës historike të shqipes, prof. Demiraj mbeti për dekada pikë referimi me vlerë absolute e gjuhësisë shqiptare në Universitetin e Tiranës.
Ndihem me shumë fat, që kam ndjekur kursin e tij të Gramatikës Historike të Shqipes dhe kam biseduar shpesh me të për çështje për mua të koklavitura, të historisë së gjuhës shqipe.
E kam parë si shembull të pakrahasueshëm të rigorozitetit shkencor, objektivitetit, pozitivizmit dhe, sidomos, të metodës në studimet gjuhësore. Mendja e tij kishte kapacitetin e jashtëzakonshëm për t’i mbajtur të lidhura së bashku, dhe nën tension, të gjitha komponentet kaotike të gramatikës së shqipes, në sinkroni dhe në diakroni.
La një trashëgimi që ka zënë vend përgjithmonë në themelet e dijes albanologjike; veçanërisht duke treguar, nga një vepër në tjetrën si duhet t’i qasemi problematikave të gjuhës. Sot e kësaj dite, Gramatika e tij historike e shqipes është nga librat që konsultoj më shpesh, në bibliotekën time.
Së bashku me prof. Çabejn (sa ishte ky gjallë), prof. Kostallarin dhe prof. Domin, arritën t’ia mbajnë të lartë, për dekada me radhë, nivelin studimeve albanologjike në lëmin e gjuhësisë.
Ishin mendje të ndritura dhe erudite, si kjo e prof. Demirajt, që më bindën t’i kushtohesha gjuhësisë; pasion që më ka mbetur i gjallë sot e kësaj dite dhe m’i ushqen ditët; teksa metoda që mësova prej tij, drejtpërdrejt në klasë dhe duke ia studiuar veprën, më ka treguar rrugën në dije dhe më ka mbrojtur gjithnjë nga pasionet ideologjike, lajthitjet metafizike dhe marrëzitë e shumëve.
*Peizazhe të Fjalës

I kushtohet gjuhesise me broçkullat e blogut te tij
RIP,profesor!
Per mua,gjeja me me vlere qe ke thene gjer me sot,Vehbiu.