Për rilindjen e Arsimit të Lartë

anazapta

Panorama e sotme e arsimit të lartë i ngjan një mozaiku kaotik, në ngjyrën gri e në hallakatjen tipike të lagjeve periferike të banimit, që na dalin rëndom para syve.  Ku secili pa pyetur u ul një ditë e nguli ngrehinën e vet. Ky vend me më pak se 3 milionë banorë ka sot “lagjen” e vet universitare me 60 a 80 universitete! Unike në llojin e vet, ajo shfaq një pamje diverse që ia vlen të skicohet.

Ngrehina universitetesh publike në kufirin e mbijetesës financiare për vazhdimin e aktivitetit; në kushte të mangëta pune, që stërlodhin studentët dhe profesoratin; të kërcënuara prej një lloj konkurence tregu të panjohur gjatë traditës së tyre; të rëna në psikozën e persekucionit nga shteti për favorin e grupeve të fuqishme financiare, grupeve që posedojnë universitete private; të gërryera nga probleme të rënda administrimi, krijuar nga drejtues të dalë prej procesesh zgjedhore të degraduara; të shqyera në copa;  të zhgërryera vënde-vënde në llumin e paaftësisë a të marrëdhënieve korruptive pedagog-student.

Kioska universitetesh private të paqarta në mision; në kaos interesash, profilesh, përmasash; jashtë kontrollit të shtetit dhe pa farë droje për të përfituar nga anarkia e sistemit; të pasura, të fuqishme për të lobuar në dobi të fitimeve të veta; të rënda përballë një sistemi akreditimi të pambrojtur; me strehë politike e me nuhatje të fortë për rregullat dhe çrregullat e tregut; të denoncuara për skandale të rënda falsifikimi, por të denoncuara vetëm nga individë e media, jo nga shteti, prokuroria, qeveria; të perceptuara keq dhe të përfolura nga publiku; me mangësi të theksuara personeli akademik të kualifikuar.

Banorë të shpërfillur, studentë e profesorë.

Profesorat i paguar keq; i pafinancuar për aktivitetet bazë, sidomos në komponentin e domosdoshëm shkencor; i gjendur në auditore të tejmbushura me studentë shumë herë të painteresuar; në sezone të panumërta provimesh, me lojën e nervave që ta japin më në fund notën kaluese; i shtangur përballë abuzimeve me financimet universitare që krijohen drejtpërdrejt nga puna e tij; i braktisur nga shteti në betejën për të mbrojtur pasurinë e universitetit të vet; nën presionin e një sistemi kualifikimi dhe kariere universitare që komandohet nga një grup i vogël njerëzish të lidhur me pushtetin, ku çajnë më të shkathtit, por jo më të mirët; i hutuar e pa fjalë kur kupton se si mund të kërcesh në titujt më të lartë akademikë edhe duke shkruar artikuj gazetash!

Rini studentore gjithnjë e më e dobët shkencërisht nga gjimnazet për të përballuar kërkesat e një formimi universitar minimal; shpesh e trajtuar në kushte pabarazie; e paisur me diploma që nuk japin punë;  e hedhur në një treg pune, që funksionon mbi bazë tarafesh apo shtysash politike e ku nuk çmohet rezultati i studimeve; e flakur nga ky treg në punë të rëndomta, ku zerohet çdo kualifikim universitar, për t’u hequr zvarrë me pengun e mundimit dhe të pareve të shpenzuara kot në vite të gjata studimi.

Drejtime diplomimi të shpërpjestuara në ekstrem; shkenca natyrore që dobësohen dita ditës e përballë mijra juristë, ekonomistë, psikologë, politologë, filologë; programe studimi të lejuara të funksionojnë pa minimumin e nevojshëm të përvojës e të personelit; diploma shpesh fiktive, të firmosura nën presionin e mbijetesës për financim apo ëndjes për fitim të paskrupullt; degradim i sistemit të doktoraturave.

A ka shpresë rilindjeje në këto rrënoja? Programi i Partisë Socialiste jep qasjen e vet profesionale, bazuar në moton: Arsimim dinjitoz, diploma me vlerë në tregun e punës.

Akti i parë i përvijuar qartë është ngritja e një organizmi të drejtë dhe të pavarur vlerësimi e renditjeje të universiteteve publike dhe private. Ai do vendosë rregulla të pacënueshme loje për të gjithë aktorët e sistemit, ku do skualifikohen mediokrit e mashtruesit. Ai do ofrojë kthjelltësinë e duhur të marrjes së vendimit për shkollim të lartë, të atij vendimi aq të vështië e jetik për ccdo të ri e ccdo familje. Ai do orientojë kompanitë dhe administratën shtetërore se cilave diploma u duhet besuar. Ai do i tregojë qeverisjes se në cilat programe studimi është më efikas shpenzimi i buxhetit të shtetit. Hap pas hapi ky institucion do të tentojë normat europiane të akreditimit me moton: Universitetet shqiptare, pjesë e sistemit europian të arsimit të lartë.

E ndërkohë, politika e majtë zotohet se do i japë kurajo të gjitha institucioneve përgjegjëse, për të qenë funksionale dhe të rrepta ndaj abuzimit e falsifikimit në arsim.

Përparësia e vëmendjes në programin e rilindjes i takon universiteteve publike, ato bartin mundësitë e shkollimit për të gjithë, ato janë fillesa e tradita e sistemit tonë. Përkrah rritjes së financimit, burim i ccmuar është mirëpërdorimi i fondeve nëpërmjet autonomisë deri në njësitë bazë, vendimmarrjes së përbashkët e transparencës së plotë. E gjitha kjo për të mbërritur në paga më të mira e kushte më dinjitoze pune për profesoratin.

Ndërsa universitetet private s’do të jenë aspak aktorë të neglizhueshëm, ato do konsiderohen burim i ri energjie në sistemin e arsimit të lartë. Universitetet private do ftohen e do mbështeten në përpjekjet për gjenerimin e modeleve bashkëkohore jotradicionale; do  ndjehen shumë mirë në një mjedis ligjor e të drejtë, larg nga konkurenca e pandershme e falsitetit.

Në qendër të programit politik janë studentët, me aspiratat e tyre për arsimim dinjitoz e karrierë profesionale të sigurtë. Ata do ndjehen të mbrojtur në moton: Arsimim i bazuar vetëm në cilësi e meritë.  Do nxitet konkurenca, do mbështetet modeli i mirë, do mbrohet ekselenca, do çmohet puna. Do kërkohet diplomim për punësim. Jo më diploma pa vlerë! Do vendosen politika të drejta punësimi, sidomos në administratën publike, duke çmuar ekselencën në studime. Do ofrohet transparenca e tregut të punës e do organizohet këshillim serioz karriere për rininë.

Kërkimi shkencor nuk do quhet luks, por element bazë i jetës akademike. Ai do mbështetet me buxhet të menaxhuar nga njësitë bazë; me projekte shkencore konkuruese; me objektiv punën në grup e tërheqjen e ekselencës nga jashtë. Do sigurohet kualifikim korrekt dhe transparent i personelit akademik.

Nga vjen optimizmi, ku mbështetet shpresa për këtë rilindje? Fillimisht te një bërthamë e konsiderueshme profesorati të formuar mirë, njerëz shumë të talentuar e dinjitozë, të motivuar e të përkushtuar. Por gjithashtu edhe tek një bërthamë studentësh realisht të shkëlqyer, me të cilët mund të dalim kryelartë në çdo vend të Europës. Tek publiku arsimdashës shqiptar! Te tradita jonë elitare në arsim, që e mban ende gjallë respektin për inteligjencën. Por themeli është vullneti politik, i patundur dhe i deklaruar solemnisht në programin e rilindjes së arsimit të lartë.

Share This Article
1 Comment
  • Bravo Mimoza. Kjo eshte gjendja aktuale ne universitetet tona. Shpresojme qe pas 23 qershorit te dalim nga ky llum ku jemi zhytur. Me kete lloj qeverisje, me kete minister arsimi e me shoket e tij rreth e rrotull ky vend nuk ka shprese. Rilindje

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *