Për të bardhin Bardh Smaja…

redaktor

Në të gjitha llojet e ikjeve të përhershme që ka kjo botë, thonë se ikja e artistëve dhëmb më së shumti. Sepse kur vdes një prej tyre, brenda secilit prej nesh vdes një fije shprese për ta parë këtë vend më të mirë, sepse të tillë e bëjnë vetëm artistët. E tillë ishte edhe ikja jote (nuk guxoj të them vdekja) i bardhi Bardh Smaja. Nuk guxoj të them vdekja sepse emri yt do të mbetet i gjallë ne çdo drite skene, në çdo duartrokitje, në çdo gur të kalldrëmeve të shumta të qytetit tonë. Ikja jote na gjeti të gjithve të papërgatitur, në rutinën e përhershme të mëngjeseve në Shkodër…

Një javë më parë na ftove të gjithve në teatër, për të parë “Kandilin…” që ti e kishe ndezur vete, por nuk ishe aty për të pare ndriçimin e tij. Atë natë ai “Kandil…” na ndriçoi të gjithve, si çdo vepër tjetër që ti na e paraqite gjatë jetës tende, që fizikisht pushoi dje. Në pranëverën e këtij viti, të pata ftuar në një intërvistë radiofonike në emisionin që bëja në Radio Jehona. U takuam rreth orës 11:00 tek njëra prej lulishteve të Shkodrës pasi intervista do bëhej me regjistrim . Para intervistës më bënë shumë përshtypje fjalët e tua: “ – Evitoi superlativat për mua. Dhe mos përmend asnji nga rolet apo veprat e mia si regjisor, se del si me dasht me lavdru vedin”. Fjalë që më bënë përshtypje dhe që vetëm një njeri i madh mund ti thoshte para një interviste-metamorfo­ze për të cilën bashkarisht kishim rënë dakort. Mbrëmë pasi të gjithë ishin larguar kalova rastësisht nga teatri, edhe dukej sikur në madhështinë e tij vajtonte ikjen tënde. Teatri është përballur edhe herë të tjera me humbje të mëdha, po kjo e jotja e ka gjunjëzuar e rraskapitur sepse bashkë me trupin tënd atij i iku një regjisor, një aktor, një muzikant, një drejtor… Dhe tani po e mbyll këtë shkrim që nuk e kisha menduar kurrë se do e shkruaja, të paktën jo kaq shpejt. Po e mbyll me ngushëllimet më të ndjera për të meritueshmen Meritë, për Sarën e Fisnikun… Por ngushëllimin më të madh ia shpreh Shkodër locës, pasi dje përcolli një njeri e artist që vështirë se mund ti vijë më. Nuk po të them lamtumirë se lamtumirat thuhen pas ndarjeve të përgjithmonshme por,

Mirupafshim i bardhi Bardh Smaja…

 

Letër e nënshkruar,

Besart Jacaj

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *