PYETJE: Jemi një çift me dy fëmijë të moshës shtatë dhe katër vjeç. Dhjetë vjet martesë kanë qenë normale, ashtu si shumica e të njohurve të mij. Problemi im është se gruaja, thuajse vazhdimisht, kur vjen puna për të bërë seks, ndjehet gjithnjë e lodhur dhe pa qejf. Te lutem e keni diçka të na rekomandoni, për ta bërë marrëdhënien tonë pak më të ngrohtë?
PËRGJIGJE: Ti nuk më thua çfarë ke bëre dhe çfarë bën që ta ngrohësh gruan dhe ta bësh atë më të interesuar për seks. Seksologët, sipas rastit, rekomandojnë edhe zgjidhjet. Duke qenë se unë di pak për marrëdhënien tuaj, po të tregoj për disa sjellje që, çdo burrë duhet t’i ketë parasysh, kur dëshiron të rritë interesin e gruas në përgjithësi dhe për jetën seksuale në veçanti.
Që në fillim dua të të them se para disa vitesh, kërkuesit e Universitetit të Çikagos arritën në konkluzionin: Kënaqësia seksuale më e madhe arrihet në jetën seksuale martesore. Pra martesa është kënaqësia seksuale më e madhe. Njerëzit më të kënaqur seksualisht ishin të martuarit, ose ata që ishin në marrëdhënie me një partner për kohë të gjatë.
Studimi nuk parashikonte të gjente shkakun e gjithë kësaj kënaqësie, por ata thanë se, “ sa më i zgjatur të jetë partneriteti dhe sa më shumë përkushtim partnerët të kenë në këtë marrëdhënie, aq më i madh do të jetë edhe shpërblimi.” Pse ndodh kjo? Sepse në këto marrëdhënie ju mësoni çfarë e kënaq partnerin, Çfarë e bën atë të lumtur?, Çfarë e dëshpëron (frustron)?. Çfarë e egërson?. Shkurt, çfarë, seksualisht, ka dhe nuk ka sukses.
Këtu poshtë po të rekomandoj disa sjellje, zbatimi i të cilave t’u ndihmojnë ta përmirësoni marrëdhënien dhe të gjeni kënaqësinë.
1-Përpiqu të jesh një atlet romantik
Gratë kërkojnë dhe u përgjigjen më mirë, seksualisht, burrave, që janë jo vetëm atletë seksualë, por edhe atletë romantikë. Ato duan burra që të ngjitin, që janë romantikë, të dashur, të ngrohtë dhe që i shprehin hapur emocionet dhe jo vetëm ndjenjat seksuale.
Termi “atlet romantik”, që sapo ta thashë, mund të të ketë kujtuar Romeon, që i dilte para Zhulietës, gjithmonë, me trëndafila, çokollata dhe poezi rinore. Këto, padyshim, janë të mira për aq sa shkojnë, por, nuk është kjo ajo që desha të thosha. Unë po flas për një biznes të përditshëm, për jetën tuaj të përbashkët, ku ti duhet të përpiqesh të jesh miku i saj më i mirë.
2-Përpiqu ta njohësh mirë gruan tënde
Unë e di, kjo nuk është aq e thjeshtë, madje, është shumë e vështirë. Burrat nuk janë mësuar të vëzhgojnë, ashtu siç e bëjnë këtë gratë. Ato janë të interesuara të dinë se pse ai është i mërzitur? Çfarë dëshiron të bëjë ai në jetë? Cila është gjella e tij e preferuar?. Ato duan të dinë shumë gjëra të tjera për burrat e tyre, sepse ato janë shumë të interesuara. Burrat, në shumicën e tyre nuk janë të tillë.
Kur gruaja e pyet burrin, se cila është ngjyra e saj e preferuar, ai do ta shikojë i habitur. Po qe se ajo i bën edhe disa pyetje, ai nuk do dijë t’u përgjigjet. Ndërsa, po të pyesë burri gruan për të njëjtat pyetje, ajo jo vetëm do të përgjigjej, por do të tregonte se si ato kanë ndryshuar në vite. Me pak fjalë, një akt romantik që ti bën për gruan, mund të jetë një gjë fare e vogël, madje, edhe vetëm të mbash mend numrin e këpucës së saj.
3-Përpiqu të… lash enët
Shpesh bëhet pyetja: Çfarë duan gratë? Në një kërkim shkencor u vërtetua se, 61 përqind e grave pëlqejnë më shumë ta shohin burrin të lajë enët, sesa të kërcejë lakuriq. Dhe me siguri, burri që lan enët, do të shpërblehet me një natë pasionante të atillë, që ai që vjen në shtëpi dhe ulet në kolltukun e tij, nuk do ta gjejë kurrë.
– “Në qoftë se jam e lodhur nga kujdesi për fëmijët dhe ai vjen në shtëpi dhe pyet ç’kemi për darkë dhe pastaj shikon TV, ndërsa. unë vij rrotull të bëj punët, kjo më irriton shumë”, më thoshte një grua. Seksi nuk është akt mekanik dhe kurrë nuk do të jetë i tillë.
Të lash enët është një paralojë e mrekullueshme. Kur burri lan enët, kjo bën që gruaja të ndjehet e dashuruar dhe kur ajo ndjehet e dashuruar, ajo fillon të ndjehet e eksituar seksualisht.
Ju mund ta tregoni dashurinë tuaj për gruan me njëmijë veprime të thjeshta, që tregojnë kujdesin për të. Lani teshat. Bëjuni banjë fëmijëve. Pastroni tualetin. Lani dyshemenë. Bëni pazarin. Zbrazni plehrat. Këto të gjitha janë “evente” për një atlet romantik. Qan fëmija natën dhe kërkon nënën. Ngrehu menjëherë. Romanca është çdo gjë që ndihmon gruan të ndjejë se ajo nuk është e vetme, por dikush tjetër është atje për atë. Cdo gjë të vogël që e bën enkas për gruan, tregon se ti kujdesesh dhe kjo krijon romancë.
Sapo gruaja do të ndjejë, do të dëgjojë apo do të shikojë se ti bën diçka për ta ndihmuar atë, kjo shërben si paralojë seksuale.
4-Jo vetëm t’i bësh këto …!
Ka një art si t’i bësh këto. Së pari, t’i bësh me dëshirë dhe pa t’i kërkuar gruaja t’i bësh. Së dyti, Mos bëj sikur ke bërë ndonjë gjë të madhe:- “Hej, pa shikomë ! Po laj enët!”. Mos trego se i bën pa qejf: “Mirë, po i laj këto të mallkuara enë!”. Këto sjellje e prishin gjithë qëllimin tënd.
Ti duhet t’i tregosh asaj sa shumë e do dhe sa shumë kujdesesh për të. Së treti, mos tregoni se këto punë i bëni për të marrë prej saj një favor seksual. Po të veprosh kështu ti kërkon të bësh një ujdi, një biznes, jo një romancë me gruan tënde.
5-Gjej fjalë dashurie
Ndoshta nuk ke dëgjuar për kompozitorin çek Zdenek Fibich, që jetoi gjatë gjysmës së dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, në kohën kur lëvizja romantike ishte në kulm. Po të tregoj diçka proverbiale prej jetës së tij: Kur ndjeu se kishte rënë keq në dashuri me Anezka Schulzova, një nga studentet e tij të pianos, Fibich, shkroi më shumë se 376 pjesë për piano, që ia dedikoi vajzës. Secila pjesë ishte një portret muzikor i një emocioni të veçantë që i shkaktonte Anezka.
Çdo pjesë ishte një kujtim i përbashkët, ose disa aspekte kënaqësie të veçanta të harmonisë së saj. Ai shkroi një seri kompozimesh ku e përshkruanin Anezkën duke veshur tesha të ndryshme.
Ai shkroi një pjesë Anezka e fjetur. Ai shkroi pjesë që përshkruanin flokët e saj, gjuhën e saj, duart e saj. Ai shkroi shtatë pjesë që portretizonin gjinjtë e saj, madje, një e shkroi,vetëm, për thoin e gishtit të saj të vogël. Kuptohet, pasioni i Fibichut, kishte marë edhe përgjigjen e merituar. Djalë i mirë, a nuk ka këtu diçka për të mësuar edhe ti?
6-Thuaj se është e bukur
Ti mund të më thuash se nuk je kompozitor. Kjo është e vërtetë, por unë prapë them se nuk ka nevojë të jesh kompozitor. Edhe pa muzikë ti mund t’i tregosh asaj të njëjtën vëmendje në hollësi si kompozitori. Gruaja jote, ashtu si të gjitha gratë, ka nevojë të dëgjojë se është tërheqëse, se për ti ajo është e bukur, se format e pulpave të saj janë drithëruese, se, ndonjëherë, edhe në mes të punës, ti përjeton bukurinë e qafës së saj.
Ajo dëshiron t’i dëgjojë këto rregullisht, jo vetëm kur u takuat për herë të parë, ose kur ti përpiqeshe ta “fusje në thes”.
Pse duan gratë t’i dëgjojnë këto gjëra? Përgjigja është e thjeshtë. I ke parasysh imazhet me të cilat media na bombardon çdo ditë, gjithë ditën. Imazhet e grave në media, zakonisht, janë nëntëmbëdhjetë vjeçaret. Ato gjithnjë janë të mrekullueshme. Ato janë të holla dhe seksi. Shto tani dhe çmendurinë për të patur gjinj të mëdhenj. Të gjitha këto bëjnë të ndjehen keq ato që nuk janë kështu.
Që nga koha kur vajzat e vogla marrin në dorë kukullat e para Barbi, atyre u transmetohet mesazhi : “kështu duhet të jenë vajzat”. Por, e vërteta është ndryshe, pak gra duken si Barbi. Por, ka edhe më shumë, shumica e grave në ato reklama e njoftime televizive, nuk paraqiten ashtu siç janë në jetën reale. Shumica e grave as nuk u afrohen atyre. Kështu, gratë, që nga koha kur ishin shumë të vogla, kanë filluar të mos ndjehen mirë me trupin e tyre. Ato ndjehen shumë të pasigurta.
Ja pse ti do të bësh një ndryshim të madh në marrëdhënien tuaj, po qe se e gjen kohën t’i thuash gruas se sa shumë ajo të eksiton.
Në qoftë se ti dhe shokët e tu, e kuptoni presionin e madh që ndjejnë gratë, nga që nuk janë si nëntëmbëdhjetë vjeçaret e kapakëve të revistave, ju do të bënit të pamundurën. Shprehje si këto: “sa i kënaqur jam që të njoha”, “ ti je e mrekullueshme”, “ti nuk e di sa rëndësi ke për mua”, “jam shumë i kënaqur që të kam njohur” e tjera, janë me shumë rëndësi.
Në qoftë se burrat u bëjnë grave komplimente, duke theksuar më fort anën e tyre fizike, kjo do t’i bëjë grate të dashura pa fund. Unë u garantoj për këtë. A nuk e ke vënë re, që edhe kur duhet të tregojnë intelektin, apo qëndrimin e tyre politik, gratë në televizor, bëjnë më shumë kujdes për lukun dhe bukurinë, sesa për ato që duhet të thonë?.
7-Ajo do vëmendje
Gjithkush ka shkuar me gruan ose me një dashnore në një restorant. Atje gjithkush sillet në mënyrën e tij. Disa e kanë takimin e parë, të tjerë kanë vite që janë në një martesë të mërzitshme. Nuk ka nevojë të dish hollësira për jetën e tyre, ata e tregojnë këtë me mënyrën si bisedojnë. Shpesh, gruaja grin pa pushim, ndërsa ai përtyp sallatën. Burrat bëjnë shumë nga këto gabime.
Por, është për të ardhur keq, që burrat nuk e dinë se zona më erogene për gruan është veshi i burrit. Biri im, gratë duan vëmendje dhe duan që burrat t’i dëgjojnë kur ato flasin. Nuk ka rëndësi se për çfarë flet gruaja, ajo do vëmendje edhe kur flet për ulje çmimesh në TEG. Ka shumë rëndësi ta shikosh atë në sy dhe t’i kushtosh gjithë vëmendjen tënde, ndërkohë, që ajo flet.
A e di ti se ka një industri të tërë billiona dollarëshe, që quhet terapi? A e di ti se 90 përqind e atyre që shkojnë në terapi janë gra.? Pa pyet njëherë veten: Pse gratë paguajnë që dikush t’i dëgjojë për ç’ka ato ndjejnë? Pse ato në shumicë kërkojnë terapistë meshkuj? Kjo ndodh sepse gratë në një marrëdhënie kërkojnë që dikush, kryesisht, një burrë, të jetë I vëmendshëm dhe të ketë kohën t’i dëgjojë.
Më në fund po të them: Ti mund të lash të gjitha pjatat e gotat e shtëpisë, por në qoftë se nuk e dëgjon gruan me vëmendje, e ke humbur kohën kot.
Paç fat e shëndet
Dr. Adem Harxhi – DITA
Fantastik doktor i nderuar. Mjaft burra jane te verber kundrejt grave te tyre. Keto tipa miope nuk arrijne te kuptojne c mrekulli eshte gruaja me te cilen rrine. E them e nuk gaboj se gruaja asht mrekullia me e madhe qe i jep zoti nje burri. Pa gruan do te ishim te verber e te zbrazet. Ju falenderoj per spjegimet e bukura qe jepni. Sigurisht qe jeni DOKTOR e njeri i madh
je i nderuar per kontributet qe jep.
po heqja e mitres cilat pasoja ka ?
Nuk eshte me te thene… eshte me te dhene. Cdo grua e di c’derr ka per burre.