Në profilin e Berishës në FB, janë postuar së fundmi dy foto familjare, për të cilat kanë ardhur urimet e zakonshem të mbështetësve, por… edhe tallje e sharje. Që fshihen rregullisht. Dhe vihet re që ata që duan të shkruajnë kritika e sharje kanë shpikur tashmë “teknika të reja” për të bërë të mundur kalimin e postimit të tyre përballë censurës së administratorëve.
Një nga këto teknika është që mbushin paragrafët e parë të postimeve me lavdërime të tipit “o mbreti ynë, o dielli ynë” dhe kështu kalojnë brezin e parë të “rojeve” (administratorët) të cilët siç duket në pamundësi për të lexuar deri në fund numrin e madh të mesazheve lexojnë vetëm rreshtat e parë sa për t’u siguruar që postuesi është “në rregull”. Mirëpo, pas rreshtave të parë që gënjejnë rojet, mesazhi mbushet me të shara në adresë të Berishës. Administratorëve u duhet më pas pak kohë ta rigjejnë dhe ta fshijnë mesazhin heretik dhe t’i bëjnë bllok “atentatorit”.
Kurse një teknikë e dytë, është përdorimi i fjalëve me shumë kuptime dhe të vendosura ën mesazhe të shkurtra, në pamje të parë, thuajse të pakuptueshme. Kjo vihet re tek njëri nga mesazhet që kemi kapur në këtë foto (lexoni mesazhin e fundit poshtë fotos në të majtë me emrin Fatjon Bregaj). Postuesit e kësaj kategorie përdorin fjalë me dy kuptime që në lexim të parë nuk japin përshtypje negative. Postuesi në fjalë përshembull ka përdorur fjalët “nona në mest”. Termi “Nona” (dialektore e Nëna) përdoret përherë e më shumë nga të rinjtë e sotëm sidmos në kryeqytet në komunikimet verbale, por veçanërisht online, për të portretizuar negativisht dikë që “i bën të gjitha”, ose që është “nëna” e së keqes, shkaku i saj, në një ngjarje, apo në një veprim.
“Nona në mest” në këtë postim, do të thotë “në mes është Nëna” – ku fjala “nona” merr kuptimin e shpjeguar më sipër, kurse “në mest” i referohet pozcizionit të Berishës në foto. Këto përpjekje ngjajnë sikur janë nxjerrë nga “Kodi DaVinçi”, por me sa duket janë detyruar nga censura e lartë në këtë faqe. Dhe postimi në fjalë ka pësuar të njëjtin fat në fakt. Disa minuta pasi u shkëput ky fragment fotografik nga faqja FB e kryeministrit, ky postim u fshi..