Moikom Zeqo
(Nga libri “Laborator i Ëndërrës “, Ditari i një njëzet vjeçari-viti 1970 )
PJESA E KATËRT
(Vijon nga numri i kaluar )
* Dhe u thye gota e verës së muzgut-mbi mbulesën e kaltër-të detit…
* Shkaku është si shkrepja e rrufesë nga e brendshmja e sendeve, por, që mund të arsyetohet me anë të misterit…
* Plus ca change plus c’est la meme chose. (Sa më shumë shndrohet, duket sikur asgjë nuk ndërron.)
* Dhe velën e anijes së Kolombit-s’e bëj shami hundësh…
*Poezia është rrufe metafizike.
* Ekspozitë e Pikasos “Toros y toreros”.
*Shënbergu: dedakofonia, sistemi 12 tonesh.
Heneri ka thënë:“Dedakofonia është një fuqi kozmike, që vërteton qenien e Zotit”.
Sistemi atonal i veçantë mbështet mbi barazinë e plotë (siç e thotë bukur Marsel Rubini mbi “pabarazinë e njëjtë” të 12 toneve të një lloj rradhe të dhënë tingujsh, shkallët e të cilëve qëndrojnë larg njëra tjetrës me gjysmë toni.
Është karakteristik rasti se kjo renditje tingujsh s’ka asgjë të përbashkët me çfarëdo renditje tingujsh deatonikë të kromotizuar, nuk mbështetet mbi ekzistencën muziko-auditive, që është fituar nga praktika shoqërore më shumë se 20 vjeçare e njeriut, që përbën një ndërtim celebral, krejt të shpikur.
Themeluesi i këtij atonalizmi është Arnold Shënbergu (1874-1951)
* Mendimi i Verlenit: “Të rrosh do të thotë të mbrosh formën.”
* Eqrem Çabej thotë për Fan Nolin se “ka diçka demoniake, e cila mbase është vetia e parë e njeriut krijonjës, cilësia e mirëfilltë e furor poeticus, e marrëzisë së poetit të vërtetë… Fan Noli nuk është një madhësi efemere.”
* “Zhongghua” – emri i Kinës në gjuhën kineze. Vepra klasike të letërsisë kineze: “Ëndërra në Pallatin e Kuq”, “Udhëtim në Perëndim”.
Piktura tradicionale kineze quhet “gohua”.
Piktori i madh Ci Baj Shi: “Piktura përmban poezinë dhe poezia pikturën.
Sekreti i mjeshtërisë në pikturë gjendet midis ngjashmërisë dhe pangjashmërisë.
Ngjashmëria e tepërt është lojë me njerëzit.
Pangjashmëria është mashtrim.
Ngjashmëria shumë e madhe është përqeshje e natyrës. Ngjashmëria e pakët është mungesë respekti për të.”
Shkalla “Sei” në pikturën kineze lidhet me “vizatimin e mendimit”.
Sue Bei Huni pikturonte kuaj, kurse Ci Bej Shiu lule dhe shpendë.
- Socialdarvinistët thonë, se kthesat e mëdha shoqërore janë rezultatet e zbulimeve të mëdha, që shkaktohen nga mutacionet kauzale, që ndodhin në trurin e njerëzve të mëdhenj, të veçantë.
Ndarja në klasa është rezultat i genotipeve të ndryshme, që ndodhen në njerëzit e ndryshëm.
Por trashëgimia biologjike dhe trashëgimia shoqërore s’janë identike.
Raca është kategori biologjike kurse klasat dhe shtresat janë koncepte sociale.
* Sëmundja me emrin kuru, sëmundja e të qeshurit.
* Që nga Aristoteli u diferencua historia nga letërsia.
*Shekspiri është pasqyrë e Revolucionit Anglez.
Tolstoi kur shkruante “Luftën dhe Paqen” nuk e ndante nga duart “Hamletin”.
Piktori David ka pikturuar Brutin.
Niçe është kundër aktualizimit të historisë, kjo do të thotë t’i heqim historisë karakterin e zhvillimit.
“Çifutja e Toledos”, e Fojtvangerit jep paralelizmin e kohës së mesjetës me kohën e Hitlerit.
* Volteri në veprën e tij filozofike “Sprovë për doket dhe shpirtin e popujve” ka shkruar: “Sikur perandorët grekë të Bizantit të kishin qenë Skënderbej Perandoria e Lindjes do të kish qëndruar në këmbë”.
Si dy faktorë, që siguruan fitoren e Skënderbeut Volteri përmend faktin se 1) shqiptarët janë një racë luftëtarësh, dhe 2) Shqipëria është një vend malor.
Pse ai e shpjegon veprën e Skënderbeut me faktorë fiziologjikë psikologjikë dhe gjeografikë?
Ky shpjegim është i njëjtë me atë të kronistit turk të shekullit XVI, Idriz Bidlizit, i cili, i mahnitur nga pathyeshmëria e shqiptarëve e gjen shkakun e saj tek toka dhe ujërat e Shqipërisë: “Ata, që janë marrë me studimin dhe njohjen e natyrës së vendeve, qyteteve dhe të karakterit të njerëzve e kanë të qartë dhe kuptimin e fjalës së urtë, që thotë, se çdo gjë u krijua nga toka dhe i përket tokës, e dinë se përbërja dhe ndërtimi i qenies njerëzore e ka bazën tek toka.
Gjithashtu dhe karakteret e vërtetë të njerëzve, që banojnë sipër dherave të rruzullit sipas këtij rregulli janë gatuar me dheun, po ashtu edhe me ujin e tij.
Pra, padyshim, karakteri i popullit të çdo vendi i përshtatet vendit të tij të lindjes, i përshtatet ujit, klimës dhe natyrës së viseve të tyre, përputhet me veçoritë e ambientit, nga i cili është rrethuar.
Prandaj shqiptarët, meqenëse, në pjesën më të madhe banojnë në vise malore janë bruajtur nga një karakter i ashpër dhe të fortë, kështu, që nuk i përkulen askujt, në çfarëdo rrethanash qofshin.”
*Simfonia “Ekstazia” e Scriabinit…
* Spinoza: “Ethica more geometrico demostrata” – (“Etika e paraqitur, ndërmjet metodës gjeometrike”).
Spinoza është kundër çdo konceptimi finalist të qenies, kundër çdo lloj shkaku final.
Për Spinozën: “natura naturans dhe natura naturata), dmth natyra që natyron dhe natyra e natyruar, – e para është krijuese, e dyta është e krijuar.”
* Tek Platoni Erosi është njerëzor, tek Aristoteli është kozmik…
* Thomas Elioti: “Kalimi i interesit nga poeti tek poezia është diçka e lavdërueshme.”
Henri Matisi: “Për një kohë të gjatë ngjyra qe një plotësuese e vizatimit. Rafaeli, Montegna, Dyreri, vizatojnë dhe shtojnë ngjyrën lokale. Italianët primitivë dhe orientalët e bënë ngjyrën mjaft shprehëse. Ingresi (quhej edhe “kinez”, që endej në Paris) qe i pari, që i dha ngjyrave natyrshmërinë.
Rehabilitimi i ngjyrave u bë tek Dalakruai, Van Gogu, kryesisht tek Gogeni, tek impresionistët, të cilët përgatisin, hapin udhën për tek Sezani, i cili krijoi volume ngjyrash, i parapriu kubizmit.
Për ngjyrat më të rëndësishme janë raportet, – është fjala për respektin dhe kuptimin e diferencave…Muzika dhe ngjyra natyrisht s’kanë asgjë identike (të përbashkët), por shkojnë në rrugë paralele.
Shtatë nota dhe ndonjë modifikim i vogël midis tyre mjaftojnë për të shkruar çdo partiturë (ose të gjitha partiturat).
Përse një gjë e tillë të mos thuhet edhe për pikturën (ngjyrat)? Ngjyra e arrin fuqinë e saj kur është e organizuar në funksion.
S’mund të ndahet vizatimi nga ngjyra. Ngjyra nuk vendoset asnjëherë rastësisht, por kur janë siluetat dhe proporcionet jo si duhet nga kjo lind konflikti midis vizatimit dhe ngjyrës.
Por kjo, pastaj, varet tërësisht nga fuqia krijuese e artistit.
Vizatimi ka kuptim të madh.
Është shprehje e zotërimit të objektit.
Ingresi shënon: “Vizatimi është ashtu si shporta, nga e cila s’mund të heqësh asnjë fije kashte, pa bërë në të një shëmbje,hiatus (boshllëk).”
Ngjyra ndihmon të shprehet drita, jo si fenomen fizik, por tamam atë, që në të vërtetë, atë, që ekziston: dritën në trurin e artistit.
Çdo periudhë sjell si nevojë dritën e vet, ndjenjën e veçantë të hapësirës. Dhe për ata, të cilët s’kanë udhëtuar ndonjëherë me avion, civilizimi u solli një kuptim të ri të hapësirës qiellore.
Dhe në periudhën tonë shkojmë drejt kërkesës të zotërojmë tërësisht këtë hapësirë. Ngjyra e evokuar dhe e gjallëruar nga materia dhe e transformuar nga artisti do të mund të pasqyrojë bazën e çdo sendi dhe njëkohësisht t’i përgjigjet intensivisht emocionit të parë.
Vizatimi dhe ngjyra janë vetëm sugjestion?
Me ndihmën e iluzionit (iluzionizmit) është vetë qëllimi për të evokuar tek spektatori (shikuesi) tek njeriu, nevojën, ndjenjën e “sundimit” mbi sendet.
Por këtë artisti e arrin në atë masë sa është i zoti vetë t’i nënshtrohet sugjestionit të vet dhe ta transmetojë atë në punën (krijimin) e tij dhe në shpirtin… (këtu teksti është i palexueshëm – shënimi im M.Z.).
Në një proverb të lashtë kinez thuhet: “Kur njeriu vizaton pemën, duhet gradualisht ta ndjejë se si rritet ajo vetë.”.
*Njerëzimi e ka shumë të zhvilluar ndjesinë e lartësive.
Që në kohën e lashtë lartësia imponuese e piramidave të Egjiptit shprehte madhështinë e lartësisë, më vonë edhe grataçielat, Kulla Ejfel deri tek raketat kozmike për në Mars dhe në Venera.
Ndjesia e lartësisë është bërë e pafundme, është e infinitëshme ashtu si edhe vetë hapësira.
Kozmonautët mund të vijnë nga një e Ardhme, ku Koha ndryshon. Nëse një kozmonaut është nisur para një viti, kur të kthehen mbas 10 vitesh në Tokë do të ndodhte diçka e pabesueshme.
Nëse kozmonauti do të nisej në moshën 20 vjeç, mbase do të qe i fejuar me një vajzë vërsnike, po 20 vjeç, kur ai do të kthehej mbas 10 viteve nga Kozmosi në Tokë do të ishte në moshën 30 vjeç, kurse për të fejuarën e tij do të kishin kaluar 70 vite dhe kështu do të takohej me të fejuarin kozmonaut, në moshën 90 vjeçare!
Ahere këtij të fejuari i duhet dhënë leje të fejohej përsëdyti me një tjetër vajzë të re.
Çfarë do të shkruante Shekspiri për një Romeo kozmonaut dhe një Zhuljetë jo të tillë, që i ka dhënë fjalën e saj tokësore, për ta pritur deri në vdekje të dashurin e saj qiellor?
A mund të kemi kështu një tjetër letërsi alternative?
* Forma fantastike dhe përmbajtja realiste e personifikimit.
Simboli ka karakter përgjithësues, por është emocional, jo thjesht racional.
Personifikimi është figurë në veprim, kurse metafora është figurë në ide, apo sistem idesh.
Personifikimi e përfshin në kufijtë e tij dhe metaforën.
Ka figura të mendimit dhe figura të ndjenjës (pasionit, imagjinatës), por kjo ndarje nuk është e saktë.
Paralelizmi figurativ është figurë tejet e lashtë, ashtu si personifikimi, e ka origjinën tek raporti njeri-natyrë.
Personifikimi i identifikon njeriun me natyrën dhe ndërsjelltas.
Përkundrazi, paralelizmi ngrihet mbi bazën e pavarësisë të botës njerëzore nga natyra, – elementet e natyrës shërbejnë për përshkrimin e fenomeneve njerëzore.
Me personifikim bota njerëzore shpreh natyrën.
Me paralelizëm është e kundërta.
Personifikimi ka bazë fantastike, paralelizmi realiste.
Simboli si kujtesë konvencionale është dhe personifikim, si p.sh. Muza Melpomeni.
Simboli ka lidhje me personifikimin, por e ka origjinën tek paralelizmi figurativ.
Simboli nuk është gjë tjetër, veçse një paralelizëm gjysmak, jo i shprehur.
Simboli e ruan kuptimin e tij të pavarur, krahas kuptimit figurativ, – Simboli ka pavarësi, – kurse alegoria jo!
Krahasimi, si figurë, ka lidhje me paralelizmin figurativ.
Elementi i natyrës është i nënshtruar ndaj elementit njeri, tek personifikimi ka karakter të pavarur, tek krahasimi ka rol ndihmës, të dorës së dytë.
Hiperbola e ka origjinën tek mendimi fantastik i njerëzve të hershëm. Ka hiperbolizim spontan, të pandërgjegjshëm dhe hiperbolizim të ndërgjegjshëm, dmth racional.
Litota e ka gjithashtu burimin tek mendimi primitiv, fantastik, – duke zvogëluar zmadhon.
Njerëzit e lashtë kishin një figurshmëri të mendimeve dhe jo aq abstragim të tyre.
Ata e shprehnin botën tërthorazi me anë të figurave dhe jo drejtpërdrejtë, – ata s’kishin mësuar ende si duhet në mënyrë abstrakte.
Metafora – mbretëresha e tropeve, është figura, që mbart veçoritë e një fenomeni mbi një fenomen tjetër, nëpërmjet një krahasimi të paramenduar, por jo të shprehur.
Metafora është një lloj krahasimi potencial, por pa lidhëza, pa nyje.
Metafora ka karakter universal, gjithëpërfshirës dhe gjithëshprehës.
Edhe metonimia e emërton një fenomen me anë të një tjetri, kur në mes tyre ka marrëdhënie varësie, që tregojnë shkakun për efektin, efektin për shkakun, organin e punës për punën, abstrakten për konkreten dhe anasjelltas, të kundërtën.
Sinekdota, – ndryshe nga metonimia marrëdhëniet e varura i ka të një lloji të caktuar, janë sasiore (numri, madhësia, volumi).
Ironia është një lloj metonimie.
Pleonazma, – bollëk, tepri.
Tendenca antropomorfike – tendencë e lashtë e njeriut, për ta kuptuar natyrën, sipas ngjasimit me vehten.
* Erst Junger. Shkrimtar gjerman. Profashist i tërbuar.
I famshëm në vitet e Vajmarit, të Rajhut të Tretë.
Ka shkruar romanet “Heliopolis”, “Shkallët e mermerta”. Traktati i tij i njohur “Lavdi të zëshmëve”.
Ky traktat është Abrakadabra e punës magjike, for examply:
A, tregon – lartësi dhe gjerësi.
D, – lartësi dhe thellësi.
E, – zbrazësi dhe madhësi.
I, – jetë dhe kalbje.
U, – zanafillë dhe vdekje.
Erns Junger shpjegon:
Ndërmjet A bëjmë thirrje për pushtet
Ndërmjet O bëjmë thirrje për dritë
Ndërmjet I bëjmë thirrje për turp
Ndërmjet U bëjmë thirrje për tokën nënë.
Kështu, me ndihmën e disa çelësave ne zbulojmë tërësinë e botës, aq sa mund ta kapë veshi ynë të folurën njerëzore (dhe zanoret).
Erns Junger ka botuar dhe librat “Nyja gordiane”, “Bletët e qelqta”.
Erns Junger ka thënë: “Lufta është babai i çdo thelbi dhe gjithashtu i çdo thelbi ynë, pra i të gjithëve.
Ne e krijojmë luftën dhe ajo na krijon ne. Një komb, që s’e don luftën, vdes.
Vrasja e të tjerëve është “kërkesë e gjakut”, një instinkt i fuqishëm, po aq sa edhe instinkti i zgjatjes dhe mbijetesës së lisit”.
* I.K. (Ismail Kadare): “Mendimi poetik kërkon një masë minimale fjalësh për t’u shprehur, ashtu si kripërat kërkojnë një masë minimale uji për t’u shkrirë.
Nëqoftëse ne ngushtojmë jashtë mase fjalët, duke u munduar, që në një vjershë të fusim aq figura, sa ajo s’i mban dot, do të ish njësoj, që për të shkrirë kripërat të zvogëlonim masën minimale të ujit.
Ç’do të ndodhte?
Kripërat do të mbeteshin pa u shkrirë.
Mendimi do të mbetej pa u shprehur. Sensi i masës!”
* Peizazhet e ndryshëm ngjajnë si një polifoni.
* Largohet tufa e lejlekëve të bardhë, si shtëllungat e avullit të lokomotivës, që ngrihen e ikin në qiell.
* Bukuria fizike s’korrespondon me bukurinë shpirtërore, – kontradikta midis formës dhe përmbajtjes.
* Materia në tri forma (ekzistenca): si substancë (lëndë), si mendim, si marrëdhënie shoqërore.
Si është kategoria e së bukurës në marrëdhëniet shoqërore, që nuk janë lëndë, si dhe në artin e strukturuar në lëndë (skulptura etj.)?
* Miti: Kronosi ha, gëlltit Kohën!
* Humanisti italian Gabriel Faerni ka shkruar sonetin për çvarrosjen e Skënderbeut.
Hapja e varrit s’ka ndodhur me asnjë nga njerëzit e shquar më përpara.
Motivi barletian.
* Plehanovi: “Një poet i madh është i madh, sepse shënon një hap përpara në zhvillimin e shoqërisë.
Por duke shënuar këtë hap, ai s’pushon së qeni një individ.
Në karakterin dhe jetën e tij ka padyshim shumë karakteristika dhe rrethana, që s’kanë lidhje me aktivitetin e tij historik dhe nuk ushtrojnë mbi të asnjë ndikim.
Por ka sigurisht edhe karakteristika, të cilat, pa modifikuar karakterin historik të përgjithshëm të këtij aktiviteti, i japin një nuancë individuale.
Këto karakteristika mund dhe duhet të ndriçohen nga studimi i saktë i karakterit personal dhe i rrethanave të veçanta të jetës së poetit. “
*Gogeni: “Piktura është ose plagjiaturë, ose revolucion .”
* BARIU DALMAT
Kopetë e erërave
I shtyj drejt detit,
Duke u rënë
Me thupra rrufesh.
Si një bari dalmat
Vij në hapësira,
Erërat pjellin shtrëngata,
Qengja, më të mëdha se vetet…
* Në aksionin për hekurudhën e re, befas vjen dhe Gjergj Aranit Golemi, – në mjekrën e tij fryjnë shtrëngatat, – nga flokët i fluturojnë skifterët dhe yjet, krismat, – përpiqet të ngrejë sëbashku me studentët shinën, që duhet montuar, – përkulet ta ngrejë, – siç ngrinte shpatën e madhe dikur, – i njëjti gjest ka domethënie tjetër…
* Teoria obskurantiste e Otto Vejningerit: “Gruaja nga natyra është një shkallë më poshtë nga burri” Në Romën e vjetër tek gruaja çmonin femrën.
Në tempullin e Pompeit pranë Perëndeshës së Bukurisë qëndron edhe statuja e Hermafroditit.
Kjo s’është e rastit.
Përmbushja e epshit seksual konsiderohej më e lartë se çdo gjë tjetër… dhe hermafroditi, mendohej, se ishte një qenie e tillë, që kishte mundësinë të provonte njëkohësisht si kënaqësinë e mashkullit, ashtu dhe atë të femrës.
Ky ishte ideali, si të thuash…
* Hermafroditi = Hermes + Afërdita
*1 korrik 1970, Durrës: Pol Elyari erdhi në Shqipëri në 1949.
Shkoi në Gjirokastër dhe në malin e Gramozit.
Dh.S.Shuteriqit i tha:
“Est-ce possible!
Je n’ai jamais vu de ciel aussi serein
et des coeurs aussi sereins.
Et pourtant,
la tempète fait, rage autor de votre roc.
Le ciel ressemble aux coeurs,
En France, il est tout aussi beau,
mais: plaie du coeur-plaie du ciel!
Në shqip:
Si është e mundur?
Unë s’kam parë kurrë qiell kaq të qetë
e zemra kaq të qeta.
E megjithatë,
fortuna po çmendet rreth shkëmbit tuaj.
Qielli u ngjet zemrave,
Në Francë ai është po kaq i bukur,
por plagë e zemrës – plagë e qiellit!
* I. Stravinski, Edition du Rocher, 1958.
* Karl Maria Von Veber – muzika e tij e mahnitshme “Gjahtari magjik”
* Muzika e Alban Bergut, po edhe e Anton Vebernit.
* Paul Bertrand: “Précis d’Histoire de la Musique”, Paris, 1921.
* Ë. Ëhitman:
– And ëho art thou? Said I to the soft-falling shoëer.
– I am the Poem of Erth, said the voice of the rain.
në shqip:
– Kush je ti? pyeta shiun që binte butë.
– Poema e Tokës jam, – tha zëri i shiut.
* Me sa duket edhe unë duhet t’i ngjaj Vezuvit.
Majakovski:
Por Vezuvi e përmbyti Pompeun,
Kur pompeasit e tallën!
* Muzika e Edgar Varez (1883-1965): “Poeme electronique”, në sallonin e Le Corbusier.
* Kesiner: “njeriu është kafshë e simboleve”
4 VARGJE
Këto skelete pemësh,
Më ngjajnë tani,
Si trupi i Vjeshtës,
Në radiografi!
* Kufoma e Diellit si një furrnaltë e shuar…
* Kjo lopë ngjan si e mbështjellë me hartën e botës.
(vijon në numrin e ardhshëm )
