Përballja e kryesuesve, sot në “Selman Stërmasi”

Ornela

Mbrëmjen e sotme do të luhet ndeshja e fundit e javës së 10 të Kategorisë Superiore, një takim që do të përballë kryesuesit e kampionatit, Partizanin, dhe ndjekësin e tyre, Skënderbeun.

Janë të mëdha pritshmëritë e kësaj ndeshjeje në aspektin sportiv, pasi bëhet fjalë për dy nga skuadrat më në formë të fazës së parë të këtij sezoni. Të kuqtë e drejtuar nga Skënder Gega kanë treguar një vazhdimësi loje dhe rezultatesh, pa shumë bujë.

Golat nuk kanë qenë të shumtë, por nuk i kanë munguar, falë edhe formës shumë të mirë të treshes së sulmit Bardhi, Asani dhe Males. Megjithatë, për të mbajtur kryesimin e kampionatit deri në këtë javë kanë kontribuar thuajse të gjithë lojtarët e Partizanit me golat e tyre, por edhe reparti i prapavijës me mbrojtjen më të mirë të kampionatit, tregon shumë për balancat e kësaj skuadre.

Me një fitore më pak dhe një barazim më tepër, Skënderbeu i Orges Shehit e ndjek me dy pikë diferencë Partizanin deri në prag të kësaj jave të 10. Humbjen e vetme të kuqve ia ka shkaktuar pikërisht skuadra kampione në fuqi, me një penallti në ndeshjen hapëse të sezonit, një takim që e humbi sensin dhe vëmendjen sportive për shkak të ngjarjeve të ndodhura me tifozët.

Gjithsesi, ajo situatë duket e lënë pas dhe të gjithë janë të përqendruar tek një kampionat që po bëhet më i vështirë për t’u menaxhuar nga java në javë. Edhe për këtë takim Shehi pritet të mbetet me skemën sulmuese 4-3-3, ku dyshja Gripshi-Bregu do të jenë dhe pikat e referimit, në mbështetje të Oto Xhon apo Krasniqit që udhëheq sulmin.

Ndërkohë që mungesa e Muzakës nuk është një problem i thjeshtë për t’u zgjidhur, edhe pse korçarët janë të bindur se alternativat janë në nivel shumë të mirë. Ndërkohë, në prapavijë Skëndërbeu është skuadra e dytë, pas Partizanit, me mbrojtjen më të mirë, vetëm dy gola më shumë të pësuar se kryeqytetasit, duke e bërë edhe këtë repart një pikë të fortë nën udhëheqjen e kapitenit Radas.

Përtej statistikave, ndeshja Partizani-Skëndërbeu pritet të jetë qershia mbi tortë e kësaj jave të kampionatit, për shkak të rivalitetit të madh që kanë të dyja ekipet brenda dhe jashtë fushe.

Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Selman Stërmasi” në orën 19:00

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *