Përbindëshat dhe fantazmagoria e Borgesit

Ornela

Moikom Zeqo

Në Mbretërinë e Përbindëshave u fut edhe Jorge Luis Borgesi.
Gjoja për të shkruar një libër reportazh, te poema “Farsala” e Lukanit pa lloje të pabesueshëm gjarpërinjsh, Plini i foli për gjarprin Amfistën me dy kokë që synojnë të lëvizin në drejtime të kundërta, po Plini, i tregoi për kafshën Katoblepas në Nil, e Etiopi, për Behemothin te “Libri i Jobit”, për gomarin me tri këmbë të Babilonisë.
Pastaj Borgesi u mahnit për kafshët e pasqyrave që shfaqen si shpirtra pa formë, kafshët sferike, kafshët njerëz të përshkruar nga Kafka, Poe, Levis Karrol, Tertuliani, Shën Ambrozi, për përbindëshin detar Leviatan të psalmeve, engjëllin e errësirës Abadon, Gogun e Magogun, Mirmikoleonin, domethënë Luanin e Milingonave (që e përmend Pjetër Bogdani), tërë qeniet e përçudnuara të De Profundes, pastaj më të tmerrshmen gjë: Mona Lizën e Da Vinçit pikturuar nga Dyshampi me mustaqe, që ia kalon Trismetistit Satanait.
Më pas rastësisht Gustave Meyrik i tregon Borgesit Romanin e tij onirik të botuar më 1915 “Der Golem” sipas një historie të pabesueshme të shekullit XVII, që duke rigjetur një formulë të humbur të Kabalës një robin çifut konstruktoi njeriun artificial të quajtur Golem (më pas u zhduk dhe i mbeti skeleti në një sinagodë të Pragës që e kishte parë… Franc Kafka (1991)

KALEIDOSKOPI I PARADOKSEVE

Unë zotëroj dy trupa
timin, që është i brishtë
dhe të Zotit,
si lëkurë
që më mbron!

Alain Bosquet

Mendimin e tmerrshëm, përvëlues, dyshimngulmues e sfinksor të Ekleziastit (9-4) se “një qen i gjallë vlen më tepër se një luan i vdekur” nëpër vite e kam përcjellë i drithëruar në vetminë time të rëndë të studimit të lodhshëm e torturues, në kuptimet e moskuptimet e mia të paskajshme e kaleidoskopike.
Në vitin 1992 në një polemikë apokaliptike unë citova librin “Kopështi i torturave” të Mirbosë, e thënien kundërshtuese e të zgribshme deri në fund të këtij shkrimtari “Preferoj të jem një luan i vdekur se sa një qen i gjallë”.

Ndoshta e vërteta më e pashpërbërshme qëndron, fshihet, bulëzon, ripërtërihet, e sfidon gjithçka midis këtyre dy mendimeve përjashtuese, midis dy apeleve të mëdha të filozofisë së Jetës dhe të Vdekjes.

Ekleziasti i mbiquajtur “si Mbreti i Izraelit e bir i Davidit” është një filozof i qëmotshëm, parak i ekzistencializmit, sipas formulës Sarti-ane “ekzistenca përpara qenies”, sepse “në Sheol (vendi i Vdekjes sipas judaizmit – shënimi im, M.Z.) nuk ka më as punë as mendim, as njohuri e as dituri” (Ekleziasti –9-10), ide kjo kundër krishterimit, që “jetën e pasvdekjes” e bën gjithçka.

Qeni e luani janë si pole totemike, me semantika mitologjike e poetike në kohëra, pra, janë dy fytyra të njeriut si në rastin e prozës këlthitëse të Migjenit për “Sokrati e Vuajtur dhe Derrin e Kënaqur”.

Këtu është rasti të vë në spikamë se filozofi anglez Stjuart Mill qe i pari – jo indiferent ndaj mendimit ekleziastik, – që shpalli, se më mirë të ishte Sokrat i Vuajtur se sa një Derr i Kënaqur.

Figura e derrit na ndërlidh me mitin homerik të shndërrimit të detarëve të Odiseut në derra nga magjistarja e paepur e ambicioze Circeja.
Duke e keqpërdorur këtë mit, Xhorxh Oruelli te libri “Ferma e kafshëve” me pafajësi e naivitet tronditës e padyshim me një iluminizëm të egër, tregoi subjektin utopik të një shteti kafshësh, të komanduar nga derri Napoleon, mendimtar i totalitarizmit të shekullit të XX-të, subjekt për të cilin filozofja e politikës Hana Arendt shkroi librat e saj me një krye ide të lemerisur, se “një gram pushtet peshon më shumë se një tonelatë intelekt.”

Tërë referencat e mësipërme janë të dobishme e brenda ndriçuese, pika të forta shënuese të së vërtetës, gjeneza të vetkuptueshme të debatit.

Në realitetin shqiptar thënia ekleziastike ekzalton e entuziasmon shumë njerëz me prirje filozofike e sidomos hedonistike, të gëzimit të jetës sipas formulës latine “carpe diem” domethënë “kape çastin”.
Këta njerëz qenorë nuk e duan heroizmin asketik – duan të jenë të kënaqur me vetveten, pavarësisht nga katastrofa e vuajtja ciklike e vazhduar dhe e padurueshme e të tjerëve.
Lumturia e tyre është gjallesa e çastit, justifikohen për çdo veprim, bëjnë çdo gjë të palejuar moralisht, sepse mjafton “që marrin frymë”.

Ata lëpijnë këmbët e zotërve të kopesë, janë besnikë deri në fund të skllavërisë së tyre mitike e të amëshuar, janë filozofia e kopesë të paracaktuar nga një Providencë.

Ata nuk bëjnë pyetje, nuk dinë të zemërohen, por dinë të lëpijnë kocka, ndonëse jeta e tyre kockëlëpirëse kundërmon nga një duhmë neveritëse, vdekësohet e pakuptimtë, e abystë.

Njerëzit qenorë, – kuptohet që lehin mrekullisht, por e kanë humbur sekretin e artikulimit të lartë sipëror, dallues, mbresëlindës e mrekullibërës.

Në mjedisin shqiptar Skënderbeu, ose Naim Frashëri, Migjeni janë “luanë të vdekur” prej kohësh e qentë e gjallë të së tashmes – vetëm e vetëm të së tashmes, nuk duan t’ia dinë, – ndonëse druhen e tkurren nga hijet e përjetshme të luanëve.
Midis dy skajeve, midis dy simboleve, e Vërteta, siç e ceka në fillim, – bën të papriturën e vet – në fakt luanët e vdekur kanë trashëgiminë e tyre: luanët e gjallë, pra, kuptimi kryengritës, plot dinjitet të amshueshmërisë kryeneçe e të parrokshme dot, është se duhet jetuar jeta si luanët dhe njëkohësisht, në Vdekje duhet shkuar po si luanët!

Në fakt, në një nga shpellat e Betlehemit dijetari ilir Jeronimi, i shekullit të IV-të, shkruante e jetonte sëbashku me një luan.
Piktorët Rilindës, Pre-rafaelianë, ose Viktorianë të Europës, Jeronimin e shumëditur e dilemasfilitës e kanë paraqitur përherë me luanin – totemin e përjetësisë së meritueshme e të paanshme në kohërat proverbiale të kulturës së ndritur.

Kështu luanët e vdekur, nuk vdesin asnjëherë, kurse qentë e gjallë janë të ngordhur përherë.

(Nuk mund të përdoret për ta cilësimi “të vdekur” për arsye respekti njerëzor, arsye, që mbartet simbolikisht nga luanët).

Një fjali e intelektualit të përkorë e tejet modest në heroizmin e vet, të Marin Barletit, që flet për një ditë kur “luanët komandonin luanë” është një apoteozë e thjeshtë e Rilindjes dhe një fuqie misterioze dhe thellësisht e fshehur e kombit të martirizuar, madje një herezi e pakonceptueshme, shkatërrim e gjëmë vajtuese e instinkteve të qenit pa histori domethënë pa jetë, e për rrjedhim pa vdekje të denjë.

Po ajo që është e kuptueshme nga Barleti, pse është e kuptueshme as e mundshme mbas katër shekujsh?
Hungërimat madhështore të luanëve bëjnë të lindin Agimet e Mëdha!(1995)

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *