Xhevdet Shehu
Dje me një dhimbje të thellë, i dhamë lamtumirën e fundit poetit Arben Duka. E përcollëm… Ia dhamë përjetësisë. Dhimbja jonë për Arben Dukën nuk mund të shprehet me pak fjalë. Është një dhimbje që më shumë ndjehet, se shprehet. Qante më dënesë Petrit Luloja, këngëtari yll i Labërisë që ka një mal me këngë më tekste të Ben Dukës. Mes ngashërimit më thoshte në heshtje: Qaj për këngët që Ai nuk mundi t’i shkruante dhe unë nuk munda t’i këndoja. Po the Gjirokastra, i ke thënë të tëra… Ma ngjeshin mua këtë, po këtë e ka shkruar Ben Duka. S’ka më Ben! – thoshte Petriti bashkë me dënesjen e tij.
Unë jam një nga ata që e ndjejnë shumë ikjen e Benit. Si mik, si koleg, si bashkëluftëtar në kohëra shumë të vështira. Ndiheshim shumë mirë kur ishim përkrah njëri-tjetrit, ziheshim dhe e përshëndesnim njëri-tjetrin. Plotësonim njeri-tjetrin, sidomos kur binte fjala për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe dëshmorët. Nuk e dinim që ishim aq shumë pranë, Fajin e ka gazeta DITA që për gati dhjetë me radhë na futi në një llogore.
Ishte dhe mbeti deri në frymën e fundit miku më i shtrenjtë i veteranëve të LANÇ-it dhe i dëshmorëve. Ai i ngriti në poezi Luftës sonë Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe dëshmorëve të saj një monument madhështor të pavdekshëm dhe të krahasueshëm me monumentin Nënë Shqipëri te Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë apo monumentin e Pvarësisë në Vlorë.
Liberal në vitet e socializmit dhe qëndrestar si askush për mbrojtjen e vlerave të mëdha të krijuara me aq shumë gjak e sakrifica nëpër dekada dhe të nëpërkëmbura dhe të baltosura në vitet e pluralizmit, Ben Duka duket paradoksal. Jo. Nuk ishte i tillë. Ai ishte dhe mbeti një idealist i madh, një dashnor i madh i Lirisë, të cilën ua uronte me gjithë zemër Shqipërisë dhe bashkëkombasve të tij.
Dhe i tillë do të mbetet: Shëmbëlltyrë e Lirisë dhe mbrojtës i flaktë i saj! Me fjalën e tij, me veprën e tij të patjetërsueshme. Jo më kot Jorgo Mandili e quante dje Fuçiku ynë!
Jam prekur si rrallëherë në jetën time kur dje, ndërsa hodha në fejsbuk lajmin e ndarjes nga jeta të Benit, më ngushëllonin të afërm e miq nga të gjitha anët e globit ku jetojnë aktualisht shqiptarët. Kjo tregon se sa popullor ishte ky poet.
***
Arben Duka vuante prej vitesh nga sëmundja. Që ishte poet, madje par ecxellence, nuk i them asgjë lexuesit. Ai ishte poet i lindur dhe me aq sa bëri hyri në panteonin e letrave shqipe. Bashkë me Andom Zako Çajupin, me Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin, Ali Asllanin, Lasgush Poradecin e të tjerë.
Dritëro Agolli dhe Ben Duka janë poetët që kanë shkruar më shumë për vdekjen. Në të vërtetë janë tallur apo kanë luajtur kukamsheftas më atë të flamosurën. Duke e konsideruar si të pashmangshme vdekjen, këta që e kishin siguruar pavdekësinë, talleshin me të. Dritëroi e ftoi për darkë vdekjen për darkë dhe e dehu me raki në vitin 96 a 97 dhe e bëri të bridhte rrugëve të Tiranës bashkë me tutkunin Sali.
Beni ishte pak më ndryshe. Nuk i druhej vdekjes, ishte mjaft i përkorë sa herë e kujtonte atë në vargjet e tij të pambarimtë. Por e donte si rrallëkush jetën. Ndaj i këndoi dashurisë si askush tjetër në letrat shqipe. Ndaj e quajtën poet i dashurisë. Për mua ai, Beni pra, ngjante më shumë me Aliun, Ali Asllanin e famshëm të Vajzës së Vlorës, jo me Ali Pashën e Janinës. E, Ali Asllani i Vajzës shkruante në vitet e fundit kur po i afrohej ajo e uruara vdekje: Kam një këmbë në yzengji, jam udhëtar eterniteti…
Dhe me këtë dukej sikur e merrte me të mirë atë të pashmangshmen dhe të pamëshirshme. Kështu bëri edhe Beni me vdekjen. E largonte me të mirë sa mundej.
Ia kisha thënë Benit këto vargje të Ali Asllanit këta dhjetë vitet e fundit, në të vërtetë ia përsërisja, pasi ai e dinte Aliun përmendësh dhe ai buzëqeshte dhe shkruante satira jo për Aliun, po për Saliun.
Dje isha në homazhet që iu bën Benit tek Prefektura e Tiranës bashkë me Maqo Lakrorin, një mikun tim të vjetër nga fillimet e demokracisë. Isha me Jorgo Mandilin, Llambi Qirkon, Liljana Mero Konomin, Dhora Llojën. Por, si rrallëherë kam parë në një ceremoni varrimi aq shumë njerëz, politikanë të majtë e të djathtë. Qytetarë që ndoshta vetëm emrin i kishin dëgjuar Benit dhe nuk e kishin njohur asnjëherë. Por ata kishin lexuar poezitë e parreshtura të tij. Kam parë veteranë dhe pasardhës veteranësh e familjesh të dëshmorëve. Ishte aty Alfred Moisiu, Gramoz Ruçi, deputetë të majtë e të djathtë që Beni i ka satirizuar me vargjet e tij, por edhe që i donte si rrallëkush, pasi ka dashur gjithnjë që ata të bënin më të mirën e mundshme për vendin e tyre. Nuk erdhi dhe nuk kish si të vinte Sali Berisha, njeriun të cilit Beni nuk ka lenë gjë pa i thënë si keqbërësi më i madh në këta dy mijë vjetët e fundit, duke përdorur një metaforë kozmike.
Kanë shkruar dhe do të shkruajnë vazhdimisht për Benin. Ai ka hyrë në panteon dhe do të nderohet e kujtohet si një krijues i jashtëzakonshëm.
Në një përvjetor për Naim Frashërin, Dritëro Agolli bëri një shkrim të shkurtër por tepër vlerësues, nën titullin: Punove mirë, usta!
Ne, duke përcjellë Benin sot, duke perifrazuar Dritëroin, mund të themi: Punove mirë, Ben! E bëre tënden! Tani është radha jonë të kujtojmë ty dhe të mos lemë kurrsesi të harrohesh. Kur flasim për Ben Dukën, duhet të kujtojmë me doemos vargjet e Ali Asllanit dhe të themi: Po! Beni është udhëtar eterniteti!
Pene pushka Arben Duka/që s’u tremb e nuk u tut/kur ata të botës krimit/e gjakosen sakatosen/dhe të gjallë desh e varrosen!
Kur shqiptaret po varrosnin Poetin e Madh Arben Duka,
Sali Berisha pinte shampanje me Ilir Meten.
Fjale te ndejra shoku, miku, vellai. Benin e deshen ata qe duan Shqiperine, te dashuren tone te jetes. Te lumte, Xhevdet.
Bukur Xhevdet per te madhin Arben Duka
I paharruar kujtimi i Arben Dukes…shkruajti me dashuri
te madhe per Shqiperine…ne ditet me te zeza qe tradhetaret…politikane e shiten e dogjen dhe e sakatosen…por Ben Duka me dashurine e madhe per kombin tone i demaskoj me fjale me te zeza…me damken e tradhetareve.
RIP poet i madh atdhetar i paster Arben Duka
Faleminderit i nderuar Xhevdet Shehu per kete shkrim kushtuar te madhit e te rrallit POET-Arben Duka.Perjetesi emri dhe verpra e Tij e paharruar..