Organizata e Dëshmorëve të Atdheut proteston ndaj indiferencës së qeverisë ndaj dëshmorëve në vitin jubilar të 75-vjetorit të çlirimit të atdheut. Qeveria shtyn pafundësisht, përtej çdo limiti një VKM për hyrjen në fuqi të ligjit për statusin e dëshmorit të atdheut. Çfarë fshihet pas kësaj manovre djallëzore të qeverisë, për të cilën kanë votuar familjet e dëshmorëve?
Dalan Buxheli*
Qeveria që është e detyruar të zbatoje ligjet dhe kushtetutën siç është betuar kur erdhën në pushtet, nëpërkëmbën zbatimin e ligjit të miratuar nga Parlamenti duke vonuar e zgjatur afatin mos nxjerrjen të vendimit brenda 3 muajve siç përcaktohet, në ligjin nr.109/2018 datë 18 dhjetor 2018 “për Statusin e Deshmorit te Atdheut”, miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë neni 24 pika 3 e këtij ligji thuhet “Ngarkohet Kryetari i Komisionit Qendror të statusit “Dëshmor i Atdheut” që, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, të nxjerrë udhëzimin në zbatim të pikës 2 të nenit 9 për shpalljen ose njohjen e statusit “Dëshmor i Atdheut”, si dhe kushtet teknike të përcaktimit të tyre përcaktohen me udhëzim të Kryetarit të Komisionit të Statusit “Dëshmor i Atdheut”. Sipas ligjit, udhëzimi duhej të kishte dalë në fund të muajit mars të vitit në vazhdim. Kanë kaluar 6 muaj e po mbyllet viti, Qeveria nuk ka gjetur kohë të plotësojë këtë detyrim ligjor e më keq akoma kërkesat tona të përsëritura kanë mbetur pa përgjigje.
Gjatë kësaj periudhe nga koha e daljes se ligjit, qindra familje dëshmorësh në mbarë vendin, kanë plotësuar kërkesat për shpallje ose njohjen e statusit “Dëshmor i Atdheut”, i kanë përcjellë organeve përkatëse siç përcakton ligji, por mungesa e nxjerrjes së udhëzimit qëndrojnë të bllokuara pa u shqyrtuar. Kjo tregon përçmim dhe mospërfillje të veprës së ndritur të dëshmorëve të atdheut si dhe epopesë së lavdishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare që populli e ka të rrënjosur në zemër e mendje, mbrojtjen e gjakut dhe veprën e pavdekshme të dëshmorëve. Vetëm disa individë që nuk kanë formim dhe edukatë atdhetare, të ardhur rishtas në pushtet pa meritë shpërfillin gjakun dhe veprën e dëshmorëve të atdheut. Dëshmori është një emër i ndritur dhe tejet i respektuar për popujt e kombet në botë. Ata janë pasuri e patjetërsueshme e kombit dhe e ndërgjegjes kombëtare. Të tillë kanëqenedhe do të mbeten në jetë të jetëve edhe për popullin shqiptar.
Organizata jonë për mbrojtjen e familjeve të dëshmorëve, i kërkoi Ministrisë së Mbrojtjes që në projektligjin që do t’i paraqitej qeverisë për statusin e dëshmorit të atdheut të përfshiheshin pensioni familjar mujor, e drejtë që e kanë përfituar deri në vitin 2006, por me ligjin nr. 9650 datë 11.02.2006 të qeverisë të Sali Berishës u hoq arbitrarisht kjo e drejtë për familjet e dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Janë të panumërta historitë reale të dëshmorëve dhe të sakrificës së tyre sublime gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Për këtë vendim politik Haxhi Gjoza nga Devolli, tregon sesi vëllai i tij partizan i plagosur në luftë kapet në spitalin partizan ku ishte për mjekim nga ballistët dhe e spërkatin me benzinë dhe e djegin të gjallë, nena e plagosur në luftë, gjithë familja bazë lufte dhe tani, thotë ai në moshën 80-vjeçare jam i varfër, pa asnjë të ardhur, ndjehem i shpërfillur nga shteti dhe qeveria që e kam votuar, kurse ata që dogjën vëllain tim dhe plagosen nënën shpërblehen nga shteti.
Kjo e drejtë e mohuar ndaj një kategorie të familjeve të dëshmorëve të LANÇ, shpërblimin modest e përfitonin fëmijët dhe vëllezërit e motrat që sa vjen e rrallohen. Kanë mbetur të paktë në numër ata që janë ende në jetë. Në propozimet tona përfshihej dhe ngritja e një instituti të specializuar, institut shtetëror që të merret me problemet e shumta që lidhen me dëshmorët e atdheut. Siç shkruajnë historiane e studiues seriozë, Shqipëria ka rreth 50 mijë të rënë në mbrojtje të kufijve, në kryengritjet rënë për çlirim e liri që nga viti 1870 dhe në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, por shumica prej tyre jo vetëm nuk kanë statusin e dëshmorit, madje as nuk janë të evidentuar nga shteti, sepse asnjë qeveri nuk është marrë seriozisht me këto probleme për botimin e një libri për dëshmorët e atdheut, por zëri ynë nuk u dëgjua asnjëherë. Ky është një fakt i dhimbshëm që ne po e tregojmë publikisht në prag të 75-vjetorit të çlirimit të atdheut.
Në projektligjin e dërguar qeverisë nga Ministria e Mbrojtjes nuk u përfshinë kërkesat tona. E tmerrshme. Ndërsa financohet nga buxheti i shtetit instituti i drejtuar nga fashisti Agron Tufa, institut i krimeve dhe pasojave të komunizmit që shpall kriminelë 265 dëshmorë, heronj e udhëheqës kryesorë të LANÇ-it. Ne e dimë fare mirë se Agron Tufa nuk është i vetëm në përçartjen e tij antikombëtare, ai është pjesë e bandës së Sali Berishës, që i ka shkaktuar dhe vazhdon t’i shkaktojë dëme të pallogaritshme këtij vendi dhe këtij kombi, siç e cilëson me të drejtë në intervistat e tij edhe ish truproja e tij Izet Haxhia. Por një gjë është e qartë për të gjithë: Nuk mund të rehabilitohet balli kombëtar dhe reaksioni se do një institut dhe segmente të caktuara shtetërore.
Veprimi moral djallëzor që diferencon veprën e dëshmorëve të LANÇ-it, synon të fshijë karakterin masiv, të pëtundshëm dhe lavdinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, pa asnjë dyshim epopeja më e ndritur e historisë sonë kombëtare.
Familjet e dëshmorëve të atdheut meritojnë nderim dhe respekt të të drejtave të tyre, mirënjohje nga gjithë shoqëria, sidomos nga qeveria. Shpërfillja që tregohet në këtë rast është një akt i turpshëm dhe i patolerueshëm. Janë evidente kudo në botën e qytetëruar demokratike shembuj të tillë veresimi maksimal për të rënët antifashistë. Përse tek ne ndodh ndryshe? Përse vetëm tek ne ndodh e kundërta, ndërkohë që heshtja institucionale apo shtetërore vazhdon të përligjë këtë dukuri diskriminimi pikërisht në 75-vjetorin e çlirimit të atdheut. Ne këtë nuk mund ta quajmë me emër tjetër, por një turp të mirëfilltë, një papërgjegjësi qeveritare që duhet ndëshkuar.

*Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës së Dëshmorëve të Atdheut
