Xhelatë në Indi për përdhunuesit? Pas episodit të fundit të dhunës seksuale të ushtruar ndaj një studenteje indiane në kryeqytet dhe protestave të studentëve, qeveria e Nju Dehlit po diskuton mbi çështjen e futjes në Kodin Penal të ‘dënimit me vdekje’ për veprën penale të përdhunimit
Dhuna seksuale që u zhvillua këtë muaj në një nga zonat më të pasura të kryeqytetit indian, tronditi gjithë vendin dhe shkaktoi zemërimin e popullsisë. Mijëra të rinj, kryesisht studentë, u ngritën për të protestuar për një siguri më të madhe nga ana e autoriteteve policore, që shpesh janë akuzuar për korrupsion dhe neglizhencë. Përdhunimi i studentes 23-vjeçare të mjekësisë pak ditë më parë në një autobus publik, shkaktoi protesta të dhunshme dhe vuri në lëvizje qeverinë.
Ministri i Brendshëm i Indisë, Sushil Kumar Shinde, njoftoi se ndëshkimi për përdhunimin, dënimi maksimal i të cilit është burgimi i përjetshëm, mund të zëvendësohet me dënimin me vdekje. Ministri e bëri njoftimin në të njëjtën ditë kur policia përdori ‘grushtin e hekurt’ për të shpërndarë turmat që protestonin kundër autoriteteve pas ngjarjes tragjike.
Një vajzë 23-vjeçare, studente e mjekësisë, kishte shkuar në kinema me të fejuarin dhe gjatë kthimit pranuan të shkonin në shtëpi me autobus, pas ftesës së shoferit të tij. Në automjet ishin edhe pesë burra të tjerë, të cilët neutralizuan më parë djalin, pastaj përdhunuan e torturuan të fejuarën e tij, dhe në fund i hodhën të dy nga autobuzi që ishte në lëvizje. Dy të rinjtë ndodhen në një spital të kryeqytetit. Brutaliteti i këtij episodi duket se i ka dhënë një goditje të rëndë qeverisë indiane dhe Nju Delhi tashmë konsiderohet si ndër qytetet më të rrezikshme në Indi.
Pas ngjarjes kryeministri Manmohan Singh u takua me ministrin e Brendshëm për t’i kërkuar “që të bënte çdo gjë të mundshme për të mbrojtur femrat në vend” dhe që “incidente të tilla të mos përsëriteshin më”. Menjëherë më pas erdhi konfirmimi se ekzekutivi do të studionte mundësinë e futjes në Kodin Penal të dënimit me vdekje për disa raste “të jashtëzakonshme” të dhunës seksuale. Ndërkohë në kryeqytet kishte shpërthyer ferri. Ai ishte bërë skena e një lufte urbane, me protestuesit që hidhnin gurë, shishe dhe çdo gjë tjetër që iu gjendej në duar kundër agjentëve dhe këta që kundërvepronin. Me parullat “ne duam drejtësi”, “të mbrojmë gratë”, apo “varini” dhe me flamujt indianë trengjyrësh, mijëra të rinj indianë marshuan nëpër rrugët e kryeqytetit. Televizionet shfaqën pamjet e një demonstrate që u artikulua mbi dy kilometra nga memoriali kombëtar i dëshmorëve “Porta e Indisë” deri në pallatin presidencial, ku ndodhen ministritë dhe parlamenti.
Kur protestuesit, ndër të cilët edhe shumë gra, mbërritën në një nga zonat më të mbrojtura të kryeqytetit, policia u përpoq t’i bllokonte me shkopinj gome dhe pompa uji. Në fund, masat u shpërndanë me gaz lotsjellës dhe ujë. Një agjent ndodhet në gjendje të rëndë nga plagët e marra gjatë përleshjeve, ndërsa më tepër se njëqind protestues mbetën të plagosur. Drejtuesja e Kongresit kombëtar, Sonia Gandhi, duke iu përgjigjur apelit të protestuesve, premtoi mbështetjen e saj për ligje më të ashpra. Ndërsa protesta solidariteti u mbajtën edhe në shtetin fqinj të Utar Pradeshit. Vajza 23-vjeçare, e cila u përdhunua dhe torturua deri në pikën e vdekjes nga gjashtë burra në një autobus privat, pasi iu nënshtrua disa ndërhyrjeve kirurgjikale delikate është ende në rrezik për jetën. Por një burim nga spitali ku ndodhet e shtruar tha se pavarësisht gjendjes së rëndë, ajo arriti që me guxim të përshkruante se çfarë i kishte ndodhur./Dorina Gjuzi