Presidenti i Realit, Florentino Perez, deklaron me bindje se Kristiano Ronaldo është futbollisti më i mirë në botë. Penez shtoi se ndihet krenar që ishte ai presidenti që e solli portugezin në Madrid në vitin 2009, duke paguar 94 milion euro për ta blerë nga Manchester United. “Duam të vazhdojmë të fitojmë me futbollistin që po shënon një epokë të re te Real Madrid. Jam krenar kur shikoj gjërat që bën në fushë Kristiano dhe asnjë nuk e vë në dyshim që ai është futbollisti më i mirë në botë dhe një nga më të mirët e të gjitha kohërave”, tha presidenti. Më pas, ai foli edhe për blerjen më të shtrenjtë në histori, Gareth Bale. “Kemi sjellë në Madrid futbollistin më të mirë të kampionatit anglez. Bale shumë shpejt do t’u tregojë të gjithëve se është një nga futbollistët më të mirë në botë”. Për sa i përket modelit të klubit, presidenti tha se synon që të ketë aty lojtarët më të mirë në botë, por edhe produktet e akademisë: “Ideja jonë është të sjellim te Reali futbollistët më të mirë në botë, lojtarët më të mirë spanjollë, por gjithashtu t’u japim mundësi edhe futbollistëve të akademisë. Ne kemi bashkuar në skuadër lojtarë si Bale, Ilarramendi, Kasemiro, Naço, Karvahal, Hese, e të tjerë, të cilët plotësojnë një projekt që po na jep frytet e para”. Të gjithë nën drejtimin e Karlo Ançelotit, të cilin Perez e konsideron fitues të lindur. “Ançeloti është trajner i madh dhe një fitues i lindur. Ai ka fituar në Itali, Angli e Francë dhe ka përvojën e kapacitetin e duhur për të drejtuar skuadrën tonë me ndihmën e pashtershme të Zidanit tonë të madh”.
