Digjet në rrethana ende të paqarta një makinë në qytetin e Durrësit. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme, ndërsa mjeti me targa italiane, tip “Fiat”, mësohet se i përket një aktivisti vendor të Partisë Socialiste, me inicialet F. T. Menjëherë në vendngjarje shkuan zjarrfikësit dhe patrullat, si dhe grupi hetimor. Mjeti ka qenë i parkuar kur në orën 19:00 u përfshi nga flakët. Pronari i makinës së djegur tip “Fiat”, dyshon se mjeti i tij mund t’i jetë vënë zjarri qëllimisht, si një nga pistat e para. Ai tregon se automjeti i tij ndodhej i parkuar në momentin e djegies. Por nuk përjashton edhe ngjarjen aksidentale dhe për këtë pritet ekspertiza e grupit hetimor. Pronari mohoi të ketë konflikte, por fakti se është aktivist i njohur i PS-së në Durrës mund të ketë krijuar indicio për një krim. Policia tha se po heton në të dyja pistat, ndërsa mund të jetë edhe një shkëndijë elektrike në sistemin e veturës.
