Përfshirja në skemën e pensioneve

redaktor

Dorëzimi i kërkesës për të përfituar pensionin duhet të bëhet 12 muaj përpara se të aplikuesi të mbushë moshën e daljes në pension sipas përcaktimeve të bëra në ligj. Specialistët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore bëjnë me dije se të gjithë personat që janë në prag të arritjes së moshës për të përfituar pensionin e pleqërisë,  sipas ligjit duhet të paraqesin kërkesë me shkrim që 12 muaj para plotësimit të kushteve, pranë agjencive lokale të sigurimeve që ndodhen në vend banimet e tyre. Një aplikim i tillë do t’u jepte kohë të gjithë aplikuesve që të përfitonin pensionin që në muajin e parë të plotësimit të moshës. Kjo pasi për shkak të migrimit, të ndryshimit të vendeve të punës, të vendeve të banimit, kërkohet kohë për të verifikuar dokumentacionin. Ndaj një aplikim i tillë do t’u jepte kohë punonjësve që të mblidhnin të gjithë dokumentacionin e nevojshëm. Për të zyrtarizuar të drejtën e pensionit duhen paraqitur një sërë dokumentesh pranë agjencisë rajonale të sigurimeve ku bëhen edhe detajimet përkatëse. Konkretisht për pensionet e plota të pleqërisë përfituesi ose i autorizuari me prokurë paraqitet në agjencinë lokale të sigurimeve shoqërore (ALSSH) të vendbanimit, sipas regjistrimit në gjendjen civile, për të bërë kërkesën e përfitimit të pensionit të pleqërisë. Përfituesi për pension të plotë pleqërie së bashku me kërkesën duhet të paraqesë dhe dokumentet e mëposhtme: “Dokumentet që vërtetojnë moshën dhe identitetin, fotokopje e letërnjoftimit elektronik, ose certifikatë lindjeje me fotografi, certifikatë e gjendjes familjare, certifikatë martese (vetëm për aplikueset femra), kur kërkohet pension si nënë me shumë fëmijë dhe në certifikatën familjare nuk figurojnë të gjithë fëmijët, duhet të paraqitet edhe certifikatë e veçantë lindjeje, martese ose vdekjeje, për fëmijët që nuk figurojnë në certifikatën e gjendjes familjare, dy copë fotografi. Dokumentet që vërtetojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës si dhe dokumentet që vërtetojnë të ardhurat e realizuara, vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut për periudhat e sigurimit që nga 1.01.1994 deri ditën e shkëputjes nga puna, sipas formularit tip (nëse ka punuar dhe ka derdhur kontribute për periudhat pas datës 1.01.1994), si dhe çdo dokument tjetër justifikues që vërteton pagën ose derdhjen e periudhave kontributeve”. Në këtë linjë veprohet edhe për llojet e tjera të përfitimeve si ato familjare, të invaliditetit etj.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *