Përfundojnë me sukses negociatat me ish- të përndjekurit

redaktor

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, u takua sot me një grup ish- të përndjekurish politikë, me të cilët diskutoi dhe u prezantoi propozimet e reja për ndryshimin e ligjit për dëmshpërblimin financiar të tyre.

Në negociatat me ta, Veliaj vuri në dukje se propozimet e grupit të punës të kryesuar nga MMSR-ja, kanë si prioritet dëmshpërblimin e të gjithë ish të përndjekurve që jetojnë.

“Projektligji u jep prioritet në pagesa ish të përndjekurve politikë që janë gjallë. Njerëz si Islam Spahiu, sot 83 vjeç, përfitojnë më shpejt nga ndryshimet e reja dhe më vjen mirë që ata i përkrahin propozimet tona”, u shpreh ministri Veliaj, duke shtuar se ky projektligj do të kalojë në mbledhjen e të mërkurës të qeverisë.

Grupi i ish- të përndjekurve, disa prej të cilëve më parë ishin larguar nga greva e urisë duke e cilësuar atë si politike, e mirëpritën ndryshimin e ligjit, i cili bën të mundur një dëmshpërblim solidar, transparent, dhe jo-përjashtues. Projektligji i ri i jep përparësi në dëmshpërblim ish të burgosurve politikë që janë gjallë dhe trashëgimtarëve të radhës së parë, që janë në moshë të mitur në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Sipas këtij ligji, çdo fond vjetor ndahet në 70% për dëmshpërblimin e personave që janë në kategorinë prioritare dhe 30% për të dëmshpërblyer trashëgimtarët e ish të dënuarve politikë. Në grupin e përfituesve që trajtohen me përparësi përfshihen ish të denuarat politike gra, ish të dënuarit politik me moshë mbi 75 vjec, ish të dënuar që vuajnë sëmundje të rënda, ish të dënuar të cilët pavarësisht moshës kanë pasardhës në moshë të mitur dhe të gjithë ata që janë gjallë në momentin e hyrjes në fuqi të këtij projektligji.

Vlerësohet se numri i ish- të dënuarve politikë që janë gjallë sot është 2754 persona, mes të cilëve janë 117 gra.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *